Shteti i “pasur”, në kurriz të taksapaguesve të varfër

Ekonomia globale po i rikthehet gradualisht rimëkëmbjes, por pasiguritë mbeten të mëdha. Rruga e variantit të ri të Covid-19, “Delta”, paraqet rreziqe veçanërisht të mëdha për vendet që kanë bërë më pak përparim me vaksinimet dhe për ekonomitë e varura shumë nga turizmi ndërkombëtar.

Nëse ka një gjë që e mësuam nga pandemia është se asgjë nuk mund të parashikohet. Kur mendon se më të keqen e ke hedhur pas, një valë e re pandemie mund të kthejë sërish gjithçka përmbys. Askush nuk arrin të thotë sot se çfarë do të ndodhë në shtator. A do të ketë një valë të re të fortë të pandemisë? A do të jetë ajo më vdekjeprurëse? A do të pësojnë variantet e reja mutacion?A do të bëhen ato rezistente ndaj vaksinës dhe imunitetit të krijuar deri tani?

Sa më shumë shtohen pasiguritë, aq më i lartë duhet të jetë edhe kujdesi në sjellje. Në mënyrë intuitive, individët dhe bizneset rritën kursimet gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Tendenca u konfirmua nga Eurostat edhe për gjithë Europën. Në të kundërt, qeveritë rritën shpenzimet në përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të përballuar krizën shëndetësore dhe për të nxitur ekonominë e bllokuar nga kufizimet.

Tashmë, situata po fillon të ndryshojë drejtim. Bizneset dhe individët po u kthehen gradualisht normalitetit, ndërsa qeveritë po tentojnë të rikthejnë ekuilibrat fiskalë, që me të drejtë u zhbalancuan ndjeshëm në vitin e pandemisë. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) raportoi së fundmi se, dobësitë fiskale janë shtuar, pasi paketat stimuluese kanë rritur borxhin publik në rajonet e BERZH me një mesatare prej 11 pikë përqindje të PBB-së.

Në shumë ekonomi, borxhi publik është në nivele që janë parë, për herë të fundit, gjatë recesionit në tranzicionin e fillimit të viteve 1990 dhe mund të rritet më tej, duke u përkeqësuar dhe nga një rritje e mundshme e inflacionit. Kujdesi fiskal është këshilla kryesore e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, ndërsa e ardhmja vijon të mbetet e pasigurt.

Por, qeveria shqiptare po shkon kundër rrymës. Në një akt normativ, u vendos thyerja e rregullit fiskal edhe në vitin 2021, i cili në thelb parashikon borxh me ulje vit pas viti, duke e çuar borxhin publik në rreth 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për qeverinë,ky është ende një vit i jashtëzakonshëm, ndonëse në tremujorin e parë të vitit, rritja ishte mbi 5% dhe të gjitha gjasat janë që niveli i 2019-s të arrihet që këtë vit, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur.

Vendimi erdhi pak pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kishte këshilluar krejt të kundërtën: kufizimin e investimeve publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme dhe orientimin drejt shpenzimeve prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor e sidomos vaksinimin, rindërtimin nga tërmeti, si dhe rritjen e kontigjencës. Në fakt, buxheti, që u justifikua me emergjencën, ka shkurtuar fondet për shëndetësinë (për ironi, fondet për vaksinën u siguruan nga ulja e buxhetit të shëndetësisë)dhe i ka rritur për infrastrukturën, në projekte që nuk kanë një të dhënë të qartë të vlerës për para (sa eficiente janë) dhe, për më tepër, nuk e kanë financimin të garantuar në buxhet.

Rreziqet që po merr përsipër qeveria, me paratë e taksapaguesve të saj, që pandemia i varfëroi edhe më tej, janë të shumta. Si hapësirat fiskale, ashtu dhe ato monetare, janë eazuruar pothuajse tërësisht në përpjekjen për të mbajtur ekonominë në këmbë në vitin e pandemisë dhe për më tepër, vendi hyri në krizë në një situatë të pafavorshme fiskale, çka bëri që dhe ndihma për bizneset të ishte më e ulëta në Europë, në vetëm 1% të PBB-së, sipas FMN.

Me një konkurrueshmëri të ulët dhe të ardhura buxhetore që janë 10 pikë përqindje më të ulëta se mesatarja rajonale, vendi nuk ka amortizatorët e mjaftueshëm për të përballuar një borxh publik, që është më i larti në rajon. Ndërsa vetëbesimi i qeverisë është i madh, nuk dihet se si do ta gjykojnë tregjet e huaja politikën tonë fiskale në momentin që do të dalim të kërkojmë financim për eurobondin (ndonëse tregjet jashtë mund të jenë të favorshme, rreziqet e brendshme fiskale të perceptuara nga investitorët mund të ndikojnë negativisht).

Pavarësisht se situata e pandemisë u menaxhua e tillë, që në raportin ekonomi / shëndet përparësi mori ekonomia, për të lehtësuar barrën e mbështetjes nga qeveria, përsëri situata e pandemisë po shfrytëzohet për të nxitur ato projekte ku ka përdorim të menjëhershëm në shuma të larta parash publike.

Një vit më parë, pandemia i gjeti të gjithë të papërgatitur dhe çdo gabim në menaxhimin e saj, edhe mund të justifikohej. Por, nëse një valë e re pandemike e shtatorit do ta nxirrte buxhetin zbuluar, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të qeverisë, kjo do të ishte e pafalshme për një shtet që prioritet duhet të ketë mirëqenien e taksapaguesve të vet dhe jo interesat e ngushta të disa palëve, apo ambicieve për fuqizimin e pushtetit.

Artikulli paraprakJeni një sipërmarrës adoleshent? Ja disa këshilla për ju!
Artikulli tjetërShefi është i ri dhe punonjësit në moshë? 5 këshilla për një zyrë me disa breza