Ballina Blog Faqe 8

Mashtrimi gjat provimit?!

Pyetja: Nëse në ulëset shkollore  afër mua ulet një prej kolegëve të mi dhe gjat provimit më pyet ndonjë pyetje rreth provimit dhe unë i përgjigjem, në këtë rast a llogaritem unë si mashtrues?

Përgjigje: Atë që ia tregon kolegut tënd gjat provimit që të përgjigjet ndaj pyetjeve në provim është mashtrim dhe nuk i lejohet atij që të të pyet, por as ty nuk të lejohet që t’i përgjigjesh, përshkak se ka thënë i Dërguari i Allahut(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të): “Ai i cili na mashtron nuk është prej neve”.

Prej Allahut është suksesi.

وصلى الله على نبينا محمد، وآله وصحبه وسلم

Komisioni i përhershëm për studime dhe fetva(fetvaja nr:20900)

Bekr Ebu Zejd

Salih El-Feuzan

Abdullah El-Gudejan

AbdulAziz Al Esh-Shejh

 

Përktheu: Ali Ashani / https://www.rizgjimi.com/

Kujto këto gjëra gjatë marrjes së pagës

Ky shkrim ofron një reflektim mbi përgjegjësitë dhe qëllimin e pasurisë, duke nxitur lexuesin të mendojë për 11 pika të rëndësishme kur merr rrogën. Shkrimi synon të rrisë vetëdijen për përdorimin e drejtë dhe me bereqet të parave.

Kur vjen koha për të marrë rrogën, më vijnë ndër mend disa gjëra, të cilat mendoj se janë të rëndësishme:

  1. Rroga është e plotë, vallë është edhe puna gjithashtu e plotë? A nuk ka pasur mangësi dhe defekte? Si ta laj përgjegjësinë time, sepse ai që merr pagë, llogaritet para Allahut për punën e tij?
  2. A i jam lutur Allahut të ma bëjë të bereqetshme këtë rrogë, apo jam mjaftuar vetëm me buzëqeshjen dhe rehatinë e brendshme?
  3. A kam falënderuar Allahun për këtë begati që më ka dhënë, në kohë kur shumë të tjerë janë të privuar nga kjo gjë?
  4. A kam menduar të ndaj sadaka nga kjo rrogë dhe të ushqej ndonjë të varfër?
  5. A kam menduar për ata borxhlinj, për të cilët kam marrë përsipër përgjegjësinë për t’ua larë borxhet para se ato t’u rriten dhe para se t’u vijë exheli. Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, nuk dëshiroi t’ia falë namazin e xhenazes atij njeriu që i kishin mbetur borxhe përderisa një as’hab nuk e mori përsipër larjen e borxhit të tij.
  6. A kam mundësuar me këtë rrogë lumturi te prindërit, gruaja dhe fëmijët edhe me diç të vogël?
  7. Po ti, a i ke menduar detyrat dhe obligimet tjera, të cilat nuk mund të realizohen ndryshe përpos se me pasuri?
  8. A ke menduar të ndihmosh organizata humanitare a të marrësh përsipër kujdesin për ndonjë jetim përmes një kontributi mujor?
  9. A ke menduar të largohesh nga israfi (harxhimi i tepërt) në ushqim, pije, veshmbathje dhe gjërat shtesë?
  10. A ke menduar që tërë këtë rrogë ta harxhosh në hallall dhe të largohesh nga harami dhe gjërat e dyshimta?
  11. A ke menduar për të hartuar plane të studiuara dhe strategji precize për harxhimin e kësaj rroge në mënyrë të matur dhe të drejtë, jo me kaotizëm dhe menaxhim të keq?

Vëllai im! Mendo mirë këto gjëra kur ta marrësh rrogën, sepse i ke amanet për të cilat do të japësh llogari, andaj bëje gati përgjigjen e saktë të kësaj pyetje.

Kam shumë shpresë se nuk do të mungojnë këto gjëra nga mendja jote, jo tani, por para se ta marrësh rrogën. Allahu të dhëntë suksese në jetë dhe bereqet në pasurinë tënde.

Përshtati: Bekir Halimi

Zinxhirët e telefonit dhe rrjeteve sociale

Zgjohemi dhe gdhihemi me telefonat në duart tona, sikur të ishin fryma jonë e parë dhe e fundit. Ekranet janë bërë dielli ynë i rremë dhe drita e mëngjesit nuk hyn më në zemrat tona. Në vend që të hapim Kuranin, të lexojmë hadithet profetike, të marrim urtësi nga librat, të ngremë duart në lutje e të bëjmë dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes – ne hapim aplikacionet, rrëshqasim me gishta dhe ushqejmë sytë me gjëra që na varfërojnë shpirtin.

E nuk po kuptojmë se jeta po na shkon dhe zemra, pak nga pak, po na vdes nga ajo që sheh e lexon në rrjetet sociale. Ne po e lëmë zemrën të thahet ngadalë, pa britmë, derisa të bëhet gur. Dhe e frikshme është se kjo vdekje nuk ndodh në varreza, por mes like-ve, videove dhe postimeve që na e mashtrojnë mendjen se po jetojmë.

Këta janë zinxhirë të padukshëm, por më të fortë se hekuri. I kemi pranuar vetë, madje i kemi zbukuruar me mbrojtëse të shtrenjta dhe ekrane me shkëlqim, duke harruar se çdo orë e dhënë atyre është një orë e marrë nga vetja, nga familja, nga adhurimi ndaj Zotit. Telefoni është bërë ‘imam’ i rremë që na udhëheq, duke na thirrur jo drejt shpëtimit, por drejt humbjes së heshtur.

Shpirti, si një shtëpi e mbyllur pa dritare, nuk merr më ajër. Nuk merr më dritën e fjalës hyjnore, nuk ndien më freskinë e lutjes. Ne po e ushqejmë me gjëra që e ngopin por nuk e ushqejnë, që e zbavitin por nuk e shpëtojnë.

Dhe derisa të guxojmë t’i thyejmë këta zinxhirë, nuk do ta kuptojmë kurrë se sa e rëndë është pesha e tyre. Por kur të bjerë kjo prangë, do të shohim se sa e lehtë është frymëmarrja pa ekranin që na mban peng, dhe sa i bukur është mëngjesi kur drita e parë nuk vjen nga telefoni, por nga qielli.

“Pëshpëritje jetësore”
Unejs Sheme

“Koprracia në dituri

Koprracia është ves, cilësimin me të cilin askush nuk e dëshiron dhe nuk e synon, por realiteti është se është gjithandej përreth nesh dhe me të cilësohen shumë njerëz. Shpesh kur e përmendim këtë ves, ajo që na shkon ndërmend është kopracia në pasuri dhe para, por harrojmë llojin më të keq të koprracisë, ajo është koprracia në dituri dhe udhëzim. Po, Allahu i Madhëruar e ka përmendur koprracinë në udhëzim dhe dituri në Librin e Tij. Thotë Allahu:

ٱلَّذِينَ يَبْخَلُونَ وَيَأۡمُرُونَ ٱلنَّاسَ بِٱلۡبُخۡلِ وَيَكۡتُمُونَ مَآ ءَاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ مِن فَضۡلِهِۦ
“Ata që tregohen koprracë dhe i urdhërojnë njerëzit të jenë koprracë, dhe fshehin atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij…” (En-Nisa: 37)

Thotë imam Taberiu – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet: “Koprracia e tyre, me të cilën Allahu i ka përshkruar, është koprraci në dituri, me të cilën Allahu i kishte pajisur, por ata ngurruan ta sqarojnë për njerëzit dhe e fshehën atë. Nuk është fjala për koprraci në pasuri.”
Ai gjithashtu tha: “Allahu i përshkroi këta njerëz, për të cilët bëhet fjalë në këtë ajet, me koprraci në qartësimin e së vërtetës, për ata që nuk e njohin çështjen e Muhamedit ﷺ – se ajo është e vërtetë, dhe se Muhamedi është një pejgamber i dërguar nga Allahu për cështje tjera të së vërtetës, të cilat Allahu i kishte sqaruar në atë që u shpalli pejgamberëve të Tij në librat e tyre.”
Në të kundërtën e koprracisë me dijen, Kurani gjithashtu tregon për bujarinë me dijen, siç shihet në fjalën e Allahut:

وَمَا هُوَ عَلَى ٱلْغَيْبِ بِضَنِينٍ
“Dhe ai (Muhamedi ﷺ) nuk është koprrac për t’jua përcjellë të gajbin (të fshehtën).” (Et-Tekwir: 24)

Imam Taberiu – Allahu e mëshiroftë – tha: “Muhamedi ﷺ nuk është koprrac për t’jua mësuar atë që Allahu e ka mësuar nga shpallja dhe zbritja e Tij. Përkundrazi, ai është i përkushtuar që ju të besoni dhe të mësoni.”
Allahu na dhashtë bujari në çdo aspekt, sidomos bujari në përcjelljen dhe kumtimin e udhëzimit dhe diturisë me të cilën ai na ka begatuar.

Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani

Si të përballesh me njerëzit toksikë sipas këshillave islame?!

Termi toksik mund të përkufizohet si diçka që të lëndon ose është e dëmshme.
Ndërsa person toksik mund të jetë çdokush: një mik,një armik, një mësues, një shef ose më e vështirë një anëtar i familjes.

Ka shumë lloje të njerëzve me nivele të ndryshme të toksicitetit, mund të jenë shumë egoist, negativ, i dëmshëm ose pasiv.
• Dëmi i tyre të ngadalson në arritjen e qëllimeve tua.
• Ata ju shtojnë energjinë negative në jetën tuaj si: stresin, ankthin etj.
• Këtyre personave ju mungon ndjeshmëria dhe i japin gjithmonë të drejtë vetes. Ata shpesh kërkojnë falje, por më vonë bëjnë të njëjtat gjëra.
Dhimbja e trupit, problemet e stomakut, ankthit, gjumit dhe sëmundje tjera janë efekte anësore të stresit që krijohet nga prezenca e njerëzve toksik.

Si të sillemi me njerëzit toksik?

“E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Selam!”. (Furkan: 63)

Shoku/shoqja toksik/e

“Njeriu është në fenë e shokut të vet, prandaj le të ketë kujdes secili prej jush se me kë shoqërohet.” (Ebu-Davud, Trimidhi.)
Hadithi në fjalë tregon qartë se shoqëria ka ndikim të dukshëm tek individi. Nëse keni të bëni me njerëz toksik, mos harroni që së pari të jeni shoku i vetvetes që të arrini të reflektoni. I pamohueshëm është fakti se islami na mëson ta duam për vëllan tonë atë që duam për vete, mirëpo është e rëndësishme të kesh integritet kur dalëngadalë  je duke u bërë person i vetëm me të cilin ata përplasen.
Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: Dallimi mes shokut të mirë dhe shokut të keq është si dallimi mes shitësit të parfumeve dhe farkëtarit. Tek shitësi i parfumeve ose blen erë të mirë, ose së paku kur të largohesh prej dyqanit të tij do të dalësh me aromë të mirë. Ndërsa kur shkon tek punishtja e farkëtarit ose mund të të digjen rrobat, ose kur të largohesh prej aty do të dalësh duke të marrë rrobat erë të keqe.”  (Buhari,Muslim)

Përballimi me njerëzit toksik

Mba distancë të sigurtë, shmangu shoqërimit me ta. Ju mund të kërkoni falje që jeni larguar, por nuk keni nevojë të shpjegoni ose të mbroni veprimet tuaja. Vendosni kufijtë tuaj dhe qëndroni të vendosur pasi njerëzit toksik provojnë të gjitha llojet e taktikave manipuluese dhe emocionale për të marrë atë që duan. Te jeni të sjellshëm dhe të ndershëm, po ashtu bëni përpjekje t’i përmbaheni parimeve të islamit. Shoqërohuni me miq që ju mbështesin, këshillojnë për të mirë dhe janë të besueshëm. Mos harroni të qëndroni të qetë kur keni të bëni me njerëz toksik. Ndonjëherë, është e vështirë të ndahesh totalisht nga ta, dhe kjo është kur ju duhet të përdorni strategjitë e përballimit, që janë veprime ndihmuese dhe ju shërbejnë gjatë situatave stresuese të jeni të relaksuar, të qetë duke u mbështetur tek Allahu.

Familjarët e afërt toksik 

Të gjithë e dimë që mbajtja e lidhjeve farefisnore është e rëndësishme në islam. Përballja me këta njerëz në familje është e komplikuar sepse çdo situatë është unike dhe duhet të përdorni diturinë sheriatike dhe arsyen tuaj për të zgjedhur mënyrën më të mirë të veprimit.
Mundohuni të ju tregoni familjarëve toksik dashamirësi dhe mirëkuptim, por gjithashtu kufizoni kontaktin tuaj me ta nëse e shihni të dëmshëm afrimin e tepërt vetëm e vetëm për të mbrojtur veten nga sjelljet e tyre toksike.
Shumë anëtarë toksik të familjes kalojnë kohë të vështira. Ata mund të vuajnë nga probleme shëndetësore ose emocionale, ju mund të bëni përpjekje tu tregoni atyre mirëkuptim. Nëse ata kërkojnë diçka nga ju, atëherë mund t’i respektoni kërkesat e tyre (për sa kohë që ato janë të arsyeshme dhe të lejueshme në islam).
Kujdesuni për veten duke bërë dua tek Allahut, duke i shprehur ndjenjat një personi të dashur. Shumë ekspertë të stresit besojnë se stresi i shkaktuar nga njerëzit e tjerë është shumë i dëmshëm. Thotë Allahu “Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” (el A’raf: 199)

Bashkëshorti/ja toksik/e

Edhe kjo ndodh, mirëpo zgjidhja e problemeve dhe mospajtimeve me kompromis është e preferuar, sepse s’ka familje pa probleme.
Shpesh, njerëzit e martuar përballen me sjellje toksike nga bashkëshortët(et) e tyre.  Durimi është një virtyt, por në planin afatgjatë, injorimi i sjelljeve toksike përfundimisht do të gërryejë marrëdhënien martesore.  Përpjekja për të kuptuar ndjenjat dhe mendimet e njëri-tjetrit është çelësi për të përmirësuar martesën.
Shumë probleme thjesht vijnë nga mungesa e të kuptuarit se Allahu me vullnetin edhe dëshirën e Tij  ka vendosur që ju të jeni një familje për ndonjë urtësi. Ka disa sjellje që mbase nuk i pëlqeni aspak, mirëpo Allahu përmes urtësisë Tij të pafundme, ka zgjedhur që të ju bashkojë.

Ilaçet shpirtërore

Thotë i Dërguari i Allahut: “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë cështja  e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.” (Muslim)
Besimtari dallon nga jobesimtari jo tek kënaqsia apo fatkeqësia, por nga reagimi i tij në çaste gëzimi apo hidhërimi.
Hadithi flet për besimtarin, i cili mund të gjendet në mes dy ndjenjave në të njejtën kohë si falënderimi dhe durimi. Besimtari është i durueshëm në lidhje me një person të tillë, veç kësaj ai ndjehet mirënjohës për bekimet në jetën e tij.
Pejgamberi (salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë) : ”Kush bën shumë istigfar, Allahu do t’i jep nga cdo brengë lehtësim, do t’i bëj rrugëdalje nga çdo ngushtësi dhe do ta furnizojë nga nuk e pret”. (Ahmedi)

Përktheu dhe përmblodhi: H.Mustafi

Parrullat e helmuara që synojnë familjen – Rreziku i termave ‘toksik’ dhe ‘narcisist’ në dritën e Islamit

Në kohët tona, disa fjalë janë kthyer në armë të heshtura, të mprehta si thika, që nuk shpojnë trupin, por çajnë lidhjet e gjakut dhe dashurisë. “Marrëdhënie toksike”, “burrë narcisist”, “baba narcisist”… tingëllojnë si diagnoza të mençura, por shpesh janë thjesht parrulla të bukura mbi helmin e prishjes.

Në sipërfaqe duken si fjalë që mbrojnë, por në thelb janë urdhra të koduar për të ngritur mure ndarjeje, për të thyer zemra, për të çmontuar familje. Islami na mëson se familja është një fortesë, një kështjellë mbrojtëse ku burri, gruaja dhe fëmijët ruhen nga stuhitë e jashtme. Por kur etiketa vendoset gabimisht, ajo bëhet si një minë e fshehur që shpërthen nga brenda.

1. Fjala që shkatërron si uragan i padukshëm

Një burrë etiketohet “toksik” sepse kërkon disiplinë në familje. Një baba shpallet “narcisist” sepse nuk pranon çdo tekë të fëmijës. Një bashkëshort i përkushtuar akuzohet si “manipulues” vetëm pse kërkon të mbrojë gruan nga rruga e humbur. Fjalët vijnë si stuhi të padukshme, që rrëzojnë çatinë e shtëpisë para se banorët të kuptojnë se janë në rrezik.

2. Plani i heshtur – çmontimi i kështjellës

Pas këtyre parrullave fshihet një synim më i errët: ta nxjerrin gruan nga kështjella e saj mbrojtëse – shtëpia – ku është e respektuar dhe e sigurt, dhe ta hedhin si mall të lirë në tregun e epsheve. Ta çlirojnë jo për hir të dinjitetit, por për ta bërë të prekshme nga çdo dorë që shtrin pasionin dhe jo mëshirën.

3. “Vendos kufij” – një thirrje me helm të ëmbël që e dëgjojmë shpesh

Kultura moderne e ushqen gruan me fjalë të ëmbla si “Duhet të vendosësh kufij” ose “Mos e tolero asnjë shenjë kontrolli”. Këto tingëllojnë si urdhra për vetëmbrojtje, por shpesh janë receta për rebelim kundër burrit, babait, vëllait – atyre që Allahu i ka vendosur rojtarë dhe mbrojtës të saj. Ato nuk nxisin dinjitetin, por prishjen e rregullit hyjnor.

4. Helmi që derdhet nga librat dhe ekranet

Dhe si të mos mjaftonte kjo, kësaj fushate armiqësore që synon gruan dhe shkaterrimin e familjes i shtohet edhe literatura e shumtë keqdashëse – libra, artikuj, romane, video e kurse online – që me fjalë të bukura dhe “këshilla” të rreme shtojnë helmin në damaret e familjes. Ngadalë, si një helm që përhapet pa u ndier, ato i mësojnë fëmijët ta shohin babain si armik, gruan ta shohë burrin si pengesë, dhe vëllanë ta shohë motrën si të huaj. Këto nuk janë vetëm fjalë – janë injeksione të ngadalta që paralizojnë unitetin familjar.

5. Islami dhe rruga e drejtë

Islami nuk mohon se në familje mund të ketë probleme, se tek e fundit kësaj i thonë dynja e jo xhenet. Por zgjidhja nuk është prishja me fjalë të pamatura, por këshillimi, ndërmjetësimi, pajtimi. Profeti ﷺ nuk ndërtonte urë përçarjeje, por ura pajtimi. E tek Profeti ﷺ muslimanët kanë shembullin më të mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe pajtohuni mes vëllezërve tuaj…” El-Huxhurat: 10

6. Rreziku i etiketimeve si trend

Kur çdo pakënaqësi quhet “abuzim”, kur çdo gabim etiketohet “toksik”, njerëzit humbin durimin (sabr), faljen (afw) dhe mëshirën (rahmeh). Kështu, ajo që mund të ishte një erë kalimtare, kthehet në stuhi që rrëzon një jetë të tërë.

7. Thirrje për kthim te rrënjët

Muslimani e di se çdo fjalë është amanet. Nëse ajo nuk shëron, mund të plagosë. Nëse nuk ndreq, mund të shkatërrojë. Përdorimi i pamatur i termave “toksik” dhe “narcisist” nuk është vetëm modë – është një shigjetë e helmuar që synon zemrën e familjes. Dhe kur familja bie, bie edhe umeti.

O ju muslimanë!

Mos e hapni portën e kështjellës për armikun. Mos e hiqni mburojën e familjes për disa fjalë të modës, duke menduar se po sjellim liri, kur në të vërtetë po sjellim robëri të epsheve. Mos e ndërtoni mendimin tuaj mbi helmin e librave e ekraneve që nuk njohin as Allah, as Ditën e Llogarisë.

/https://t.me/islamiautentik/

Njihe Allahun në rehati, Allahu do të të njohë ty ne vështirësi

Asnjëherë mos u ndal nga komunikimi me Zotin tënd. Lutju Atij çdo moment për gjërat që dëshiron, sepse “lutja është adhurim”. Dhe mos harro që ‘zëri’ i bindjes tënde (se Allahu i përgjigjet lutjes) të jetë më i lartë se ai i gjuhës tënde.

Shejhu i nderuar Sad El-Khathlan (Allahu e ruajttë!) në mësimin “Et-Tealik ala Kitab Letaif El-Fauaid” ka thënë: “Kur Shejh Iben Bazi (Allahu e mëshiroftë!) humbi shikimin, nëna e tij u pikëllua shumë dhe qau. Fqinja e saj e këshilloi që t’i kërkonte ndihmë Allahut; të merrte abdes, të falej dy rekate namaz dhe t’i lutej Allahut të Madhëruar se ‘ashtu siç ia more shikimin, jepi dije që të ketë dobi ai dhe t’u bëjë dobi muslimanëve!’ Dhe nëna e tij (shejhut) ashtu veproi. Ndoshta asaj i është pranuar lutja (ngase Shejh Iben Bazi u bë nga dijetarët e mëdhenj). Ky veprim ka bazë në Sunet.”

Profetin alejhis-selam, kur e pikëllonte ndonjë çështje, nxitonte për të falur namaz. Kërkohet që kjo të jetë rruga e muslimanit: sa herë përballet me ndonjë problem apo e godet ndonjë fatkeqësi, të marrë abdes, të falë dy rekate dhe t’i lutet Allahut që t’i japë rrugëzgjidhje e lehtësim. Vërtet, nëse vepron kështu, ka për të parë gjëra mahnitëse.

Allahu thotë: “Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (El-Bekare: 186)
Dhe thotë: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!’” (El-Gafir: 60)

“Rregulla të arta për ambicie të larta”

🔗 https://t.me/islamiautentik

Një njeri i shpërqendruar e i hutuar ia dërgoi hoxhës së Islamit ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) këtë pyetje?

Një njeri i shpërqendruar e i hutuar ia dërgoi hoxhës së Islamit ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) këtë pyetje:

“Cila është kura për atë person që është mundur nga sëmundja (e epsheve).

Cila është zgjidhja për atë që është kapluar nga prishja e mendjes (pas harameve)?

Çfarë duhet të veprojë ai që është mundur nga përtacia? Cila është rruga drejt suksesit?…

Nëse dëshiron t’i kthehet Allahut, pengohet nga epshi e dëshirat.

Nëse ndalet dhe mendon për pasojat, mundet (tërhiqet) nga mendime tjera.

Nëse dëshiron të angazhohet me punë të mira, menjëherë dështon.

Është i mundur nga epshet, andaj e sheh si të hutuar.

Kur e sheh duket i kthjellët, mirëpo ai është i dehur…”

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj: “Kura për të është t’i kthehet Allahut të Lartësuar, t’i përgjërohet Atij e t’i lutet me lutjet e transmetuara nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Le të lutet në kohët kur pranohet lutja, si: fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, kur është në sexhde, dhe në fund të namazave (para selamit).

Kësaj ia bashkëngjit edhe kërkimin e faljes (istigfarin), sepse kush kërkon falje prej Allahut dhe kthehet me pendim te Ai, Allahu i jep të shijojë jetë të mirë (shpirtërore e fizike) në jetën e kësaj bote.

Le t’i thotë (vazhdimisht) dhikret gjatë ditës dhe para rënies në gjumë, le të durojë ndaj gjërave që i shfaqen prej pengesave dhe shpërqendrimeve, sepse shumë shpejt Allahu e forcon me dritë e udhëzim dhe ia përforcon besimin në zemër.

Pastaj le të përkushtohet në plotësimin e pesë namazeve të obligueshme, me trup e me shpirt, ngaqë ato janë boshti kryesor i fesë.

Gjatë gjithë kohës le të thotë: “La hawle we la kuw-wete il-la bil-lah” (s’ka ndryshim të gjendjeve dhe as fuqi për këtë, pa lejen e Allahut), sepse nëpërmjet kësaj fjale barten barrët e rënda (të jetës), përballohen tmerret dhe arrihen gradat e larta.

Le të mos mërzitet nga lutja dhe kërkesa drejtuar Allahut, sepse Ai i përgjigjet njeriut, përderisa ky nuk ngutet e thotë: “Jam lutur e jam lutur, mirëpo Allahu nuk po më përgjigjet.”

Le ta dijë se ndihma vjen pas durimit, çlirimi pas gjendjes së rëndë dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Askush, qoftë profet apo më i ulët në pozitë se ai, nuk ka arritur në fund mirësitë e shumta, veçse nëpërmjet durimit.”

(Mexhmu’u El-Fetaua, 10/137)
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku

“Rrjetet sociale po shkatërrojnë jetën e adoleshentëve”/ Zekthi: Varësia, e rrezikshme

Nga Fitim Zekthi

Smartfonët, sidomos rrjetet sociale dhe videot e shkurtra, po shkatërrojnë në mënyrë të tmerrshme jetët e fëmijëve dhe adoleshentëve (ndoshta edhe të të rriturve). Emily Sehmer, një psikiatre për adoleshentët dhe një studiuese e njohur britanike, thotë se përdorimi i smartfonëve ka kapur përmasa të pamendueshme dhe dëmi që po shkaktojnë është dramatik. Një 12-vjeçar (në fakt, moshat nga 10 deri në 16 afërsisht) kalon 29 orë në javë mesatarisht në smartfon (gati sa orët e punës së një punëtori). Ajo thotë në studimin e saj dhe nga përvoja në klinikë se fëmijët dhe adoleshentët shfaqin probleme të thella të shëndetit mendor që lidhen me përdorimin e madh të rrjeteve sociale, me bullizimin online, me varësinë nga ekrani i smartfonit, si edhe nga të rënit pre e abuzimit seksual online.

Ajo thotë se fëmijët zhyten në botën apo botët online, kanë vështirësi të flenë, humbasin aftësinë për të qenë të vëmendshëm, kanë çrregullime emocionale dhe janë agresivë. Këta fëmijë apo adoleshentë pushtohen nga ankthi dhe frika se do dështojnë. Kërkojnë komfort, qetësi dhe vlerësim nga grupe të ngjashmish online. Për fat të keq, thotë Sehmer, disa prej tyre inkurajojnë dëmtimin e vetes, kanë çrregullime të të ngrënit dhe madje mendojnë apo tentojnë vetëvrasjen. Qëndrimi kaq i gjatë online ka pasoja neurologjike shumë serioze dhe “ne jemi të përmbytur me raste të deficitit të vëmendjes dhe çrregullime të tjera”, thotë Sehmer.

Ajo shton se “nuk mban mend (nga përvoja disa vjeçare në klinikë por edhe si studiuese) prej kohësh kur një fëmijë apo adoleshent arrin të shohë një film pa bërë scrolling në smartfon apo pa parë mesazhet”. Nga rrjetet sociale, pjesën dërrmuese të kohës e zë TikTok dhe efektin më të madh tek fëmijët dhe adoleshentët e kanë videot në TikTok dhe vetë TikTok si rrjet, ku gjenden të ngjashmit. Paralelisht, koha e qëndrimit të fëmijëve apo adoleshentëve me shokët, me njëri-tjetrin fizikisht, ka rënë me rreth 65% dhjetë vitet e fundit. Kjo rënie rritet përditë. Keq.

Humbja e kohës në epokën e rrjeteve

Hapim ekranin e telefonit si të ishte një derë magjike, dhe rrëshqasim gishtat mbi të, lart e poshtë, pa e ditur pse. Si një lumë që s’ka breg, ikim me rrjedhën e pamjeve, fjalëve dhe zhurmës së pafundme. Shpirti ndihet bosh, por prapë nuk ndalet. Zemra e ndjen barrën e kohës që ikën, por dora vazhdon të lëvizë, sikur të kërkonte diçka që nuk gjendet aty.

Një koment këtu, një shpërndarje atje, një kthim tek kujtimet e vjetra që s’kanë më jetë… Dhe sërish mbetemi me të njëjtin boshllëk. Koha shkon, por asgjë e dobishme nuk mbetet në duar.

Fatkeqësisht, ky është realiteti i shumë njerëzve sot. Dhe më e dhimbshmja është kur gruaja, që është dritë dhe gjallëri e shtëpisë, humbet orë të gjata pas rrjeteve sociale.

Harron fëmijët që presin përqafimin e saj.

Harron burrin që ka nevojë për buzëqeshjen dhe ngrohtësinë e saj.

Harron shtëpinë që pret kujdesin dhe gjallërinë e saj.

Në vend të zërit të saj që duhej të mbushte muret me butësi, dëgjohet vetëm heshtja, ndërsa ajo tretet në botën e ekranit.

Sa e çuditshme është kjo gjendje!

Zemra kërkon qetësi, por gjen trazim. Mendja kërkon pushim, por gjen lodhje. Koha humbet dhe shpirtit i mbetet vetëm pendesa.

Një nga të parët tanë të mirë ka thënë: “Shenjë e humbjes së njeriut është humbja e kohës.”

Dhe vërtet, humbja e kohës është humbja më e madhe, sepse me të humbim veten, familjen dhe shpirtin tonë.

Le të zgjohemi nga kjo gjendje.

Le të mos lejojmë që rrjetet të na vjedhin kohën më të çmuar, kohën me familjen tonë, me Zotin tonë dhe me vetveten.

Sepse ajo që ikën nuk kthehet më, dhe koha është dhurata më e madhe që kemi.

“Pëshpëritje jetësore”

Unejs Sheme

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
15.5 ° C
15.5 °
15.5 °
67 %
0.5kmh
0 %
Sat
27 °
Sun
26 °
Mon
28 °
Tue
28 °
Wed
28 °