Pasojat e zhvillimit të pakontrolluar teknologjik – Justinian Topulli

Thomas Merton (1915-1968) ka thënë:

Teknologjia nuk është vetëm një fakt, por është çelësi i luftës për pushtet. Shpejtësia dhe sofistikimi i rritjes teknologjike nënkupton pasuri më të madhe, kapacitet më të madh ushtarak, një standard më të lartë jetese, por mbi të gjitha fuqi për të shfrytëzuar dhe dominuar të tjerët. Nga ana tjetër, teknologjia tjetërson ata që varen prej saj dhe jetojnë përmes saj. Ajo vret cilësitë e tyre njerëzore dhe ndjeshmërinë e tyre morale. Gradualisht, gjithçka përqendrohet në përdorimin më efikas të makinerive dhe teknikave të prodhimit, dhe stili i jetës, kultura, ritmi dhe mënyra e ekzistencës i përgjigjen gjithnjë e më shumë nevojave të vetë procesit teknologjik.
Fatkeqësisht, shumë shpesh supozohet se procesi teknologjik është në mënyrë të pashmangshme racional. Nuk është ky rasti. Ndonjëherë është shumë irracional – deri në atë pikë sa ajo që është e mirë për procesin mund të jetë vërtet shumë e keqe për njerëzit.

Fizikani i madh, Max Born, ka thënë për fluturimet hapësinore se ato janë “një triumf i intelektit, por një dështim tragjik i arsyes.”

Ekziston rreziku që teknologjia të bëhet qëllim në vetvete,
duke i kushtuar asaj gjithçka që është më e mirë dhe më jetike në përpjekjet njerëzore: kështu që njerëzit kthehen në shërbyes të makinave në vend që ato t’i shërbejnë atyre. Kjo është krejtësisht irracionale.
Një njeri të cilin e kam admiruar gjithmonë, si një kritik të madh social – Charlie Chaplin – e ka bërë të qartë këtë shumë kohë më parë në filmin “Kohët moderne” dhe filma të tjerë.
Pyetja atëherë që shtrohet është: Si ta kontrollojmë teknologjinë në vend që të kontrollohemi prej saj?

Sa më i korruptuar të jetë një sistem shoqëror, aq më shumë priret të kontrollohet nga teknologjia, në vend që ta kontrollojë atë. Lidhja intime midis teknologjisë dhe tjetërsimit është dhe do të mbetet një nga problemet thelbësore që do të duhet të studiojmë dhe zotërojmë gjatë jetës sonë.

Teknologjia do të thotë pasuri dhe fuqi, por ajo ia jep sasinë më të madhe të pasurisë dhe fuqisë atyre që i shërbejnë asaj në mënyrën më skllavërore të mundshme, në kurriz të interesave dhe vlerave autentike njerëzore, duke përfshirë integritetin e tyre njerëzor dhe personal.
Jeta në Shtetet e Bashkuara e tregon këtë pa diskutim. Por për fat të keq, pjesa tjetër e botës dëshiron fshehurazi ose haptazi të bëhet si Shtetet e Bashkuara. Çfarë tragjedie do të ishte kjo!

Artikulli paraprakA E DINI SE OTHMAN IBN AFANI (ALLAHU QOFTË I KËNAQUR ME TË) E KA NJË XHIROLLOGARI NË NJË NGA BANKAT SAUDITE?
Artikulli tjetërSFIDA E DHEMBJES