Ballina Blog Faqe 697

Tiranë, zbarkojnë kompanitë arabe

Në këtë situatë të zymtë ekonomike, që vjen nga Perëndimi, shpëtimi mund të vijë nga lindja. Mbi 100 kompani të huaja, kryesisht nga vendet islamike, kanë mbërritur në Tiranë në një takim të posaçëm biznesi me kryeministrin Berisha, ku kanë nisur të flitet për financimin e projekteve konkrete.

“Kjo konferencë po shqyrton dhe do shqyrtojë projekte të një rëndësie të madhe për vendin, si për hidrocentralin e Skavicës, që plotëson në mënyrë përfundimtare kaskadën e Drinit”, deklaroi kryeministri Berisha.

Banka Islamike për Zhvillim është shndërruar vitet e fundit në një nga financuesit më të mëdhenj të projekteve publike, përfshirë dhe rrugën Tiranë-Elbasan.

Qëllimi i forumit është të sjellë në Shqipëri edhe kapitalet private nga këto vende, në një kohë që kriza ka shterur kapitalet nga partnerët tradicionalë të Perëndimit.

“Ne jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe disa përfaqësues të sektorit privat për një sërë projektesh që do të sjellin prosperitet për qytetarët shqiptarë. Pavarësisht krizës globale, ne do të jemi këtu për të mbështetur projektet me qëllim zhvillimin e Shqipërisë”, deklaroi Halid Al Abudi, drejtor i Korporatës Islamike për Sektorin Privat.

Veç energjitikës, në konferencë do të diskutohet edhe për projekte të tjera në fushën e turizmit, bujqësisë dhe degëve të tjera të ekonomisë.

Kjo është konferenca e tretë e investimeve, e organizuar nga Banka Islamike. E para është mbajtur në vitin 1995, ndërsa e dyta në vitin 2009.

Kjo është konferenca e tretë, e cila ka sjellë në Tiranë numrin më të madh të investitorëve nga vendet islamike dhe kur për herë të parë po flitet për financimin e projekteve konkrete, në formën e investimeve direkte, por edhe ato të partneritetit publik-privat./tch/kohaislame

Produkte vendore në treg me emrin “Frutat e Kosovës”

Blerim Shefkiu nga Përlepnica e Gjilanit nuk do të ketë më telashe për gjetjen e tregut për shitjen e pemëve të tij. Ai e ka të sigurt tregun në tërë Kosovën për shitjen e dredhëzave, mollëve edhe kumbullave të tij. Këtë ia ka mundësuar instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që ka grumbulluar pemëtarët. Të bashkuar nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës ata kanë themeluar një brend të ri.

“Kjo është një ndihmë e madhe për prodhuesit vendorë. Prodhimet tona tani identifikohen, konsumatorit po i ofrohet një siguri më e madhe me të dhënat e detajuara për vendin e prodhimit, prodhuesin dhe kohën e vjeljes. Na kanë ndihmuar edhe me gjetjen e tregut”, thotë fermeri Blerim Shefkiu.

Sipas tij, pemëtarët janë ndihmuar edhe me mjete materiale dhe këshilla profesionale.

“Për neve ka qenë një ndihmë e madhe materiale, por edhe profesionale. Neve na kanë furnizuar me paketime të reja për produktet tona që kanë logon e Unionit”, thotë Shefkiu.

Drejtori ekzekutiv i Riinvestit, Lumir Abdixhiku, thotë se nga kjo javë nëpër marketet e Kosovës, kosovarët do të kenë mundësi të konsumojnë frutat vendore me pamje, paketim e emërtim të ri.

“Instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), pas një angazhimi 18-mujor kanë finalizuar njërin prej aktiviteteve në fushën e hortikulturës e që në esencë ka pasur themelimin e një brendi të përbashkët të prodhimit të frutave vendore, ‘Frutat e Kosovës’. Në këtë periudhë nëpërmjet fascilitimit të bërë nga Riinvest, prodhuesit e frutave kosovare janë bashkuar dhe nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës kanë themeluar një brend të ri”, theksoi Abdixhiku.

Procesi i fascilitimit dhe krijimit të brendit ka pasur tri faza. Në fazën e parë është bërë bashkimi i gjithë përfaqësuesve në zinxhirin prodhues, përfshirë kultivuesit e frutave dhe shitësit e tyre nëpër gjithë Kosovën.

“Rezultati i përbashkët i kësaj faze ka qenë lindja e nevojës për unifikim të fuqive vendore dhe bashkëpunimi më thelbësor në zinxhirin prodhues”, thotë Abdixhiku.

Në fazën e dytë janë zhvilluar standardet e brendit dhe kriteret që duhen përmbushur për gjithë prodhuesit e frutave kosovare që duan të shfrytëzojnë këtë emërtim. Këto kritere tanimë kontrollohen nga Unioni i Pemëtarëve të Kosovës dhe jo çdo frut kosovar mund të shitet me këtë emërtim.

“Janë disa standarde bazike që duhen plotësuar paraprakisht. Faza e fundit është marrë me dizajnimin dhe paketimin e produkteve në fjalë”, theksoi ai.

Abdixhiku konsideron se me një projekt të tillë është rritur vlera e produkteve kosovare të cilat më herët janë shitur pa ndonjë emërtim të veçantë, pa ndonjë kujdes në paketim dhe pa ndonjë standard verifikues të kualitetit.

“Emërtimi i produkteve kosovare me brendin ‘Frutat e Kosovës’ do të lehtësojë identifikimin e produkteve nga konsumatorët dhe rrjedhimisht do të rrisë kërkesën për këto produkte. Konsumimi i produkteve vendore në radhë të parë do t’u ndihmojë prodhuesve kosovar që përkundër çdo vështirësie në ambientin biznesor megjithatë arrijnë të japin kualitet dhe fruta shumë herë më konkurrente se ato të rajonit. Një konsum i tillë do t’i shërbente gjithashtu Kosovës që paratë e konsumit të mbesin brenda e jo të eksportohen jashtë”, thotë Abdixhiku.

Ai beson se krijimi i vendeve të reja të punës në vend mund të bëhet vetëm me fuqizimin e prodhimit vendor dhe me një sjellje më racionale ndaj konsumit të brendshëm./koha/kohaislame

Kosova e 9-ta në botë për nga varfëria

Teksa ekonomia greke sa vjen e përkeqësohet, dëshpërimi i popullit është rritur si pasojë e mungesës së lidershipit dhe masave të dështuara të kursimit.

Megjithatë, edhe përkundër këtyre masave, Greqia nuk është përfshirë as në top 50 vendet më të varfra në botë, të përpiluar nga “Business Insider”.
Mirëpo, për fatin e keq të vendit dhe popullit tonë, Kosova është radhitur në vendin e 9-të, duke hyrë kështu në mesin e vendeve më të varfra në botë. Indeksi i shkallës së varfërisë në Kosovë, sipas “Business Insider”, është 53.6%, inflacioni i Indeksit të Çmimit të Konsumit, 8.3% ndërkaq papunësia është 45.3%, shkruan “Zëri”.
Në top 20 janë vende si, Afganistani (19), Bosnja e Hercegovina (17), Kenia (13), Bjellorusia (10), Namibia (6), ndërkaq Zimbabve radhitet i pari në listë, si vendi më i varfër në botë, ku Indeksi i Shkallës së Varfërisë është 100.6%, Inflacioni i Indeksit të Çmimit të Konsumit, 5.6%, ndërkaq papunësia arrin shifrën prej 95.0%.
Indeksi i varfërisë, një teori kjo e krijuar nga Arthur Orkum, analizon papunësinë e një vendi me shkallën e inflacionit për të vlerësuar kushtet në terren (sa më i lartë numri, aq më e brishtë ekonomia e atij vendi).
“Business Insider” ka krijuar një listë prej 197 shteteve dhe territoreve të ndryshme në botë, nga Afganistani në Zimbabve, për të përpiluar Indeksin e Varfërisë 2012.
Shënim: Rezultatet janë të bazuara në të dhënat e “CIA World Factbook”, ku vlerësohen shifrat për shtete dhe territore që nuk kanë agjenci të besueshme lokale të raportimit./ndx/kohaislame

Kriza financiare ndikon dhe në incidentet raciale

UNHCR: Gjendja në vend është alarmante

Komisioni i lartë për refugjatët për Kombet e Bashkuara në Greqi ka vënë alarmin për rrezikun e rritjes së dhunës raciale në vend. Në Greqi janë të shumtë emigrantët që hyjnë cdo vit. Sipas komisionit kriza financiare ëshët arsyeja kryesore që ka rritur dhe tensionet për këtë cështje. Jorgos Tsarbopulos, kryetari i UNHCR-së në Greqi tja se është i shqetësuar për rritjen e numrit të icidenteve në vend këto 18 muajt e fundit. Ai e përshkroi situatën si shumë serioze.
“Do të thoja që është një situatë shumë serioze përvec presionit të vazhdueshëm për sa i përket lëvizjes së emigrantëve në kufi, pasi Greqia vazhdon të jetë porta kryesore edhe sot e kësaj dite në Bashkimin Europian për sa i përket ardhjes së mijëra refugjatëve dhe emigrantëve, pa përmendur këtë dhe krizën e rëndë financiare që ka përfshirë vendin, të gjitha këto kanë cuar në rritjen e numrit të incidenteve të dhunshme raciale”, vlerësoi ai.
Kriza financiare që ka rrwnuar ekonominë greke dhe ka rritur numrin e papunësisë në 21 për qind gjithashtu ka përkeqësuar dhe tensionet raciale në vend.
Tsarbopulos i ka bërë thirrje qeverisë greke dhe Bashkimit Europian që të implementojnë masa për të përballuar emigrimin e paligjshëm. Masa këto që pikërisht për shkak të krizës financiare nuk kanë mundur të vihen në praktikë pasi nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Në këto masa përfshihet dhe riatdhetësimi i emigrantëve të paligjshëm por dhe lehtësimi i marrjes së azilit në Greqi nga ana e refugjatëve. Tsarbopulos e ka dënuar dhunën.
“Gati përditë kemi incidente nga grupe qytetarësh të zemëruar por dhe nga ana e grupeve të ekstremit të djathtë të cilët sulmojnë emigrantët vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës apo të kombësisë së tyre. Çfarë mund të them. Kjo wshtw totalisht e papranueshme. Ne mund ti kuptojmë problemet por dhuna nuk mund të jetë një mënyrë për të zgjidhur gjërat dhe sigurisht që është krim. Në të njëjtën kohë është edhe një kërcënin për rendin publik dhe demokracinë në vend”, vlerësoi Tsarbopulo.
Para zgjedhjeve të 6 majit qeveria filloi të grumbullonte emigrantët e paligjshëm dhe t’i vendoste ata në qendra të mbrojtura, pasi banorët pranë këtyre qendrave fajësonin emigrantët për çdo vepër kriminale që ndodhte në zonë. Kjo gjë ka rritur dhe mbështetjen për partinë e Agimit të Arët e cila ka një platformë kundër emigrantëve./BS/kohaislame

Bankat e Kosovës me kamatat më të larta në rajon

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë kamatat më të larta të kredive në gjithë rajonin dhe në këtë mënyrë po pamundësojnë zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto kamata nuk po lejojnë që subjektet ekonomike t’i zgjerojnë veprimtaritë e tyre, të hapin vende të reja pune, e rrjedhimisht edhe të ulin shkallën e papunësisë dhe varfërisë.

“Për nivelin e zhvillimit ekonomik, të cilin e ka Kosova, këto norma të interesit për dhënien e kredive janë shumë të larta. Me këto norma të larta, me politikën kreditore nuk nxitet biznesi vendor, përkundrazi e ngarkon shumë biznesin vendor, pasi përmes kësaj norme i merret një sasi shumë e madhe e të hyrave, fitimit subjekteve ekonomike”, thotë Limani.

Sipas disa organizatave joqeveritare, bizneset përbëjnë përqindjen më të lartë të kredive të përgjithshme në institucionet financiare në vend. Po sipas tyre, normat e kredive sillen nga 11 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Kjo përqindje e kamatave të kredive, po dëmton komunitetin e biznesit, konsideron edhe Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

“Këto norma të larta të interesit e dëmtojnë mjaft komunitetin e biznesit, sepse edhe investimet e reja edhe huazimet e bizneseve nga bankat komerciale janë shumë vogla për shkak të çmimit të lartë të interesit”, thekson Bektashi.

Por, eksperti tjetër i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se këto norma po shkatërrojnë bizneset private, pasi, sipas tij, në pamundësi të kthimit të kësteve të kredive, biznese të ndryshme po falimentojnë.

“Kanë marrë kredi në vlera të mëdha dhe, normalisht, në mungesë të afarizmit pozitiv, nuk janë në gjendje që t’i kthejnë këstet dhe hyrja në borxh e tyre i ka sjellë në falimentim, që është në dëm të bizneseve, jo vetëm të firmës, por në dëm të ekonomisë së Kosovës. Ky duhet të jetë si reflektim për Qeverinë e Kosovës, se duhet të ndërrohet kjo politikë kreditore”, vlerëson Limani.

Sidoqoftë, ekonomistët thonë se kamatat e larta, paraqiten barrë e madhe financiare për të gjithë kredimarrësit, e në veçanti për bizneset që konsiderohen si promotor i zhvillimit ekonomik./koha/kohaislame

Policia përzgjedh më të shtrenjtit

Policia e Kosovës, në një tender për garazhe, ka diskualifikuar të gjitha kompanitë që kishin ofertat me çmimet më të ulëta dhe ka përzgjedhur atë me ofertën më të shtrenjtë. OSHP ka vlerësuar se Policia ka bërë shkelje të rënda të ligjit me këtë tender dhe e ka kthyer në rivlerësim.
Për Policinë e Kosovës tenderi mund t’i jepej edhe një kompanie me çmimin më të shtrenjtë. Kështu në fakt veproi ky institucion në tenderin për ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe poligonit të gjuajtjes, kur vendosi që fitues ta zgjedhë një konsorcium nga Prishtina. Përveç se shpërbleu kompaninë me çmim më të shtrenjtë, Policia e bëri të papërgjegjshme kompaninë që ofertoi me çmim të lirë.

Madje, në këtë aktivitet të prokurimit nuk u respektuan as kriteret e përzgjedhjes, të cilat ishin të përcaktuara në dosjen e tenderit. Të gjitha këto veprime, për Organin Shqyrtues të Prokurimit, përbënin shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

Për shkak të këtyre shkeljeve, ky organ vendosi që ta kthejë lëndën në rivlerësim.

“Anulohet vendimi i Policisë së Kosovës për dhënie të kontratës për ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe poligonit të gjuajtjes në kompleksin e DDP dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP’së, shkruan Express.

Shkeljet e Policisë në këtë tender i adresoi fillimisht kompania ankuese “R&Rukolli” nga Skenderaj. /Telegrafi/kohaislame

Euroja shënon rekord të ri të rënies

Monedha e përbashkët evropiane, euro, ka pësuar rënie të re rekord në tregjet e pasdites.

Vlera e saj prej 1.246 dollarësh është pika më e ulët kundër monedhës amerikane që nga korriku i vitit 2010.
Dollari, në anën tjetër, është forcuar kundrejt shumicës së monedhave.

Funta britanike ka rënë në 1.5623 dollarë nga 1.5681$.

Monedha amerikane po ashtu është rritur në 0.9625 franga zvicerane, nga 0.9584 sa ishte./zhurnal/kohaislame

Anulohet tenderi për aerofotografimin e Kosovës

– Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur shkelje ligjore në tenderin “Aerofotografimi i territorit të Kosovës”, i cili ishte iniciuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Me shkeljet ligjore është pajtuar edhe Agjencia Kadastrale, prandaj me pajtueshmëri të palëve procesi i prokurimit do të ritenderohet.

Ritenderimi i këtij procesi do të shtyjë edhe për një kohë fotografimin e territorit të Kosovës nga ajri, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo shtyrje ndoshta do t’u shkojë për shtati atyre që planifikojnë të ndërtojnë, pasi ky fotografim ka për qëllim edhe identifikimin e ndërtimeve në tërë territorin e Kosovës të cilat pastaj do të trajtohen sipas Ligjit të ri të ndërtimeve, i cili është në proces të miratimit. Çdo ndërtim pas kryerjes së këtij fotografimi të territorit do të ketë masa më të ashpra për t’u legalizuar.

AKK-ja e kishte shpallur fitues të këtij tenderi konsorciumin “Geofoto-Zagreb, Cadcom – Zagreb, Cadcom – Rahovec”. Kriteri për dhënien e kontratës ishte caktuar “tenderi me çmimin ekonomikisht më të favorshëm”, kriter që përveç çmimit merr për bazë edhe nënkritere tjera. Si nënkriter kryesor ishte çmimi i cili peshonte 50 për qind. Përvoja specifike e kompanisë në realizimin e projekteve të ngjashme vlerësohej me 30 për qind të pikëve, ndërsa kualifikimet e stafit kyç lidhur me realizimin e detyrave të projektit vlerësohej në maksimum deri në 20 për qind të pikëve.

Ky konsorcium i kishte fituar 97.97 pikë, dhe kishte ofertuar një çmim prej 347 mijë e 458 eurosh. Kurse tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 333 mijë e 318, por që nuk ishte poentuar në maksimum në nënkriteret tjera dhe kishte marrë 9 pikë më pakë se konsorciumi fituese, apo i kishte fituar gjithsej 89 pikë.

Kundër këtij vendimi të AKK-së për të shpërblyer me kontratë konsorciumin kosovaro-kroat ishte ankuar kompani “Emi Harita” nga Turqia, në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Gjykata e Tenderëve e kishte caktuar ekspertin shqyrtues, i cili kishte konstatuar se AKK-ja ka bërë shkelje ligjore gjatë këtij procesi të prokurimit.

“AKK-ja me rastin e zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit, të procedura e ekzaminimit, e vlerësimit dhe e krahasimit të tenderëve në përgjithësi nuk është bërë konform Ligjit të Prokurimit Publik, prandaj konsideron se ankesa e operatorit ekonomik ankues është e bazuar”, thuhet në konstatimin e ekspertit shqyrtues.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, ka thënë se problemi ka qenë pikërisht të nënkriteret e caktuara. Ai ka thënë se janë pajtuar me mendimin e OSHP-së, pasi si organ ka kompetencë të gjykojë për proceset e prokurimit. Por, ai beson që nuk ka pasur ndonjë shkelje ligjore. Meha ka thënë se rilevimi aerofotogrametrik është shumë i rëndësishëm dhe si i tillë duhet të bëhet për çdo pesë vjet.

“Rilevimi aerofotogrametrik është i rëndësishëm për zbatimin e Ligjit të ndërtimit, sepse ligji që është në përfundim e sipër për ndërtime në territore dhe ka për qëllim që të identifikojë gjendjen e ndërtimit në terren, në mënyrë që të identifikohen të gjitha ndërtesat që nuk kanë leje. Por, njëkohësisht të dihet se cilat ndërtime do të bëhen në të ardhmen pa leje, e të cilat do të kenë një trajtim më rigoroz”, ka thënë Meha. /koha/kohaislame

Kosova fle mbi thëngjill, kompanitë e importojnë atë nga jashtë

Ligjvënësit e Kosovës janë alarmuar të premten kur kanë marrë vesh se gjiganti ekonomik “Ferronikeli” nuk e shfrytëzon thëngjillin vendës, por e importon atë nga shtetet e tjera. Ata e kanë cilësuar si “non sens” humbjen nga përfitimet e mundshme të shtetit nga kjo pasuri, vetëm për shkak të telasheve që ekzistojnë mes KEK-ut dhe shoqërisë aksionare “Kosova-thëngjill”.

“Është absurd që Kosova, e cila fle mbi thëngjill, të mos jetë në gjendje ta shesë thëngjillin, por kjo xehe të vijë nga shtete të tjera”, ka deklaruar Teuta Sahatçia e LDK-së, gjatë shqyrtimit të listës së rentave minerare.

Me të janë pajtuar edhe deputetët e shumicës parlamentare, duke e bërë përgjegjës drejtpërdrejt KEK-un për humbjet që shkaktohen si rezultat i importimit të linjitit nga vendet e tjera./koha/kohaislame

Drejtori i “Apple” biznesmeni më i paguar në SHBA

Drejtori i përgjithshëm i “Apple”, Tim Cook ndodhet në vendin e parë të listës, së drejtuesve amerikanë të biznesit të cilët janë më tepër të paguar në vitin 2011.

Falë mundësive për blerjen e aksioneve, ai me më shumë se 300 milionë dollarë ndodhet para personit të cilit ndodhet në vendin e dytë,themeluesit dhe drejtorit të përgjithshëm të “Oracle” me 76 milionë dollarë, shkruan zhurnal.
Në vendin e tretë është pronari i televizioni BBC Leslie Moonves me 69 milionë dollarë.
Cook e ndërmori funksionin e drejtorit të përgjithshëm të “Apple” në gusht, dy muaj para vdekjes të themeluesit dhe ish-drejtorit të kompanisë Stiv Xhobs. Bonusët e tij arrijnë 378 milionë dollarë, tregojnë rezultatet nga anketa e bërë.
Ai fitoi rreth 900.000 dollarë si pagë dhe po kaq prime. Këto të dhëna nga raportet vjetore të aksionerëve janë grumbulluar nga “Haj Grup” sipas kërkesës të “Ëallstreet Journal” dhe përfshijnë 300 nga kompanitë më të madhe në SHBA.
Midis dhjetë të parëve në lisët janë edhe drejtori i përgjithshëm “Motorola” Sanxhai Xha, poranrët e “Citygroup”, “Viakom”, “Motorola Solutions”, Ëalt Disney” dhe “Ford”./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
21.5 ° C
21.5 °
21.5 °
49 %
5.1kmh
0 %
Sat
20 °
Sun
22 °
Mon
23 °
Tue
20 °
Wed
22 °