Sekretet e errëta të një jave më të shkurtër pune

Javët e shkurtra të punës mund të duken si një ëndërr për shumëkënd.

Ju hyni dhe dilni nga zyra në vetëm katër ditë të shkurtra, mund ta ndani punën duke u ndjerë përsëri produktiv dhe, për më tepër, keni një fundjavë tre-ditore për të shijuar çdo javë. Në fakt, sipas studimeve, javët me katër ditë punë në dukje janë të pëlqyera nga të gjithë. Por, cili është problemi?

Problemi me javët e shkurtra të punës

Fatkeqësisht, ka disa probleme me këtë orar në dukje të përsosur, dhe ekzekutimi i mirë i tij nuk është edhe aq i thjeshtë. Allard Dembe, profesor i Shëndetit Publik në Universitetin Shtetëror të Ohajos, është ekspert për ditët e punës më të gjata se mesatarja.

Pasi ka studiuar efektet e orëve më të gjata të punës për 30 vjet, ai thotë se, megjithëse mund të jetë mirë të kemi një ditë shtesë pushimi, puna për shumë orë mund të shkaktojë disa probleme serioze.

1. Kostot për shëndetin tuaj

Studimi i Dembe tregon se aksidentet në punë rriten kur punonjësit punojnë për 12 ose më shumë orë rresht. Teksa punonjësit në magazina mund të fillojnë ta kenë të vështirë të përdorin makineritë e rënda pas një kohe kaq të gjatë, edhe punonjësit nëpër zyra mund të pësojnë gjithashtu aksidente në punë, si lëndime të përsëritura ose marrje mendsh, nëse janë të ç’orientuar nga përdorimi i zgjatur i kompjuterit.

Po ashtu, puna para një kompjuteri për më shumë se dhjetë orë në ditë (që për fat të keq është pjesa kryesore e javës së ngjeshur të punës) rezulton në probleme të shpinës dhe të qafës, ose tendosje të syve.

2. Produktiviteti

Përveç problemeve shëndetësore, orët e punës luajnë një rol të madh në produktivitetin tuaj. Sipas studimeve të shumta, efikasiteti në punë bie në mënyrë drastike sa më gjatë që të punoni. Kjo ju bën që të keni vetëm disa momente të caktuara me produktivitet gjatë ditës. Disa madje thonë se shkurtimi i orarit të punës i bën ekipet më pak të prirura për të bërë gabime.

Pra, ndërkohë që përpiqeni t’i përmbushni të gjitha orët tuaja të detyrueshme të punës në vetëm katër ditë, produktiviteti mund të bjerë. Më pas, kur të fillojë fundjava treditore, ju do të jeni të preokupuar duke menduar për të gjitha gjërat që nuk keni arritur t’i mbyllni gjatë javës.

3. Balanca punë-jetë

Në vend që të keni pesë ditë pune në një javë të ngjeshur, ju do të keni katër ditë më të gjata. Kjo rezulton në më pak kohë që nevojitet për të shkuar e për t’u kthyer nga puna, si dhe më shumë ditë pushimi. Por, Dembe gjithashtu thotë se kjo mund të krijojë më pak fleksibilitet në ditët kur jeni në zyrë.

Kur punoni dhjetë ose më shumë orë në ditë, është e vetëkuptueshme që do të keni më pak kohë për familjen dhe miqtë tuaj.

Oraret e ngjeshura nënkuptojnë që në thelb ju po kaloni katër ditë duke mos bërë pothuajse asgjë tjetër përveçse të shkoni në punë, të punoni, të flini, të hani dhe ndoshta të kryeni disa aktivitete të shkurtra personale, si palestra. Ky mund të mos ishte stili ideal për disa njerëz që kanë nevojë për më shumë kohë çdo ditë për të hequr stresin./Hive/

Artikulli paraprakTronditjet: kohë të këqija për kompanitë gjermane
Artikulli tjetërPse muslimanët në Serbi nuk shkuan dot në Haxh?