Shërbimet më të rëndësishme që ofrohen nga bankat islame:
- Llogaritë rrjedhëse – zbatohen sipas praktikave të zakonshme bankare; dallimi i vetëm është se bankat islame marrin pëlqimin e qartë të depozituesve për të përdorur fondet e tyre në aktivitete të tjera me karakter investues. Këto llogari janë të garantuara nga vetë banka.
- Llogaritë e kursimit – ky shërbim bankar ofrohet falas. Nuk jepet interes ose fitim, por në këmbim, disa banka mund të japin privilegje të veçanta për depozituesit, si financimi i projekteve të vogla dhe shitja me këste e mallrave të konsumit ose mallrave prodhuese, dhurata etj. Kjo konsiderohet si një nxitje për kursimtarët e rregullt për të inkurajuar depozitat.
- Depozitat investuese – kjo lloj llogarie është karakteristik për bankat islame. Është ekuivalenti i depozitave fikse ose afatgjata në bankat tradicionale. Megjithatë, ka disa dallime thelbësore:
- Teorikisht nuk është një ‘depozitë’ por para të dhëna ose ofruara nga ‘depozituesi’ që banka t’i investojë në emër të tij — mbi bazën e Mudarabas — depozituesi është financuesi (Rabul Mai) dhe banka në këtë rast është menaxheri (Mudarib) — ose agjenti.
- Jepet me miratimin e qartë të depozituesit që do të jetë subjekt i fitimit dhe humbjes. (ndarja e rrezikut është karakteristikë bazë e financimit islam).
- Mbajtësi i llogarisë së investimit ka të drejtë — në rast fitimi — për të gjithë fitimin e realizuar nga llogaria e investimit (minus përqindjen e bankës nga fitimi si shpërblim për përpjekjen menaxheriale). Prandaj, bankat islame nuk mund të përcaktojnë paraprakisht nivelin e kthimit që mund t’u japin mbajtësve të llogarive të investimit (depozituesve).
- Shërbimet bankare korrespondente – bankat islame ofrojnë gjithashtu shërbimet e tyre në fushën e financimit të tregtisë ndërkombëtare përmes bankave korrespondente.
Për ta bërë këtë, ato krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi me banka të tjera për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve në emër të tyre. Në rastin e transferimeve të drejtpërdrejta të parave, nuk nevojitet një marrëdhënie e veçantë përveç mbajtjes së bilanceve të gatshme në llogarinë rrjedhëse për të përmbushur këto detyrime. Banka korrespondente mund të kërkojë legjitimisht komisionin e saj për këto shërbime. Nuk ka ndalim nga Sheriati për këtë.
Megjithatë, bankat islame mund t’i kërkojnë një banke korrespondente të shtojë konfirmimin e saj në letrat e kreditit të hapura në emër të furnitorëve të huaj për llogari të importuesve. (Furnitorët e kërkojnë këtë si një siguri shtesë për pagesat e tyre). Ose bankat islame mbajnë suficite të mëdha në llogarinë e tyre me bankën korrespondente për të mbuluar detyrimet ndaj palës së tretë (pra, furnitorëve), ndërkohë që përpiqen të rifreskojnë llogarinë e tyre me bankën korrespondente. Kjo në fakt do të ishte një ‘huadhënie’ nga banka korrespondente, për të cilën bankat islame nuk do të pranonin të paguanin interes. Si e zgjidhën bankat islame këtë problem?
Bankat e huaja pranuan të bashkëpunojnë me bankat islame mbi bazën e marrëveshjeve të ndërsjella, të këshilluara dhe të pranuara përmes shkëmbimit të thjeshtë të letrave, për t’u ofruar bankave islame mundësinë e konfirmimeve deri në një kufi të rënë dakord, pa ngarkuar interes nëse llogaritë kalojnë në bilanc negativ. Si kundërshpërblim, bankat islame angazhohen të respektojnë sa vijon:
- Të mbajnë një shumë të arsyeshme parash në llogarinë e tyre rrjedhëse pranë bankave konfirmuese.
- Të përpiqen të mbulojnë çdo debit sa më shpejt të jetë e mundur. (Është pjesë e marrëveshjes që banka islame të mos kërkojë asnjë shpërblim për ndonjë bilanc që i detyrohet asaj, nëse banka tjetër i përdor këto fonde në mënyrë fitimprurëse. Prandaj, nuk vendoset asnjë kusht nga pala tjetër nëse llogaria e bankës islame kalon përkohësisht në bilanc negativ.)
Si siguri e pjesshme, banka korrespondente, kur shton konfirmimin e saj, do të debitojë bankat islame me një ‘marzh cash’ të caktuar të cilin do ta transferojë menjëherë në llogarinë e saj. (Ato janë të autorizuara ta bëjnë këtë automatikisht). Kështu, bankat islame kanë nevojë vetëm të mbajnë bilance të mjaftueshme në llogarinë e tyre me bankën korrespondente për të mbuluar marzhet e letrave të kreditit dhe jo vlerën e plotë të këtyre letrave.
- Ofrohen të gjitha llojet e transferimeve të parave, si transferime bankare vendase, ashtu edhe ndërkombëtare.
- Inkasim – inkasimi i faturave (por jo diskontimi i tyre).
- Letrat e kreditit dhe garancitë – të gjitha format e letrave të kreditit dhe letrave të garancisë. Bankat islame ngarkojnë tarifa për këto shërbime. Kjo është e lejueshme në Islam.
- Kasaforta – shërbimet e ruajtjes së sigurt janë gjithashtu të disponueshme në disa banka islame.











