Rezerva Federale rrit normat e interesit me 0.75 pikë për të dytin muaj radhazi

Banka Qendrore e SHBA-së përforcon qasjen agresive ndaj inflacionit, pavarësisht shenjave të ngadalësimit ekonomik.

Rezerva Federale rriti normën e saj bazë të interesit me 0.75 pikë përqindjeje për të dytin muaj radhazi të mërkurën, pasi përforcoi qasjen e saj agresive për të zbutur inflacionin në rritje, pavarësisht shenjave se ekonomia amerikane po fillon të ngadalësohet.

Në fund të takimit dy-ditor për politikat monetare, Komiteti Federal i Tregut të Hapur rriti intervalin e synuar të normës së fondeve federale në 2.50 për qind.

Në një deklaratë që shoqëroi njoftimin, komiteti tha se “parashikon që rritjet e vazhdueshme në intervalin e synuar do të jenë të përshtatshme”.

Ky vendim, i cili pati mbështetje unanime, zgjeroi një varg rritjesh të normave të interesit, të cilat filluan në mars dhe kanë vazhduar të rriten në vazhdimësi, teksa intensifikohen përpjekjet e Fed për të përballuar inflacionin.

Rritja e normës të mërkurën nënkupton që Fed po hyn në ciklin më agresiv të shtrëngimit monetar që nga viti 1981. Ajo pason një rritje prej gjysmë pike në maj dhe një rritje prej 0.75 pikë përqindjeje muajin e kaluar, e para e kësaj magnitude që nga viti 1994.

Intervali i ri i synuar ka arritur atë nivel që shumica e zyrtarëve e shohin si “një normë neutrale”, e cila as nuk stimulon dhe as nuk kufizon rritjen nëse inflacioni është në objektivin 2 përqind.

Me inflacionin që po rritet me ritmin më të shpejtë në më shumë se katër dekada, priten rritje të mëtejshme të normave të interesit përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2022, por ritmi i këtyre rritjeve është akoma duke u diskutuar. Ekonomistët janë të ndarë për faktin nëse banka qendrore do të zbatojë një rritje tjetër të normës prej 0.75 pikë përqindjeje në mbledhjen e ardhshme në shtator, apo do të zgjedhë një rritje më të vogël prej gjysmë pikë përqindjeje.

Të mërkurën, Fed pranoi indikatorët paraprak se ekonomia ka filluar të ngadalësohet, por nuk tregoi shumë shenja lëkundjeje nga “angazhimi i saj i pakushtëzuar” për të rivendosur stabilitetin e çmimeve.

Në deklaratë, Fed ndryshoi vlerësimin për ekonominë, duke thënë se aktiviteti i përgjithshëm ekonomik “duket se është rritur pas rënies në tremujorin e parë”, por nga ana tjetër vuri në dukje se “treguesit e fundit të shpenzimeve dhe të prodhimit kanë pasur rënie”.

Megjithatë, Fed pohoi se punësimet kanë qenë në nivele të larta dhe se banka qendrore mbetet “shumë e vëmendshme ndaj rreziqeve të inflacionit”.

Zyrtarët e lartë kanë thënë më parë se dështimi për të vënë nën kontroll inflacionin dhe lejimi që ai të ketë efekte afatgjata në ekonomi, do të sillnin rezultate më të këqija sesa lëvizjet në mënyrë shumë agresive të Fed.

Norma e fondeve federale parashikohet të arrijë në rreth 3.5 për qind këtë vit, një nivel që do të kufizojë më shumë aktivitetin ekonomik. Shumica e zyrtarëve besojnë se politika duhet të bëhet “kufizuese” në mënyrë që kërkesa të ulet në një nivel ku rritja e çmimeve të kufizohet.

Zyrtarët kanë sinjalizuar më parë se duhet të ketë prova “të qarta dhe bindëse” se inflacioni po fillon të ngadalësohet, përpara se Fed të rishikojë planet e saj për të shtrënguar politikën monetare.

Politikëbërësit e bankës qendrore duan të shohin një varg shifrash mujore të rënies së inflacionit, por ekonomistët paralajmërojnë se kjo mund të ndodhë vetëm pas shumë muajsh, të paktën nëse shifrat e inflacionit nuk llogarisin artikujt e paqëndrueshëm si ushqimi dhe energjia.

Në qershor, mallrat dhe shërbimet bazë regjistruan një rritje alarmante prej 0.7 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të qerave dhe të kostove të tjera të lidhura me banesat, të cilat kanë të ngjarë të mbeten të larta deri në vjeshtë.

Fed rriti normat vetëm një ditë përpara publikimit të shifrave të reja të PBB-së, të cilat mund të tregojnë një tremujor të dytë radhazi të tkurrjes së rritjes ekonomike në SHBA. Kjo do të përmbushte një nga kriteret e gjithëpranuara për një recesion teknik, por zyrtarët kanë vënë në dukje shenja të tjera të fuqizimit ekonomik – duke përfshirë tregun e punës – për të sfiduar këtë sugjerim.

Pikat kontradiktore të të dhënave ekonomike do ta bëjnë punën e Fed-it më të vështirë, teksa banka planifikon veprimet e mëtejshme të politikave monetare, ndërkohë që do të rrisin presionin mbi bankën qendrore për të ngadalësuar ritmin e rritjes së normës të interesit.

Zyrtarët ende thonë se inflacioni mund të ulet në objektivin prej 2 për qind të Fed-it pa pasur humbje të shumta të vendeve të punës, megjithëse kanë pranuar se rruga për të arritur këtë rezultat është bërë më e vështirë./Financial Times/

Artikulli paraprakAdministrimi i letrave me vlerë
Artikulli tjetërSi të identifikoni, të parandaloni dhe të shmangni “Burnout”-in në punë