Pyetjet në një intervistë pune që thonë për ju, më shumë se sa mendoni

Të dini t’u përgjigjeni pyetjeve në një intervistë pune kërkon përgatitje por edhe sinqeritet.

Shpesh nuk mjafton të tregoni thjesht rrugëtimin tuaj, kush jeni dhe pse dëshironi të punoni në këtë kompani, por duhet të tregoni se njihni vërtet defektet tuaja, por edhe të zgjidhni një problem dhe të jeni në gjendje të merrni qëndrimin e duhur në një punë skuadre.

Këtu janë disa pyetje për një intervistë pune për të cilën, sipas ekspertëve, duhet të jeni gati të përgjigjeni: pyetje të ndryshme nga ato klasike (përveç njërës, e cila mund të jetë një kurth).

1. Më flisni për veten

Kjo pyetje shërben për “thyerjen e akullit” dhe është e para që bëhet në një intervistë pune, e cila nuk duhet nënvlerësuar kurrsesi. Randstad, në një postim interesant kohë më parë, shpjegoi se duhet të përgjigjeni, duke thënë – sipas rendit – studimet, përvojat profesionale dhe objektivat që synoni të arrini, duke u përpjekur të mos zgjateni shumë te përvojat e bëra shumë kohë më parë intervistës, dhe të shpjegoni se pse keni zgjedhur një rrugëtim të caktuar.

2. Më flisni për familjen tuaj

Sipas një grupi drejtuesish amerikanë, të intervistuar nga LinkedIn, të kërkosh informacione mbi familjen shërben për të kuptuar nëse një kandidat ka me të vërtetë shpirtin e duhur për të punuar në skuadër: nëse është një njeri pozitiv, energjik dhe ka dëshirë të bashkëpunojë. Qoftë edhe një element negativ në skuadër rrezikon gjithçka në ekip.

3. Cila është ideja më e gabuar që njerëzit kanë krijuar për ju?

Rebecca Supierz, HR Manager në SEEK’s (platforma e punësimit numër një në Australi), në një intervistë ka shpjeguar se, duke i kërkuar një kandidati të mendojë për veten përmes syve të të tjerëve, krijohet një pasqyrë e rëndësishme i nivelit të tij të perceptimit dhe vetëndërgjegjësimit. Si t’i përgjigjeni? Pa u mburrur shumë – rekrutuesit nuk i pëlqejnë narcizistë.

4. Përshkruani një projekt të kohëve të fundit ku keni qenë i suksesshëm dhe se si mund të kishit bërë më mirë

Në këtë rast, Rebecca Supierz këshillon për të kërkuar kandidatë që mendojnë shumë. Kjo pyetje shërben që rekrutuesit të kuptojnë dëshirën e tyre për të bërë gjithnjë e më mirë.

5. Tregoni një rast kur keni dështuar

Tejal Wagadia, specialiste për gjetjen e talenteve në MST Solutions, ka thënë për Huffington Post, se kjo pyetje shërben për të kuptuar nëse një kandidat është i ndershëm. Duke qenë se është e pamundur të mos keni bërë gabime, ekspertja këshillon të jeni të sinqertë dhe të përgjigjeni duke treguar se çfarë keni mësuar nga ai gabim.

6. Më tregoni një projekt për të cilin jeni veçanërisht krenarë

Gabrielle Woody, rekrutuese në Intuit, tha për Huffington Post se kjo është një pyetje që ajo e bën gjithnjë. “Kandidatët nervozohen shumë në fillim, por nëse flasin për diçka që e duan me të vërtetë, ndihen rehat”. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë një rekrutues kupton se çfarë dini të bëni, cilat janë aftësitë që keni mësuar. Për sa kohë që – po, rregulli themelor mbetet i njëjtë – ju arrini të jepni shembuj konkretë të punës suaj. Kurrë mos jini të paqartë në një intervistë.

7. Përse duhet t’ju punësojmë

Kjo është pyetja që nuk do ta prisnit, por ajo e cila – sipas një grupi drejtuesish të intervistuar në LinkedIn – mund të thotë më shumë për ju. Është e thjeshtë t’u përgjigjeni pyetjeve klasike si “cilat janë pikat tuaja të dobëta?”, por jo të gjithë e kanë një përgjigje për këtë pyetje shumë të qartë dhe provokuese. Këtu qëndron diferenca, mes një kandidati të mirë – ai është i prirë të thotë të vërtetën dhe të jetë i ndershëm me këtë. E njëjta ndershmëri është e rëndësishme në një punë ekipi, ku të gjithë dinë të njohin pikat e forta dhe defektet.

/ GQ Italia

Artikulli paraprakPse pajisjet ‘Apple’ konsiderohen si më të sigurta në raport me ato ‘Android’?
Artikulli tjetërVendet më të pasura dhe më të varfra në BE