Ballina Blog Faqe 710

Rënia e remitencave zvogëlon konsumin

Rënia e dërgesave të emigrantëve do të ketë pasoja në ekonominë kosovare, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas një raporti të UNDP-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, thuhet se në tre mujorin e parë të këtij viti, remitencat kanë rënë për 6 milionë euro, ndërsa në vitin 2011 këto dërgesa kanë rënë për 14 për qind, krahasuar me vitin 2010.

Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë për “Radio Evropa e Lirë” se ndër financuesit kryesorë të kësaj ekonomie dhe konsumit vendor janë remitencat nga jashtë.

“Mos harroni se gjatë këtyre viteve, pas luftës, dy burimet kryesore të financimit kanë qenë remitencat dhe donacionet nga jashtë. Tani, meqenëse kemi një tkurrje të donacioneve që kanë ardhur nga jashtë, mirëpo nga ana tjetër një rënie të remitencave, të dy këto shkurtime do të kenë pasojë për ekonominë e Kosovës”, tha Musa.

Shumica e emigrantëve që investojnë në Kosovë nuk i kanalizojnë mjetet në aktivitete produktive për gjenerim të të ardhurave, apo punësimit. Sipas raportit të fundit, rreth 90 për qind e këtyre mjeteve financiare shfrytëzohen për konsum bazik nga pranuesit.

“Emigrantët kosovarë kanë financuar konsumin në shumë familje. Ky zvogëlim do të ketë pasoja në uljen e kërkesës brenda në Kosovë. Ulja e kërkesës brenda në Kosovë do të ndihet në mënyrë indirekte edhe te biznesi, pasi do të ketë ulje të kërkesave për mallra dhe shërbime, si nga importi ashtu edhe prodhimit vendor. Kjo reflekton edhe në shkurtimin e vendeve të punës”, thekson Musa.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Muhamet Sadiku, konsideron se ulja e dërgesave nga jashtë duhet të trajtohet si problem. Ai konsideron se arsyeja e rënies se remitencave është kriza ekonomike në eurozonë.

“Kriza po merr përmasa serioze dhe të parët që do të goditën në Bashkimin Evropian janë të punësuarit, sepse kompanitë multinacionale, kompanitë tjera, vazhdojnë të reduktojnë numrin dhe kjo do të sjellë probleme edhe te kosovarët të cilët janë duke punuar në perëndim”, shprehet Sadiku.

Dërgesat e mjeteve financiare nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, në vitin 2011 kanë qenë 379 milionë euro, përderisa në vitin 2010 këto dërgesa kanë qenë 442 milionë euro. /Telegrafi/kohaislame

Kosova me rendimente rekorde të grurit në rajon

Rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, Kosovën përsëri po e rendisin në njërin nga vendet e para në rajon për rendimente të larta në prodhim.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve, si rezultat i kushteve të favorshme klimatike ka filluar më herët se vitin e kaluar dhe deri më tash, sipas të dhënave të komisioneve komunale, janë korrur rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Me mbarëvajtjen e procesit të korrje-shirjeve të grurit, të kënaqur u shprehen edhe kryeministri Thaçi dhe ministri Stavileci, të cilët sot e vizituan fermerin Valon Vehapi, në parcelën e tij në fshatin Suhadoll të Lipjanit.

“Edhe sivjet kemi një rekord në rendimentet e grurit dhe i uroj të gjithë qytetarët dhe bujqit kosovarë për këtë sukses. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambarë të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë, por edhe të zotohem se Qeveria e Kosovës do t’i rrisë përgjegjësitë edhe më tepër, që të jetë sa më afër bujqve, në mënyrë që të kemi suksese të reja”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se gjithnjë e më shumë po vërehen përparimet dhe se edhe në këtë vit fermerë tanë po i korrin frytet e punës së tyre të vyeshme, e cila ka nisur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

“Sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë të rinj. Kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë, që kanë përfituar pagesa direkte prej 100 eurosh për hektarë dhe tash jemi duke i subvencionuar edhe në derivate të naftës”, deklaroi Stavileci.
Ai tha se kjo po ndikon që të shtohet edhe prodhimtaria vendore dhe se po i detyron dhe obligon që viteve të ardhshme të kujdesen edhe më tepër. “Besojmë se me këtë rezultat, me këtë angazhim të përbashkët të të gjithë neve, viteve të ardhshme do të kemi edhe më shumë projekte dhe programe për t’i mbështetur fermerët e vendit tonë”, përfundoi Stavileci.

Në anën tjetër, edhe fermeri Valon Vehapi ishte i kënaqur me rendimentet që po i arrin. Ai tregoi se ka të mbjellë 70 hektarë me grurë dhe se rendimentet mesatare sillen prej 5500-6000 kilogram për hektarë. “Mund të them se ky vit s’do të harrohet për një kohë të gjatë tek fermerët. Ishte një vit i mirë, bimët janë të shëndosha, kushtet atmosferike kanë qenë shumë të mira për rritjen e grurit dhe falënderoj edhe Qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë fermerëve”, tha Vehapi, i cili tregoi se ka përfituar 7 mijë euro subvencione për sipërfaqet që ka mbjellë me grurë.
Rendimentet mesatare në nivel vendi, sipas përllogaritjeve fillestare, po sillen në rreth 4 mijë kg për hektarë. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83.875 hektarë.
Mbjelljet vjeshtore të grurit janë përkrahur me mbi 3.6 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, kurse fushata e korrje-shirjeve është duke u mbështetur me 500 mijë euro.

KOMUNAT E LINDJES PËRFITOJNË GRANDET E KE-SË

Drejtori i këtij projekti, Mustafë Grainca ka thënë për Kosovapress, se ky projekt i financuar nga KE-ja dhe Komuna e Ferizajt si lidere, ka të bëjë me zhvillimin e turizmit në regjionin lindje të Republikës së Kosovës.

“Në këtë projekt, i cili ka filluar së implementuari nga shkurti i vitit 2012, inkorporohen 6 komuna të regjionit lindje, të cilat përmes këtij projekti synojnë t’i ekspozojnë resurset turistike të regjionit”, ka thënë Grainca.

Merret vesh se Komuna e Ferizajt është lidere, dhe se krahas 380000 eurove që ka ndarë KE-ja, ajo do të participojë me afro 50 mijë euro. Grainca shpjegon se në kuadër të këtij projekti Komuna e Ferizajt, ka nisur rehabilitimin e rrjedhës së lumit Nerodime në vetë zonën e Bifurkacionit.

“Punimet në këtë zonë kanë filluar dhe projekti do ta bëjë funksional këtë fenomen. Aty do të ndërtohet ura, do të rivitalizohen dy mullinj ekzistues, do të rregullohet trotuari dhe do të vendoset sinjalistika në tërë territorin e komunës, e cila do t’i shënojë vendet turistike”, ka thënë Grainca, për të shtuar se edhe komunat tjera të regjionit do të përfitojnë nga shpërndarja e nën grandeve të këtij projekti.

Në anën tjetër, kompania “Europarku” ka filluar punën në rehabilitimin e kësaj zone me rëndësi jo vetëm për Ferizajn, por edhe për vendin. Drejtori i kësaj kompanie, Afrim Breznica, ka thënë se është filluar me pastrimin e zonës së bifurkacionit dhe me vendosjen e bazamentit të urës.

“Ky është fillimi i punimeve, gjatë 90 ditëve sa është paraparë që të kryhet ky projekt, do të bëhet edhe hapja e kanalit të ujit, rregullimi i trotuarit në pjesë prej mullirit të Nikës deri të ura dhe pastrimi i hapësirës për rreth mullirit të madh”, ka thënë Breznica.

Kjo zonë atraktive e komunës së Ferizajt, pritet që pas kryerjes së punimeve do të jetë mjaftë shumë e vizituar, ngase përmban fenomenin e Bifurkacionit, të dytin në botë i cili e ndanë Lumin Nerdodime në dy rrjedha, të cilat asnjëherë nuk bashkohen, duke bërë që njëra të derdhet në Detin Adriatik dhe tjetra në Detin e Zi.kohaislame

Ulen të ardhurat nga diaspora

Diaspora kosovare vitin e kaluar ka dërguar rreth 60 milionë euro më pak. Të dhënat tregojnë se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ka dërguar 6 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2011 totali i të hyrave vjetore nga remitencat ka qenë 379.6 milionë euro, apo 14 për qind më pak sesa në vitin 2010, e që në total kanë qenë 442 milionë euro. Këto të dhëna u bënë publike gjatë prezantimit të projektit të UNDP-së dhe IOM-it “Inkuadrimi i diasporës në zhvillimin ekonomik”.

“Një e gjetur që bie në sy është se, me gjithë perceptimin publik, shuma e të hyrave të remitencave në Kosovë ka rënë për 14 për qind në vitin 2012 krahasuar me vitin paraprak, që paraqet një rënie të ashpër e cila ndodh pikërisht në mesin e krizës financiare në Evropë”, tha Osna Lubrani, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha se studimet e tilla janë një ndihmesë për institucionet në hartimin e politikave të favorshme për të ardhmen e vendit.

“Ministria e Diasporës mbetet e përkushtuar që të japë gjithë kontributin e vet konform kornizave ligjore dhe ndër objektivat kryesore është identifikimi inkurajimi dhe përkrahja e investimeve të huaja, me theks të veçantë investimeve të pjesëtarëve të diasporës. Ministria e Diasporës, në bashkëveprim me institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohet në hartimin e politikave të favorshme, për investime nga diaspora, sepse e vlerësojmë shumë të rëndësishme në këtë aspekt shqyrtimin e mundësive të krijimit të ofertave të favorshme fiskale, sidomos duke pasur parasysh faktin se investimet potenciale të pjesëtarëve të diasporës në vendin e tyre të origjinës, janë matësi kryesor i stabilitetit të ekonomisë në Kosovë dhe sinjal pozitiv shumë i rëndësishëm për investitorët nga shtetet e huaja”, tha Makolli.

Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të BQK-së, tha se dërgesat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Dy segmente jashtëzakonisht të rëndësishme për fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, janë dërgesat e emigranteve dhe investimet e huaja direkte. Mirëpo, për fat të keq, për shkak të ndikimeve të krizës financiare dhe zhvillimeve në eurozonë, ka pasur një rënie mjaft të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit 2012 në dërgesat e emigranteve, e që janë diku rreth 6 milionë euro. Mirëpo, megjithatë ne nuk jemi shumë pesimistë në këtë drejtim, për shkak se zakonisht në mesin e vitit kur është fluksi më i madh i punëtorëve tanë, që punojnë jashtë, mund të ndryshojë situata dhe të ngrihet ai niveli, i cili për momentin është më i ulët, në krahasim me vitin e kaluar. Kështu që përsëri jemi optimist”, tha Luboteni.

Jorge Baca, shef i misionit të IOM-it, tha se Kosova është duke dalë nga një histori e vështirë para së cilës ka pasur shumë sfida.

“Befasues mbetet solidariteti mes kosovarëve gjatë kohëve të vështira. Diaspora ka qëndruar prapa familjeve të tyre, duke dërguar miliona euro dhe se pas konfliktit ata kanë ndihmuar Kosovën në rindërtimin e saj. Sfidat për Kosovën janë ende të mëdha dhe se sfida më e madhe mbetet papunësia e cila është nga 40 deri në 50 për qind. Diaspora vazhdon t’i mbështet familjet e tyre me remitencat të cilat janë rreth 400 milionë euro, e që janë një kontribut substancial. Sfidë po ashtu mbetet edhe sjellja e diasporës për të investuar në Kosovë”, tha Baca.

Anketa e UNDP-së tregon se 25 për qind e familjeve kosovare pranojnë remitenca. Shumica prej tyre vijnë në para të gatshme nëpërmjet rrjeteve të institucioneve financiare, ndërsa pjesa tjetër sillet nga vetë diaspora. Pothuajse e gjithë remitenca që marrin kosovarët shpenzohet për ushqim, veshmbathje dhe banim.koha/kohaislame

Nënshkruhet kontrata për tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit

Komuna e Deçanit dhe Kompania KELAG nga Austria kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, vlera e të cilëve është 55 milionë.

Krytari i Deçanit, Rasim Selmanaj, shpreson se ky partneritet do të jetë i qëndrueshëm dhe do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik në Deçan.

“Kapacitetet fillestare të prodhimit do të jenë 20 Mgvatë orë energji, që kapin vlerën prej 50 milionë euro investime. Por kjo është vetëm faza fillestare, ndërsa në fazën e ardhshme do të arrihen që nga këto hidrocentrale të prodhohen 100 MG orë energji dhe se deri atëherë parashihet të investohen 200 milionë euro”, citon RTK Georg Woeber, drejtor i KELAG.

Energjia e parë do të rrjedh në dimrin e 2013, ndërsa rreth 50 mijë familje në rajon mund të furnizohen me energji elektrike gjatë gjithë vitit.koha/kohaislame

Rritja ekonomike: Shqipëria do ta kalojë Serbinë

“Në vitin 2014, sipas mesatares së bruto prodhimit të brendshëm, Shqipëria do të jetë përpara Serbisë, sepse falë emigracionit, ajo nuk është në një krizë bankare dhe nuk ka parë rënie të GDP-së në vitet e fundit. Në vitin 2014, vetëm Bosnje dhe Hercegovina do të jetë më e varfër se Serbia”, theksoi Mirolslav Zdravkovic, asistent në Institutin e Ekonomisë të Beogradit.

Shpenzimet për kokë banori në Serbi janë rreth 2.5 herë nën atë të evropianëve, apo 44 për qind të mesatares së BE-së, një rritje prej 1 për qind që nga viti 2010, sipas rezultateve më të fundit të Eurostat.

Ekonomikisht, Serbia mbetet pas Bullgarisë e cila ka GDP-në më të ulët për kokë banori në BE: 45 për qind të mesatares evropiane.

Miroslav Zdravkovic, një asistent në Institutin e Ekonomisë të Beogradit, tha se kur vjen puna te standardi i jetesës, Serbia është në rënie siç janë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Parashikimet e tij afat-gjata nuk janë aspak të favorshme.

“Në vitin 2014, sipas mesatares së bruto prodhimit të brendshëm, Shqipëria do të jetë përpara Serbisë, sepse falë emigracionit, ajo nuk është në një krizë bankare dhe nuk ka parë rënie të GDP-së në vitet e fundit. Në vitin 2014, vetëm Bosnje dhe Hercegovina do të jetë më e varfër se Serbia”, tha Zdravkovic.

Ai shtoi se pagat në Serbi janë pesë herë më të ulëta se në vendet perëndimore, por çmimet e shërbimeve të tilla si kujdesi shëndetësor dhe arsimi janë vetëm pak më të ulëta, që jep një standard tri herë më të ulët jetese në Serbi se sa në Perëndim.

“Ne jemi një shtet i falimentuar dhe përderisa të mos formohet një shtet i ri nuk do të ketë përparim. Në se hyjmë në gjeopolitikë, Kosova dhe Shqipëria kanë rritje ekonomike të pakontrolluara, ndërsa Serbia me vetëdije dhe apostafat e shtyn veten poshtë,” tha Zdravkovic.

Ndërsa standardi i jetesës në Serbi ka rënë me të shpejtë gjatë tri vjetëve të fundit, numri i të papunëve u rrit dhe vazhdon të ngrihet, paralajmëroi Danilo Sukovic, i Institutit për Kërkimin Social në Beograd.

“Me një ekonomi gjithnjë e më të varfër, rrogat dhe pagesat e rregullta bëhen gjithnjë e më të pasigurta”, tha Sukovic.

“Pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000, qeveritë e reja jo vetëm që dështuan të shfrytëzojnë mundësinë, por më së shumti vazhduan me sistemin e Miloshevicit, me një dallim se nuk pati vetëm një parti politike dhe as sanksione e izolim nga institucionet ndërkombëtare”, tha Sukovic.

Mjaft para të pista rodhan nëpërmjet ndërmarrjeve private, raste të vjedhjes e mashtrimit u fshehën dhe magnatët qeverisën Serbinë, shtoi ai. Institucionet po punojnë në interes të magnatëve dhe politikanëve, ndërsa populli po bëhet më i varfër.

“Ne qemë në gjendje ta mbulonim këtë me investimet e huaja, por e gjitha doli në sipërfaqe me shfaqjen e krizës globale. Megjithatë, ne do ta kishim gjetur veten në këtë situatë edhe pa rënien globale”, theksoi Sukovic.

Zgjidhja e problemit, tha ai, është të ndërpriten lidhjet midis pushtetit ekzekutiv, partive politike, magnatëve dhe gjyqësorit.

“Gjithçka duhet të jetë transparente, ne na duhen rezultate të mëdha në luftën kundër korrupsionit: një arrestim si i Sanaderit në Kroaci. Ata që e sollën këtë duhet të mbahen përgjegjës. I tërë procesi i privatizimit duhet të rishqyrtohet”, shtoi Sukovic.

Për shtetasit situata është e thjeshtë: standardi i tyre i jetesës është i ulët.

“Jam ndeshur përditë me faktin se standardi është tri herë më i ulët se në Evropë. Kur shkoj për ditë në dyqan, jam i vetëdijshëm se sa e shtrenjtë është çdo gjë dhe se nuk mund të përballoj çmimet”, tha pensionisti 67 vjeçar, Slavoljub Dragic./SETimes/kohaislame

Si dështoi ministri Çeku ta manipulonte tenderin miliardësh Kosova C

Sipas një kopjeje të aktgjykimit të OKB-së të publikuar të hënën, ministri i atëkohshëm i energjisë, Ethem Çeku, dhe zëvendësshefi i UNMK-ut, Steven Schook, do të pranonin ryshfet si pjesë e marrëveshjes së termocentralit.

Një skandal tjetër sapo është bërë i ditur, pasi një ish zyrtar i lartë amerikan në UNMIK, u shtyp aq keq nga shefat e tij, sa mbet i papunë si të ishte thjesht një qytetar i Kosovës. A e dini pse i ndodhi kjo një amerikani?
Ai kishte arritur të vinte në lëvizje një mekanizëm hetimi për të parandaluar korrupsionin më të madh, që pritej të ndodhte në historinë e Kosovës.
Ishte koha kur po përfolej me bujë për ndërtimin e një termocentrali gjigand, prej 2 mijë megavatesh, sa tri herë kapacitetet ekzistuese të dy termocentraleve aktuale, Kosova A dhe Kosova B. Kuptohej sa më të mëdha termocentralet, më të mëdha do të ishin përqindjet dhe sa më të mëdha përqindjet, xhirollogaritë do të ishin më të trasha.
Dy apo tre miliardë euro të supozuara për t’u investuar mund të çonin, me vetëm 10 për qind zhvatje, në krijimin e një pasurie marramendëse prej qindra miliona eurosh, ndërsa për më të vegjlit në vetëm disa dhjetëra miliona euro. E gjitha mund të duket si një ëndërr, por e vërteta është më e trishto. Kështu në Kosovë ndërtuan pasurinë marramendëse shumë biznesmen dhe politikan./BS/kohaislame

REGJISTRIMI I BUJQËSISË NIS NË JANAR 2013

Me kërkesë të Komisionit Evropian, nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të fillojë regjistrimi bujqësor, i cili për herë të fundit është bërë në vitin 1960. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, kjo do të sjellë një dobi të madhe për vendin tonë, si në përfitimin e granateve nga Bashkimi Evropian, e po ashtu edhe në eliminimin e informalitetit dhe konkurrencës së pandershme brenda sektorit të bujqësisë. I tërë projekti do të kushtojë 4.7 milionë euro.

Regjistrimi do të realizohet në bazë të metodës tradicionale “derë më derë”, me anë të pyetësorëve të regjistrimit për ekonomitë bujqësore, grumbullimi i të dhënave të sakta bujqësore dhe shpërndarja e rezultateve të tyre, të cilat do t’i mundësojnë Qeverisë, fermerëve dhe palëve tjera me interes t’i zhvillojnë politikat gjithëpërfshirëse të sektorit të bujqësisë dhe përmes fuqizimit të këtij sektori të ndikojnë edhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, të shtunën në një konferencë për media, duke shpjeguar, arsyet dhe dobitë të cilat do t’i sjellë regjistrimi i bujqësisë, ka theksuar se ministria që ai drejton bashkë me Entin e Statistikave të Kosovës, tashmë i kanë filluar punët përgatitore për regjistrimin bujqësor dhe rezultatet e pritura nga implementimi i këtij projekti, i cili do të zgjas deri në vitin 2014, janë hartimi dhe botimi i një serie të plotë të të dhënave të sakta për sektorin e bujqësisë, të hartuara dhe të përpunuara në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare.

Sipas tij, nevojën për krijimin e të dhënave të sakta rreth ekonomive familjare, kohë më parë e ka ngritur si çështje edhe Komisioni Evropian në raportin e progresit.

“Ajo që është një ndër pikat më të rëndësishme se kjo ka qenë një kërkesë prioritare e Komisionit Evropian edhe pjesën që lidhet me bujqësinë në studimin e fizibilitetit dhe në raportin që do të bëhet në vjeshtën e këtij vitit. Pra, njëra nga kërkesat themelore ka qenë ajo që lidhet me të dhënat dhe regjistrat bujqësorë. Prandaj, njëri nga institucionet më relevante dhe drejtori përkatës për bujqësi e ka mirëpritur me një admirim të madh lajmin që edhe në Kosovë vitin e ardhshëm do të ketë regjistrim bujqësor. Për më tepër, ky është viti që në të gjitha shtetet e BE-së do të bëhet ky regjistrim”, ka thënë Stavileci.

Për më tepër, ministri Stavileci, tha se rezultatet e dala nga ky regjistrim do të jenë shumë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik, pasi që sipas tij, do të rrisin nivelin edhe në çështje të tjera organizative, logjistike dhe ligjore, të cilat kanë nevojë të planifikohen dhe të adresohen me kohë.

“Në masë të madhe kjo do të ndikojë që të zhduket informaliteti dhe të eliminohet konkurrenca jo e ndershme brenda sektorit. Ne sot kur flasim edhe fermerët edhe agrobizneset tona, gjithmonë kur flasin për relacionin prodhim vendor dhe import, flasin për konkurrencë jo të ndershme. Mirëpo, nga ajo që sot kemi në terren, ne shohim se ka një konkurrencë jo të ndershme edhe brenda vendit tonë, andaj detyrë e jona është që ne t’u sigurojmë hapësirë më të madhe dhe klimë më të mirë agrobizneseve dhe fermerëve të cilët bëjnë punë të ndershme, për t’i eliminuar pastaj shpërdorimet e ndryshme që ekzistojnë brenda sektorit”, ka thënë ministri Stavileci.

Një tjetër përfitim për të gjitha ata që do të regjistrohen, sipas ministrit Stavileci, do të jetë edhe ndërfutja e skemave të reja të subvencionimit dhe grantimit të cilat do të lidhen drejtpërdrejtë me cilësinë dhe sasinë, e cila sot është e pamundur të bëhet, në mungesë të këtyre regjistrave.

Implementimi i këtij projekti, i cili do të kushtojë rreth 4,7 milionë euro, do të financohet prej pjesës së mjeteve të mbetura në vlerë prej rreth 2,3 milionë euro nga regjistrimi i tanishëm i popullsisë dhe prej donatorëve të sektorit të bujqësisë dhe buxhetit shtesë të Qeverisë.

Përndryshe, projektligji për regjistrimin e bujqësisë, i cili i ka hapur rrugë implementimit të këtij projekti, është miratuar në parim këtë javë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përmes tij autorizohet ESK-ja për të mbledhur të dhënat në terren edhe për sektorin e bujqësisë. Rezultatet e përkohshme të regjistrimit, Enti i Statistikave të Kosovës, sipas ligjit duhet t’i shpërndajë deri më 28 shkurt 2014. Ndërsa, ato përfundimtaret do të shpërndahen në format elektronik dhe në letër, duke filluar nga 30 shtatori 2014. Kohëzgjatja e implementimit të projektit për regjistrimin e bujqësisë është dy vite, ndërsa projekti është në harmoni të plotë edhe me kërkesat e Komisionit Evropian.kohaislame

Nafta që futet në Kosovë, shkakton kancerin

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë t’i nënshtrohen rrezikut të madh nga ndotja që shkakton emetimi i gazrave nga lëndët djegës të makinave. Nga matjet e kryera nga laboratorë me pajisje të teknologjisë së fundit, që i kanë ofruar raporte gazetës, ka dalë se nafta që importohet zyrtarisht në Kosovë dhe që shitet në shumicën e pikave të karburanteve përmban deri në 1142 ppm, sasi kjo e sulfurit që është 114 herë më e lartë sesa që parashihet dhe lejohet të importohet me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Tregtisë.
Në një dokument të Bankës Botërore të publikuar së voni thuhet se rreth 1.000 persona në Kosovë vdesin parakohshëm brenda vitit nga sëmundjet që shkaktohen nga ndikimi i grimcave që notojnë në ajrin e ndotur. Në bazë të këtij raporti që flet vetëm për të dhënat e dy viteve më parë, këto grimca besohet se shkaktojnë sëmundje të zemrës, kancerin në mushkëri dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes.

E, të dhënat që ka Instituti i Shëndetit Publik, afro 700.000 kontrolle mjekësore që realizohen në vit, kryesisht janë të diagnostikuara me sëmundje të frymëmarrjes dhe të rrugëve respiratorë, shkruan Koha Ditore.

Ndër shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve thuhet se është edhe prania e squfurit në karburante. /Telegrafi/kohaislame

Mrekullia ekonomike turke

Turqia ka shënuar një rritje të madhe ekonomike në dhjetë vitet e fundit. Por shumë ekspertë dyshojnë në qëndrueshmërinë e ekonomisë turke dhe kërkojnë ndryshime.

Megjithë parashikimet e zymta në Evropë, ekonomia turke po vazhdon të shënojë rritje shumë të shpejtë. Në këtë mënyrë ajo po shndërrohet në një vend shumë interesant edhe për investorët e huaj. Turqia ka shënuar në vitin 2011 një rritje ekonomike prej gati 7,5 %, ndërsa qeveria në Ankara shpreson se rritja gjatë këtij viti do të jetë katër për qind. Eksportet dhe importet turke po rriten që është edhe një sinjal tjetër për rritjen e fuqisë ekonomike të Turqisë. Ndërkohë ajo ka arritur nivelin e shtatë në Evropë dhe zë vendin e 15 në botë. Njëkohësisht Turqia është një prej vendeve me borxhet më të ulëta në Evropë, pas Suedisë dhe Çekisë. Borxhet e saj kapin shifrën prej 42 % të prodhimit të përgjithshëm bruto.
Këto zhvillime pozitive kanë bërë që agjencia e matjes së rentabilitetit Moody’s të rrisë notën e këtij vendi për një shkallë në Ba1. Kjo forcon pozicionin e Turqisë dhe rolin e saj ekonomik.
Ministri turk i financave Zafer Caglayan thotë se ngritja e notave nga agjencitë është “me vend por nuk mjafton”. Ai shpjegon se vendi i tij është varur më parë nga kreditë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa tani ka premtuar se do të paguajë në fondin e FMN-së për shpëtimin e vendeve nga kriza rreth katër miliardë euro. Ndërkohë që edhe buxheti i Turqisë është më stabil se ai i shumë vendeve të Bashkimit Evropian. Caglayan thotë se vendi i tij meriton nota edhe më të mira boniteti.

Turqia nuk është imune ndaj krizës
Shumë ekspertë besojnë se politika ekonomike e qeverisë së partisë AKP në Turqi është një storje suksesi. Por ata parlajmërojnë se as ekonomia turke nuk është imune ndaj krizës ekonomike. Sipas tyre, kriza financiare në Evropë mund të influencojnë dukshëm edhe zhvillimet në Turqi dhe të ulë zhvillimin e shpejtë ekonomik.
Ekonomia turke varet shumë prej asaj evropiane, që do të thotë se kriza financiare mund të ketë pasoja shumë të rënda për këtë vend. 46 % e eksporteve turke shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, edhe investimet kryesore në Turqi kanë ardhur nga Evropa (76 %). Më shumë se tre të katërtat e turistëve në këtë vend janë evropianë.
Ekspertët kontestojnë edhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në Turqi në dhjetë vitet e fundit. Kur partia AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, prodhimi bruto i Turqisë ishte 243 miliardë euro. Më 2010 ishte rritur në 550 miliardë, ndërsa eksporti i vendit është dyfishuar.
Shumë ekspertë pohojnë se problemi kryesor i Turqisë mund të jetë deficiti në bilancin e këtij vendi. Në vitin 2011 deficiti buxhetor ishte rreth 10 % të prodhimit bruto – që është ndër më të lartët në botë. Importet në Turqi edhe më tej janë shumë më të ulëta se eksportet.
“Ky deficit është një sinjal se në Turqi shpenzohet shumë më shumë se sa që ëshë kursyer”, thotë eksperti i njohur turk Suleyman Yasar. “Por ky deficit vjen në radhë të parë nga sektori privat dhe jo publik. Dhe ne nuk presim ndonjë rrezik të madh prej tij”, shpjegon eksperti duke shtuar se një prej zgjidhjeve të mundshme do të ishte ulja e vlerës së monedhës turke.

Paralajmërimet nga optimizmi i tepruar
Eksperti ekonomik Mahfi Egilmez, thotë se deficiti i tanishëm është pjesë e strategjisë turke për zhvillim. Turqia ka një ekonomi të varur nga importi por kjo duhet të ndryshojë. “Turqia nuk mund ta vazhdojë bumin e dhjetë viteve ekonomike me të njëjtin model edhe në dhjetë vitet e ardhshme. Vendi duhet të zhvillojë një model të ri i cili parashikon më pak deficit, më shumë prodhim në vend dhe një aftësi më të madhe konkurruese në tregun e jashtëm”, thotë ai.
Egilmez është i kënaqur me zhvillimet e deritanishme në ekonominë turke. Këtë vit ka rënë edhe niveli i deficitit buxhetor, ndërsa eksporti është rritur.
Megjithatë ekonmisti Mustafa Sonmez paralajmëron nga optimizmi i tepruar. Ai thotë se ekspertët duhet të shikojnë të gjitha anët e ekonomisë turke, sepse jo të gjitha elementet janë në nivelin e duhur për një zhvillim të qëndrueshëm me këtë tempo. “Të ardhurat mesatare në Turqi edhe më tej janë në një nivel shumë më të ulët se në BE – gati përgjysmë më të ulëta”, thotë ai.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
19.5 ° C
19.5 °
19.5 °
73 %
0kmh
0 %
Fri
30 °
Sat
35 °
Sun
37 °
Mon
39 °
Tue
40 °