PËRPARËSIA NË BLERJE DHE AUTORIZIMI

 

kuptimin gjuhësor esh- shuf’ah (përparësia në blerje) është çiftëzimi, ndërsa në kuptimin legjislativ ajo është: kalimi i pjesës së ortakut ose komshiut te ortaku, ose komshiu tjetër, ndërkohë që kishte kaluar tek një i tretë që nuk ka qenë komshi i të parëve, duke i paguar komshiut që shet pjesën e vet shumën që ka kërkuar prej atij të tretit.

Gjërat në të cilat pranohet shufah

Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka gjykuar me shufah në çdo gjë që nuk është ndarë,por nëse vihen kufijtë dhe ndahen rrugët, atëherë nuk ka shufah.” Tirmidhiu, Ibën Maxheh (sahih).

Kështu, nëse dikush ka ortak (komshi) në një pjesë toke, apo në ndonjë mur, shtëpi e tjera si këto, nuk duhet ta shesë pjesën e tij para se t’ia paraqesë komshiut të tij; nëse e shet para se t’ia paraqesë atij, ai ka të drejtë që ta prishë aktin e parë dhe ta blejë vetë atë pjesë.

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush ka një pemë hurme apo një copë toke, mos ta shesë atë para se t’ia paraqesë komshiut të tij!” Buhariu, Ebu Daudi, Ibën Maxheh, Tirmidhiu

Ebu Rafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Komshiu më i afërt, ka të drejtë më shumë për të blerë shtëpinë e komshiut të tij.”Ibën Maxheh, Nesai (sahih)

 

Shufah e komshinjve që kanë diçka të përbashkët

Nëse dy komshinj kanë një rrugë apo diçka tjetër të përbashkët në mes tyre, nuk i lejohet asnjërit prej tyre që të shesë pjesën e tij pa marrë leje nga komshiu i tij. Nëse ai e shet pa lejen e tij, atëherë ai ka të drejtë që ta prishë aktin e parë dhe ta blejë vetë atë.

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Komshiu ka më shumë të drejtë në pjesën e komshiut të tij, kështu që duhet të pritet edhe nëse nuk është pranishëm, kjo nëse rruga e atyre të dyve është e përbashkët.”Ibën Maxheh (sahih).

Ebu Rafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Komshiu më i afërt, ka të drejtë më shumë për të blerë shtëpinë e komshiut të tij.”Ebu Daud, Tirmidhi, Ibën Maxheh (sahih).

Autorizimi

Autorizimi (el Uekale) është të ngarkosh dikë tjetër në vendin tënd për çdo gjë apo për gjëra të caktuara.

Gjykimi për të

Autorizimi është i lejuar, sipas Kuranit, Sunetit dhe Ixhmait. Allahu i Lartësuar thotë:

“Kësisoj, Ne i zgjuam ata (nga gjumi i gjatë) që ta pyetnin njëri-tjetrin. Njëri prej tyre tha: “Sa kohë keni qëndruar (këtu në gjumë)?” Ata iu përgjigjën: “Kemi ndenjur ndoshta një ditë apo një pjesë të saj”. Pastaj thanë: “Zoti juaj, vetëm Ai e di më mirë se sa kohë keni qëndruar. Tani, dërgoni njërin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet që të gjejë ushqim të pastër e të ligjshëm për të ngrënë dhe t’ju sjellë edhe juve të tjerëve këtu dhe të ruhet që askush mos të marrë vesh gjë për ju!”Kehf:19.

Ebu Rafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u martua me Mejmuneh duke qenë e lejuar (jo me rroben e bardhë të haxhit apo umras, por e kishte kryer atë) kurse unë isha ndërmjetësi i atyre dyve.”Darimi, Ahmed (sahih).

Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka pas autorizuar njerëz në kthimin e borxheve, ekzekutimin e ligjeve etj.

Muslimanët janë bashkuar në mendimin, se autorizimi është i lejuar, madje i pëlqyeshëm, sepse ai është një lloj bashkëpunimi në të mira e devotshmëri, kur dihet që jo çdo njeri është i mundur që t’i bëjë vetë punët e tij, kështu që ka nevojë për dikë tjetër që t’i bëjë ato në vend të tij, sigurisht, me autorizimin e tij.

Gjërat në të cilat lejohet autorizimi

Çdo gjë që i lejohet njeriut ta bëjë me dorën e tij, është e lejuar që ai të autorizojë dikë tjetër në të.

I autorizuari duhet të jetë besnik në atë që merr dhe që kryen. Ai nuk kompenson gjë, vetëm nëse prish diçka me qëllim.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nuk kompenson gjë ai që është mirëbesuar.”Sahihul Xhamiu” (hasen).

LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes.

Artikulli paraprakSi të shkruani plan biznesi në shtatë hapa të thjeshtë
Artikulli tjetërGjykimi fetar për shortin dhe dhuratat