Ballina Blog Faqe 710

53 % e evropianëve jetojnë me frikën e humbjes së punës

53% e qytetarëve europianë kanë frikë se mund të humbin punën si rrjedhojë e krizës së vazhdueshme.

Ky rezultat del nga një sondazh i “Le Monde”, ku titulli kryesor i saj është “Ankthi godet Europën”.
Sipas këtij sondazhi thuhet se 53% e njerëzve presin nga dita në ditë të humbin punën, ndërsa 71% e tyre është prekur në vështirësi të theksuara financiare në raport me 5 vite më parë./ndx/kohaislame

Serbia në prag të falimentimit

Paratë e arkës së shtetit për rroga e pensione mjaftojnë vetëm për gushtin. Qeveria e re trashëgon nga paraardhësja ekonominë e shkatërruar. Cilin nga premtimet e mëdha të fushatës do të mund ta mbajë qeveria e re?
Kandidati për ministër i Financave dhe Ekonomisë së Serbisë, Mladan Dinkic, njoftoi se në buxhetin serb ka para për të paguar vetëm pagat dhe pensionet deri në muajin gusht. Qeverisë për këtë arsye do t’i duhet të marrë hua të tjera. Dinkic tha se paratë për këtë qëllim ndoshta do të merren nga kreditë për investimet. Planifikohet që një pjesë e kredisë ruse për hekurudhat, që arrin gjithsej vlerën 800 milionë, të kalohet në buxhet. Ai tha se do të kërkojë që një pjesë e fondeve të marra nga FMN-ja të kalojë gjithashtu për nevojat e buxhetit.

Në prag të falimentimit

“Qeveria e vjetër i ka lënë trashëgim qeverisë së re në sferën ekonomike financa publike të shkatërruara, një duzinë institucionesh të panevojshme dhe shumë zgjidhje të këqija ligjore,” thekson për DW Aleksandar Stefanovic, i qendrës për Tregun e Lirë. Të dhënat që në buxhetin për paga dhe pensione ka para vetëm deri në gusht, tregon se në pjesën e parë të vitit është harxhuar shumë më tepër nga çka qenë e mundur realisht, thotë Stevanovic.

Pra sikur qeveria e re të donte të ishte e arsyeshme, do të duhej të thoshte se Serbia është në prag të bankrotit, se kemi shpenzuar më shumë nga ç’e kemi patur të mundur dhe për ne do të bëhet edhe më keq, nëse vazhdojmë në këtë rrugë. Kjo do të thotë se i vetmi opsion për Serbinë është të kursejmë. E thënë më saktë, jo të gjithë, sepse njerëzit, që punojnë në sektorin privat kursejnë prej kohësh, por që njerëzit, që punojnë në sektorin shtetëror dhe kanë të ardhura nga shteti, edhe ata duhet të ndajnë fatin me pjesën tjetër të shoqërisë.

Përsëri në borxh

Situata, për të cilën flet Mladan Dinkic, në të cilën paratë për investime, apo paratë e FMN-së do të kalojnë në buxhet, gjithsesi nuk është situatë e mirë, paralajmëron Stevanovic. “Kjo nuk është zgjidhje e mirë e ne nuk mund ta fshehim, se vitet e ardhshme nuk do të ndodhë asgjë më e mirë. Vetëm kursimet e shpëtojnë Serbinë dhe reformat, që për një afat prej 3 deri 4 vjeçar do të na nxjerrin nga kjo gjendje. Duke patur parasysh deklaratën, se duhet të marrim më shumë hua, nuk kam parë ndonjë vendosmëri të madhe për të shkuar në këtë drejtim dhe prandaj kam frikë se nuk do të bëhet sa duhet, për të ulur shpenzimet.”

Derisa të vazhdojë mashtrimi i opinionit për gjendjen e vërtetë të ekonomisë serbe, kam frikë se do të përfundojmë në tragjedinë greke, thotë Sasa Djogovic, nga instituti për Hulumtimet e Tregut, dhe shton se Serbia praktikisht është bankrot. “Ne mund të themi se Serbia, pa ndihmën e FMN-së, ndodhet tashmë në këtë fazë paraprake të këtij falimentimi. Sepse përderisa nuk je në gjendje të përmbushësh detyrimet ndaj të gjithë përdoruesve të buxhetit, pa hyrë më shumë në borxh, por do të kesh gjithnjë e më pak kredidhënës, që do të ndihmojnë, do të thotë se gradualisht hyn në fazën e bankrotit. Dhe për të shmangur që edhe formalisht të hysh në fazën e bankrotit, është e nevojshme mbështetja e FMN-së, e cila hyn garant për zbatimin e një politike të re ekonomike.”

Politika e re ekonomike

Kjo politikë e re nënkupton ngrirjen e pagave dhe pensioneve për një periudhë të caktuar, reformën e sektorit publik, krehjen e të ardhurave parafiskale, reduktimin e subvencioneve joselektive, si dhe rritjen e pashmangshme të TVSh-së, thekson Djogovic.

Nuk është mirë, që paratë e destinuara për investimet të kalojnë në buxhet, thekson Djogovic, por qeveria e re është e detyruar të ndërmarrë disa veprime. „E kjo është ajo që sigurisht nuk është e mirë. Por nga zori kjo është zgjidhje më e mirë, se sa të marrim hua me çmim më të lartë në tregun financiar. Vlerësimi i bonitetit tonë vetëm mund të zbresë, kurrsesi nuk mund të arrijë kuota më të mira.“

Aleksandar Stevanovic mendon se problemi i qeverisë së re nuk janë kapacitetet profesionale, sepse ajo gjithmonë mund të ketë në dispozicion mjaft ekspertë, që nuk duhet të jenë patjetër të angazhuar në parti. Shumë më e rëndësishme për reformat ekonomike është vullneti politik. Dhe një qeveri e konceptuar në këtë mënyrë, në të cilën bëjnë pjesë SPS, PUPS dhe URS, vështirë se do të jetë shumë e gatshme për reforma, thotë Stevanovic. /Dw/

LDK: Autostrada Morinë-Merdar, më e shtrenjta në rajon

Qytetarët e Kosovës po paguajnë mbi 10 milionë euro për km të autostradës Morinë-Merdarë, por ende nuk e kanë parë kontratën e Qeverisë me kompaninë Bechtel-Enka. Fakti që kjo kontratë mbahet e fshehur, hedh dyshime për kushte favorizuese për kompaninë në dëm të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit, thuhet në një komunikatë për medie të LDK-së.

Autostrada Morinë-Merdar është më e shtrenjta në rajon. Kjo është e palogjikshme, pasi pjesa më e madhe e terrenit ka qenë tokë bujqësore që nuk krijon kosto të lartë të ndërtimit. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj toke është privatizuar me çmime simbolike për tu shpronësuar pastaj me çmime marramendëse.

Versioni i kontratës për autostradë që ka qarkulluar në opinion përmban nenin bazik të quajtur ‘dizajno dhe ndërto’. Ky nen, që nuk është kontestuar asnjëherë nga Qeveria Thaçi, nënkupton se traseja për çdo kilometër të autostradës mund të negociohet në mes të kompanisë dhe Qeverisë Thaçi. Si rrjedhim, kostoja e autostradës mund të ndryshoi sipas preferencave të zyrtarëve qeveritarë lidhur me trasenë e autostradës. Ja pse autostrada gjarpëron përmes tokave të privatizuara dhe fshatrave të zyrtarëve të PDK-së.

Ende pa mbaruar ky projekt, po projektohet autostrada tjetër për Shkup. Burimet për financimin e kësaj autostrade nuk janë siguruar.

LDK shpreh shqetësimin e saj se zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e parasë publike nuk janë në nivelin e detyrës së tyre për menaxhim me nikoqirllëk të parasë publike.

LDK vlerëson se mungesa e transparencës në projekte madhore për vendin po e dëmton ekonominë dhe qytetarët.

LDK vlerëson se projekte të tilla madhore duhet të zhvillohen me transparencë të plotë dhe të bazuara në burime të sigurta të financimit. Buxheti i Kosovës nuk ka qëndrueshmëri që të përballoi projekte të cilat nuk janë të definuara financiarisht, siç është rasti me autostradën Morinë-Merdar.

LDK vlerëson se qëndrueshmëria buxhetore e shtetit të Kosovës nuk guxon të rrezikohet në kohën kur presim të përmbyllim pavarësinë e mbikëqyrur.kohaislame

500 veta kanë konkurruar për 108 vende pune

500 veta kanë konkurruar për 108 vende në konkursin për mësimdhënës, të shpallur nga Drejtoria e Arsimit e Drenasit.

Drejtori i Arsimit, Arsim Mehmeti, ka treguar se në konkursin e shpallur ka pasur shumë të interesuar për t’u punësuar shkollat e Drenasit.
Statistikat e Zyrës Komunale të Punësimit, në raportin e gjashtëmujorit, thonë se numri i punëkërkuesve është mbi 13 mijë veta. /BS/kohaislame

BANJA E PEJËS SHITET PËR 6 MILIONË EURO

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë shitjen e Hotelit Onix dhe Banjës së Pejës si dhe Fafrikës së Baterive Industriale “Trepça”.

“Për këto ndërmarrje të reja ka pasur afat më të gjatë për hulumtim paraprak, pasi që reagimet e pranuara nga përpjekjet paraprake të privatizimit të disa ndërmarrje shoqërore të mëdha theksonin nevojën për periudhë më të gjatë për një gjë të tillë, andaj iu është dhënë 90 ditë kohë më të gjatë investitorëve për hulumtime paraprake”, thuhet në një njoftim të AKP-së.

Agjencia kishte caktuar kusht për tenderim për Banjën e Pejës qarkullim deri 3 milionë euro për tri vitet e fundit dhe gjithashtu ekspertizë të stafit menaxheria së paku dhjetë vite në këtë fushë. Ndërsa për Fabrikën e Baterive Industriale kusht ishte të ketë së paku pesë vite në prodhimtari industriale dhe staf profesional së paku dhjetë vite përvojë në këtë fushë. Gjithashtu, vazhdimi i të njëjtës veprimtari në këto dy ndërmarrje është kusht për blerësit e rinj për periudhë kohore së paku tri vite dhe Agjencia do të monitoroj ëecurinë e punës në to.

Për ndërmarrjen e re Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe Shëndetësore SH.P.K. është pranuar vetëm një ofertë dhe vlera e saj ishte 6.100.000 euro. Për ndërmarrjen e re FBI Trepça SH.P.K janë pranuar dy oferta. Vlera e ofertës më të lartë ishte 2.035.000 euro, ndërsa oferta e dytë ishte 1.587.000 euro.kohaislame

Irani, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në LM

Drejtori i Kompanisë Tavanir(prodhimit, transportit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në Iran), Z. Mohamad Hosein Motevalizade, është shprehur :”RII është prodhuesja dhe eksportuesja më e madhe e energjise elektrike në rajonin e Lindjes së Mesme”.
Çdo orë ekspotohen nga Irani drejt shteteve fqinje 1500 megavat energji elektrike. Konsumimi i energjisë elektrike në Iran ka pësuar ulje që do të thotë se është krijuar një mundësi e mirë për eksportimin e energjisë në vendet fqinje. Vetëm gjatë 4 mujorit të fundit eksporti i energjisë elektrike nga Irani është rritur me 46 % më shumë në krahasim me këtë periudhë në vitin e kaluar. RII shkëmben energji elektrike me Armeninë, Pakistanin, Turkmenistanin, Turqinë, Republikën e Azerbajxhanit, Irakun, Afganistanin etj/irib

Kosova e Turqia vendosin bashkëpunim në fushën e metrologjisë

Departamenti i Metrologjisë së Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nënshkroi sot memorandum bashkëpunimi me Institutin e Metrologjisë Kombëtare të Turqisë, njofton MTI përmes një komunikate për medie. Përmes kësaj marrëveshje metrologjia e Kosovës do të mbështetet nga Instituti i Metrologjisë së Turqisë në disa fusha duke përfshirë rregulloret teknike dhe standardet, shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike, zbatimin e projekteve të përbashkëta për zhvillimin e metrologjisë, shkëmbimin e informatave, organizimin e seminareve dhe konferencave dhe harmonizimin e rregulloreve teknike.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në fjalën e saj hapëse tha “Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për ne sepse sistemi i metrologjisëështë elemtni kyc për përmirësimin e infrastrukturëssë cilësisë në Kosovë”. Ajo shtoi se Kosova ka nevojë për mbështetje nga vendet që kanë një përvojë në zhvillimin e sistemit të mirëfilltë të metrologjisë dhe se Turqia është një shembull i mirë për këtë.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit të Metrologjisë, Agron Shurdhani tha se kjo është marrëveshja e parë në nivel nacional dhe beson se do të ketë bashkëpunim të mirëfillt me Turqinë.

Në anën tjetër Drejtori i Institutit të Metrologjisë së Turqisë, Fatih Ustuner (TUBITAK UME) tha se është i gatshëm të ndaj eksperiencën e insitutit që ai drejton dhe bashkëpunoj me departamentin e metrologjisë së Kosovës. “Dëshiroj të kemi një plan të veprimit të Memorandumit të Bashkëpunimit dhe të kemi rezultate konkrete” theksoi Ustuner.

Kjo marrëveshje mbështet krijimin e infrastrukturës së domosdoshme metrologjike (laboratorët e akredituar të kalibrimit, etalonët nacional, metrologët profesionistë) me qëllim të vendosjes së saktësisë dhe besueshmërisë në Kosovë dhe ngritjes së cilësisë së produkteve dhe shërbimeve në Kosovë.

Gjatë ditës, përfaqësuesit nga Instituti i Metrologjisë nga Turqia të shoqëruar nga zyrtarë të Departamentit të Metrologjisë, kanë vizituar Laboratorin e verifikimit të njehsorëve në KEK dhe në Institutin e Shëndetësisë Publike. Ndërsa gjatë ditës së nesërme do të vizitojnë Laboratorin e ujëmatëseve si dhe puntoritë e metaleve të çmueshme dhe artizanaleve në Prizren. Pas vizitave do të konkretizohen edhe detajet për mbështetjen që mund të japë instituti i metrologjisë së Turqisë.koha/kohaislame

63% e energjisë humb në veri

Mbi 63% është niveli i humbjeve të energjisë në pjesën veriore të Kosovës, e kjo sipas Auditorit Gjeneral paraqet sfidë për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Humbjet e energjisë se prodhuar për shitje nga KEK-u vlerësohen të jen të nivelit të lartë, shkruan “Kosova Sot”.
Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Pasqyrat Financiare të vitit 20122 për KEK-un, ka vlerësuar se kjo e fundit nuk arrin të faturojë rreth 37% të energjisë se prodhuar.
“Prej tyre 16.8% nuk faturohen për shkak të humbjeve teknike apo që krijohen nga shpërndarja e energjisë. Ndërsa humbjet komerciale janë rreth 20%, e këtu janë përfshirë edhe 4.5% humbjet në pjesën veriore të Kosovës. Humbjet komerciale shkaktohen nga përdorimi ilegal i energjisë, si dhe nga pamundësia e matjes dhe faturimit nga KEK-u” thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral./Indeksonline/kohaislame

Rënia e remitencave zvogëlon konsumin

Rënia e dërgesave të emigrantëve do të ketë pasoja në ekonominë kosovare, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas një raporti të UNDP-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, thuhet se në tre mujorin e parë të këtij viti, remitencat kanë rënë për 6 milionë euro, ndërsa në vitin 2011 këto dërgesa kanë rënë për 14 për qind, krahasuar me vitin 2010.

Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë për “Radio Evropa e Lirë” se ndër financuesit kryesorë të kësaj ekonomie dhe konsumit vendor janë remitencat nga jashtë.

“Mos harroni se gjatë këtyre viteve, pas luftës, dy burimet kryesore të financimit kanë qenë remitencat dhe donacionet nga jashtë. Tani, meqenëse kemi një tkurrje të donacioneve që kanë ardhur nga jashtë, mirëpo nga ana tjetër një rënie të remitencave, të dy këto shkurtime do të kenë pasojë për ekonominë e Kosovës”, tha Musa.

Shumica e emigrantëve që investojnë në Kosovë nuk i kanalizojnë mjetet në aktivitete produktive për gjenerim të të ardhurave, apo punësimit. Sipas raportit të fundit, rreth 90 për qind e këtyre mjeteve financiare shfrytëzohen për konsum bazik nga pranuesit.

“Emigrantët kosovarë kanë financuar konsumin në shumë familje. Ky zvogëlim do të ketë pasoja në uljen e kërkesës brenda në Kosovë. Ulja e kërkesës brenda në Kosovë do të ndihet në mënyrë indirekte edhe te biznesi, pasi do të ketë ulje të kërkesave për mallra dhe shërbime, si nga importi ashtu edhe prodhimit vendor. Kjo reflekton edhe në shkurtimin e vendeve të punës”, thekson Musa.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Muhamet Sadiku, konsideron se ulja e dërgesave nga jashtë duhet të trajtohet si problem. Ai konsideron se arsyeja e rënies se remitencave është kriza ekonomike në eurozonë.

“Kriza po merr përmasa serioze dhe të parët që do të goditën në Bashkimin Evropian janë të punësuarit, sepse kompanitë multinacionale, kompanitë tjera, vazhdojnë të reduktojnë numrin dhe kjo do të sjellë probleme edhe te kosovarët të cilët janë duke punuar në perëndim”, shprehet Sadiku.

Dërgesat e mjeteve financiare nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, në vitin 2011 kanë qenë 379 milionë euro, përderisa në vitin 2010 këto dërgesa kanë qenë 442 milionë euro. /Telegrafi/kohaislame

Kosova me rendimente rekorde të grurit në rajon

Rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, Kosovën përsëri po e rendisin në njërin nga vendet e para në rajon për rendimente të larta në prodhim.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve, si rezultat i kushteve të favorshme klimatike ka filluar më herët se vitin e kaluar dhe deri më tash, sipas të dhënave të komisioneve komunale, janë korrur rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Me mbarëvajtjen e procesit të korrje-shirjeve të grurit, të kënaqur u shprehen edhe kryeministri Thaçi dhe ministri Stavileci, të cilët sot e vizituan fermerin Valon Vehapi, në parcelën e tij në fshatin Suhadoll të Lipjanit.

“Edhe sivjet kemi një rekord në rendimentet e grurit dhe i uroj të gjithë qytetarët dhe bujqit kosovarë për këtë sukses. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambarë të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë, por edhe të zotohem se Qeveria e Kosovës do t’i rrisë përgjegjësitë edhe më tepër, që të jetë sa më afër bujqve, në mënyrë që të kemi suksese të reja”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se gjithnjë e më shumë po vërehen përparimet dhe se edhe në këtë vit fermerë tanë po i korrin frytet e punës së tyre të vyeshme, e cila ka nisur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

“Sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë të rinj. Kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë, që kanë përfituar pagesa direkte prej 100 eurosh për hektarë dhe tash jemi duke i subvencionuar edhe në derivate të naftës”, deklaroi Stavileci.
Ai tha se kjo po ndikon që të shtohet edhe prodhimtaria vendore dhe se po i detyron dhe obligon që viteve të ardhshme të kujdesen edhe më tepër. “Besojmë se me këtë rezultat, me këtë angazhim të përbashkët të të gjithë neve, viteve të ardhshme do të kemi edhe më shumë projekte dhe programe për t’i mbështetur fermerët e vendit tonë”, përfundoi Stavileci.

Në anën tjetër, edhe fermeri Valon Vehapi ishte i kënaqur me rendimentet që po i arrin. Ai tregoi se ka të mbjellë 70 hektarë me grurë dhe se rendimentet mesatare sillen prej 5500-6000 kilogram për hektarë. “Mund të them se ky vit s’do të harrohet për një kohë të gjatë tek fermerët. Ishte një vit i mirë, bimët janë të shëndosha, kushtet atmosferike kanë qenë shumë të mira për rritjen e grurit dhe falënderoj edhe Qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë fermerëve”, tha Vehapi, i cili tregoi se ka përfituar 7 mijë euro subvencione për sipërfaqet që ka mbjellë me grurë.
Rendimentet mesatare në nivel vendi, sipas përllogaritjeve fillestare, po sillen në rreth 4 mijë kg për hektarë. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83.875 hektarë.
Mbjelljet vjeshtore të grurit janë përkrahur me mbi 3.6 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, kurse fushata e korrje-shirjeve është duke u mbështetur me 500 mijë euro.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
19.5 ° C
19.5 °
19.5 °
73 %
1.5kmh
0 %
Fri
40 °
Sat
44 °
Sun
32 °
Mon
32 °
Tue
27 °