Ballina Blog Faqe 45

Bai muexhxhel – shitja me pagesë të shtyrë 

   

  1. Bai muexhxhel është një lloj shitjeje ku palët bien dakord që pagesa të bëhet në një datë të mëvonshme. 
  2. Shitja është e vlefshme vetëm nëse afati i pagesës është i përcaktuar qartë. 
  3. Afati i pagesës mund të caktohet me një datë të saktë ose me një periudhë të caktuar (si psh.pas tre muaj),por nuk mund të përcaktohet me një datë të ardhshme dhe të pasigurt. 
  4. Nëse pagesa është shtyrë për një periudhë të caktuar, ajo fillon nga momenti i dorëzimit të mallit, përveç nëse palët bien dakord ndryshe. 
  5. Çmimi i mallit me pagesë të shtyrë mund të jetë më i lartë se çmimi i pagesës me para në dorë, por duhet të përcaktohet në momentin e shitjes. 
  6. Pas përcaktimit të çmimit, ai nuk mund të ulet në rast se pagesa bëhet më herët dhe nuk mund të rritet në rast vonese. 
  7. Për të nxitur blerësin të paguajë këstet me kohë mund t’i kërkohet atij që të premtojë se në rast të mos përmbushjes, do të dhurojë një shumë të caktuar për qëllime bamirësie. Në këtë rast, shitësi mund ta marrë këtë shumë nga blerësi, por nuk duhet ta mbajë si fitim, por ta japë për bamirësi në emër të blerësit. 
  8. Në rast shitjeje me këste, shitësi mund të vendosë kushtin që nëse një këst nuk paguhet në kohë, të gjitha këstet e mbetura të paguhen menjëherë. 
  9. Për të siguruar pagesën, shitësi mund të kërkojë një garanci nga blerësi që të ofrojë një sigurim qoftë në formën e një hipoteke apo në formën e një të drejte mbi ndonjë nga asetet e tij ekzistuese. 
  10. Blerësi mund të nënshkruajë një notë premtimi ose letër këmbimi, por këto dokumente nuk mund të shiten tek një palë e tretë me një çmim të ndryshëm nga vlera e tyre.  

Murabahah – shitja me deklarim të kostos dhe fitimit 

  1. Murabahah është një lloj shitjeje ku shitësi deklaron saktësisht koston e mallit dhe më pas e shet atë duke shtuar një fitim të dakorduar. 
  2. Fitimi mund të përcaktohet me marrëveshje, qoftë si një shumë fikse ose si një përqindje e kostos. 
  3. Të gjitha shpenzimet e bëra për blerjen e mallit (transporti, dogana, etj.) përfshihen në koston e tij dhe mbi këtë vlerë aplikohet fitimi. Shpenzimet e përgjithshme të biznesit (si pagat apo qiratë) nuk përfshihen në koston e një transaksioni të veçantë. 
  4. Murabahah është e vlefshme vetëm nëse kostoja e saktë e mallit mund të përcaktohet. Nëse nuk mund të përcaktohet, atëherë shitja duhet të bëhet sipas musavamah (shitje pa referencë për koston). 

Shembuj: 

Shembulli 1: A blen një palë këpucë për 100 euro dhe dëshiron t’i shesë me një fitim prej 10%. Meqenëse kostoja e saktë është e përcaktuar, shitja sipas parimeve të Murabahah është e vlefshme. 

Shembulli 2: A blen një kostum dhe një palë këpucë për një shumë totale prej 500 euro, pa e ditur koston e veçantë të secilit artikull. Ai mund t’i shesë të dyja bashkë me murabahah, por nuk mund t’i shesë veçmas me këtë metodë, pasi nuk dihet kostoja e saktë e këpucëve. Nëse dëshiron t’i shesë veçmas, duhet të caktojë një çmim të përgjithshëm pa referencë për koston ose fitimin.

 

Përllogaritja e kostos në murabahah 

Është përmendur tashmë se transaksioni i murabahah përfshin konceptin e shitjes me kosto plus fitim, prandaj ai mund të kryhet vetëm kur shitësi mund të përcaktojë saktësisht koston që ka pasur për të siguruar mallin që dëshiron të shesë. Nëse kostoja e saktë nuk mund të përcaktohet, nuk mund të ketë murabahah. Në këtë rast, shitja duhet të kryhet mbi bazën e musavamah (dmth. shitje pa referencë ndaj kostos).

Ky parim çon në një tjetër rregull: transaksioni i murabahah duhet të bazohet në të njëjtën monedhë në të cilën shitësi e ka blerë mallin nga furnizuesi origjinal. Nëse shitësi e ka blerë me rupi pakistaneze, shitja e mëtejshme te blerësi përfundimtar duhet të kryhet gjithashtu në rupi pakistaneze, dhe nëse blerja e parë është bërë në dollarë amerikanë, çmimi i murabahah duhet të bazohet gjithashtu në dollarë, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht kostoja.

Megjithatë, në rastin e tregtisë ndërkombëtare, mund të jetë e vështirë të bazohen të dyja blerjet në të njëjtën monedhë. Nëse malli që synohet t’i shitet klientit është importuar nga një vend i huaj, ndërsa blerësi përfundimtar është në Pakistan, çmimi i shitjes origjinale duhet të paguhet në një monedhë të huaj dhe çmimi i shitjes së dytë do të përcaktohet në rupi pakistaneze.

Kjo situatë mund të menaxhohet në dy mënyra. Së pari, nëse blerësi përfundimtar pranon dhe ligjet e vendit e lejojnë, çmimi i shitjes së dytë mund të përcaktohet gjithashtu në dollarë.

Së dyti, nëse shitësi e ka blerë mallin duke konvertuar rupi pakistaneze në dollarë, shuma e saktë e rupive të paguara nga shitësi për t’i konvertuar ato në dollarë mund të merret si çmimi i kostos, dhe fitimi i murabahah mund të shtohet mbi këtë shumë.

Në disa raste, banka blen mallin nga jashtë me një çmim qe paguhet pas tre muajsh ose në këste të ndryshme dhe ia shet mallin klientit të saj përpara se të ketë paguar të gjithë çmimin tek furnizuesi. Meqenëse pagesa bëhet në dollarë, ekuivalenti i saj në rupi pakistaneze nuk dihet në momentin kur malli shitet tek klienti. Për shkak të luhatjeve në kursin e dollarit kundrejt rupisë pakistaneze, ka mundesi që banka të paguajë më shumë nga sa kishte parashikuar në momentin e shitjes me murabahah. Për shembull, kursi i dollarit amerikan në momentin e murabahah ishte 40 rupi për një dollar. Çmimi i murabahah u përcaktua sipas këtij kursi, por kur banka i pagoi çmimin furnizuesit, kursi i dollarit u rrit në 41 rupi për një dollar, që do të thotë se kostoja e bankës u rrit me 2.5%. Për të përballuar këtë situatë, disa institucione financiare vendosin një kusht në marrëveshjen e murabahah që, në rast të një luhatjeje të tillë të kurseve të këmbimit, klienti do të mbulojë koston shtesë. Sipas juristëve klasikë myslimanë, murabahah e bazuar në këtë kusht nuk është e vlefshme, sepse çon në pasiguri të çmimit në kohën e shitjes. Një pasiguri e tillë vazhdon deri në një datë pas tre muajsh, kur blerësi paguan realisht çmimin te furnizuesi. Kjo pasiguri e bën transaksionin të pavlefshëm.

Prandaj, bankës i mbeten opsionet e mëposhtme për këtë çështje:

(a) Banka duhet ta blejë mallin mbi bazën e një L/C ‘letra kredie’ (letter of credit) me pagesë të menjëhershme dhe ta paguajë çmimin furnizuesit përpara se të kryejë shitjen me klientin. Në këtë rast, nuk do të ketë problem me luhatjet e kursit të këmbimit dhe çmimi i murabahah mund të përcaktohet bazuar në kursin e tregut të dollarit në datën kur banka ka paguar çmimin tek furnizuesi.

(b) Banka mund të përcaktojë çmimin e murabahah në dollarë amerikanë në vend të rupive pakistaneze, në mënyrë që çmimi i shtyrë i murabahah të paguhet nga klienti në dollarë. Në këtë rast, banka do të ketë të drejtë të marrë dollarë nga klienti dhe rreziku i luhatjes së çmimit të dollarit do të bjerë mbi blerësin.

(c) Në vend të murabahah, marrëveshja mund të bëhet mbi bazën e musavamah (shitje pa referencë ndaj kostos së shitësit) dhe çmimi mund të caktohet në mënyrë që të mbulojë luhatjet e parashikuara të kursit të këmbimit.

Çmimi për shitjet me para të gatshme dhe me kredi

Pyetja kryesore lidhur me murabahah është se, kur përdoret si një mënyrë financimi, ajo zbatohet gjithmonë mbi bazën e pagesës së shtyrë. Financuesi e blen mallin me pagesë në dorë dhe ia shet klientit me kredi. Gjatë shitjes me kredi, ai merr parasysh periudhën në të cilën klienti duhet ta paguajë çmimin dhe e rrit atë në përputhje me këtë afat. Sa më i gjatë të jetë afati i pagesës së murabahah, aq më i lartë është çmimi. Prandaj, çmimi në një transaksion murabahah, siç praktikohet nga bankat islame, është gjithmonë më i lartë se çmimi i tregut. Nëse klienti është në gjendje ta blejë të njëjtin mall nga tregu me pagesë në dorë, ai do të paguajë shumë më pak sesa në një transaksion murabahah me pagesë të shtyrë. Kjo ngre çështjen nëse çmimi i një malli në një shitje me kredi mund të jetë më i lartë se çmimi i tij në një shitje me para në dorë. Disa argumentojnë se rritja e çmimit në një shitje me kredi, për shkak të kohës së dhënë blerësit, duhet të trajtohet njësoj si kamata e ngarkuar mbi një hua, sepse në të dy rastet paguhet një shumë shtesë për shtyrjen e pagesës. Në bazë të kësaj, ata argumentojnë se transaksionet murabahah, siç praktikohen në bankat islame, nuk janë esencialisht të ndryshme nga huatë me interes të dhëna nga bankat konvencionale.

Ky argument, i cili mund të duket logjik në pamje të parë, bazohet në një keqkuptim të parimeve të Sheriatit lidhur me ndalimin e riba (kamatës). Për të kuptuar saktë këtë koncept, duhet të merren parasysh pikat e mëposhtme.

Teoria moderne kapitaliste nuk bën dallim midis parasë dhe mallrave në transaksionet tregtare. Sa i përket shkëmbimit, si paraja ashtu edhe mallrat trajtohen njësoj. Të dyja mund të tregtohen dhe të shiten me çmimin që palët bien dakord. Një person mund të shesë një dollar për dy dollarë, si në një pagesë të menjëhershme ashtu edhe me kredi, ashtu siç mund të shesë një mall me vlerë një dollar për dy dollarë. Kushti i vetëm është që kjo të bëhet me pëlqim të ndërsjellë.

Nga ana tjetër, parimet islame nuk e pranojnë këtë teori. Sipas Sheriatit, paraja dhe mallrat kanë karakteristika të ndryshme dhe, për këtë arsye, trajtohen ndryshe. Dallimet themelore midis parasë dhe mallrave janë si më poshtë:

  1. a) Paraja nuk ka vlerë të brendshme. Ajo nuk mund të përdoret drejtpërdrejt për të plotësuar nevojat njerëzore; mund të përdoret vetëm për të blerë mallra ose shërbime. Mallrat, nga ana tjetër, kanë vlerë të brendshme dhe mund të përdoren drejtpërdrejt pa qenë nevoja t’i shkëmbejmë me diçka tjetër.
  2. b) Mallrat mund të kenë cilësi të ndryshme, ndërsa paraja nuk ka ndonjë cilësi tjetër përveçse të jetë një masë vlere ose një mjet shkëmbimi. Prandaj, të gjitha njësitë monetare të së njëjtës prerje janë 100% të barabarta me njëra-tjetrën. Një kartëmonedhë e vjetër dhe e ndotur prej 1.000 euro ka të njëjtën vlerë si një kartëmonedhë e re dhe e pastër prej 1.000 euro. Ndryshe nga kjo, mallrat mund të kenë cilësi të ndryshme; për shembull, një makinë e vjetër dhe e përdorur mund të ketë një vlerë shumë më të ulët se një makinë e re.
  3. c) Tek mallrat, transaksioni i shitblerjes kryhet mbi një mall specifik ose, të paktën, mbi mallra me specifika të caktuara. Nëse A ka blerë një makinë të caktuar duke e identifikuar qartë dhe shitësi e ka pranuar këtë, atëherë A ka të drejtë të marrë pikërisht atë makinë. Shitësi nuk mund ta detyrojë atë të pranojë një makinë tjetër, edhe nëse është e të njëjtit lloj apo cilësi. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse blerësi pajtohet, gjë që nënkupton se transaksioni i mëparshëm është anuluar dhe një transaksion i ri mbi makinën tjetër kryhet me pëlqim të ndërsjellë.

Nga ana tjetër, paraja nuk mund të identifikohet në mënyrë të veçantë në një transaksion shkëmbimi. Nëse A ka blerë një mall nga B duke i treguar një kartëmonedhë të caktuar prej 1.000 euro, ai sërish mund ta paguajë atë me një kartëmonedhë tjetër të së njëjtës prerje, ndërsa B nuk mund të insistojë që do të marrë pikërisht kartëmonedhën që iu tregua.

Duke pasur parasysh këto dallime, Islami e ka trajtuar ndryshe paranë dhe mallrat. Meqë paraja nuk ka ndonjë vlerë të brendshme, por është thjesht një mjet shkëmbimi pa ndonjë cilësi të veçantë, shkëmbimi i një njësie monetare me një tjetër të së njëjtës prerje nuk mund të bëhet veçse me vlerë të barabartë. Nëse një kartëmonedhë prej 1.000 euro shkëmbehet me një kartëmonedhë tjetër të eurove, ajo duhet të ketë gjithashtu vlerën e 1.000 euro. Çmimi i kartëmonedhës së parë nuk mund të rritet ose ulet nga 1.000 euro, madje as në një transaksion të menjëhershëm, sepse kartëmonedha nuk ka vlerë të brendshme dhe as ndonjë cilësi të ndryshme (e njohur ligjërisht). Prandaj, çdo tepricë në njërën anë është pa bazë dhe për këtë arsye nuk lejohet në Sheriat. Nëse kjo është e vërtetë për një transaksion shkëmbimi të menjëhershëm, e njëjta gjë vlen edhe për një transaksion krediti, ku të dyja palët shkëmbejnë para, sepse nëse në një transaksion krediti kërkohet një tepricë, ajo do të jetë vetëm për shkak të kohës së shtyrjes së pagesës.

Rasti i mallrave të zakonshme është ndryshe. Meqë mallrat kanë vlerë të brendshme dhe cilësi të ndryshme, pronari është i lirë t’i shesë ato me çmimin që dëshiron, duke iu nënshtruar forcave të ofertës dhe kërkesës. Për sa kohë që shitësi nuk mashtron apo nuk paraqet informata të rreme, ai mund ta shesë mallin e tij me një çmim më të lartë se çmimi i tregut me pëlqimin e blerësit. Nëse blerësi pranon ta blejë atë me çmimin e rritur, shuma shtesë që i ngarkohet atij është plotësisht e lejuar për shitësin. Kur shitësi mund ta shesë mallin e tij me një çmim më të lartë në një transaksion me para në dorë, ai gjithashtu mund të kërkojë një çmim më të lartë në një shitje me kredi, me kushtin e vetëm që të mos mashtrojë blerësin, të mos e detyrojë atë ta blejë mallin, dhe që blerësi ta pranojë çmimin me vullnetin e tij të lirë.

Ndonjëherë argumentohet se rritja e çmimit në një transaksion me para në dorë nuk bazohet në pagesën e shtyrë, prandaj është e lejuar, ndërsa në një shitje me pagesë të shtyrë, rritja e çmimit është thjesht për shkak të kohës së dhënë, gjë që e bën atë të ngjashme me kamatën. Ky argument, sërish, bazohet në një keqkuptim, duke supozuar se sa herë që çmimi rritet duke marrë parasysh kohën e pagesës, transaksioni bie brenda sferës së kamatës. Ky supozim nuk është i saktë. Çdo shumë shtesë e ngarkuar për pagesë të vonuar është kamatë vetëm nëse objekti i transaksionit është para në të dyja anët. Por nëse një mall shitet në këmbim të parave, shitësi, kur përcakton çmimin, mund të marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, përfshirë kohën e pagesës. Një shitës, duke qenë pronar i një malli që ka vlerë të brendshme, mund të kërkojë një çmim më të lartë, dhe blerësi mund të pranojë ta paguajë atë për arsye të ndryshme, për shembull:

(a) Dyqani i tij është më afër blerësit, i cili nuk dëshiron të shkojë në tregun që është më larg.

(b) Shitësi është më i besueshëm për blerësin sesa të tjerët, dhe blerësi ka më shumë besim tek ai se do t’i japë mallin e kërkuar pa defekte.

(c) Shitësi i jep përparësi blerësit në shitjen e mallrave që kanë kërkesë më të madhe.

(d) Ambienti i dyqanit të shitësit është më i pastër dhe më i rehatshëm se dyqanet e tjera.

(e) Shitësi është më i sjellshëm në marrëdhëniet e tij sesa të tjerët.

Këto dhe konsiderata të ngjashme luajnë rolin e tyre në përcaktimin e një çmimi më të lartë për klientin. Në të njëjtën mënyrë, nëse një shitës e rrit çmimin sepse i lejon klientit pagesë me kredi, kjo nuk është e ndaluar nga Sheriati, për sa kohë që nuk ka mashtrim dhe blerësi e pranon me vullnet të lirë, sepse, pavarësisht arsyes së rritjes, e gjithë shuma e çmimit lidhet me mallin dhe jo me paranë. Është e vërtetë që, gjatë përcaktimit të çmimit të mallit, shitësi ka pasur parasysh kohën e pagesës, por pasi çmimi është caktuar, ai lidhet me mallin dhe jo me kohën. Për këtë arsye, nëse blerësi nuk e paguan në kohën e caktuar, çmimi mbetet i njëjtë dhe shitësi nuk mund ta rrisë atë. Po të ishte fjala për një shtyrje të thjeshtë të kohës, çmimi do të rritej nëse shitësi do t’i lejonte më shumë kohë blerësit pas afatit të maturimit.

Në fjalë të tjera, meqë paraja mund të shkëmbehet vetëm me vlerë të barabartë, siç u shpjegua më herët, çdo shumë e tepërt e pretenduar në një transaksion krediti (kur paraja shkëmbehet me para) është vetëm për shkak të kohës. Për këtë arsye, nëse debitorit i jepet më shumë kohë pas maturimit, nga ai kërkohet më shumë para. Përkundrazi, në një shitje me kredi të një malli, koha nuk është faktori ekskluziv gjatë përcaktimit të çmimit. Çmimi përcaktohet për mallin, jo për kohën. Megjithatë, koha mund të veprojë si një faktor dytësor për përcaktimin e çmimit të mallit, ashtu si çdo faktor tjetër nga ata të përmendur më sipër, por pasi ky faktor ka luajtur rolin e tij, çdo pjesë e çmimit lidhet me mallin.

Përmbledhja e kësaj diskutimi është se kur paraja shkëmbehet me para, nuk lejohet asnjë tepricë, as në transaksione me pagesë të menjëhershme dhe as në ato me kredi. Por kur një mall shitet në këmbim të parave, çmimi që palët bien dakord mund të jetë më i lartë se çmimi i tregut, si në transaksionet me pagesë të menjëhershme, ashtu edhe në ato me kredi. Koha e pagesës mund të luajë një rol dytësor në përcaktimin e çmimit të një malli, por nuk mund të jetë baza ekskluzive dhe e vetmja konsideratë për një tepricë të pretenduar në shkëmbimin e parasë me para.

Kjo pozitë pranohet njëzëri nga të katër shkollat juridike islame dhe nga shumica e juristëve myslimanë. Ata thonë se nëse një shitës përcakton dy çmime të ndryshme për shitjen me para në dorë dhe për shitjen me kredi, ku çmimi i shitjes me kredi është më i lartë se çmimi i pagesës së menjëhershme, kjo lejohet në Sheriat. Kushti i vetëm është që në kohën e shitjes aktuale të përcaktohet një nga dy opsionet, duke mos lënë asnjë paqartësi në natyrën e transaksionit. Për shembull, lejohet që shitësi, gjatë fazës së negociatave, t’i thotë blerësit: “Nëse e blen mallin me pagesë të menjëhershme, çmimi do të jetë 100 euro., ndërsa nëse e blen me kredi për gjashtë muaj, çmimi do të jetë 110 euro.” Por blerësi duhet të zgjedhë njërin nga dy opsionet. Ai duhet të deklarojë se do ta blejë me kredi për 110 euro. Në këtë mënyrë, në kohën e shitjes aktuale, çmimi do të jetë i njohur për të dyja palët.

Megjithatë, nëse asnjë nga dy opsionet nuk përcaktohet në mënyrë specifike, shitja nuk do të jetë e vlefshme. Kjo mund të ndodhë në ato raste të shitjeve me këste, ku çmime të ndryshme vendosen për periudha të ndryshme të maturimit. Për shembull, 1000 euro mund të kërkohen për një kredi 3-mujore, 1100 euro për një kredi 6-mujore, 1200 euro për 9 muaj, e kështu me radhë. Nëse blerësi merr mallin pa përcaktuar opsionin që do të zgjedhë, duke supozuar se do ta paguajë çmimin në të ardhmen sipas lehtësisë së tij, ky transaksion nuk është i vlefshëm, sepse as koha e pagesës dhe as çmimi nuk janë të përcaktuara. Por nëse ai zgjedh një nga opsionet në mënyrë specifike dhe thotë, për shembull, se e blen mallin me kredi për 6 muaj me çmimin 1100 euro, shitja do të jetë e vlefshme.

Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet vërejtur është kjo: Ajo që është lejuar më sipër është që çmimi i mallit në një shitje me kredi të jetë më i lartë se çmimi i pagesës së menjëhershme. Por nëse shitja është kryer me çmimin e pagesës së menjëhershme dhe shitësi ka vendosur një kusht që, në rast vonese në pagesë, ai do të ngarkojë një kamatë prej 10% në vit si ndëshkim ose interes, kjo është rreptësisht e ndaluar, sepse ajo që po ngarkohet nuk është pjesë e çmimit, por një interes mbi borxhin.

Dallimi praktik midis këtyre dy situatave është se në rastin kur shuma shtesë është pjesë e çmimit, ajo mund të ngarkohet vetëm një herë. Nëse blerësi nuk arrin ta paguajë në kohë, shitësi nuk mund të ngarkojë një shumë tjetër shtesë. Çmimi do të mbetet i njëjtë pa asnjë shtesë. Përkundrazi, kur shuma shtesë nuk është pjesë e çmimit, ajo vazhdon të rritet me kalimin e kohës së vonesës.

Rregullat bazë të shitjes 

Në shariat, “shitja” përkufizohet si “shkëmbimi i një gjëje me vlerë me një tjetër gjë me vlerë, me pëlqimin e ndërsjellë”. Jurisprudenca islame ka përcaktuar një sërë rregullash që rregullojnë kontratën e shitjes, dhe juristët myslimanë kanë shkruar një numër të madh librash për t’i shpjeguar ato në detaje. Qëllimi këtu është të paraqiten vetëm ato rregulla që janë më të rëndësishme për transaksionet e murabahah të kryera nga institucionet financiare: 

Rregulli 1: Objekti i shitjes duhet të ekzistojë në momentin e shitjes. 

Pra, një send që ende nuk ekziston nuk mund të shitet. Nëse një send që nuk ekziston shitet, edhe nëse palët bien dakord, shitja është e pavlefshme sipas sheriatit. 

Shembull: A shet viçin e palindur të lopës së tij te B. Kjo shitje është e pavlefshme. 

Rregulli 2: Objekti i shitjes duhet të jetë në pronësinë e shitësit në momentin e shitjes. 

Pra, një send që nuk është në pronësi të shitësit nuk mund të shitet. Nëse dikush shet diçka para se ta ketë në pronësi, shitja është e pavlefshme. 

Shembull: A shet një makinë te B, e cila aktualisht është në pronësi të C, por A shpreson ta blejë nga C dhe më pas ta dorëzojë te B. Kjo shitje është e pavlefshme, sepse makina nuk ishte në pronësi të A-së në momentin e shitjes. 

Rregulli 3: Objekti i shitjes duhet të jetë në posedim fizik ose konstruktiv të shitësit në momentin kur ai e shet atë te një person tjetër. 

“Posedimi konstruktiv” do të thotë një situatë ku poseduesi nuk e ka marrë ende fizikisht mallin, por ai ka ardhur nën kontrollin e tij dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me mallin i janë transferuar atij, përfshirë edhe rrezikun e dëmtimit ose shkatërrimit të tij. 

Shembuj: 

(i) A ka blerë një makinë nga B. B ende nuk ia ka dorëzuar atë A-së ose përfaqësuesit të tij. A nuk mund ta shesë makinën te C. Nëse e shet atë përpara se ta marrë në nga B, shitja është e pavlefshme. 

(ii) A ka blerë një makinë nga B. B, pasi e ka identifikuar makinën, e ka vendosur atë në një garazh ku A ka qasje të lirë dhe e ka lejuar ta marrë nga aty kur të dëshirojë. Kështu, rreziku mbi makinën ka kaluar te A. Makina është në posedim konstruktiv të A-së. Nëse A e shet makinën te C pa e marrë fizikisht, shitja është e vlefshme. 

Shpjegimi 1: 

Thelbi i rregullave të përmendura më sipër është se një person nuk mund të shesë një mall nëse: 

(a) Nuk ka ardhur ende në ekzistencë. 

(b) Nuk është në pronësinë e shitësit. 

(c) Nuk është në posedimin fizik ose konstruktiv të shitësit. 

 Shpjegimi 2:

Ekziston një ndryshim i madh midis një shitjeje të vërtetë dhe një premtimi për të shitur. Shitja e vërtetë nuk mund të kryhet pa u përmbushur tre kushtet e mësipërme. Megjithatë, një person mund të premtojë të shesë diçka që ende nuk e ka në pronësi ose në posedim. 

Ky premtim fillimisht krijon vetëm një detyrim moral për premtuesin që ta përmbushë premtimin e tij, por zakonisht nuk është i detyrueshëm ligjërisht. Megjithatë, në disa raste, veçanërisht kur premtimi ka shkaktuar një detyrim ose humbje për palën tjetër, ai mund të zbatohet me ligj. 

Në këto raste, gjykata mund të detyrojë premtuesin të përmbushë premtimin e tij, domethënë të kryejë shitjen, dhe nëse ai nuk e bën këtë, gjykata mund ta detyrojë të paguajë dëmet që ka pësuar pala tjetër për shkak të mosrealizimit të premtimit. 

Por shitja e vërtetë mund të realizohet vetëm pasi malli të ketë kaluar në posedimin e shitësit. Ky proces kërkon një ofertë dhe pranim të veçantë, dhe pa këtë hap, shitja nuk do të ketë pasojat ligjore të një kontrate të vlefshme. 

Përjashtimet: 

Rregullat e përmendura në paragrafët 1 deri në 3 janë të zbutura për dy lloje të shitjeve: 

(a) Bai Salam 

(b) Istisna 

Rregullat për këto dy lloje do të diskutohen më vonë në një kapitull të veçantë. 

Rregulli 4: Shitja duhet të jetë e menjëhershme dhe e pakushtëzuar. 

Një shitje që lidhet me një datë të ardhshme ose që varet nga një ngjarje e ardhshme është e pavlefshme. Nëse palët duan të kryejnë një shitje të vlefshme, atëherë duhet ta bëjnë atë sërish kur të vijë data e ardhshme ose të ndodhë ngjarja përkatëse. 

Shembuj: 

(a) A i thotë B më 1 janar: “Unë ta shes makinën më 1 shkurt.” Kjo shitje është e pavlefshme, sepse është lidhur me një datë të ardhshme. 

(b) A i thotë B: “Nëse partia X fiton zgjedhjet, makina ime do të jetë e jotja.” Shitja është e pavlefshme, sepse varet nga një ngjarje e ardhshme. 

Rregulli 5: Objekti i shitjes duhet të ketë vlerë tregtare. 

Një send që nuk ka vlerë sipas përdorimit tregtar nuk mund të shitet ose blihet. 

Rregulli 6: Objekti i shitjes nuk duhet të jetë një send që përdoret vetëm për një qëllim të ndaluar (haram), si mishi i derrit, vera, etj. 

Rregulli 7: Objekti i shitjes duhet të jetë i njohur dhe i identifikuar qartë nga blerësi. 

Shpjegim: 

Një send mund të identifikohet ose me tregim të drejtpërdrejtë ose me një përshkrim të detajuar që e dallon nga sendet e tjera. 

Shembull: 

Një ndërtesë përmban disa apartamente të ndërtuara sipas të njëjtit model. A, pronari i ndërtesës, i thotë B: “Të shes një nga këto apartamente.” B e pranon. Kjo shitje është e pavlefshme nëse apartamenti që do të shitet nuk përcaktohet qartë ose nuk i tregohet saktësisht blerësit. 

Rregulli 8: Dorëzimi i mallit të shitur duhet të jetë i sigurt dhe nuk duhet të varet nga rrethana të pasigurta ose të rastësishme. 

Shembull: 

A shet një makinë që është vjedhur nga një person i panjohur dhe blerësi e blen me shpresën se do të bëhet pronari i saj. Kjo shitje është e pavlefshme. 

Rregulli 9: Çmimi duhet të jetë i qartë dhe i caktuar. Nëse çmimi është i pasigurt, shitja është e pavlefshme. 

Shembull: 

A i thotë B: “Nëse paguan brenda një muaji, çmimi është 50 euro. Por nëse paguan pas dy muajsh, çmimi është 55 euro.” B e pranon. Çmimi është i pasigurt dhe shitja është e pavlefshme, përveç rasteve kur palët bien dakord për njërin nga dy variantet në momentin e shitjes. 

Rregulli 10: Shitja duhet të jetë pa kushte. Një shitje e kushtëzuar është e pavlefshme, përveç nëse kushti është i njohur si pjesë e zakonshme e marrëveshjes tregtare. 

Shembuj: 

(1) A blen një makinë nga B me kusht që B të punësojë djalin e tij në kompaninë e tij. Kjo shitje është e pavlefshme, sepse përmban një kusht të panjohur në praktikën tregtare. 

(2) A blen një frigorifer nga B me kusht që B të sigurojë shërbim falas për 2 vjet. Ky kusht, duke qenë një praktikë e zakonshme tregtare, është i vlefshëm dhe shitja është e ligjshme.

 

 

Murabahah – Hyrje 

Shumica e bankave islame dhe institucioneve financiare përdorin murabahah si një mënyrë islame financimi, dhe shumica e veprimtarive financiare te tyre bazohen në këtë metodë. Prandaj, ky term është pranuar sot në qarqet ekonomike si një metodë e veprimtarive bankare, ndërsa koncepti origjinal i murabahah është ndryshe nga ky perceptim. 

Murabahah është, në fakt, një term i fikhut islam dhe i referohet një lloji të veçantë të shitjes, që në thelbin e tij nuk ka lidhje me financimin në kuptimin e tij origjinal. Nëse një shitës bie dakord me blerësin që t’i sigurojë një mall specifik me një fitim të caktuar të shtuar mbi koston e tij, kjo quhet një transaksion murabahah. Përbërësi kryesor i murabahah është që shitësi e tregon koston e vërtetë të mallit të dhe më pas i shton një fitim. Ky fitim mund të jetë një shumë fikse ose mund të bazohet në një përqindje. 

Pagesa në rastin e murabahah mund të bëhet menjëherë ose në një datë të mëvonshme të rënë dakord mes palëve. Prandaj, murabahah nuk nënkupton domosdoshmërisht pagesën e shtyrë, siç besohet zakonisht nga disa persona që nuk kan njohuri për jurisprudencën islame dhe që kanë dëgjuar për murabahah vetëm në kontekstin e transaksioneve bankare. 

Murabahah, në kuptimin e saj origjinal islam, është thjesht një shitje. Tipari i vetëm që e dallon atë nga llojet e tjera të shitjes është se shitësi në murabahah i tregon qartë blerësit se sa ka kushtuar malli dhe sa fitim po shton mbi koston. 

Nëse një person shet një mall për një çmim të caktuar pa përmendur koston, kjo nuk është murabahah, edhe pse ai mund të përfitojë nga shitja, sepse transaksioni nuk bazohet në konceptin e “kosto-plus.” Në këtë rast, shitja quhet musavameh. 

Ky është kuptimi i vërtetë i termit murabahah, e cila është një shitje e thjeshtë. Megjithatë, ky lloj shitjeje po përdoret nga bankat islame dhe institucionet financiare duke i shtuar disa koncepte të tjera, duke e kthyer atë në një metodë financimi. Por vlefshmëria e këtyre transaksioneve varet nga disa kushte që duhet të respektohen për t’i bërë ato të pranueshme sipas sheriatit. 

Për t’i kuptuar siç duhet këto kushte, fillimisht duhet kuptusr se murabahah është një shitje me të gjitha karakteristikat e saj dhe se të gjitha elementet themelore të një shitjeje të vlefshme duhet të jenë të pranishme edhe në murabahah. Prandaj, ky diskutim do të fillojë me disa rregulla bazë të shitjes, pa të cilat një shitje nuk mund të konsiderohet e vlefshme sipas sheriatit. Më pas, do të diskutojmë disa rregulla të veçanta që lidhen posaçërisht me murabahah, dhe në fund do të shpjegohet procedura e saktë për përdorimin e murabahah si një metodë e pranueshme financimi. 

Është bërë një përpjekje për të përmbledhur parimet e detajuara në shënime të shkurtra dhe fjali sa më të përmbledhura, në mënyrë që pikat kryesore të temës të kuptohen menjëherë dhe të ruhen lehtësisht për referenca të mëvonshme.

Musharakah si zëvendësues për overdraftin e rregullt 

Në shkrimet e hershme mbi bankimin islam, musharakah ishte menduar si mënyra themelore e financimit në modelin e bankimit pa interes. Megjithatë, në bankimin islam bashkëkohor, musharakah pothuajse nuk ekziston. Arsyeja për këtë është e qartë: kompleksiteti dhe një shkallë relativisht më e lartë e rreziqeve morale. Në sheriat, musharakah është një partneritet i thjeshtë, ku dy palë marrin pjesë në një sipërmarrje duke ofruar kapital. Shndërrimi i “partneritetit” në një mënyrë financimi bankar nuk është i lehtë. Së pari, ai duhet të jetë i përkohshëm, pasi banka nuk mund të përfshihet në pronësinë dhe funksionimin e kompanive aksionare. Së dyti, për shkak se musharakah është “përzierja” e dy kapitaleve, sa herë që një bankë islame hyn në musharakah duke ofruar kapital, ajo duhet të bëjë një vlerësim të “vlerës” së palës tjetër. Kjo ndodh sepse fitimi në fund të Musharakah përcaktohet nga ndryshimi i vlerës së investimit midis dy periudhave. Ky proces është jashtëzakonisht i ndërlikuar. 

Disa aspekte të sheriatit mbi musharakah 

Dy palët mund të investojnë në partneritet me shuma të ndryshme kapitali. Në rast humbjeje, pjesa e secilës palë përcaktohet bazuar në pjesën e saj të kapitalit. Ndërsa te rasti i fitimit është ndryshe, ai mund të ndahet ndryshe. Kjo është shumë e përshtatshme për bankat islame, pasi ato mund të marrin një pjesë të fitimit më të ulët se pjesa e tyre në kapital dhe kështu të konkurrojnë me bankat tradicionale. Në musharakah, dy partnerët mund të marrin ose jo pjesë në menaxhim. Megjithatë, është e lejuar që ai që menaxhon, nëse është një nga partnerët, të marrë një pagë ose një pjesë më të madhe të fitimeve. 

Musharakah si zëvendësues për overdraftin e rregullt 

Disa banka islame kanë arritur të zhvillojnë musharakah si një zëvendësues për overdraftin e rregullt. Në këtë rast, banka hap një llogari për klientin nga e cila mund të tërhiqet overdrafti. Një marrëveshje musharakah nënshkruhet me klientin, në të cilën banka bëhet partnere aktive me klientin në funksionimin e përgjithshëm të biznesit të tij. Sa herë që klienti ka tepricë të parave, ai mund t’i depozitojë në llogari, duke ulur kështu detyrimin. Në fund të periudhës, e cila zakonisht është një vit financiar, banka do të marrë një pjesë të fitimit në përpjesëtim me pjesën e saj të kapitalit dhe numrin e ditëve në të cilat llogaria ka qenë në overdraft. Marrëveshja për një transaksion të tillë është mjaft e ndërlikuar, pasi përfshin shumë masa për të parandaluar ndryshimin e natyrës, procedurave dhe menaxhimit të biznesit të klientit në një mënyrë që mund të dëmtojnë interesat e bankës. 

 

Murabaha – hyrje

Shumica e bankave islame dhe institucioneve financiare përdorin murabahanë si një mënyrë islame financimi, dhe pjesa më e madhe e operacioneve të tyre financiare bazohet në murabaha. Për këtë arsye, ky term është marrë sot në qarqet ekonomike si një metodë e operacioneve bankare, ndërkohë që koncepti origjinal i murabahasë është i ndryshëm nga ky supozim.

Murabaha është, në fakt, një term i Fikhut Islam dhe i referohet një lloji të veçantë të shitjes që nuk ka asnjë lidhje me financimin në kuptimin e tij origjinal. Nëse një shitës bie dakord me blerësin e tij t’i sigurojë një mall të caktuar me një fitim të shtuar mbi koston e tij, kjo quhet një transaksion murabaha. Përbërësi bazë i murabahasë është që shitësi e bën të ditur koston reale që ka pasur për të siguruar mallin dhe më pas i shton një fitim. Ky fitim mund të jetë një shumë e caktuar ose mund të bazohet në një përqindje.

Pagesa në rastin e murabahasë mund të bëhet menjëherë ose në një datë të mëvonshme të rënë dakord mes palëve. Prandaj, murabaha nuk nënkupton domosdoshmërisht konceptin e pagesës së shtyrë, siç besohet në përgjithësi nga disa që nuk janë të njohur me jurisprudencën islame dhe që kanë dëgjuar për murabahanë vetëm në lidhje me transaksionet bankare.

Murabaha, në kuptimin e saj origjinal islam, është thjesht një shitje. E vetmja veçori që e dallon atë nga llojet e tjera të shitjes është se në murabaha, shitësi i tregon shprehimisht blerësit sa ka qenë kostoja e tij dhe sa fitim do të marrë mbi të.

Nëse një person shet një mall për një çmim të caktuar pa përmendur koston, kjo nuk konsiderohet murabaha, edhe nëse ai përfiton mbi koston e tij, sepse shitja nuk bazohet në konceptin “kosto plus”. Në këtë rast, kjo lloj shitjeje quhet musavvama.

Ky është kuptimi i vërtetë i termit murabaha, i cili është një formë e pastër shitjeje. Megjithatë, kjo lloj shitjeje po përdoret nga bankat islame dhe institucionet financiare duke i shtuar disa koncepte të tjera si një mënyrë financimi. Por vlefshmëria e këtyre transaksioneve varet nga disa kushte që duhet të respektohen në mënyrë që ato të jenë të pranueshme sipas Sheriatit.

Për të kuptuar saktë këto kushte, duhet që në fillim të kuptohet se murabaha është një shitje me të gjitha pasojat e saj dhe se të gjithë përbërësit themelorë të një shitjeje të vlefshme duhet të jenë të pranishëm edhe në murabaha. Prandaj, ky diskutim do të fillojë me disa rregulla themelore të shitjes, pa të cilat një shitje nuk mund të konsiderohet e vlefshme sipas Sheriatit. Më pas, do të shqyrtojmë disa rregulla të veçanta që rregullojnë shitjen me murabaha në veçanti dhe në fund do të shpjegojmë procedurën e saktë për përdorimin e murabahasë si një mënyrë e pranueshme financimi.

Është bërë përpjekje që parimet e detajuara të përmblidhen në shënime të shkurtra me fjali sa më të shkurtra, në mënyrë që pikat kryesore të temës të kuptohen me një vështrim të vetëm dhe të mbahen lehtësisht si referencë.

Mudarabah si mënyrë e financimit 

Veprimtaria bankare 

Mudarabah është një lloj partneriteti. Të dyja palët marrin pjesë në fitimin që do të krijohet nga aktiviteti i financuar. Palët janë të lira të bien dakord mbi raportin e ndarjes së fitimit (70% – 30% ose 50% – 50% ose çdo tjetër përqindje). Megjithatë, nëse nuk bien dakord në fillim të kontratës, kjo e fundit është e pavlefshme nga pikëpamja e sheriatit. Për më tepër, sipas  kërkesave të sheriatit i gjithë kapitali në mudarabah duhet të paguhet në momentin e nënshkrimit të kontratës. Nuk lejohet ta paguash më vonë ose me këste. Rub-ul-mal mund të vendosë çdo udhëzim dhe kusht (të arsyeshëm) për agjentin, dhe nëse ai i pranon, ato bëhen pjesë e kontratës. Sapo të fillojë veprimtaria, financuesi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në biznesin e përditshëm. Nëse agjenti nuk ndjek udhëzimet dhe nuk përmbush kushtet, atëherë ai është përgjegjës për humbjen e kapitalit. Mudaribi nuk garanton kapitalin dhe as fitimin për financuesin. Përkundrazi, ai premton ndershmëri dhe sjellje të mirë. Kjo është burimi i rrezikut moral dhe përzgjedhjes negative në mudarabah. 

Fitimet janë çdo shumë që tejkalojnë kapitalin. Prandaj, është thelbësore të likuidohet mudarabah përpara se të shpallet ndonjë fitim. Në vitet e fundit, shumë dijetarë të sheriatit kanë pranuar atë që quhet likuidim konstruktiv. Likuidimi konstruktiv thjesht do të thotë që procedurat kontabël zbatohen për të përcaktuar statusin e fitimit dhe humbjes së veprimtarisë. Ky proces likuidimi mund të bëhet periodikisht duke përdorur procedura kontabël dhe, bazuar në rezultatet e tij, fitimi (ose humbja) mund të shpallet çdo tremujor ose vit. 

Agjenti në Mudarabah nuk ka të drejtë për asgjë tjetër përveç pjesës së tij të fitimeve. Nëse ai (ose financuesi) merr ndonjë të ardhur përpara likuidimit, ajo gjithmonë do të jetë subjekt i rregullimeve kur shpallen rezultatet financiare. Të dyja palët duhet të shmangin çdo kusht në kontratë që mund të zbehë natyrën e veçantë të mudarabah si një “kompani me fitim”. Për shembull, nëse njëra palë kërkon që të marrë $500 të para të fitimeve dhe pjesa tjetër t’i takojë partnerit të tij, atëherë kontrata është e pavlefshme. Kjo për shkak se është e mundur që i gjithë fitimi të jetë vetëm $500. 

Para ardhjes së Islamit, mudarabah ishte mënyra më e zakonshme e financimit në Mekë. Mekasit ishin tregtarët kryesorë të zonës së tyre në shekullin e 7-të, duke sjellë mallra nga India dhe Jemeni dhe duke i shitur ato në Perandorinë Romake. Për të financuar këtë projekt tregtar ndërkombëtar, shumica e tregtarëve të Mekës burra, gra, etj., bëheshin financues. 

Dijetarët bashkëkohorë kanë arritur të zhvillojnë kontratën e mudarabah për t’iu përshtatur nevojave moderne. Në Pakistan, për shembull, është prezantuar një ligj i veçantë për mudarabah, i cili lejon emetimin e çertifikatave të negociueshme të mudarabah. Një përpjekje për të prezantuar një skemë të ngjashme është bërë në Jordani, dhe shumë banka islame po përpiqen të zbatojnë financimin e veçantë mudarabah me klientë të mëdhenj, ku problemi i rrezikut moral apo rrezikut nga keqpërdorimi është më pak i theksuar. 

Rreziqet 

Mudarabah është një mënyrë financimi me rrezik të lartë. Është aq e rrezikshme saqë është pothuajse “e paimagjinueshme” për çdo bankier. Kjo ndodh sepse banka avancon kapitalin te klienti duke u mbështetur plotësisht në integritetin, aftësinë dhe menaxhimin e tij të mirë. Banka jo vetëm që rrezikon kthimin e pritur, por edhe vetë kapitalin. Ky nivel i lartë i rrezikut moral dhe përzgjedhjes negative është i pranishëm në formën klasike të mudarabah. Megjithatë, së fundmi, shumë banka islame kanë arritur të zhvillojnë forma të reja të mudarabah, të bazuara në sheriat, me një shkallë të reduktuar të rrezikut. Për shembull: 

(a) Mudarabah përdoret vetëm me kompani aksionare publike, ku është e mundur një shkallë e arsyeshme transparence, siç janë llogaritë e audituara dhe raportet tremujore të performancës, etj. 

(b) Në kontratë përfshihen garanci dhe siguri, por jo kundër fitimit ose pagesës së kapitalit. Përkundrazi, vetëm kundër humbjeve të shkaktuara nga neglizhenca ose keqmenaxhimi dhe kundër vonesave në kthimin e kapitalit dhe fitimit pas përfundimit të mudarabah. 

(c) Vetëm ato aktivitete ekonomike ku banka mund të shohë lehtësisht se për çfarë po përdoren paratë mund të financohen mbi bazën e mudarabah. Për shembull, një tregtar makinash që blen automjete nga prodhuesi dhe më pas i shet me këste do të ishte i përshtatshëm për një mënyrë të tillë financimi.

Ndërprerja e mudarabah 

Kontrata e mudarabah mund të ndërprehet në çdo kohë nga secila prej dy palëve. Kushti i vetëm është që t’i jepet një njoftim paraprak palës tjetër. Nëse të gjitha asetet e mudarabah janë në formë parash në momentin e ndërprerjes, dhe nëse është realizuar ndonjë fitim mbi shumen kryesore, ai do të shpërndahet midis palëve sipas marrëveshjes së bërë. Megjithatë, nëse asetet e mudarabah nuk janë në formë parash, mudaribi duhet të ketë mundësinë t’i shesë dhe t’i likuidojë ato, në mënyrë që të përcaktohet fitimi real. 

Ka mendime te ndryshme midis dijetarëve nëse kontrata e mudarabah mund të lidhet për një periudhë të caktuar pas së cilës ajo përfundon automatikisht. Shkollat juridike hanafite dhe hanbalite janë të mendimit se mudarabah mund të kufizohet në një afat të veçantë, si një vit, gjashtë muaj, etj., pas së cilës do të përfundojë pa njoftim. Përkundrazi,shkollat Shafite dhe Malikite janë të mendimit se mudarabah nuk mund të kufizohet në një periudhë të caktuar. 

Megjithatë, ky ndryshim në mendime lidhet vetëm me afatin maksimal të kohës së mudarabah. A mund të përcaktohet gjithashtu një afat minimal nga palët, përpara së cilës mudarabah nuk mund të përfundojë? Nuk gjendet ndonjë përgjigje e shprehur për këtë pyetje në librat e fikhut islam, por, bazuar në parimet e përgjithshme të përmendura aty, duket se një kufizim i tillë nuk mund të vendoset, dhe secila palë është e lirë ta përfundojë kontratën kur të dëshirojë. 

Kjo fuqi e pakufizuar e palëve për të përfunduar mudarabah sipas dëshirës së tyre mund të krijojë disa vështirësi në kontekstin e rrethanave të tanishme, sepse shumica e ndërmarrjeve tregtare sot kanë nevojë për kohë për të dhënë rezultate. Ato gjithashtu kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe komplekse. Prandaj, mund të jetë shkatërruese për projektin, nëse rabb-ul-mal përfundon mudarabah që në fillim të projektit. Veçanërisht, kjo mund të sjellë një dëm të rëndë për mudarib-in, i cili nuk do të fitojë asgjë pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij. Prandaj, nëse palët bien dakord, gjatë hyrjes në mudarabah, që asnjë palë të mos e përfundojë atë gjatë një periudhe të caktuar, përveç në rrethana të caktuara, nuk duket se shkelet ndonjë parim i sheriatit, veçanërisht në dritën e hadithit të njohur, që është cituar më parë, i cili thotë: 

Të gjitha kushtet mbi të cilat janë pajtuar myslimanët janë të vlefshme, përveç një kushti që lejon atë që është e ndaluar ose ndalon atë që është e lejuar.

Ndërprerja e musharakah 

Musharakah konsiderohet e ndërprerë në cilëndo nga rastet e mëposhtme: 

(1) Çdo partner ka të drejtë të ndërpresë musharakanë në çdo kohë pas dhënies së një njoftimi partnerit të tij në këtë drejtim, me çka musharakah do të marrë fund. 

Në këtë rast, nëse asetet e musharakah janë në formë parash, të gjitha do të shpërndahen proporcionalisht midis partnerëve. Por nëse asetet nuk janë të likuiduara, partnerët mund të bien dakord ose për likuidimin e aseteve, ose për shpërndarjen apo ndarjen e tyre midis partnerëve ashtu siç janë. Nëse ka një mosmarrëveshje midis partnerëve në këtë çështje, d.m.th. nëse një partner kërkon likuidim ndërsa tjetri dëshiron ndarje ose shpërndarje të aseteve jo likuide, ky i fundit do të ketë përparësi, sepse pas përfundimit të musharakah, të gjitha asetet janë në pronësi të përbashkët të partnerëve, dhe një bashkëpronari i takon e drejta të kërkojë ndarje ose veçim, dhe askush nuk mund ta detyrojë atë për likuidim. Megjithatë, nëse asetet janë të tilla që nuk mund të ndahen ose të ndahen fizikisht, si p.sh. makineritë, atëherë ato do të shiten dhe të ardhurat nga shitja do të shpërndahen. 

(2) Nëse ndonjëri nga partnerët vdes gjatë kohëzgjatjes së musharakah, kontrata e musharakah me të përfundon. Trashëgimtarët e tij në këtë rast do të kenë opsionin ose të tërheqin pjesën e të ndjerit nga biznesi, ose të vazhdojnë me kontratën e musharakah. 

(3) Nëse ndonjëri nga partnerët bëhet i çmendur ose ndryshe bëhet i paaftë për të kryer transaksione tregtare, musharakah përfundon. 

Ndërprerja e musharakah pa mbylljen e biznesit 

Nëse njëri prej partnerëve dëshiron ndërprerjen e musharakah, ndërsa partneri ose partnerët e tjerë dëshirojnë të vazhdojnë me biznesin, ky qëllim mund të arrihet me marrëveshje të ndërsjellë. Partnerët që dëshirojnë të vazhdojnë biznesin mund të blejnë pjesën e partnerit që dëshiron të ndërpresë partneritetin e tij, sepse ndërprerja e  musharakah me një partner nuk nënkupton ndërprerjen e saj midis partnerëve të tjerë. 

Megjithatë, në këtë rast, çmimi i pjesës së partnerit që largohet duhet të përcaktohet me konsensus të ndërsjellë, dhe nëse ka një mosmarrëveshje për vlerësimin e pjesës dhe partnerët nuk bien dakord, partneri që largohet mund të detyrojë partnerët e tjerë për likuidim ose për shpërndarjen e aseteve. 

Shtrohet pyetja që, gjatë hyrjes në kontratën e musharakah partneret te bien dakord për një kusht që likuidimi ose ndarja e biznesit të mos realizohet përveç nëse të gjithë partnerët, ose shumica e tyre, dëshirojnë ta bëjnë këtë, dhe që një partner i vetëm që dëshiron të largohet nga partneriteti duhet të shesë pjesën e tij tek partnerët e tjerë dhe të mos i detyrojë ata për likuidim ose ndarje. 

Shumica e librave tradicionalë të fikhut islam duket se nuk e trajtojnë  këtë çështje. Megjithatë, duket se nuk ka pengesë nga pikëpamja e sheriatit nëse partnerët bien dakord për një kusht të tillë që në fillim të musharakah. Kjo lejohet qartë nga disa juristë hanbali. 

Ky kusht mund të justifikohet, veçanërisht në situatat moderne, mbi bazën se natyra e biznesit sot në të shumtën e rasteve, kërkon vazhdimësi për suksesin e tij, dhe likuidimi ose ndarja vetëm me kërkesën e një partneri të vetëm mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për partnerët e tjerë. 

Nëse një biznes i veçantë është filluar me shuma të mëdha parash që janë investuar në një projekt afatgjatë, dhe njëri prej partnerëve kërkon likuidim në fillim të projektit, dhe t’i jepet atij një fuqi kaq arbitrare për likuidim ose ndarje, kjo mund të dëmtojë shumë interesat e partnerëve dhe zhvillimin ekonomik të shoqërisë. Prandaj, një kusht i tillë është i justifikuar dhe mund të mbështetet nga parimi i përgjithshëm i vendosur nga Profeti  (paqja qoftë mbi të) në hadithin: 

Të gjitha kushtet mbi të cilat janë pajtuar myslimanët janë të vlefshme, përveç një kushti që lejon atë që është e ndaluar ose ndalon atë që është e lejuar.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
17.5 ° C
17.5 °
17.5 °
63 %
2.1kmh
0 %
Sat
27 °
Sun
26 °
Mon
28 °
Tue
28 °
Wed
24 °