Më 8 shkurt nuk do të pezullohet apo eliminohet asnjë account – deklaroi WhatsApp. Shoqëria me seli në Menlo Park merr më shumë kohë për të shpjeguar ndryshimet.
“Më 8 shkurt nuk do të pezullohet dhe eliminohet asnjë account”. Protestat e përdoruesve shërbyen për mirë. WhatsApp vendosi të shtyjë ndryshimin e kushteve të përdorimit me tre muaj. “Po shtyjmë datën kur përdoruesve do t’u kërkohet të rishikojnë dhe të pranojnë kushtet” – deklaroi WhatsApp në një postim në blog, që vendosi në këtë mënyrë të marrë pak kohë për të shpjeguar më mirë ndryshimet në rregullore.
Arratisja e përdoruesve te aplikacionet rivale të mesazheve si Telegram dhe Signal duhet të ketë bindur drejtuesin e WhatsApp të ndryshojë ide.
“Në mënyrë graduale dhe në përputhje me kohën e secilit – lexohet në blog – do t’i ftojmë përdoruesit tanë të rishikojnë informacionin para 15 majit, kur të jenë të disponueshme opsionet e reja të biznesit”.
Megjithëse shoqëria me seli në Menlo Park ka sqaruar disa herë se ndryshimet e njoftuara nuk do të përfshijnë përdoruesit e Bashkimit Europian, kudo janë ngritur dyshime që nxitën Garantuesin e Privatësisë ne Itali të hapë një dosje duke i sjellë në vëmendje SHBA “European Data Protection Board”, bordi që bashkon autoritetet europiane të privatësisë.
Garantuesi beson se nga kushtet e shërbimit dhe informacioni i ri, përdoruesit e kanë të pamundur të kuptojnë se çfarë ndryshimesh janë përfshirë, dhe nuk është e qartë se cili përpunim i të dhënave do të kryhet në të vërtetë nga shërbimi i mesazheve pas 8 shkurtit. “Ky informacion nuk duket i përshtatshëm që të lejojë përdoruesit e WhatsApp të shfaqin vullnetin e lirë “, shkruan Garantuesi.
Vendimi lidhet me dyshimet e lindura – raporton WhatsApp – duke theksuar që “azhurnimi i fundit nuk ndryshon asgjë”. Aplikacioni “ngrihet mbi bazën e një koncepti të thjeshtë: gjithçka që do të ndani me familjarët dhe miqtë, do të mbetet mes jush. Kjo do të thotë që do të vijojmë të mbrojmë bisedat tuaja personale me enkriptimin end-to-end” – shpjegon kompania.
Përditësimi i fundit “nuk ndryshon asgjë nga gjithë këto” por përfshin “opsione të reja që lejojnë përdoruesit të shkëmbejnë mesazhe me kompani që përdorin WhatsApp dhe ofrojnë transparencë më të madhe se si ne mbledhim dhe përdorim të dhëna. Aftësia jonë për të ndarë informacione me Facebook nuk rritet me këtë azhurnim”.
Sot megjithatë dimë se risitë do të hyjnë në fuqi më 15 maj; tre muaj pas parashikimeve të para.