Pothuajse nuk ka dialog në të cilin mungojnë kritikat, mirëpo për të pasur ndikim kritika, për të qenë e pranuar dhe për të arritur te përmirësimi i sjelljes, patjetër duhet të merren parasysh rregullat në vijim:
- Sigurohu për vërtetësinë e informatave të cilat të shtyjnë ta kritikosh ndokënd, pra mos e bazo kritikën tënde në burime të pasigurta, siç janë fjalët “kanë thënë”, “thuhet” apo “thonë”!
- Pëlqehet që para se ta kritikosh ndokënd të fillosh nga pikat në të cilat pajtoheni.
- Mos i kritiko të tjerët duke qenë i nervozuar, por së pari qetësohu, ngase kjo kohë e ndjeshme kërkon nga ti që të jesh objektiv[1]!
- Mos kritiko shumë gjëra përnjëherë, në mënyrë që të mos mendojë bashkëbiseduesi se dëshiron ta poshtërosh!
- Ji i qartë gjatë kritikës dhe përmendi argumentet e qarta!
- Kritikoje sjelljen dhe jo personin, pra përqendrohu në ngjarjen apo gabimin që ka ndodhur dhe jo në persona!
- Le të jetë synimi yt gjatë kritikës përmirësimi dhe jo sulmi apo ngadhënjimi ndaj të tjerëve!
- Shfaq mirëkuptimin dhe butësinë tënde ndaj atij që ia drejton kritikën, sepse kjo gjë të ndihmon ta fitosh besimin e tij!
- Mos e akuzo bashkëbiseduesin se gabimi i tij ka ardhur si rezultat i qëllimit të tij të keq!
- Mos e ngarko bashkëbiseduesin me më shumë kritika sesa që mund t’i bartë, në mënyrë që të mos e godasë dëshpërimi!
- Po qe se bashkëbiseduesi nuk i ka në rregull gjërat thelbësore, atëherë mos u lodh duke kritikuar sjelljet dytësore, por fillo nga thelbësorja!
- Përqendrohu në ato sjellje që mund t’i ndryshojë bashkëbiseduesi dhe përpiqu t’ia tregosh mënyrën e përmirësimit të atyre sjelljeve![2]
Marrë nga libri: “Ed-delijl el-‘ilmij lil-hiuar el-benna” të autorit Ahmed El-Mezjed
Përktheu: Jusuf Kastrati
[1] fig. Që gjykon drejt dhe nuk niset nga interesat, nga ndjenjat ose nga qëllimet vetjake, që nuk ndikohet nga ndonjë paramendim; i paanshëm. (FGJSSH fq. 890) sh.p.
[2] Me ca ndryshime dhe shtesa, bazuar në librin “Hapat e zgjuar” të Sam Deep & Sussman.











