Politika fiskale në një shtet laik synon të arrijë një alokim efikas të burimeve që sjell përfitime maksimale materiale për shoqërinë. Në një shtet islam, koncepti i efikasitetit mund të interpretohet duke përfshirë harmoninë midis dëshirave shpirtërore dhe materiale. Burimet duhet të përdoren vetëm në mënyrën që siguron mirëqenien e njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Burimet duhet të shfrytëzohen në mënyrë optimale, pra pa e tepruar dhe duke marrë parasysh nevojat e brezave të ardhshëm. Duhet të prodhohen vetëm ato mallra, qoftë nga sektori privat apo ai publik, të cilat janë të lejuara nga Sheriati Islam.
Sektori publik duhet të prodhojë mallra që i shërbejnë interesit të përgjithshëm publik. Këto mallra zakonisht janë të pandashme dhe gjithashtu krijojnë efekte anësore. Shumë juristë myslimanë kanë përmendur mallrat që një shtet mysliman duhet të sigurojë. Ibn Tejmije, për shembull, mendonte se një shtet mysliman duhet të kujdesej për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e brendshme, rrugët, urat, kanalet, rrugët ujore dhe arsimin. Sot mund t’i shtojmë kësaj liste mallrat që sigurojnë fuqinë ushtarake, e cila nga ana tjetër varet nga zhvillimi ekonomik.
Mallrat publike që duhet të ofrojë një shtet bashkëkohor mysliman përfshijnë mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare (të cilat duhet të jenë të orientuara drejt mbrojtjes së kombit në tërësi dhe jo të grupeve të veçanta të interesit brenda shoqërisë), sigurimin e infrastrukturës si rrugët, telekomunikacionet si dhe lehtësira të tjera të nevojshme për të gjitha sektorët e ekonomisë. Kapitali shoqëror duhet të zhvillohet gjithashtu përmes sigurimit të arsimit, lehtësirave sportive, shëndetit publik, objekteve mjekësore, lehtësirave mjedisore, furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve dhe strehimit. Sektori publik duhet gjithashtu të kujdeset për vlerat morale të shoqërisë. Qeveria duhet të sigurohet që të ketë mjaftueshëm burime për arritjen e këtij qëllimi. Nuk ka dyshim se funksionimi i lirë i sistemit të tregut, brenda rregullave të vendosura nga Sheriati, është theksuar nga shumë juristë myslimanë. Megjithatë, duhet kujtuar se politika në një shtet mysliman nuk është e lirë nga vlerat. Qeveria duhet të rregullojë sistemin e tregut për të siguruar mirëqenien e njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër. Sektori privat dhe ai publik duhet të punojnë së bashku për arritjen e këtij objektivi. Ibn Halduni mendonte se veprimet e sektorit publik mund të jenë burim suksesi ose dështimi për sistemin e tregut përmes frenimit të konsumit të panevojshëm në sektorin privat dhe racionalizimit të shpenzimeve qeveritare. Kjo e fundit do të arrihet përmes vlerësimit rigoroz të shpenzimeve qeveritare si para ashtu edhe pas fillimit të një projekti të sektorit publik. Projektet që sjellin përfitime maksimale për një shoqëri myslimane dhe shkaktojnë dëmin më të vogël në stabilitetin ekonomik, politik dhe social, duhet të preferohen ndaj të tjerave. Për shembull, duhet të preferohen projektet që çojnë në më pak emigrim të fuqisë punëtore krahasuar me ato që nxisin emigrim masiv dhe shkatërrim të jetës rurale. Pasi të jenë përcaktuar projektet që i shërbejnë objektivave të një shteti mysliman, këto mallra duhet të ofrohen me kosto sa më të ulët pa dëmtuar efikasitetin.