Paralajmërohet ulja e inflacionit, por “ankthi i parave” do të vazhdojë edhe më 2023

Pandemia COVID-19 dhe përpjekja ruse për ta pushtuar Ukrainën i shkaktuan botës një problem shtesë, atë të ekonomisë.

Tregjet janë të çrregulluara, çmimet janë shtrenjtuar dhe standardi i jetesës është ulur, që kryesisht ka prekur më shumë vendet e varfëra dhe në tranzicion si Kosova.

Ky “ankth parash”, do të vazhdojë edhe këtë vit, ka paralajmëruar drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Këtë paralajmërim ajo e bazon për faktin se treshja e fuqishme ekonomike, SHBA-ja, Kina dhe Bashkimi Evropian, kanë ngecur për ta marrë hovin e rimëkëmbjes ekonomike pas zhvillimeve globale në dy vitet e fundit.

“Për herë të parë në 40 vjet, rritja e Kinës në 2022 ka të ngjarë të jetë në të njëjtin nivel ose më poshtë rritjes globale”, ka thënë ajo.

E nëse Kina gjendet në këtë situatë, mund ta imagjinojmë rastin e Kosovës, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), importon mbi 83 për qind të produkteve.

Kjo nënkupton një varësi të dukshme të tregut kosovar për produktet e huaja, pra çrregullimet e tregjeve ndërkombëtare e rrezikojnë menjëherë dhe shumë konsumatorin kosovar.

Banka Botërore kishte dhënë shifrën 19.1 për qind për inflacionin në Kosovë.

Kjo ka prekur direkt shportën e konsumatorëve që tash peshon më lehtë e kushton më shtrenjtë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës por edhe Banka Qendore e Kosovës (BQK), proklamojnë se ka rritje ekonomike edhe në vitin 2022.

Për vitin 2021 ishte promovuar një rritje ekonomike dy-shifrore, këtë vit është larg asaj arritjeje.

“Sipas vlerësimeve të BQK-së, BPV-ja në 2022 pritet të shënoj rritje të ngadalësuar prej 3 deri në 4 përqind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht. Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 përqind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e BQK-së publikuar më 22 dhjetor.

Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti për një vit të tërë ishte krenuar për rritjen ekonomike 10.75 për qind.

Por opozita mendon ndryshe – thonë se Kurti “shfrytëzoi të dhënat nominale për ta paraqitur një rritje ekonomike të paqe”.

Kritika e opozitës kronologjikisht përshkruhet se ”inflacioni e ka rritur vëllimin e parasë, rrjedhimisht e ka rritur edhe qarkullimin financiar por e ka zvogëluar standardin jetësor”.

Por krenaria e ekzekutivit përfshin edhe rritjen e buxhetit. Për herë të parë Kosova do të ketë buxhet mbi 3 miliardë euro.

“Me 65 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës e votoi Buxhetin për vitin 2023. 3.2 miliardë është buxheti i Republikës sonë për vitin e ardhshëm, e që është jo vetëm më i larti ndonjëherë, por edhe më gjithëpërfshirësi”, ka shkruar Kurti në Facebook më 15 dhjetor, ditën kur projekt-ligji i buxhetit e mori dirën jeshile nga Kuvendi i Kosovës.

Si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për buxhetin opozita e ndiqet të njëjtën linjë të kritikës, pra “manipulim me të dhëna nominale”.

Megjithatë, opozita e pranon që gjendja e rëndë sociale nuk është vetëm faji i ekzekutivit – por edhe i situatës së jashtëzakonshme kudo në botë për shkak të luftës brenda territorit të Evropës.

Por ekzekutivi kritikohet për “mosveprim“ në raport me krizën.

“Nuk ka rëndësi nga kush vijnë e kush i propozon, rëndësi kanë të implementohen ato. Çdo ditë vonesë e Qeverisë tuaj me mosreagim është çmim ekonomik i pakthyeshëm për gjithë vendin tonë”, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, më 9 mars, teksa lufta në Ukrainë i kishte dhënë efektet e para.

Si kundërpërgjigje ekzekutivi thotë se ka disejnuar një mori pakosh në dobi të qytetarëve.

Kritikët e Kurtit këto pako i përkufizojnë ”si lëmoshë”, ndërkaq ekzekutivi thotë se janë politika sociale në kuadër të koncepteve ideologjike që Lëvizja Vetëvendosje i beson.

Situatës ekonomike i shtohet edhe “kurdisja e çmimeve“, gjatë festës se fund-vitit ka pasur akuza se “disa tregtarë kanë fryer çmimet”, teksa BQK-ja ka paralajmëruar ulje inflacioni.

Në qershor, Kuvendi i Kosovës i kishte aprovuar emrat e propozuar nga Qeveria për anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK). Por nuk është parë diçka e dukshme në terren për parandalimin e kurdisjeve të çmimeve në treg.

Gjatë vitit 2022, është kaluar edhe projektligji për rregullimin e çmimeve për produktet esenciale në treg. Por as në këtë drejtim nuk ka asgjë konkrete.

Në vitin 2023 pritet të hyjë në fuqi Ligji për Paga, por s’dihet akoma sa ky ligj do të jetë sfidues i inflacionit.

Ndërkohë është bërë zhurmë edhe për rritjen e pagës minimale nga 170 euro në 250, akoma – s’ka asgjë.

Qeveria e Kurtit beson se paketat financiare, ligji i pagave, rritja e pagës minimale do ta luftojnë gjendjen e krijuar ekonomike. Opozita është skeptike – duan më shumë, pra – veprime konkrete

Artikulli paraprakPërfshirja e njërit a të gjitha grupeve në dhënien e zekatit
Artikulli tjetërPunonjësit shqiptarë punojnë më ngadalë nga të gjithë në Europë dhe nuk kanë presion për afatet