Hapim ekranin e telefonit si të ishte një derë magjike, dhe rrëshqasim gishtat mbi të, lart e poshtë, pa e ditur pse. Si një lumë që s’ka breg, ikim me rrjedhën e pamjeve, fjalëve dhe zhurmës së pafundme. Shpirti ndihet bosh, por prapë nuk ndalet. Zemra e ndjen barrën e kohës që ikën, por dora vazhdon të lëvizë, sikur të kërkonte diçka që nuk gjendet aty.
Një koment këtu, një shpërndarje atje, një kthim tek kujtimet e vjetra që s’kanë më jetë… Dhe sërish mbetemi me të njëjtin boshllëk. Koha shkon, por asgjë e dobishme nuk mbetet në duar.
Fatkeqësisht, ky është realiteti i shumë njerëzve sot. Dhe më e dhimbshmja është kur gruaja, që është dritë dhe gjallëri e shtëpisë, humbet orë të gjata pas rrjeteve sociale.
Harron fëmijët që presin përqafimin e saj.
Harron burrin që ka nevojë për buzëqeshjen dhe ngrohtësinë e saj.
Harron shtëpinë që pret kujdesin dhe gjallërinë e saj.
Në vend të zërit të saj që duhej të mbushte muret me butësi, dëgjohet vetëm heshtja, ndërsa ajo tretet në botën e ekranit.
Sa e çuditshme është kjo gjendje!
Zemra kërkon qetësi, por gjen trazim. Mendja kërkon pushim, por gjen lodhje. Koha humbet dhe shpirtit i mbetet vetëm pendesa.
Një nga të parët tanë të mirë ka thënë: “Shenjë e humbjes së njeriut është humbja e kohës.”
Dhe vërtet, humbja e kohës është humbja më e madhe, sepse me të humbim veten, familjen dhe shpirtin tonë.
Le të zgjohemi nga kjo gjendje.
Le të mos lejojmë që rrjetet të na vjedhin kohën më të çmuar, kohën me familjen tonë, me Zotin tonë dhe me vetveten.
Sepse ajo që ikën nuk kthehet më, dhe koha është dhurata më e madhe që kemi.
“Pëshpëritje jetësore”
Unejs Sheme











