Ndërsa Rusia po redukton furnizimin me gaz në Evropë, duke pretenduar se arsyeja janë problemet teknike dhe mirëmbajtja e tubacioneve të gazit, BE-ja pretendon se bëhet fjalë për një manipulim politik dhe po përpiqet të bindë anëtarët e saj që ta kursejnë këtë energji për të pasur mjaftueshëm për dimër.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Evropa ka kërkuar të zvogëlojë varësinë e saj energjetike nga Moska, me sanksionet e vendosura së bashku me aleatët perëndimorë.
Të gjitha këto trazira, sipas shumë ekspertëve, po krijojnë një rend të ri energjetik botëror, fillimet e të cilit ishin të dukshme me një fushatë në rritje të mbrojtjes së kalimit në energjinë “e gjelbër”.
Gjeopolitika dhe energjia
Gjeopolitika dhe burimet e energjisë kanë qenë gjithmonë të lidhura me aftësinë e shteteve për të përdorur dhe kontrolluar burimet e energjisë në botë.
Kështu ndodhi më parë me Perandorinë Britanike në shekullin e 18-të dhe ngritjen e Gjermanisë në shekullin e 19-të, pasi këto fuqi kontrollonin dhe përdornin rezervat e qymyrit si burimin kryesor të energjisë së kohës.
Qymyri ishte i nevojshëm për të fuqizuar motorin me avull, shpikja kryesore që nisi revolucionin industrial në Perëndim dhe u bë burimi që çoi në transformimin e ekonomisë bujqësore në një industriale. Lokomotivat dhe anijet me qymyr ulën kohën dhe koston e transportit në tokë dhe det, gjë që çoi në zhvillim të përshpejtuar.
Megjithatë, zbulimi i naftës në Pensilvani në 1859 filloi një revolucion të ri energjetik. Me përparimin teknologjik në shekullin e 20-të, nafta u tregua burimi më i mirë i energjisë, veçanërisht me fillimin e prodhimit të automobilave, duke zëvendësuar kështu qymyrin.
Me rritjen e numrit të njerëzve që zotëronin makina, rritej edhe kërkesa për naftë, pra karburant. Anijet, kamionët, tanket dhe avionët ushtarakë që filluan të përdorin karburantin në Luftën e Parë Botërore, treguan se nafta është gjithashtu një burim kryesor ushtarak. Në të njëjtën kohë, gazi për ngrohje filloi të përdoret gjerësisht.
SHBA u mbështet gjithashtu në naftë për të ruajtur pushtetin në shekullin e 20-të. Megjithatë, në fund të asaj periudhe, për burimet e rinovueshme të energjisë filluan të flitet më intensivisht për shkak të përparimit teknologjik, burimeve të kufizuara, ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së mjedisit.
Vendndodhja e burimeve të energjisë
Që nga fillimi i revolucionit industrial, gjeopolitika e energjisë, domethënë fakti se kush zotëron furnizimet me energji dhe kush ka akses në ato furnizime, ka qenë një faktor kyç në sigurinë globale. Gjeopolitika e energjisë përkufizohet si efekti që vendosja e burimeve të energjisë ka në politikën e shteteve. Elementi kryesor i këtij “efekti” është varësia e prodhuesve (varësia nga fitimi) dhe e konsumatorëve (varësia nga burimet e energjisë).
Varësia nga një burim energjie arrihet vetëm kur ai burim mund të transportohet lehtësisht dhe ekonomikisht nga vendi ku ndodhet në vendin e konsumatorit, që në fakt është më së shumti karakteristikë e naftës.
Nafta është gjithashtu një burim energjie nga i cili mund të prodhohet karburanti i nevojshëm për transport. Gazi ka karakteristika të ngjashme, por transporti i tij është shumë më kompleks dhe më i shtrenjtë. Qymyri filloi revolucionin industrial, por sot ai gjithashtu luan një rol dytësor ndaj naftës.
Kur ka varësi energjetike, do të ishte ideale të kishim një ekuilibër dhe çelësi për ta ruajtur atë është stabiliteti i çmimeve dhe furnizimeve të energjisë. Kur ky ekuilibër prishet, mund të ndodhin trazira politike dhe gjeopolitike.
Gjatë pesë dekadave të fundit, ka pasur një tregti globale relativisht të lirë të naftës dhe gazit natyror në tregjet botërore. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo përfundoi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, i cili shkaktoi sanksione masive perëndimore.
Cila është alternativa për Evropën?
Varësia energjetike e Bashkimit Evropian nga Rusia është e madhe. Që kur u ndërtua gazsjellësi Trans-Siberian në vitet ’80, filluan këto frikë nga mbivarësia.
Megjithatë, Rusia është e pasur me burime të ndryshme dhe është afër Bashkimit Evropian, gjë që e bën atë një partner ekonomik natyror, dhe kjo nuk ndryshoi kur Moska ndryshoi çmimet e energjisë për të shpërblyer ose ndëshkuar një vend për politikat e saj, ose kur pushtoi Gjeorgjinë në 2008. … ose aneksimi i Krimesë në 2014. Deri në agresionin rus kundër Ukrainës.
Gazsjellësi Nord Stream 1 është gazsjellësi më i madh përmes të cilit Rusia furnizon Evropën Perëndimore nëpërmjet Gjermanisë dhe ka qenë në përdorim që nga viti 2011. Pronari i tij më i madh është Gazprom. Rusia ka reduktuar furnizimet me gaz nëpërmjet Nord Stream 1 gjatë muajit të kaluar, duke përmendur arsye teknike dhe mirëmbajtjen e tubacionit, por zyrtarët evropianë pretendojnë se ky është manipulim dhe se është për arsye politike.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, varet nga gazi rus dhe po përpiqet të plotësojë furnizimet përpara dimrit. Ministrat e Energjisë së BE-së kanë arritur një marrëveshje që vendet anëtare do të ulin vullnetarisht konsumin e gazit me 15 për qind deri në mes të shtatorit, në mënyrë që të kursejnë sasitë e nevojshme për dimër. BE-ja mund ta bëjë këtë të detyrueshme nëse shtetet anëtare nuk arrijnë të përmbushin objektivin, megjithëse Greqia, Italia, Polonia, Portugalia dhe Spanja e kundërshtojnë këtë.
Gjithashtu, embargoja evropiane ndaj naftës ruse, me të cilën ajo u bashkua me SHBA-në, Britaninë, Kanadanë dhe Australinë, çon në një rrugëtim më të gjatë të këtij burimi energjie dhe rrjedhimisht në çmime më të larta, për shkak të transportit dhe sigurimit më të shtrenjtë.
Megjithatë, Evropa nuk mund t’i besojë më Rusisë si burimi kryesor i saj i energjisë edhe nëse hiqen sanksionet dhe pushtimi përfundon, ndërkohë që vendet propozojnë projekte të reja të shtrenjta të infrastrukturës energjetike dhe lidhin kontrata afatgjata për furnizime alternative. Udhëheqësit evropianë tani po përpiqen gjithashtu të përshpejtojnë planet ambicioze për projektet e energjisë së rinovueshme.
Megjithatë, BE-ja do të ketë nevojë për lëndë djegëse fosile ndërkohë dhe analistët besojnë se vendet e Lindjes së Mesme janë fituesit më të mëdhenj në krijimin e një harte të re energjetike.
Ata kanë qenë më parë nën presion për të diversifikuar burimet e energjisë për shkak të shqetësimeve globale për ndryshimin e klimës, megjithatë, presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje së fundmi Arabisë Saudite të rrisë rezervat e saj të naftës, pavarësisht se e quajti mbretërinë një vend “renegat” gjatë fushatës zgjedhore.
Prioriteti rus
Nga ana tjetër, industria e energjisë është shtylla kurrizore e ekonomisë ruse dhe Moska po punon intensivisht për të kërkuar një zëvendësues për klientin evropian dhe në këtë rol sheh më shumë Kinën dhe Indinë.
Sipas ekspertëve, në rendin e ri energjetik do të ketë një rritje të ndikimit në tre raste – në rastin e SHBA dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat përdorin ekonomitë e tyre të mëdha dhe fuqinë blerëse si armë politike; në rastin e Kinës dhe vendeve në zhvillim si India dhe Turqia, të cilat arritën të shmangin presionin perëndimor dhe të vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë; dhe në rastin e Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të naftës në Lindjen e Mesme, të cilat përpiqen të ruajnë neutralitetin.
Prioriteti i Rusisë tani është të rrisë lidhjet me Azinë, veçanërisht me Kinën, për të kompensuar humbjen e tregut evropian.
Kjo nuk është aq e thjeshtë në rastin e gazit, pasi do të kërkojë ndërtimin e një infrastrukture masive të shtrenjtë, pra tubacione gazi.
Sa i përket SHBA-së, edhe ajo ka sfida të mëdha në të gjithë këtë. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, dollari ka qenë monedha kryesore në tregtinë e naftës, duke ndihmuar SHBA-në të mbajë një pozicion qendror në ekonominë globale.
Megjithatë, tani disa vende, si Arabia Saudite, po eksplorojnë mundësinë e tregtimit të energjisë në monedha të tjera. Rusia gjithashtu ka filluar të kushtëzojë klientët e saj që të paguajnë energjinë në rubla.
Të gjitha këto ngjarje çojnë në krijimin e një rendi të ri energjetik në të cilin roli i burimeve të rinovueshme të energjisë do të rritet./tesheshi/