Shoqata e Bankave: Vlera e kredive jo-performuese vazhdon të mbetet e ulët në Kosovë

Vlera e kredive jo-performuese në Kosovë, vazhdon të mbetët e ulët, thonë përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Deri në shtator të këtij viti, vlera e kredive jo-performuese shënoi vlerën prej 2.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të viti të kaluar, kur ishte 2.3 për qind.

Bankat komerciale që veprojnë në Kosovë përkundër faktit që nga viti në vit shënojnë rritje të numrit të kredive të lëshuara, ato përballen në raste mjaft të rralla me kredi të këqija apo jo-performuese.

Sipas Shoqatës së Bankave të Kosovës, niveli i kredive jo-performuese gjatë këtij viti ka rënë në 2.1 për qind.

Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se vlera e kredive jo-performuese vazhdon të mbetet e ulët, në raport me totalin e kredive të lëshuara nga sektori bankar.

‘Kjo përqindje në fakt është me e ultë nëse e krahasojmë me fundin e vitit të kaluar e cila ka qenë 2.3 për qind”, ka thënë Balija.

Ndërkohë, edhe ekonomistët nuk shohin rrezik për mospagesë të kredive. Sipas Ardijan Sahitit, edhe përkundër inflacionit në vend, qytetarët e Kosovës janë të përgjegjshëm në këtë çështje.

“Nëse e marrim mesataren e të gjitha vendeve të rajonit, kreditë e këqija në Kosovë janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Duke pasur parasysh faktin që bankat te ne kanë fitime të larta, këto kredi edhe nëse paraqiten, mund të paraqiten në shifra të vogla dhe mirë të provizonuara. Inflacioni i lartë dhe situata makroekonomike, nuk besoj se do të jetë rrezik për bankat dhe për rritjen e kredive të këqija”, tha Sahiti.

Sidoqoftë, klient jo-performues në kredi, konsiderohet vetëm atëherë kur ky problem nga ana e kredimarrësit, nuk zgjidhet brenda afatit prej 90 ditësh./radiokosova/

Artikulli paraprakPse pritet që dollari do të jetë “mbreti” i valutave më 2023 ?!
Artikulli tjetërQeveria britanike për herë të parë pas 30 vitesh lëshon leje për një minierë qymyri

Comments are closed.