Si të identifikoni, të parandaloni dhe të shmangni “Burnout”-in në punë

Burnout-i është shumë i zakonshëm në mesin e sipërmarrësve dhe madje edhe në mesin e profesionistëve ambiciozë. Fatkeqësisht, burnout-i shpesh mund të vijë pa ndonjë paralajmërim. Nëse e bëni punën tuaj me pasion, shumicën e herëve mund të mos ju duket sikur po punoni.

Kjo sjell shpenzimin e më shumë orëve në punë, sesa është normale.

Statistikat tregojnë se sipërmarrësit priren të flenë më pak dhe të punojnë më shumë orë në ditë. Një raport për Trendet e Biznesit të Vogël zbuloi se 70% e pronarëve të bizneseve dhe e të vetëpunësuarve punojnë edhe përtej orarit të gjumit.

Elon Musk thotë se punon 120 orë në javë. Disa sipërmarrës punojnë më shumë se 18 orë në ditë. Rezultati i punës së tepërt vjen me një kosto të madhe personale — kështu që le të shqyrtojmë se si ta shmangim atë.

Burnout-i nuk prek vetëm profesionistët

Shpenzimi i tepërt i kohës në një aktivitet nuk është i shëndetshëm. Qoftë puna profesionale apo sporti, punët e shtëpisë apo edhe video-lojërat, teprimi çon në burnout, në stres dhe në një sistem imunitar të kompromentuar.

Kjo mund të sjellë probleme të vogla ose të mëdha shëndetësore, si dhimbje koke, lodhje, ankth dhe madje edhe ekspozimin e vetes suaj përballë një rreziku më të lartë për kancer. Për më tepër, të qenët i rraskapitur dhe puna e tepërt mund të sjellë gjykim të turbullt, duke rezultuar në humbjen e mundësive në biznes ose në punë, për të mos përmendur efektin në marrëdhëniet familjare dhe martesore.

Përveç kostove të shëndetit dhe të marrëdhënieve, ekziston edhe kostoja e produktivitetit. Një tren nuk mund të udhëtojë shpejt përgjithmonë. Në një moment, do të ketë një avari. Për punonjësit, kjo vjen në formën e lodhjes ose të sëmundjeve që ju ngadalësojnë ose ju ndalojnë plotësisht nga mundësia për të kryer punën tuaj.

Për këto arsye, punonjësit dhe sipërmarrësit duhet të planifikojnë punën e tyre në mënyrë që të mos punojnë më shumë se ҫ’duhet.

Strategjitë kryesore për të parandaluar burnout-in

Nëse keni nevojë për disa ide se si të filloni rrugën tuaj për të parandaluar burnout-in, ja disa sugjerime:

  1. Identifikoni detyrat më të rëndësishme dhe përqendrohuni në kryerjen e tyre fillimisht.

2. Vendosni qëllime. Çdo detyrë duhet t’ju sjellë më afër arritjes së qëllimit tuaj kryesor.

3. Bëni dallimin midis aktiviteteve që prodhojnë të ardhura dhe aktiviteteve që nuk prodhojnë të ardhura. Aktivitetet që prodhojnë të ardhura – si për shembull kontaktimi i një klienti të mundshëm – duhet të kenë përparësi të lartë. Aktivitetet që nuk prodhojnë të ardhura përfshijnë detyra të tilla si postimi në mediat sociale të kompanisë ose përditësimi i faqes së internetit të biznesit.

4. Mos shpenzoni kohë në kompjuter, tablet, apo smartphone pa qenë nevoja. Përdorini këto pajisje për një qëllim të caktuar, për detyra të rëndësishme që duhet të kryhen. Përndryshe, shmangini ato. Është e lehtë të harxhosh kohë me këto pajisje, me kaq shumë aktivitete që janë të disponueshme në internet, madje edhe të lidhura me biznesin. Kjo gjë konsumon akoma më tepër energjinë tuaj, duke shkaktuar burnout. Kur jeni larg internetit, mund të përqendroheni te punët që janë më të rëndësishme për biznesin tuaj. Përndryshe, mund të jeni të zënë me detyra të parëndësishme.

5. Delegoni punën që mund ta bëjnë të tjerët.

6. Kufizoni kohën që keni akses në internet, si p.sh. reduktoni aksesin në WiFi. Shumë kohë shpenzohet në internet, në mediat sociale, duke shfletuar lajme ose duke parë video në YouTube dhe këto gjëra dëmtojnë ekuilibrin punë-jetë. Mungesa e aksesit të pakufizuar në internet do të sigurojë një jetë më të ekuilibruar.

Burnout ndikon si në produktivitetin tuaj, ashtu edhe në shëndetin mendor. Madje, ai mund të ketë efekte afatgjata në aftësitë e punës dhe në përparimin profesional. Prandaj, për një jetë të shëndetshme, të ekuilibruar dhe pa stres, është e rëndësishme të parandaloni burnout-in duke pasur një orar pune më të qetë./Entrepreneur/

Artikulli paraprakRezerva Federale rrit normat e interesit me 0.75 pikë për të dytin muaj radhazi
Artikulli tjetërAeroporti i Prishtinës i dyti në rajon për numër të udhëtarëve