Ballina Blog Faqe 712

Rreth 73% e të rinjve të papunë

Niveli i papunësisë mes të rinjve të moshës nga 15 në 24 vjeç në Kosovë është shumë i madh. Kështu tregon raporti më i fundit i publikuar nga Agjencia për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Evropë.

Sipas këtij raporti i rrogës mesatare në Evropë tek të rinjët në sipërmarrjet private është 260 euro, gjysma me atë që marrin punonjësit në Maqedoninë fqinje, ndërsa 44.5 përqind e personelit po në sipërmarrjet private është punësuar falë rekomandimeve. /indeksonline/kohaislame

Në Podujevë ndihmohen 140 fermerë me farë misri

Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Podujevës, ka ndihmuar 140 fermerë me të mbjella pranverore. Fermerët e përzgjedhur janë ndihmuar nga DBPZHR-ja me nga 10 kilogramë farë misri (pionier 100-300) si dhe me nga 100 kg pleh artificial të kombinuar 3×15.

Sipas drejtorit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Vezir Januzi, kjo ndihmë është ndarë nga mjetet për subvencione dhe kap vlerën e rreth 10 mijë eurove.
Januzi ka thënë se kjo sasi e farës dhe e plehut artificial do t’u mjaftojë 140 bujqve që të mbjellin nga 50 ari me misër.
E fermerët shprehen të kënaqur për këtë ndihmë modeste nga Komuna e Podujevës./BS/kohaislame

Turqit blenë uzinën problematike malazeze të çelikut edhe pse ka 193 milionë euro borxhe

Me 193 milionë euro borxhe, Zelejzara AD Niksiç e Malit të Zi u ble nga një ndërmarrje turke. Gjithashtu në lajmet nga biznes: FMN do t’i japë hua Kosovës më shumë se 100 milionë euro për të krijuar një depozitë parash për vendin.

Ndërmarrja turke Tosçelik Profil Ve Sac Endustrisi AS ka paguar 15.1 milionë euro për uzinën malazez të çelikut Zelejzara AD Niksiç, njoftoi ministri i ekonomisë në Podgoricë të hënën (30 prill). Marrëveshja erdhi pas katër përpjekjesh të mëparshme të dështuara për të shitur sipërmarrjen, e cila ka qenë në falimentim gjatë vitit të kaluar me borxhe prej 193 milionë euro.

***

Leva rumune ra në nivelin më të ulët historik të hënën (30 prill), duke përjetuar ditën e dytë të humbjeve të rënda pas rënies së papritur të qeverisë javën e kaluar. Që nga e premtja, leva ka humbur 1,6% kundrejt euros, e cila u tregtua në 4,442 leva.

***

Mali i Zi u bë anëtar me të drejta të plota i Organizatës Botërore të Tregtisë të dielën (29 prill), duke u bërë vendi i 154-tërt i kësaj organizate. Protokolli i anëtarësimit të vendit u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar. Qeveria pret që anëtarësia të rrisë investimet e huaja.

***

FMN-ja miratoi një kredi prej 106,6 milionë eurosh për Kosovën të premten (27 prill) pas përfundimit të financimit të një marrëveshje të mëparshme kredie prej 109 milionë euro vitin e kaluar, pas një mosmarrëveshje për shkak të një rritje të njëanshme të rrogave të punonjësve të administratës civile. Marrëveshja e re 20 mujore e gatishmërisë do të ndihmojë në lehtësimin e presioneve fiskale e do të ndihmojë qeverinë që të krijojë një depozitë parash, tha Fondi.

***

Qeveria greke miratoi një plan të premten (27 prill) për t’u dhënë katër bankave vendase — Banka Kombëtare e Greqisë, EFG Eurobank Ergasias SA, Alpha Bank AS e Piraeus Bank SA — bono nga fondi i përkohshëm evropian i shpëtimit. Sipas planit, i cituar nga mediat vendase, bankat do të marrin gjithsej 18 miliardë euro duke filluar që nga java e ardhshme që do të shërbejnë si një nxitje e përkohshme e kapitalit.

***

Kina do të japë linja kredie e fonde me vlerë 8,1 miliardë euro për të nxitur biznesin me ekonomitë në Evropën Qendrore e Lindore. Deklarata u bë gjatë një vizite nga Kryeministri kinez Ven Jiabao në Varshavë të enjten (26 prill), ku mori pjesë në një forum të madh tregtie me udhëheqës nga 15 vende përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë,Malin e Zi, Rumaninë e Serbinë.

***

Çmimet e gazit e energjisë elektrike për familjet në Kroaci u rritën me dy shifra të enjten (1 maj), si një veprim që synon të rrisë fitimet e ndërmarrjeve vendase të energjisë. Vendimi, i miratuar nga qeveria javën e kaluar, do të rrisë faturat e gazit e energjisë elektrike me 22%. Pjesa e industrisë vendase që merr furnizime të drejtpërdrejta gazi nuk do t’i ekspozohet kësaj rritje, por çmimet e gazit për shkollat, spitalet e disa sektorë të industrisë do të rriten me 6,75%.

***

Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim njoftoi të enjten (26 prill) se i ka ofruar një hua prej 150 milionë euroBosnjë dhe Hercegovinës për të financuar pjesë të ndërtimit të një autostrade mes Banja-Lukës e Dobojit në perëndim të vendit. Huaja jepet për një periudhë 15 vjeçare.

***

Çmimet e qirave e nivelet e ambienteve të lira nëShqipëri për zyra e pasuritë e paluajtshme me pakicë do të mbeten të qëndrueshme për gjysmën e parë të këtij viti pas lehtësimit në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, tha në një raport firma këshillimore e shitjeve me pakicë Colliers në një raport të premten (27 prill). Mes kërkesës së fortë, tregu mbetet dinamik, shtoi ndërmarrja. Në fund të vitit të kaluar, qiratë e zyrave në qendër të Tiranës shkuan nga 17 deri në 24,5 euro për metër katror në muaj./set


Rritet borxhi i jashtëm i Kosovës

Borxhi i jashtëm i Kosovës ka arritur në vlerën prej 1 miliard e 426 eurosh në fund të vitit 2011. Ky borxh është rritur për 78 milionë euro, në krahasim me fundin e vitit 2010, ndërsa në krahasim me vitin 2009, borxhi total i jashtëm i Kosovës ka shënuar rritje prej 280 milionë eurosh. E në krahasim me vitin 2007, vlera e borxhit të jashtëm është rritur për 930 milionë euro.

Të dhënat e publikuara të premten nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se vlera e borxhit të jashtëm i regjistruar në fund të vitit 2011 përbën mbi 30 për qind të bruto prodhimit vendor, që llogaritet të jetë në vlerën prej rreth 4.5 miliardë eurosh./koha/kohaislame

AVUK-U DO TË ASGJËSOJË MBI 26 TONË MISH

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AVUK), do të bëjë sot asgjësimin e mbi 26 mijë tonëve mish, pasi që është konstatuar se ka pas dokumentacion flas. Origjina e këtij mishi është nga Argjentina, ndërsa asgjësimi do të bëhet në deponinë e mbeturinave në Mitrovicë.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi ka thënë për Kosovapress se ky mish i është konfiskuar një biznesi nga Peja, pasi që ishte konstatuar se mishi ka dokument fals.

“Sasia është 26 mijë e 233 kg. Ky mish është nxënë para një kohe dhe pas të gjitha verifikimeve është konstatuar se ka dokumentacion fals dhe është konfiskuar. Ky mish është nxënë në Terminalin e Pejës dhe i përket vetëm një biznesi”, ka theksuar Thaçi.

Kjo lëndë ka shkuar edhe në gjykatë, ku gjykata me procedurë të shpejtë ka dhënë vendimin që ka dokumentacion fals.

Origjina e kësaj sasie të mishit është nga Argjentina, ndërsa asgjësimi do të bëhet sot në deponinë e mbeturinave në Mitrovicë./expres/kohaislame

Kostoja e jetesës, dyfish më e shtrenjtë

Në dekadën e fundit është shtrenjtuar jetesa në Kosovë. Dhjetë vjet më parë, çmimet e produkteve ushqimore dhe të shërbimeve të tjera kanë pasur tjetër peshë monetare. Pothuajse çdo produkt është shtrenjtuar, disa mbi 100 për qind.

Dhjetë vjet më parë, sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave, 1 kilogram miell kushtonte 0.25 euro, ndërsa tani mesatarisht ka kushton 0.42 euro apo 0.17 euro më shumë. Krahas miellit, në dhjetë vjetët e fundit është shtrenjtuar edhe buka. Një bukë 500 gramësh, kushtonte mesatarisht 0.27 euro, ndërsa tani kushton mesatarisht 0.39 euro.

Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së Furrtarëve, thotë se arsyet janë shumë të thjeshta. “Ngritja e çmimi të miellit, i derivateve dhe rrogat e punëtorëve e gjithçka tjetër ka bërë që edhe ne t’i rrisim çmimet e bukës. Shporta e konsumatorit në përgjithësi është rritur 100 për qind në dhjetë vjetët e fundit”, thotë Xoxa.

Ngjashëm është shtrenjtuar edhe orizi që, sipas të dhënave të Agjencisë, nga viti 2002 është shtrenjtuar për 0.34 euro. Në vitin 2002, çmimi i një kilogrami mesatarisht ishte 0.96 euro, ndërsa tani është mesatarisht 1.30. Edhe mishi i gjedhit është shtrenjtuar dukshëm. Një kilogram mish gjedhi tani është për 1.42 euro më i shtrenjtë. Mishi i pulës është shtrenjtuar për 0.57 euro. Edhe qumështi është shtrenjtuar për 0.23 euro. Për 0.27 euro është shtrenjtuar edhe jogurti.

“Rritja e kostos së prodhimit, të ambalazhit, derivateve të naftës e shumë faktorë të tjerë që janë të domosdoshëm për prodhimet tona ka bërë që edhe qumështi, edhe prodhimet e tij të shtrenjtohen në dhjetë vjetët e fundit”, thotë Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Vezët kanë pasur një ngritje rekorde. 30 kokrra vezë tani janë më shtrenjtë për 1 euro. Vaji ushqimor është shtrenjtuar gjithashtu. Një litër tani kushton 1.52 euro apo 0.40 euro më shtrenjtë se 10 vjet më parë. Edhe çmimet e pemëve janë ngritur. Kilogrami i bananes tani kushton 0.14 euro më shtrenjtë. Ulje të çmimeve kanë pasur këtë vit vetëm patatet, të cilat patën këtë vit mbiprodhim dhe problem me shitjen e tyre jashtë vendit. Këtë vit patatet janë shitur për 0.30 euro kilogrami.

Sheqeri që para 10 viteve kushtonte fiks 0.50 euro, tani kushton gati përgjysmë më shtrenjtë, apo 0.92 euro. Edhe kilogrami i kafes është shtrenjtuar për 1.47 euro, por jo edhe sa është shtrenjtuar çaji. Kilogrami i çajit në vitin 2002 kushtonte mesatarisht 3.33 euro, ndërsa tani kushton 5.05 euro apo 1.70 euro më shtrenjtë. Edhe birrat janë shtrenjtuar për mesatarisht 0.10 euro. Shtrenjtim të madh kanë pësuar cigaret. Ky produkt i domosdoshëm për një pjesë të madhe të kosovarëve është shtrenjtuar më shumë se 100 për qind. Cigaret dikur kushtonin mesatarisht 0.50 euro një paket, ndërsa tani mesatarisht kushtojnë 1.08 euro apo 0.58 euro më shtrenjtë.

Edhe rryma është shtrenjtuar. Kilovati i rrymës në dhjetë vitet e fundit është shtrenjtuar për 50 për qind. 1 kilovat kushtonte 0.04 euro ndërsa tani 0.06 euro. Druri për ngrohje është shtrenjtuar për afro 5 euro për metër kub.

Ngritje të çmimit kanë pësuar edhe derivatet. Benzina është shtrenjtuar për 0.52 euro, ndërsa nafta për 0.61 euro. Së fundi është shtrenjtuar edhe gazeta “Koha Ditore”. Në vitin 2002 kushtonte 0.30 euro, ndërsa nga e mërkura kushton 0.50 euro.

Fatmirësisht edhe pagat janë ngritur në 10 vjetët e fundit. Të ardhurat mesatare në vitin 2002 ishin rreth 192 euro, ndërsa tani janë gati 300 euro./koha/kohaislame

LO: 202 MILIONË TË PAPUNË

Papunësia globale këtë vit parashikohet të arrijë në 202 milionë vetë. Ky paralajmërim për papunësinë vjen nga raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për punësimin global. Kurse në vitin 2013 norma e papunësisë globale do të rritet më shumë se 6 për qind…

Shkak i rritjes kaq të madh të shifrave të papunësisë në shkallë globale Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon dëmin që i kanë shkaktuar tregut të punësimit masat e kursimit që janë marrë në shumë vende të zhvilluara, kryesisht ato evropiane.

Sipas Raportit të Punësimit Global për vitin 2012 që nga kriza financiare e viteve 2008-2009 e këtej kanë humbur vendin e punës rreth 50 milionë njerëz.

Organizata parashikon një rritje më të lartë se 6 për qind të raportit të papunësisë në vitin 2013. “Punësimi global po jep shenja alarmi dhe shenjat përmirësuese nuk duken në horizont deri në një të ardhme të afërt”, paralajmëron ILO përmes raportit të saj.

Sipas raportit në fjalë në 2/3 e vendeve të botës papunësia ka shënuar rritje që nga viti 2010 e këtej. Situata është shqetësuese në veçanti në Evropë, por përmirësimi i tregut të punësimit vonon edhe në vendet e zhvilluara si Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tregu i punësimit në Evropë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel deri në vitin 2016 në qoftë se nuk do të ketë ndryshime në politikën aktuale që ndiqet nga qeveritë e këtyre vendeve, bën të ditur ILO dhe paralajmëron për një rritje ekonomike më të ngadaltë.

Politika e kursimeve financiare në shumë vende të zonës së euros e ka thelluar edhe më shumë krizën e punësimit dhe madje në Evropë kjo mund të shkaktojë edhe një recesion të ri, nënvizon ILO në raportin e saj.

Sipas interpretimit që bën raporti situata rrit njëkohësisht edhe riskun për kryengritje sociale në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Kurse në Amerikën Latine një risk i tillë është ulur për shkak të rritjes së normës së punësimit në këto vende./rtk/kohaislame

Privatizimit nuk i shpëton as lokaliteti arkeologjik i mbrojtur me ligj

Në bregun e majtë të Lumit të Bardhë në Fushë të Pejës zënë vend disa themele që besohet të jenë fillimet e para të qytetit të Pejës. Në po atë lokalitet zë vend fabrika e baterive industriale. Lokaliteti arkeologjik është në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore e hartuar nga Ministria e Kulturës. Por kjo nuk ka bërë punë që fabrika bashkë me lokalitetin arkeologjik të mos hidhet në shitje. Agjencia Kosovare e Privatizimit për të dytën herë e ka hedhur në privatizim Fabrikën e Baterive Industriale, e cila është pronë shoqërore nën administrimin e saj. Vitin e kaluar kishte dështuar ta shiste, shkruan sot “Koha Ditore”. AKP-ja nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar ka ftuar investuesit që ta blejnë këtë fabrikë me sipërfaqe prej 14.18 hektarësh, ndërsa vetëm fabrika ka sipërfaqe prej 18,900 metrash katrorë. AKP-ja e quan këtë si lokacion strategjik me qasje në rrugë dhe hekurudhë që lidh Kosovën me tregun rajonal dhe evropian, por nuk e cek fare lokalitetin arkeologjik.

Në shtator të vitit të kaluar AKP-ja kishte hedhur në privatizim këtë fabrikë, por reagimi i institucioneve komunale e qendrore kishte bërë që fabrika të mos privatizohej.

Arkeologu Naser Ferri, që edhe vitin e kaluar kishte ngritur zërin ndaj këtij veprimi, ka thënë se privatizimi i kësaj fabrike do të shkatërronte një pjesë të madhe të lokalitetit të rëndësishëm arkeologjik.

“Një prej mundësive kishte me qenë të bëheshin gërmime sistematike dhe të krijohet një park arkeologjik”, ka thënë ai. Ferri ka bindjen se nga përvoja e deritashme me privatizim të fabrikave përfitojnë vetëm blerësit e tyre, ndërsa ish – punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara gjithmonë dalin humbës.

“Edhe në këtë rast, nëse lejohet privatizimi, Peja do ta humbë një margaritar të trashëgimisë edhe ashtu mjaft të shkatërruar kulturore”, ka thënë Ferri.

Përderisa gazeta nuk ka marrë përgjigje nga ana e AKP-së e as nga MKRS-ja në lidhje me këtë, i pari i Pejës, Ali Berisha, ka thënë se do të bëhet çmos që të ndalohet ky privatizim.

”Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet legale që ajo pjesë të mos privatizohet. Por tash sa mund të ketë ndikim kjo nuk e di”, ka thënë Berisha. Sipas tij, mbrojtja ligjore që gëzon ky lokalitet arkeologjik do të duhej të ishte fakt i mjaftueshëm për AKP-në që të mos marrë këso veprimesh. Berisha thotë se shumë shpejt do të ftojë të gjitha partitë politike në Asamblenë Komunale të Pejës që të diskutohet për marrjen e disa hapave për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Do të flasim edhe me AKP-në dhe me institucione të tjera për të ndalur këtë privatizim”, ka thënë Berisha.

Edhe Abdyl Hoxha, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Pejë, ka bindje të njëjtë.

“Nuk duhet të privatizohet. Edhe nëse duhet, gjithsesi pjesa e lokalitetit arkeologjik nuk guxon të preket”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, Instituti që ai e drejton është në koordinim me MKRS-në dhe AKP-në që të gjendet një zgjidhje për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Me sa e di, me aq sa kam folur me ata në MKRS-së, këtë vit kanë pasur të bëhen gërmime dhe nuk do të duhej të ndodhte nxjerrja në privatizim”, ka thënë Hoxha. “AKP-ja do të duhej të merrte mësim nga reagimi i vitit të kaluar”.

E sipas arkeologut Ferri, ky lokalitet ishte mbrojtur me ligj në vitet 60 të shekullit XX.

Ferri kujton vitin 1978, kur pushteti jugosllav – me gjithë faktin se dihej për këtë lokalitet dhe ishte i mbrojtur – kishte vendosur që aty të ndërtohet Fabrika e baterive industriale si pjesë e gjigantit “Trepça”.

Sipas tij, ai vendim kishte nxitur reagime të intelektualëve shqiptarë që u treguan pa efekt, ndërsa gjatë punimeve me rastin e hapjes së themeleve të fabrikës janë gjetur disa monumente epigrafike, si dhe gjurmët e një kompleksi të tërë arkitektonik, i cili është identifikuar si pjesë e depove “horrea”. Nga katër objekte, themelet e të cilëve ishin zbuluar në vitin 1978 , me gjithë reagimet, betoni i fabrikës kishte mbuluar tërësisht tri sosh.

“Ndërsa objekti i katërt ishte ‘konservuar’ dhe kishte mbetur në oborr të fabrikës dhe pa dyshim se kujdesi i punëtorëve e ka ruajtur deri më sot”, kujton Ferri.

Lokaliteti arkeologjik në Fushë të Pejës, në bregun e majtë të Lumit të Bardhë, i njohur edhe me emrin “Gradina”, sipas arkeologut Naser Ferri, është evidencuar shkencërisht qysh nga arkeologu anglez Arthur Evans. Ai i kishte përshkruar monumentet e gjetura në këtë vend në librin e tij “Antiquarian Researches in Illyricum” të botuar në Westminster . Në fillim të shekullit XX, respektivisht rreth vitit 1917, Ferri thotë se hungarezi Buday Arpad, i cili e përcillte ushtrinë austro-hungareze, e kishte përshkruar më detajisht e madje e kishte dhënë edhe një plan të pjesës së fortifikuar të këtij lokaliteti, të cilin deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar pejanët e quanin “Kalaja”. Sipas Ferrit, për këtë lokalitet kanë shkruar më vonë edhe arkeologët e tjerë në mesin e të cilëve ishte edhe Emil Çershkov, i cili kishte konstatuar ekzistencën e një vendbanimi pararomak dardan të tipit rrafshinor buzë lumit. Për shkak të numrit të konsiderueshëm të gjetjeve të artefakteve relevante, arkeologu kishte shprehur mendimin që fjala është për një municipium romak. Ferri kujton se në fillim të shekullit kaluar murgët françeskanë nga Kisha katolike e Shën Katarinës në Pejë i kishin grumbulluar një numër monumentesh epigrafike të cilat rreth vitit 1930-1931 pushteti serb i kishte transferuar në Kurshumli e Han të Shkupit.

“Ishin këto monumente të kohës romake, me tekste në gjuhën latine dhe me shumë elemente të kulturës dardane”, thotë Ferri.

Sipas tij, këto dhe gjetjet e monedhave që nga koha e perandorit Domician nga shekullit I e deri në kohën e perandorit Konstantini i Madh-shekulli IV, monumente epigrafike e gjetje të tjera dëshmojnë një vazhdimësi të jetës së qytetëruar në këtë lokalitet që nga mijëvjeçari I para erës sonë./koha/kohaislame

Kosova ka mbi 170 prona në rajon

Trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, dhe katër vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk udhëhiqen dhe nuk shfrytëzohen nga autoritetet kosovare. Zyrtarë qeveritarë pohojnë se ekziston vullneti dhe gatishmëria që kjo çështje të zgjidhet, por megjithatë, e konsiderojnë proces të vështirë dhe të ngadalshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka 172 prona të subjekteve ekonomike në shtete të ndryshme të rajonit. Autoritetet kompetente kanë identifikuar pronat, por ende nuk kanë arritur që t’i identifikojnë të gjitha adresat se ku gjenden, për çka shfrytëzohen, dhe kush është pronari i vërtetë i tyre.

Për këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme ka formuar një komision të veçantë, bën të ditur Rel.

Artan Behrami, këshilltar në këtë ministri, thekson se gjatë vizitave që kanë pasur në vendet e ndryshme të rajonit, është ngritur edhe problemi i pronave . “Komisioni është duke funksionuar, është mbledhur disa herë, dhe në vizitat që kemi pasur në vende të ndryshme të rajonit, është ngritur kjo çështje. Ka një gatishmëri shumë të madhe edhe nga shtetet e rajonit, që të ketë zgjidhje të problemeve që janë grumbulluar gjatë këtyre periudhave”, shprehet Behrami.

Ndërkaq, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë deklaruar se që nga fillimi i punës së kësaj agjencie, ka qenë e vështirë të ketë qasje në ndërmarrjet kosovare që janë të vendosura jashtë Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa në Mal të Zi 42 asete.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, shprehet se subjektet ekonomike të rajonit nuk kanë treguar gatishmëri që të diskutohet kjo çështje. Ai tregon se edhe disa prona të Odës Ekonomike të Kosovës ekzistojnë në Mal të Zi, e që ende nuk shfrytëzohen nga ky asociacion. Ai thotë se për këtë çështje duhet të bisedohet me të gjitha vendet e rajonit, duke filluar së pari nga shteti fqinj i Serbisë. “Kështu që Serbia ka vepruar, dhe shumë vende të rajonit nuk kanë pasur gatishmëri që të diskutojnë, prandaj duhet të fillohet me Serbinë fillimisht, e pastaj me vendet tjera, që kjo çështje një herë e përgjithmonë të zgjidhet”, shprehet Rukiqi.

Ndryshe, ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, dhe kombinati metalurgjik “Trepça”, kanë prona më së shumti në Republikat e ish Jugosllavisë. Pastaj vijnë “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e tjera./koha/kohaislame

PTK është zhvlerësuar ndër vite me procedura jo të sigurta

Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës do të realizohet brenda këtij viti, thonë autoritetet kompetente në Prishtinë, përderisa njohës të çështjeve ekonomike shprehen skeptik në përfundimin e këtij procesi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Përmes një përgjigjeje me anë të postës elektronike, Arsim Bruçaj, menaxher i Njësisë për Implementimin e Projektit, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tregon se procesi i privatizimit, i rifilluar këtë vit është duke ecur mjaft mirë. Sipas tij, janë bërë të gjitha përgatitjet e strukturës mbështetëse të projektit, është përgatitur agjenda e aktiviteteve që do të ndërmerren brenda këtij viti, si dhe ka filluar testimi i tregut. Buçaj thtoë se nuk pritet ndonjë dështim i procesit të privatizimit gjatë këtij viti, thotë Bruçaj

Por, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest” dyshon se autoritetet kompetente do të arrijnë të përgatisin procedurat për privatizimin e PTK-së, për tetë muajt e mbetur.

Edhe pse Abdixhiku e konsideron sukses nëse kompania në fjalë nuk arrin të privatizohet gjatë 2012, ai thotë se nevojitet kohë për një proces të suksesshëm dhe të bindshëm para investitorëve potencialë për blerjen e PTK-së. Sipas Abdixhikut, Posta dhe Telekomi i Kosovës është zhvlerësuar ndër vite me procedura jo të sigurta.

“Privatizimi nuk ndodh me nisje dhe stopime, por ndodh me një proces të sigurt, transparent dhe një proces që është bindës para investitorëve të huaj. Prandaj, po themi që mënyra e privatizimit në Kosovë ka qenë e paparë në ndonjë vend të rajonit, e cila më tepër ka bërë zhvlerësim të vetë asetit. Do të thotë që ne nuk kemi privatizuar, as nuk kemi vazhduar me shitje të aseteve, por, thjesht, kemi bërë një zhvlerësim, me procedura jo të sigurta, me tërheqje të investitorëve, pra kemi dërguar nj mesazh jashtëzakonisht të keq para investitorëve”, thotë Abdixhiku.

Abdixhiku, madje, konsideron se më e rëndësishme është që autoritetet kompetente të merren me ristrukturimin e PTK-së, se sa të merren më privatizimin e saj.

“Unë konsideroj se vendi duhet të ndalojë për moment dhe ta ristrukturojë ndërmarrjen, të rrisë vlerën e saj, të provojë të zvogëlojë numrin e punëtorëve që është jashtëzakonisht i madh, të provojë të dërgojë një mesazh shumë më të mirë tek investitorët e huaj, dhe pas të gjitha këtyre proceseve, të mendojë për shitjen e PTK-së”, vlerëson Abdixhiku.

Por, sipas autoriteteve kompetente, reformat në fushën e telekomit, ku 75 për qind të aksioneve të Valës dhe Telekomit do të kalojnë në pronësi private, do të mundësojnë zhvillim dhe ngritje të nivelit të kualitetit të shërbimeve në këtë sektor.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se arsye e privatizimit të kompanisë së PTK-së, brenda vitit është që të ruhet stabiliteti makro- financiar.

“Është i domosdoshëm vetëm nëse vështrohet përmes nevojave të buxhetit, sepse aty është një zë buxhetor ku thuhet se 300 milionë euro do të jenë të njëtrajtshme, që në fakt këto të hyra do të mund të sigurohen përmes shitjes se aseteve publike -në këtë rast, PTK-ja, si aseti më i shëndoshë dhe më profitabil që sjell të hyra të sigurta në buxhet”, thekson Rexhepi.

Ndryshe, procesi i privatizimit të PTK-së ka filluar që nga viti 2008, por problemet që përcollën këtë proces, vitin e kaluar detyruan ekzekutivin e vendit që privatizimin e kompanisë në fjalë ta mbyllin si të pasuksesshëm./koha/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
22.5 ° C
22.5 °
22.5 °
56 %
0kmh
0 %
Sun
25 °
Mon
36 °
Tue
37 °
Wed
38 °
Thu
37 °