Ballina Blog Faqe 707

LO: 202 MILIONË TË PAPUNË

Papunësia globale këtë vit parashikohet të arrijë në 202 milionë vetë. Ky paralajmërim për papunësinë vjen nga raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për punësimin global. Kurse në vitin 2013 norma e papunësisë globale do të rritet më shumë se 6 për qind…

Shkak i rritjes kaq të madh të shifrave të papunësisë në shkallë globale Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon dëmin që i kanë shkaktuar tregut të punësimit masat e kursimit që janë marrë në shumë vende të zhvilluara, kryesisht ato evropiane.

Sipas Raportit të Punësimit Global për vitin 2012 që nga kriza financiare e viteve 2008-2009 e këtej kanë humbur vendin e punës rreth 50 milionë njerëz.

Organizata parashikon një rritje më të lartë se 6 për qind të raportit të papunësisë në vitin 2013. “Punësimi global po jep shenja alarmi dhe shenjat përmirësuese nuk duken në horizont deri në një të ardhme të afërt”, paralajmëron ILO përmes raportit të saj.

Sipas raportit në fjalë në 2/3 e vendeve të botës papunësia ka shënuar rritje që nga viti 2010 e këtej. Situata është shqetësuese në veçanti në Evropë, por përmirësimi i tregut të punësimit vonon edhe në vendet e zhvilluara si Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tregu i punësimit në Evropë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel deri në vitin 2016 në qoftë se nuk do të ketë ndryshime në politikën aktuale që ndiqet nga qeveritë e këtyre vendeve, bën të ditur ILO dhe paralajmëron për një rritje ekonomike më të ngadaltë.

Politika e kursimeve financiare në shumë vende të zonës së euros e ka thelluar edhe më shumë krizën e punësimit dhe madje në Evropë kjo mund të shkaktojë edhe një recesion të ri, nënvizon ILO në raportin e saj.

Sipas interpretimit që bën raporti situata rrit njëkohësisht edhe riskun për kryengritje sociale në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Kurse në Amerikën Latine një risk i tillë është ulur për shkak të rritjes së normës së punësimit në këto vende./rtk/kohaislame

Privatizimit nuk i shpëton as lokaliteti arkeologjik i mbrojtur me ligj

Në bregun e majtë të Lumit të Bardhë në Fushë të Pejës zënë vend disa themele që besohet të jenë fillimet e para të qytetit të Pejës. Në po atë lokalitet zë vend fabrika e baterive industriale. Lokaliteti arkeologjik është në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore e hartuar nga Ministria e Kulturës. Por kjo nuk ka bërë punë që fabrika bashkë me lokalitetin arkeologjik të mos hidhet në shitje. Agjencia Kosovare e Privatizimit për të dytën herë e ka hedhur në privatizim Fabrikën e Baterive Industriale, e cila është pronë shoqërore nën administrimin e saj. Vitin e kaluar kishte dështuar ta shiste, shkruan sot “Koha Ditore”. AKP-ja nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar ka ftuar investuesit që ta blejnë këtë fabrikë me sipërfaqe prej 14.18 hektarësh, ndërsa vetëm fabrika ka sipërfaqe prej 18,900 metrash katrorë. AKP-ja e quan këtë si lokacion strategjik me qasje në rrugë dhe hekurudhë që lidh Kosovën me tregun rajonal dhe evropian, por nuk e cek fare lokalitetin arkeologjik.

Në shtator të vitit të kaluar AKP-ja kishte hedhur në privatizim këtë fabrikë, por reagimi i institucioneve komunale e qendrore kishte bërë që fabrika të mos privatizohej.

Arkeologu Naser Ferri, që edhe vitin e kaluar kishte ngritur zërin ndaj këtij veprimi, ka thënë se privatizimi i kësaj fabrike do të shkatërronte një pjesë të madhe të lokalitetit të rëndësishëm arkeologjik.

“Një prej mundësive kishte me qenë të bëheshin gërmime sistematike dhe të krijohet një park arkeologjik”, ka thënë ai. Ferri ka bindjen se nga përvoja e deritashme me privatizim të fabrikave përfitojnë vetëm blerësit e tyre, ndërsa ish – punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara gjithmonë dalin humbës.

“Edhe në këtë rast, nëse lejohet privatizimi, Peja do ta humbë një margaritar të trashëgimisë edhe ashtu mjaft të shkatërruar kulturore”, ka thënë Ferri.

Përderisa gazeta nuk ka marrë përgjigje nga ana e AKP-së e as nga MKRS-ja në lidhje me këtë, i pari i Pejës, Ali Berisha, ka thënë se do të bëhet çmos që të ndalohet ky privatizim.

”Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet legale që ajo pjesë të mos privatizohet. Por tash sa mund të ketë ndikim kjo nuk e di”, ka thënë Berisha. Sipas tij, mbrojtja ligjore që gëzon ky lokalitet arkeologjik do të duhej të ishte fakt i mjaftueshëm për AKP-në që të mos marrë këso veprimesh. Berisha thotë se shumë shpejt do të ftojë të gjitha partitë politike në Asamblenë Komunale të Pejës që të diskutohet për marrjen e disa hapave për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Do të flasim edhe me AKP-në dhe me institucione të tjera për të ndalur këtë privatizim”, ka thënë Berisha.

Edhe Abdyl Hoxha, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Pejë, ka bindje të njëjtë.

“Nuk duhet të privatizohet. Edhe nëse duhet, gjithsesi pjesa e lokalitetit arkeologjik nuk guxon të preket”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, Instituti që ai e drejton është në koordinim me MKRS-në dhe AKP-në që të gjendet një zgjidhje për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Me sa e di, me aq sa kam folur me ata në MKRS-së, këtë vit kanë pasur të bëhen gërmime dhe nuk do të duhej të ndodhte nxjerrja në privatizim”, ka thënë Hoxha. “AKP-ja do të duhej të merrte mësim nga reagimi i vitit të kaluar”.

E sipas arkeologut Ferri, ky lokalitet ishte mbrojtur me ligj në vitet 60 të shekullit XX.

Ferri kujton vitin 1978, kur pushteti jugosllav – me gjithë faktin se dihej për këtë lokalitet dhe ishte i mbrojtur – kishte vendosur që aty të ndërtohet Fabrika e baterive industriale si pjesë e gjigantit “Trepça”.

Sipas tij, ai vendim kishte nxitur reagime të intelektualëve shqiptarë që u treguan pa efekt, ndërsa gjatë punimeve me rastin e hapjes së themeleve të fabrikës janë gjetur disa monumente epigrafike, si dhe gjurmët e një kompleksi të tërë arkitektonik, i cili është identifikuar si pjesë e depove “horrea”. Nga katër objekte, themelet e të cilëve ishin zbuluar në vitin 1978 , me gjithë reagimet, betoni i fabrikës kishte mbuluar tërësisht tri sosh.

“Ndërsa objekti i katërt ishte ‘konservuar’ dhe kishte mbetur në oborr të fabrikës dhe pa dyshim se kujdesi i punëtorëve e ka ruajtur deri më sot”, kujton Ferri.

Lokaliteti arkeologjik në Fushë të Pejës, në bregun e majtë të Lumit të Bardhë, i njohur edhe me emrin “Gradina”, sipas arkeologut Naser Ferri, është evidencuar shkencërisht qysh nga arkeologu anglez Arthur Evans. Ai i kishte përshkruar monumentet e gjetura në këtë vend në librin e tij “Antiquarian Researches in Illyricum” të botuar në Westminster . Në fillim të shekullit XX, respektivisht rreth vitit 1917, Ferri thotë se hungarezi Buday Arpad, i cili e përcillte ushtrinë austro-hungareze, e kishte përshkruar më detajisht e madje e kishte dhënë edhe një plan të pjesës së fortifikuar të këtij lokaliteti, të cilin deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar pejanët e quanin “Kalaja”. Sipas Ferrit, për këtë lokalitet kanë shkruar më vonë edhe arkeologët e tjerë në mesin e të cilëve ishte edhe Emil Çershkov, i cili kishte konstatuar ekzistencën e një vendbanimi pararomak dardan të tipit rrafshinor buzë lumit. Për shkak të numrit të konsiderueshëm të gjetjeve të artefakteve relevante, arkeologu kishte shprehur mendimin që fjala është për një municipium romak. Ferri kujton se në fillim të shekullit kaluar murgët françeskanë nga Kisha katolike e Shën Katarinës në Pejë i kishin grumbulluar një numër monumentesh epigrafike të cilat rreth vitit 1930-1931 pushteti serb i kishte transferuar në Kurshumli e Han të Shkupit.

“Ishin këto monumente të kohës romake, me tekste në gjuhën latine dhe me shumë elemente të kulturës dardane”, thotë Ferri.

Sipas tij, këto dhe gjetjet e monedhave që nga koha e perandorit Domician nga shekullit I e deri në kohën e perandorit Konstantini i Madh-shekulli IV, monumente epigrafike e gjetje të tjera dëshmojnë një vazhdimësi të jetës së qytetëruar në këtë lokalitet që nga mijëvjeçari I para erës sonë./koha/kohaislame

Kosova ka mbi 170 prona në rajon

Trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, dhe katër vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk udhëhiqen dhe nuk shfrytëzohen nga autoritetet kosovare. Zyrtarë qeveritarë pohojnë se ekziston vullneti dhe gatishmëria që kjo çështje të zgjidhet, por megjithatë, e konsiderojnë proces të vështirë dhe të ngadalshëm.

Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka 172 prona të subjekteve ekonomike në shtete të ndryshme të rajonit. Autoritetet kompetente kanë identifikuar pronat, por ende nuk kanë arritur që t’i identifikojnë të gjitha adresat se ku gjenden, për çka shfrytëzohen, dhe kush është pronari i vërtetë i tyre.

Për këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme ka formuar një komision të veçantë, bën të ditur Rel.

Artan Behrami, këshilltar në këtë ministri, thekson se gjatë vizitave që kanë pasur në vendet e ndryshme të rajonit, është ngritur edhe problemi i pronave . “Komisioni është duke funksionuar, është mbledhur disa herë, dhe në vizitat që kemi pasur në vende të ndryshme të rajonit, është ngritur kjo çështje. Ka një gatishmëri shumë të madhe edhe nga shtetet e rajonit, që të ketë zgjidhje të problemeve që janë grumbulluar gjatë këtyre periudhave”, shprehet Behrami.

Ndërkaq, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë deklaruar se që nga fillimi i punës së kësaj agjencie, ka qenë e vështirë të ketë qasje në ndërmarrjet kosovare që janë të vendosura jashtë Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa në Mal të Zi 42 asete.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, shprehet se subjektet ekonomike të rajonit nuk kanë treguar gatishmëri që të diskutohet kjo çështje. Ai tregon se edhe disa prona të Odës Ekonomike të Kosovës ekzistojnë në Mal të Zi, e që ende nuk shfrytëzohen nga ky asociacion. Ai thotë se për këtë çështje duhet të bisedohet me të gjitha vendet e rajonit, duke filluar së pari nga shteti fqinj i Serbisë. “Kështu që Serbia ka vepruar, dhe shumë vende të rajonit nuk kanë pasur gatishmëri që të diskutojnë, prandaj duhet të fillohet me Serbinë fillimisht, e pastaj me vendet tjera, që kjo çështje një herë e përgjithmonë të zgjidhet”, shprehet Rukiqi.

Ndryshe, ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, dhe kombinati metalurgjik “Trepça”, kanë prona më së shumti në Republikat e ish Jugosllavisë. Pastaj vijnë “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e tjera./koha/kohaislame

PTK është zhvlerësuar ndër vite me procedura jo të sigurta

Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës do të realizohet brenda këtij viti, thonë autoritetet kompetente në Prishtinë, përderisa njohës të çështjeve ekonomike shprehen skeptik në përfundimin e këtij procesi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Përmes një përgjigjeje me anë të postës elektronike, Arsim Bruçaj, menaxher i Njësisë për Implementimin e Projektit, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tregon se procesi i privatizimit, i rifilluar këtë vit është duke ecur mjaft mirë. Sipas tij, janë bërë të gjitha përgatitjet e strukturës mbështetëse të projektit, është përgatitur agjenda e aktiviteteve që do të ndërmerren brenda këtij viti, si dhe ka filluar testimi i tregut. Buçaj thtoë se nuk pritet ndonjë dështim i procesit të privatizimit gjatë këtij viti, thotë Bruçaj

Por, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest” dyshon se autoritetet kompetente do të arrijnë të përgatisin procedurat për privatizimin e PTK-së, për tetë muajt e mbetur.

Edhe pse Abdixhiku e konsideron sukses nëse kompania në fjalë nuk arrin të privatizohet gjatë 2012, ai thotë se nevojitet kohë për një proces të suksesshëm dhe të bindshëm para investitorëve potencialë për blerjen e PTK-së. Sipas Abdixhikut, Posta dhe Telekomi i Kosovës është zhvlerësuar ndër vite me procedura jo të sigurta.

“Privatizimi nuk ndodh me nisje dhe stopime, por ndodh me një proces të sigurt, transparent dhe një proces që është bindës para investitorëve të huaj. Prandaj, po themi që mënyra e privatizimit në Kosovë ka qenë e paparë në ndonjë vend të rajonit, e cila më tepër ka bërë zhvlerësim të vetë asetit. Do të thotë që ne nuk kemi privatizuar, as nuk kemi vazhduar me shitje të aseteve, por, thjesht, kemi bërë një zhvlerësim, me procedura jo të sigurta, me tërheqje të investitorëve, pra kemi dërguar nj mesazh jashtëzakonisht të keq para investitorëve”, thotë Abdixhiku.

Abdixhiku, madje, konsideron se më e rëndësishme është që autoritetet kompetente të merren me ristrukturimin e PTK-së, se sa të merren më privatizimin e saj.

“Unë konsideroj se vendi duhet të ndalojë për moment dhe ta ristrukturojë ndërmarrjen, të rrisë vlerën e saj, të provojë të zvogëlojë numrin e punëtorëve që është jashtëzakonisht i madh, të provojë të dërgojë një mesazh shumë më të mirë tek investitorët e huaj, dhe pas të gjitha këtyre proceseve, të mendojë për shitjen e PTK-së”, vlerëson Abdixhiku.

Por, sipas autoriteteve kompetente, reformat në fushën e telekomit, ku 75 për qind të aksioneve të Valës dhe Telekomit do të kalojnë në pronësi private, do të mundësojnë zhvillim dhe ngritje të nivelit të kualitetit të shërbimeve në këtë sektor.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se arsye e privatizimit të kompanisë së PTK-së, brenda vitit është që të ruhet stabiliteti makro- financiar.

“Është i domosdoshëm vetëm nëse vështrohet përmes nevojave të buxhetit, sepse aty është një zë buxhetor ku thuhet se 300 milionë euro do të jenë të njëtrajtshme, që në fakt këto të hyra do të mund të sigurohen përmes shitjes se aseteve publike -në këtë rast, PTK-ja, si aseti më i shëndoshë dhe më profitabil që sjell të hyra të sigurta në buxhet”, thekson Rexhepi.

Ndryshe, procesi i privatizimit të PTK-së ka filluar që nga viti 2008, por problemet që përcollën këtë proces, vitin e kaluar detyruan ekzekutivin e vendit që privatizimin e kompanisë në fjalë ta mbyllin si të pasuksesshëm./koha/kohaislame

Nis implementimi i Strategjisë për zhvillimin e NVM-ve

Ka filluar implementimi i Strategjisë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), e cila angazhon të gjitha institucionet e Kosovës në mbështetjen e sektorit privat. 

Gjatë një konference informuese për zhvillimet në sektorin privat, të mbajtur sot, në Prishtinë, Granit Berisha, kryeshef i Agjencisë për mbështetjen e NVM-ve tha se “Agjencia është e angazhuar që ta jetësojë këtë dokument, duke luajtur rolin koordinues si dhe atë të raportimit për progresin e arritur”.  

Berisha theksoi se tashmë janë mobilizuar edhe institucionet e tjera për të mbikëqyrur ecurinë në përmbushjen e 138 objektivave të Strategjisë për mbështetjen e NVM-ve.  

Hartimi dhe përgatitja e planit implementues është përkrahur nga asistenca teknike e Zyrës së BE-së në Kosovë. Ky projekt asiston Agjencinë për mbështetjen e NVM-ve në: fuqizimin e partneritetit publiko-privat, ngritjen e konkurrueshmërisë të sektorit privat, dhe në reformën ligjore.

Në konferencën informuese u prezantuan projektet dhe aktivitete që synojnë implementimin e objektivave të ndryshme të strategjisë./koha/kohaislame

Për këshilltarët e “Rrugës 6” bëhen gati 350.000 euro

Ministrisë së Infrastrukturës i janë ndarë 350.000 euro për kontraktimin e një kompanie këshilluese për procedimin e tenderit të ndërtimit të rrugës që pritet të lidhë Prishtinën me Hanin e Elezit. Për të këshilluar zyrtarët e Ministrisë se si duhet të kontraktohet një kompani e nivelit të ndërtimit të autostradave, Qeveria është shprehur e gatshme që të ndajë edhe mjete shtesë, po që se shprehet nevoja. Këto mjete është paraparë të ndahen nga buxheti i Ministrisë së Financave “për shërbime të këshillimit për Ministrinë e Infrastrukturës për prokurimin dhe kontraktimin e operatorit ekonomik të kualifikuar për shërbime këshillëdhënëse për transaksionin e projektit ‘Route 6’, autostradën Prishtinë-Shkup.

“Ministria e Financave do të transferojë financim shtesë nëse kërkohet dhe vlerësohet si e arsyeshme për realizimin e kontratës për shërbime këshillëdhënëse”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Ndonëse në vendimin e muajit mars obligohej Ministria e Financave që të kryente transaksionin e mjeteve financiare në arkën e Ministrisë së Infrastrukturës, kjo e fundit ende nuk ka iniciuar asnjë procedurë tenderuese për kontraktimin e këshilltarit për transaksionin e ndërtimit të “Rrugës 6”.

Në bazë të deklarimeve të mëhershme, Qeveria planifikon të nisë sivjet procedurat e ndërtimit të ‘Rrugës 6”, ani pse kohë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar i pati tërhequr vërejtjen se nuk guxon të nisë projekte të tjera infrastrukturore pa përfunduar autostrada Morin- Merdar.

Tri ditë më parë, Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministri të Infrastrukturës, ka thënë për gazetën se nuk do të ketë kurrfarë vonesash në ndërtimin e autostradës drejt Shkupit. Ai pohon se autostrada Prishtinë – Han i Elezit, do të nisë të ndërtohet më së largu në fillim të vitit 2013, porse kjo mund të ndodhë edhe më herët, në fund të këtij viti.

Ai ka pohuar se ndërtimi i kësaj autostrade ka një kosto prej afro 600 milionë eurosh, ashtu edhe siç është paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014. Por ka shtuar se kostoja finale do të dihet tek pas konkurrimit të kompanive në tenderin për shprehje të interesit./koha/kohaislame

Krijohet sistemi elektronik i regjistrimit të fermerëve në Kosovë

Përmbyllet projekti “Ngritja e Sistemit të Regjistrit të Fermerëve në Kosovë – EU FARM”, i cili është financuar nga BE-ja dhe është menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, njoftohet nëpërmjet një komunikate. Regjistrimi i fermerëve dhe mungesa e të dhënave të besueshme janë disa prej problemeve më të mëdha me të cilat është duke u ballafaquar Ministria e Bujqësisë dhe sipas të pranishmëve, implementimi i këtij projekti jep kontribut të veçantë në këtë fushë.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky është edhe një hap përpara për fermerët tanë dhe për përafrimin e Kosovës në menaxhimin e subvencioneve dhe granteve investive, në përputhje me kërkesat për kontrollë që dalin nga Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian. “Themelimi i sistemit elektronik për Regjistrin e Fermerëve të Kosovës është një prej hapave më të rëndësishëm në mbledhjen e të dhënave të kualitetit të lartë rreth grupeve të synuara dhe përfituesve nga sistemi i granteve dhe subvencioneve. Të dhënat do të na ndihmojnë në përmirësimin e politikave tona duke i adresuar në mënyrë të drejtë nevojat e fermerëve dhe objektivat strategjike në modernizimin e fermave dhe në krijimin e sistemit të plotë në përputhje me Sistemin e Administratës së Integruar të Kontrollit, që është edhe një prej kërkesave të Bashkimit Evropian për të gjitha shtetet që pretendojnë të bëhen anëtare”, deklaroi Stavileci.

Ai tha se në këtë vit ministria është duke e praktikuar edhe sistemin LPIS për digjitalizimin e parcelave, në bazë të të cilit do të dihen saktësisht parcelat e fermerëve të cilët aplikojnë për të përfituar nga përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë, e cila paraprakisht deklarohet prej vetë fermerëve dhe më tej regjistrohet në sistemin LPIS, ku do të dihen në detaje pastaj edhe lloji i kulturës bujqësore dhe kategoria e shfrytëzimit të tokës bujqësore.

Edhe zyrtarë të Agjencionit të Statistikave të Kosovës thanë se implementimi i këtij projekti ka bërë ndryshime të mëdha në të dhënat statistikore të Kosovës. “Gjatë kohës së implementimit të këtij projekti kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në jetën statistikore të Kosovës. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me ekipin e projektit, me përfaqësuesit e MBPZHR-së dhe mendoj se projekti i ka përmbushur me sukses objektivat që i ka paraparë”, tha Bajrush Qevani, drejtor i Departamentit të Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit.

Ai sqaroi se ky projekt e ka përkrah Agjencionin e Statistikave të Kosovës në komponentën e tij të dytë për ngritjen e kapaciteteve të Departamentit të Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit për Aqui Communitare, në përputhje me kërkesat e EUROSTATIT për statistika.

Ndërsa, Arton Osmani nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ambienti në Kosovë nuk është optimal, mirëpo po bëhen përpjekje serioze për ta përmirësuar. “Projekti është financuar nga EU-ja me 1 milionë euro dhe është implementuar me kohëzgjatje pak më shumë se një vit. Përkundër vështirësive fillestare dhe kohës së shkurtër për zbatimin e komponentëve të këtij projekti është arritur që në kohë rekorde të zhvillohet sistemi i regjistrit të fermerëve dhe të përgatitet stafi i ministrisë dhe komunave për përdorimin e tij”, potencoi Osmani.

Në bazë të kësaj praktike të punës, e cila përdoret në të gjitha vendet që janë kandidate potenciale për hyrje në BE, mundësitë për mashtrime dhe keqpërdorime janë shumë të vogla dhe në këtë mënyrë përshpejtohet edhe implementimi i granteve investive dhe subvencioneve nga ministria. Në vitin e kaluar janë zënë gjithsej 2892 fermerë që kanë deklaruar rrejshëm sipërfaqet e mbjella dhe krerët e bagëtisë dhe krijimi i sistemit të regjistrit të fermerëve, përpos rëndësisë që ka për sektorin, do të shërbejë edhe për detektimin e fermerëve mashtrues.

Në këtë takim u ndan edhe 10 çertifikatat e para për fermerë dhe u bë e ditur se deri më tani për regjistrim kanë aplikuar rreth 15.700 fermerë dhe rreth 75% e aplikacioneve të tyre janë të vlefshme./koha/kohaislame

Mihja e re do të sistemojë punëtorët e KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka ndonjë plan për shkurtime të vendeve të punës. Kjo korporatë garanton se për të gjithë punonjësit e mihjeve do të ketë punë dhe se nuk do të ketë largim nga puna e as pensionim të dhunshëm, ndonëse dy mihjet ekzistuese shumë shpejt pritet të shterojnë.

Këto deklarata vijnë pas shumë raporteve në të kaluarën që kanë konkluduar se të paktën 1.500 vetë do të mbesin pa vende pune, pas mbylljes së dy mihjeve dhe koncentrimit të punëve vetëm në mihjen “Sibovci jugperëndimor”. Gjithashtu do të punohet edhe në mihjen e Sitnicës, e cila do të jetë aktive deri në vitin 2014.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, ka thënë se në Divizionin për Prodhim të Qymyrit janë gjithsej 3.500 punëtorë, që është një nga divizionet kyç të korporatës.

“Të gjithë punëtorët e DPQ-së e kanë punën të sigurt dhe asnjë nga ta nuk parashihet të largohet. Arsyeja është e thjeshtë: procesi i punës ka nevojë për secilin prej tyre”, ka thënë Buzhala./koha/kohaislame

Falsifikime të shumta për të përfituar subvencione në bujqësi

Numri i madh i fermerëve që janë zënë duke deklaruar rrejshëm të dhënat e paraqitura në aplikacionet për subvencionet nga Ministria e Bujqësisë ka shtyrë këta të fundit që të ndryshojnë sistemin e kontrollimit. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se këto masa të ndërmarra janë duke vonuar procesin e dhënies së subvencioneve të reja. Për këtë vit janë ndarë më shumë se 17 milionë euro mbështetje për shumë sektorë të bujqësisë.

Bujqit, të cilët i plotësojnë kushtet për të marrë mbështetje nga shteti, do të kenë në dispozicion 17.6 milionë euro që do të ndahen për subvencionim, si grante dhe investime.

Nga kjo shumë 7.6 milionë do të ndahen për subvencionim, 5 milionë për grante dhe 5 milionë për investime.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se në listën e përkrahjes janë futur edhe disa varietete që deri më tani nuk kanë qenë të mbështetura.

Edhe pse shumë bujq janë ankuar në vonesat sa i përket subvencioneve, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se janë tendencat e mëdha të vetë fermerëve për të mashtruar si faktor kryesorë për vonesat në procesin e dhënies së subvencioneve.

E kjo ka shtyrë që nga 50% e kontrolleve që është bërë deri tash, të bëhet 100% në terren.

Vetëm vitin e kaluar 2.892 fermerë janë zënë duke i deklaruar rrejshëm sipërfaqet e mbjella dhe numrin e krerëve të bagëtisë.

Rritja e përkrahjes në sektorin e bujqësisë ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të bujqve aplikues.

Sipas të dhënave të deritashme të ministrisë, numri i aplikuesve për lopët qumështore vitin e kaluar ka qenë 4.363, kurse këtë vit ka arritur në 5.339.

Për kafshët e imëta vitin e kaluar ka pasur 1.442 aplikues, sivjet janë 1.503.

Tek bletaria, e cila sivjet përkrahet për herë të parë, kanë aplikuar 1.100 kultivues.

Situata ka ndryshuar vetëm tek aplikacionet për mbështetje të sipërfaqeve me grurë, për të cilin vitin e kaluar kanë aplikuar 10.953 fermerë, kurse këtë vit ka 9.575 aplikacione dhe e gjithë kjo për shkak të digjitalizimit të sistemit të parcelave.

Kjo ministri ka në plan të hapë edhe një rund të ri të aplikimit pas qershorit të këtij viti, me çka do të zgjerohet gama e përkrahjes së sektorëve të bujqësisë./koha/kohaislame

Shqipëria katërfish me shumë fitim se Kosova në shkëmbimet tregtare

Të ardhurat doganore për mallrat e importuara në Kosovë dhe që zhdoganohen në Doganën e Kukësit për tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë me një vlerë prej 335 mijë eurosh, ose me 62% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Vlera e të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës për tremujorin e parë të këtij viti është 46.979 milionë lekë ose rreth 335 mijë euro. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit kaluar janë realizuar të ardhura me vlerë prej 29.190 milionë lekë, ose rreth 208 mijë euro. Përqindjen më të madhe në realizimin e të ardhurave e zë TVSH-ja që zë 69.2% të vlerës së të ardhurave doganore, akciza 4.55%, taksa doganore 2.35% dhe të tjerat zënë 23.9% të vlerës së të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës.

Kryetari i Degës së Doganës së Morinit në Kukës, Ali Tota, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se të gjitha të ardhurat janë realizuar përmes importimit të mallrave që bëhen në Kosovë ku mielli, patatja, automjetet, por edhe birra e Pejës dhe verërat e Rahovecit janë artikujt kryesorë që janë zhdoganuar në Doganën e Kukësit. Një pjesë e këtyre mallrave konsumohen në Kukës, ndërkohë që pjesa më e madhe shitet në pjesët e tjera të Shqipërisë.

”Shkaku kryesor i rritjes së të ardhurave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, janë të ardhurat e krijuara nga zhdoganimi i automjeteve, apo më saktë të ardhurat nga TVSH-ja e tyre. Heqja e taksës doganore, në korrik të vitit kaluar ka shtuar importin e automjeteve në Kosovë duke rritur njëherësh të ardhurat në Doganën e Morinit”, deklaroi Ali Tota.

Pavarësisht rritjes së importit të automjeteve, Kosova vazhdon të ketë bilanc tregtar negativ me Shqipërinë. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, 80 milionë euro është eksporti i Shqipërisë në Kosovë dhe 20 milionë euro është eksporti i Kosovës në Shqipëri për vitin 2011. Megjithëse për vitin 2011, Kosova ka rritur në masën 19.8% numrin e eksporteve në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka dyfishuar eksportet në drejtim të Kosovës për vitin 2011, ku çimentoja e Fushë-Krujës vazhdon të mbajë vendin e parë në artikujt që Shqipëria eksporton në Kosovë, ku ky artikull ka njohur një rritje prej 1.2 herë krahasuar me vitin 2010. Rënie për gati 100% ka pësuar eksporti i patates nga Kosova në Shqipëri, pasi për vitin 2011, eksporti i kësaj kulture bujqësore ishte orientuar drejt Serbisë si rezultat i shtimit të referencave nga Dogana e Shqipërisë./koha/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
19.5 ° C
19.5 °
19.5 °
64 %
2.1kmh
0 %
Wed
19 °
Thu
20 °
Fri
24 °
Sat
26 °
Sun
26 °