Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook pret që paga e tij vjetore të ulet me më shumë se 40% këtë vit. Gjigandi i teknologjisë thotë se Cook kërkoi shkurtimin e pagës pas kritikave nga aksionarët. Komiteti i kompensimit i Apple i dha atij një “kompensim të synuar” total prej 49 milion dollarësh për vitin 2023.
Vitin e kaluar, aksionet e prodhuesit të iPhone ranë ndjeshëm përballë çështjeve të zinxhirit të furnizimit dhe një ngadalësimi ekonomik global.
Ky veprim do të bëjë që paga me bazë vjetore e z. Cook të rrijë e pandryshuar në 3 milion dollarë, si dhe një bonus deri në 6 milion dollarë. Dallimi më i madh në paketën e tij të pagave është se si do t’i jepen aksionet në firmë.
Në vitin 2022, kompania i dha atij 75 milionë dollarë aksione, gjysma e të cilave bazoheshin në performancën e mirë të Apple në tregun e aksioneve.
Për këtë vit objektivi i tij i çmimit të aksioneve është ulur në 40 milionë dollarë, me tre të katërtat e kësaj të varur nga performanca e aksioneve.
Objektivi për kompensimin e zotit Cook për vitin 2022 ishte 84 milionë dollarë, megjithëse paga totale e tij aktuale për vitin e kaluar ishte 99.4 milionë dollarë. Kjo shifër përfshinte 630,600 dollarë në kostot e sigurisë personale dhe 712,500 dollarë për përdorimin e një avioni privat nga ana e tij.
Nën udhëheqjen e zotit Cook, Apple u bë kompania e parë që arriti një vlerësim të tregut të aksioneve prej 3 trilion dollarësh përpara se të binte në rreth 2.1 trilion dollarë gjatë një viti të trazuar për industrinë e teknologjisë.
Bllokimi i Covid-it në fabrikat në Kinë, vonesat e zinxhirit të furnizimit dhe një ngadalësim ekonomik global kanë ndihmuar në uljen e çmimit të aksioneve të Apple me më shumë se 20% gjatë vitit të kaluar.
Pasuria personale e 62-vjeçarit është rreth 1.7 miliardë dollarë, sipas revistës Forbes. Cook është zotuar të japë të gjithë pasurinë e tij gjatë jetës së tij./ BBC