Koprracia është ves, cilësimin me të cilin askush nuk e dëshiron dhe nuk e synon, por realiteti është se është gjithandej përreth nesh dhe me të cilësohen shumë njerëz. Shpesh kur e përmendim këtë ves, ajo që na shkon ndërmend është kopracia në pasuri dhe para, por harrojmë llojin më të keq të koprracisë, ajo është koprracia në dituri dhe udhëzim. Po, Allahu i Madhëruar e ka përmendur koprracinë në udhëzim dhe dituri në Librin e Tij. Thotë Allahu:
ٱلَّذِينَ يَبْخَلُونَ وَيَأۡمُرُونَ ٱلنَّاسَ بِٱلۡبُخۡلِ وَيَكۡتُمُونَ مَآ ءَاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ مِن فَضۡلِهِۦ
“Ata që tregohen koprracë dhe i urdhërojnë njerëzit të jenë koprracë, dhe fshehin atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij…” (En-Nisa: 37)
Thotë imam Taberiu – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet: “Koprracia e tyre, me të cilën Allahu i ka përshkruar, është koprraci në dituri, me të cilën Allahu i kishte pajisur, por ata ngurruan ta sqarojnë për njerëzit dhe e fshehën atë. Nuk është fjala për koprraci në pasuri.”
Ai gjithashtu tha: “Allahu i përshkroi këta njerëz, për të cilët bëhet fjalë në këtë ajet, me koprraci në qartësimin e së vërtetës, për ata që nuk e njohin çështjen e Muhamedit ﷺ – se ajo është e vërtetë, dhe se Muhamedi është një pejgamber i dërguar nga Allahu për cështje tjera të së vërtetës, të cilat Allahu i kishte sqaruar në atë që u shpalli pejgamberëve të Tij në librat e tyre.”
Në të kundërtën e koprracisë me dijen, Kurani gjithashtu tregon për bujarinë me dijen, siç shihet në fjalën e Allahut:
وَمَا هُوَ عَلَى ٱلْغَيْبِ بِضَنِينٍ
“Dhe ai (Muhamedi ﷺ) nuk është koprrac për t’jua përcjellë të gajbin (të fshehtën).” (Et-Tekwir: 24)
Imam Taberiu – Allahu e mëshiroftë – tha: “Muhamedi ﷺ nuk është koprrac për t’jua mësuar atë që Allahu e ka mësuar nga shpallja dhe zbritja e Tij. Përkundrazi, ai është i përkushtuar që ju të besoni dhe të mësoni.”
Allahu na dhashtë bujari në çdo aspekt, sidomos bujari në përcjelljen dhe kumtimin e udhëzimit dhe diturisë me të cilën ai na ka begatuar.
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani











