Ballina Blog Faqe 46

Ndarja e humbjes 

Në rastin e humbjes në financimin e musharakës, të gjithë juristët myslimanë janë të një mendimi se çdo partner duhet të përballojë humbjen saktësisht sipas përqindjes së investimit të tij. Kështu, nëse një partner ka investuar 40% të kapitalit, ai duhet të përballojë 40% të humbjes, as më shumë, as më pak, dhe çdo kusht që bie ndesh me këtë parim do ta bëjë kontratën të pavlefshme. Ka një konsensus të plotë mes juristëve mbi këtë parim.

Prandaj, sipas imam Shafiut, përqindja e pjesës së një partneri në fitim dhe në humbje duhet të jetë gjithmonë në përputhje me përqindjen e investimit të tij.

Por, sipas imam Ebu Hanifes dhe imam Ahmedit, përqindja e fitimit mund të ndryshojë nga përqindja e investimit, sipas marrëveshjes mes partnerëve, por humbja duhet të ndahet mes tyre saktësisht në përputhje me përqindjen e kapitalit të investuar nga secili prej tyre.

Ky parim përmendet edhe në maksimën e njohur:

“Fitimi bazohet në marrëveshjen e palëve, por humbja gjithmonë i nënshtrohet përqindjes së investimit.”

Raporti i fitimit 

A është e nevojshme që raporti i fitimit të çdo partneri të jetë në përpjesëtim me shumën e kapitalit të investuar nga ai? Ekzistojnë mendime të ndryshme mes juristëve myslimanë lidhur me këtë pyetje. 

Sipas mendimit të imam Malikut dhe imam Shafiut, është e nevojshme që për vlefshmërinë e musharakës çdo partner të marrë fitimin saktësisht në proporcion me investimin e tij. Prandaj, nëse A ka investuar 40% të kapitalit total, ai duhet të marrë 40% të fitimit. Çdo marrëveshje tjetër për të marrë më shumë ose më pak se 40% do ta bënte musharakën të pavlefshme sipas Sheriatit. 

Nga ana tjetër, mendimi i Imam Ahmedit është që raporti i fitimit mund të ndryshojë nga raporti i investimit, nëse është rënë dakord mes partnerëve me konsensusin e tyre të lirë. Pra, është e lejueshme që një partner me 40% të investimit të marrë 60% ose 70% të fitimit, ndërsa partneri tjetër me 60% të investimit të marrë vetëm 40% ose 30%. 

Mendimi i tretë është paraqitur nga Imam Ebu Hanife, i cili mund të merret si një rrugë e mesme mes dy mendimeve të përmendura më lart. Ai thotë që raport i fitimit mund të ndryshojë nga raporti investimit në kushte normale. Megjithatë, nëse një partner ka vendosur një kusht të shprehur në marrëveshje që ai nuk do të punojë kurrë për musharakën dhe do të mbetet një partner jo aktiv gjatë gjithë periudhës së musharakës,  atëherë pjesa e tij e fitimit nuk mund të jetë më shumë se pjesa e investimit të tij. 

Natyra e kapitalit në musharakah

Shumica e juristëve myslimanë janë të mendimit se kapitali i investuar nga secili partner duhet të jetë në formë likuide. Kjo do të thotë se kontrata e musharakah mund të bazohet vetëm në para dhe jo në mallra. Me fjalë të tjera, kapitali aksionar i një ndërmarrjeje të përbashkët duhet të jetë në formë monetare. Asnjë pjesë e tij nuk mund të kontribuohet në mallra ose shërbime. Megjithatë, ka mendime të ndryshme në këtë drejtim. 

  1. Imam Maliku është i mendimit se likuiditeti i kapitalit nuk është një kusht për vlefshmërinë e musharakah, prandaj, është e lejueshme që një partner të kontribuojë në musharakah në mallra, por pjesa e tij do të përcaktohet mbi bazën e vlerësimit sipas çmimit të tregut të vlefshëm në datën e kontratës. Ky mendim është gjithashtu i pranuar nga disa juristë Hanbeli. 
  1. Imam Ebu Hanife dhe Imam Ahmedi janë të mendimit se asnjë kontribut në mallra nuk është i pranueshëm në një musharakah. Qëndrimi i tyre bazohet në dy arsye: 

Së pari, ata thonë se mallrat e secilit partner janë gjithmonë të dallueshme nga mallrat e tjetrit. Për shembull, nëse A ka kontribuar një makinë në biznes dhe B ka ardhur me një makinë tjetër, secila nga të dy makinat është pronë ekskluzive e pronarit të saj origjinal. Tani, nëse makina e A shitet, të ardhurat nga shitja duhet të shkojnë te A. B nuk ka të drejtë të kërkojë një pjesë në çmimin e saj. Prandaj, për sa kohë që prona e secilit partner është e dallueshme nga prona e tjetrit, nuk mund të ndodhë asnjë partneritet. Përkundrazi, nëse kapitali i investuar nga çdo partner është në formë parash, kapitali aksionar i secilit partner nuk mund të dallohet nga ai i tjetrit, sepse njësitë e parave nuk janë të dallueshme, prandaj, ato do të konsiderohen si një fond i përbashkët dhe kështu krijohet partneriteti. 

Së dyti, ata thonë, ka një numër situatash në një kontratë të musharakah ku partnerët duhet t’i rikthejnë kapitalin aksionar secilit partner. Nëse kapitali aksionar ishte në formë mallrash, një rikthim i tillë nuk mund të ndodhë, sepse mallrat mund të jenë shitur në atë kohë. Nëse kapitali kthehet mbi bazën e vlerës së tij, vlera mund të jetë rritur dhe ekziston mundësia që një partner të marrë gjithë fitimin e biznesit, për shkak të vlerësimit të mallrave që ai ka investuar, duke mos lënë asgjë për partnerin tjetër. Përkundrazi, nëse vlera e atyre mallrave ulet, ekziston mundësia që një partner të sigurojë një pjesë të çmimit origjinal të mallrave të partnerit tjetër përveç investimit të tij. 

  1. Imam Shafiu ka ardhur me një qëndrim të balancuar ndërmjet dy pikëpamjeve të shpjeguara më lart. Ai thotë se mallrat janë të dy llojeve: 
  1. a) Dhevat-ul-emthal (dmth. mallrat të cilat, nëse shkatërrohen, mund të kompensohen me mallra të ngjashme në cilësi dhe sasi, p.sh. gruri, orizi, etj. Nëse 100 kilogramë grurë shkatërrohen, ato mund të zëvendësohen lehtësisht me 100 kg grurë të së njëjtës cilësi).
  2. b) Dhevat-ul-kimeh (dmth. mallrat të cilat nuk mund të kompensohen me mallra të ngjashme, si për shembull bagëtitë. Çdo dele, për shembull, ka karakteristikat e saj të veçanta që nuk mund të gjenden te ndonjë dele tjetër. Prandaj, nëse dikush vret delen e një personi, ai nuk mund ta kompensojë atë duke i dhënë një dele të ngjashme. Përkundrazi, ai është i detyruar të paguajë çmimin e saj).

Prandaj, Imam Shafiu thotë se mallrat e llojit të parë (dmth. dhevat-ul-emthal) mund të bëjn pjesë në musharakah si pjesë e kapitalit të një partneri, ndërsa mallrat e llojit të dytë (dmth. dhevat-ul-kimeh) nuk mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar. 

Me këtë dallim midis dhevat-ul-emthal dhe dhevat-ul-kimeh, Imam Shafiu ka adresuar kundërshtimin e dytë mbi ‘pjesëmarrjen me mallra’, siç u shpreh nga Imam Ahmedi. Kjo për shkak se, në rastin e devat-ul-emthal, rishpërndarja e kapitalit mund të bëhet duke i dhënë secilit partner mallrat e ngjashme që kishte investuar. Megjithatë, kundërshtimi i parë mbetet ende i paqartë nga Imam Shafiu. 

Për të adresuar edhe këtë kundërshtim, Imam Ebu Hanife thotë se mallrat që bien nën kategorinë dhevat-ul-emthal mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar vetëm nëse mallrat e ofruar nga secili partner janë përzier së bashku, në mënyrë të tillë që mallrat e një partneri të mos dallohen nga ato të tjetrit. 

Me pak fjalë, nëse një partner dëshiron të marrë pjesë në një musharakah duke kontribuar me disa mallra, ai mund ta bëjë këtë sipas Imam Malikut pa asnjë kufizim, dhe pjesa e tij në musharakah do të përcaktohet mbi bazën aktuale te vlerës së tregut të mallrave, të vlefshme në datën e fillimit të musharakah. Sipas Imam Shafiut , kjo mund të bëhet vetëm nëse mallrat janë nga kategoria dhevat-ul-emthal. 

Sipas Imam Ebu Hanifes, nëse mallrat janë dhevat-ul-emthal, kjo mund të bëhet duke përzier mallrat e secilit partner së bashku. Dhe nëse mallrat janë dhevat-ul-kimeh, atëherë ato nuk mund të formojnë pjesë të kapitalit aksionar. 

Duket se mendimi i Imam Malikut është më i thjeshtë dhe më i arsyeshëm dhe i përshtatet nevojave të biznesit modern.

Shirkat’ul-milk dhe shirkat’ul-akd 

Musharakah është një term që përdoret shpesh në kontekstin e metodave islame të financimit. Kuptimi i këtij termi është pak më i kufizuar sesa termi “shirkah” që përdoret më shpesh në jurisprudencën islame. Për të qartësuar konceptet bazë, është e përshtatshme që në fillim të shpjegojmë kuptimin e secilit term, duke i dalluar nga njëri-tjetri. 

“Shirkah” do të thotë “ndarje” dhe në terminologjinë e Fikhut Islam, është ndarë në dy lloje: 

Shirkat’ul-milk 

Shirkat-ul-Milk do të thotë pronësi e përbashkët e dy ose më shumë personave në një pasuri të caktuar. Ky lloj “shirkah” mund të lindë në dy mënyra të ndryshme: Ndonjëherë vjen në funksionim me zgjedhjen e palëve. Për shembull, nëse dy ose më shumë persona blejnë një pajisje, ajo do të zotërohet bashkërisht nga të dy dhe marrëdhënia midis tyre në lidhje me atë pasuri quhet “shirkat-ul-milk”. Këtu, kjo marrëdhënie ka ardhur në ekzistencë me zgjedhjen e tyre, pasi ata vetë vendosën të blinin pajisjen së bashku. 

Por ka raste kur ky lloj “shirkah” vepron automatikisht pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga palët. Për shembull, pas vdekjes së një personi, të gjithë trashëgimtarët e tij trashëgojnë pasurinë e tij, e cila hyn në pronësinë e tyre të përbashkët si pasojë e vdekjes së atij personi. 

Shirkat’ul-akd 

Shirkat’ul-akd është lloji i dytë i shirkah, që do të thotë “një partneritet i krijuar nga një kontratë e ndërsjellë”. Me pak fjalë, mund të përkthehet gjithashtu si “ndërmarrje e përbashkët tregtare”. 

Shirkat-ul-’akd ndahet më tej në tre lloje: 

  1. Shirkat’ul-emval: Ku të gjithë partnerët investojnë  kapital në një ndërmarrje tregtare. 
  1. Shirkat’ul-a’mal: Ku të gjithë partnerët bashkërisht ofrojnë disa shërbime për klientët e tyre dhe tarifa e ngarkuar ndaj tyre shpërndahet midis tyre sipas një raporti të rënë dakord. Për shembull, nëse dy persona bien dakord të ofrojnë shërbime qepjeje për klientët e tyre me kushtin që fitimet e fituara të shkojnë në një fond të përbashkët që do të shpërndahet midis tyre pavarësisht nga madhësia e punës që secili partner ka bërë realisht, ky partneritet do të jetë një shirkat-ul-a’mal, i cili quhet gjithashtu Shirkat’ut-taqabbul, Shirkat-us-sana’i’ ose shirkat-ul-abdan. 
  1. Shirkat’ul-vuxhuh: Këtu partnerët nuk investojnë fare. Gjithçka që bëjnë është që blejnë mallra me çmim të shtyrë dhe i shesin ato me pagesë të menjëhershme. Fitimi i realizuar shpërndahet midis tyre me një raport të rënë dakord. 

Të gjitha këto mënyra të “ndarjes” ose partneritetit quhen “shirkah” në terminologjinë e Fikhut Islam, ndërsa termi “musharakah” nuk gjendet në librat e Fikhut. Ky term (pra, musharakah) është futur kohët e fundit nga ata që kanë shkruar mbi temën e metodave islame të financimit dhe zakonisht kufizohet në një lloj të veçantë të “Shirkah”, që është shirkat’ul-emval, ku dy ose më shumë persona investojnë një pjesë të kapitalit të tyre në një ndërmarrje të përbashkët tregtare. Megjithatë, ndonjëherë përfshin edhe shirkat’ul-a’mal, ku partneriteti ndodh në biznesin e shërbimeve. 

Është e qartë nga ky diskutim se termi “Shirkah” ka një kuptim shumë më të gjerë sesa termi “musharakah” siç përdoret sot. Ky i fundit kufizohet vetëm në “Shirkat-ul-amwal”, ndërsa i pari përfshin të gjitha llojet e pronësisë së përbashkët dhe ato të partneritetit. Tabela 1 do të tregojë llojet e ndryshme të “Shirkah” dhe dy llojet që quhen “musharakah” në terminologjinë moderne. 

Meqenëse “musharakah” është më e rëndësishe për qëllimin e diskutimit tonë dhe është pothuajse e ngjashme me “Shirkat-ul-amwal”, do të ndalemi tek ajo, duke shpjeguar fillimisht konceptin tradicional të këtij lloji të Shirkah, pastaj duke dhënë një përmbledhje të zbatimit të saj në konceptin e financimit në kontekstin modern. 

Musharakah – shpërndarja e fitimit 

Përqindja e fitimit që do të shpërndahet midis partnerëve duhet të caktohet në momentin e lidhjes së kontratës së Musharakah. Nëse një përqindje e tillë nuk është përcaktuar, kontrata nuk është e vlefshme sipas Sheriatit. 

Pjesa e fitimit për secilin partner duhet të përcaktohet në përpjesëtim me fitimin real të realizuar nga biznesi dhe jo në përpjesëtim me kapitalin e investuar prej tij. Nuk lejohet të caktohet një shumë fikse për asnjërin prej partnerëve, apo ndonjë normë fitimi e lidhur me investimin e tij. 

Prandaj, nëse A dhe B hyjnë në një partneritet dhe bien dakord që A do të marrë Rs 10,000/- në muaj si pjesën e tij në fitim, dhe pjesa tjetër do t’i shkojë B-së, partneriteti është i pavlefshëm. Po ashtu, nëse bien dakord që A do të marrë 15% të investimit të tij, kontrata nuk është e vlefshme. Baza e saktë për shpërndarjen do të ishte një përqindje e rënë dakord e fitimit real të realizuar nga biznesi. 

Nëse është rënë dakord për një shumë fikse ose një përqindje të caktuar të investimit për ndonjërin prej partnerëve, kjo duhet të përmendet qartë në marrëveshje që do të jetë subjekt i zgjidhjes përfundimtare në fund të periudhës, që do të thotë se çdo shumë e marrë nga ndonjë partner do të trajtohet si ‘pagesë e ndërmjetme’ dhe do të rregullohet me fitimin real që ai mund të meritojë në fund të periudhës. Por nëse nuk realizohet në fakt ndonjë fitim ose është më pak se sa pritej, shuma e marrë nga partneri do të duhet të kthehet.

Mudarabah – shpërndarja e fitimit 

Është e nevojshme për vlefshmërinë e mudarabah që palët të bien dakord, që në fillim, për një përqindje të caktuar të fitimit real që secila prej tyre ka të drejtë të marrë. Nuk është përcaktuar ndonjë përqindje e veçantë nga Sheriati, përkundrazi kjo është lënë në marrëveshjen e tyre të ndërsjellë. Ato mund të ndajnë fitimin në përqindje të barabarta, dhe gjithashtu mund të caktojnë përqindje të ndryshme për rabb-ul-mal dhe mudarib. Megjithatë, ato nuk mund të caktojnë një shumë të caktuar të fitimit për asnjërën palë, dhe as nuk mund të përcaktojnë pjesën e asnjërës palë në një normë specifike të lidhur me kapitalin. Për shembull, nëse kapitali është Rs. 100000/-, ato nuk mund të bien dakord për një kusht që Rs. 10000/- nga fitimi të jetë pjesa e mudarib, dhe as nuk mund të thonë që 20% e kapitalit do t’i jepet rabb-ul-mal. Megjithatë, ato mund të bien dakord që 40% e fitimit real të shkojë te mudarib dhe 60% te rabb-ul-mal ose anasjelltas. 

Lejohet gjithashtu që për përqindje të ndryshme të bien dakord në situata të ndryshme. Për shembull, rabb-ul-mal mund t’i thotë mudarib-it, “Nëse tregton në grurë, do të marrësh 50% të fitimit dhe nëse tregton në miell, do të kesh 33% të fitimit.” Po ashtu, ai mund të thotë, “Nëse bën biznes në qytetin tënd, do të kesh të drejtë për 30% të fitimit, dhe nëse e bën në një qytet tjetër, pjesa jote do të jetë 50% e fitimit.” 

Përveç përqindjes së fitimit  për të cilën kanë rënë dakord , siç është përcaktuar në mënyrën e mësipërme, mudarib-i nuk mund të kërkojë asnjë pagë periodike, tarifë apo shpërblim për punën e kryer prej tij për mudarabah. 

Të gjitha shkollat e Fikhut Islam janë unanime për këtë pikë. Megjithatë, Imam Ahmedi ka lejuar që mudarib-i të marrë vetëm shpenzimet e tij ditore për ushqim nga llogaria e mudarabah. 

Juristët Hanefi e kufizojnë këtë të drejtë të mudarib-it vetëm në një situatë kur ai është në një udhëtim biznesi jashtë qytetit të tij. Në këtë rast, ai mund të kërkojë shpenzimet personale, akomodimin, ushqimin, etj., por ai nuk ka të drejtë të marrë asgjë si dieta ditore kur është në qytetin e tij. 

Nëse biznesi ka pësuar humbje në disa transaksione dhe ka fituar në disa të tjera, fitimi do të përdoret për të kompensuar humbjen në radhë të parë, pastaj pjesa e mbetur, nëse ka, do të ndahet mes palëve sipas përqindjes së rënë dakord.

Musharakah e pakësuar 

Musharakah e pakësuar, bazuar në konceptin e mësipërm, ka marrë forma të ndryshme në transaksione të ndryshme. Disa shembuj janë dhënë më poshtë: 

  1. Kjo është përdorur kryesisht në financimin e shtëpive. Klienti dëshiron të blejë një shtëpi për të cilën nuk ka fonde të mjaftueshme. Ai i drejtohet financuesit që pranon të marrë pjesë me të në blerjen e shtëpisë së kërkuar. 20% e çmimit paguhet nga klienti dhe 80% e çmimit nga financuesi. Kështu, financuesi zotëron 80% të shtëpisë, ndërsa klienti zotëron 20%. Pas blerjes së pronës së përbashkët, klienti përdor shtëpinë për nevojat e tij banesore dhe paguan qira financuesit për përdorimin e pjesës së tij në pronë. Njëkohësisht, pjesa e financuesit ndahet më tej në tetë njësi të barabarta, ku çdo njësi përfaqëson 10% të pronës. Klienti i premton financuesit që do të blejë një njësi pas tre muajsh. Si pasojë, pas periudhës së parë prej tre muajsh, ai blen një njësi të pjesës së financuesit duke paguar 1/10 e çmimit të shtëpisë. Kjo e redukton pjesën e financuesit nga 80% në 70%. Pra, qiraja që i paguhet financuesit është gjithashtu e reduktuar në atë masë. Në fund të periudhës së dytë, ai blen një njësi tjetër, duke rritur pjesën e tij në pronë në 40% dhe duke e reduktuar pjesën e financuesit në 60%, duke bërë që qira të reduktohet në përpjesëtim. Ky proces vazhdon në të njëjtën mënyrë derisa, pas dy vjetësh, klienti të blejë të gjithë pjesën e financuesit dhe të zvogëlojë pjesën e financuesit në ‘zero’ dhe të rrisë pjesën e tij në 100%. 

Ky rregullim i lejon financuesit të kërkojë qira sipas pjesës së tij të pronës dhe njëkohësisht i lejon atij kthimin periodik të një pjese të kapitalit të tij përmes blerjes së njësive të pjesës së tij. 

  1. ‘A’ dëshiron të blejë një taksi për ta përdorur për ofrimin e shërbimeve të transportit për pasagjerët dhe për të fituar të ardhura përmes tarifave të mbledhura prej tyre, por ai nuk ka fonde te mjaftueshme. ‘B’ pranon të marrë pjesë në blerjen e taksisë, kështu që të dy ata blejnë një taksi së bashku. 80% e çmimit paguhet nga ‘B’ dhe 20% paguhet nga ‘A’. Pas blerjes së taksisë, ai përdoret për të ofruar transport për pasagjerët, duke fituar një të ardhur neto prej 1000/- Rs në baza ditore. Pasi ‘B’ ka një pjesë prej 80% në investim, është rënë dakord që 80% e tarifës do t’i jepet atij dhe pjesa tjetër prej 20% do të mbetet te ‘A’, i cili ka një pjesë prej 20% . Kjo do të thotë se 800/- Rs fitohen nga ‘B’ dhe 200/- Rs nga ‘A’ në baza ditore. Njëkohësisht, pjesa e ‘B’ ndahet në tetë njësi. Pas tre muajsh, ‘A’ blen një njësi nga pjesa e ‘B’. Si pasojë, pjesa e ‘B’ reduktohet në 70% dhe pjesa e ‘A’ rritet në 30%, që do të thotë se që nga ajo datë, ‘A’ do të ketë të drejtë të fitojë 300/- Rs nga të ardhurat ditore të taksisë dhe ‘B’ do të fitojë 700/-. Ky proces do të vazhdojë derisa, pas dy vjetësh, i  gjithë investimi të jetë në pronësi të ‘A’ dhe ‘B’ do të marrë mbrapsht investimin e tij fillestar së bashku me të ardhurat e shpërndara siç është përmendur më sipër. 
  2. ‘A’ dëshiron të fillojë një biznes me rroba të gatshme, por i mungojnë fondet e nevojshme për atë biznes. ‘B’ pranon të marrë pjesë me të për një periudhë të caktuar, për shembull dy vjet. 40% e investimit kontribuohet nga ‘A’ dhe 60% nga ‘B’. Të dy fillojnë biznesin mbi bazën e musharakah. Proporcioni i fitimit që i takon secilit prej tyre është rënë dakord qartë. Por njëkohësisht, pjesa e ‘B’ në biznes ndahet në gjashtë njësi të barabarta dhe ‘A’ vazhdon të blejë këto njësi në mënyrë graduale derisa, pas dy vjetësh, ‘B’ të dalë nga biznesi, duke lënë pronësinë ekskluzive te ‘A’. Përveç fitimeve periodike që ‘B’ fiton, ai merr çmimin e njësive të pjesës së tij, të cilat, në terma praktikë, i kthejnë atij shumën fillestare të investuar. 

Menaxhimi i musharakah 

Parimi normal i musharakah është që çdo partner ka të drejtë të marrë pjesë në menaxhimin e saj dhe të punojë për të. Megjithatë, partnerët mund të bien dakord për një kusht që menaxhimi do të kryhet vetëm nga njëri prej tyre dhe asnjë partner tjetër nuk do të punojë për musharakah. Por në këtë rast, partneri pasiv do të ketë të drejtë për fitim vetëm deri në masën e investimit të tij, dhe raporti i fitimit të caktuar për të nuk duhet të tejkalojë raportin e investimit të tij, siç u diskutua më herët. 

Megjithatë, nëse të gjithë partnerët bien dakord të punojnë për ndërmarrjen e përbashkët, secili prej tyre do të trajtohet si përfaqësues i tjetrit në të gjitha çështjet e biznesit dhe çdo punë e kryer nga njëri prej tyre në kuadër të veprimtarisë normale të biznesit do të konsiderohet e autorizuar nga të gjithë partnerët. 

Kombinimi i musharakah dhe mudarabah 

Një kontratë e mudarabah zakonisht supozon që mudaribi nuk ka investuar asgjë në mudarabah. Ai është përgjegjës vetëm për menaxhimin, ndërsa i gjithë investimi vjen nga rabb-ul-mal. Por mund të ketë situata ku mudaribi gjithashtu dëshiron të investojë disa nga paratë e tij në biznesin e mudarabah. Në raste të tilla, musharakah dhe mudarabah kombinohen së bashku. 

Për shembull, A i dha B-së 100000 Rs. në një kontratë të mudarabah. B shtoi 50000 Rs. nga xhepi i tij me lejen e A-së. 

Ky lloj partneriteti do të trajtohet si një kombinim i musharakah dhe mudarabah. Këtu mudaribi mund të caktojë për veten një përqindje të caktuar të fitimit për shkak të investimit të tij si sharik, dhe në të njëjtën kohë mund të caktojë një përqindje tjetër për menaxhimin dhe punën e tij si mudarib. 

Baza normale për ndarjen e fitimit në shembullin e mësipërm do të ishte që B të siguronte një të tretën e fitimit real për shkak të investimit të tij, ndërsa dy të tretat e mbetura të fitimit do të ndaheshin midis tyre në mënyrë të barabartë. Megjithatë, palët mund të bien dakord për çdo përpjesëtim tjetër. Kushti i vetëm është që partneri pasiv të mos marrë një përqindje më të madhe se përpjesëtimi i investimit të tij. 

Prandaj, në shembullin e përmendur, A nuk mund të caktojë për veten më shumë se dy të tretat e fitimit të përgjithshëm, pasi ai nuk ka investuar më shumë se dy të tretat e kapitalit të përgjithshëm. Për më pak se kaq, ata mund të bien dakord për çdo përpjesëtim. Nëse ata kanë rënë dakord që fitimi i përgjithshëm të shpërndahet në mënyrë të barabartë, kjo do të thotë se një e treta e fitimit do t’i shkojë B-së si investitor, ndërsa një e katërta e dy të tretave të mbetura do t’i shkojë atij si mudarib. Pjesa tjetër do t’i jepet A-së si “rabb-ul-mal.”

Hyrje në musharakah

Musharakah është një fjalë me origjinë arabe që fjalë për fjalë do të thotë “ndarje”. Në kontekstin e biznesit dhe tregtisë, ajo nënkupton një ndërmarrje të përbashkët në të cilën të gjithë partnerët ndajnë fitimin ose humbjen e ndërmarrjes së përbashkët. Ajo përfaqëson një alternativë ideale për financimin me bazë interesi, me ndikime të gjera si në prodhim ashtu edhe në shpërndarje. Në ekonominë moderne kapitaliste, interesi është instrumenti i vetëm që përdoret pa dallim në financimin e çdo lloji. Meqenëse Islami e ka ndaluar interesin, ky instrument nuk mund të përdoret për të siguruar fonde të çfarëdo lloji. Prandaj, musharakah mund të luajë një rol jetik në një ekonomi të bazuar në parimet islame. 

Interesi paracakton një normë të caktuar kthimi për një hua të dhënë nga financuesi, pavarësisht nga fitimi i realizuar ose humbja e pësuar nga debitori, ndërsa musharakah nuk parashikon një normë të caktuar kthimi. Përkundrazi, kthimi në musharakah bazohet në fitimin real të realizuar nga ndërmarrja e përbashkët. Financuesi në një hua me interes nuk mund të pësojë humbje, ndërsa financuesi në musharakah mund të pësojë humbje, nëse ndërmarrja e përbashkët nuk jep rezultate. Islami e ka quajtur interesin si një instrument të padrejtë të financimit, sepse ai sjell padrejtësi ose ndaj kreditorit ose ndaj debitorit. Nëse debitori pëson humbje, është e padrejtë nga ana e kreditorit të kërkojë një normë të caktuar kthimi; dhe nëse debitori fiton një normë shumë të lartë fitimi, është e padrejtë ndaj kreditorit që t’i japë atij vetëm një përqindje të vogël të fitimit, duke lënë pjesën tjetër për debitorin. 

Në sistemin ekonomik modern, janë bankat ato që i avancojnë paratë e depozituesve si hua për industrialistët dhe tregtarët. Nëse industrialistët që kanë vetëm dhjetë milionë nga kapitali i tyre, sigurojnë 90 milionë nga bankat dhe ndërmarrin një projekt të madh fitimprurës, kjo do të thotë që 90% e projektit është krijuar nga paratë e depozituesve, ndërsa vetëm 10% është krijuar nga kapitali i tyre. Nëse ky projekt i madh sjell fitime të mëdha, vetëm një përqindje e vogël, pra 14 ose 15%, do t’u shkojë depozituesve përmes bankës, ndërsa pjesa tjetër do të përfitohet nga industrialistët, kontributi real i të cilëve në projekt nuk është më shumë se 10%. Edhe kjo përqindje e vogël prej 14 ose 15% merret mbrapsht nga industrialistët, sepse kjo përqindje përfshihet prej tyre në koston e prodhimit të tyre. 

Rezultati neto është që i gjithë fitimi i ndërmarrjes fitohet nga personat, kapitali i të cilëve nuk kalon 10% të investimit total, ndërsa njerëzit që zotërojnë 90% të investimit nuk marrin më shumë se normën fikse të interesit, e cila shpesh u kthehet atyre përmes rritjes së çmimeve të produkteve. Përkundrazi, nëse në një situatë ekstreme, industrialistët falimentojnë, humbja e tyre nuk është më shumë se 10%, ndërsa pjesa tjetër prej 90% mbulohet plotësisht nga banka dhe, në disa raste, nga depozituesit. Në këtë mënyrë, norma e interesit është shkaku kryesor për pabarazitë në sistemin e shpërndarjes, e cila ka një prirje të vazhdueshme në favor të të pasurve dhe kundër interesave të të varfërve. 

Përkundrazi, Islami ka një parim të qartë për financuesin. Sipas parimeve islame, një financues duhet të përcaktojë nëse ai po jep një hua për të ndihmuar debitorin për arsye humanitare apo dëshiron të ndajë fitimet e tij. Nëse ai dëshiron të ndihmojë debitorin, duhet të përmbahet nga kërkimi i ndonjë teprice mbi kapitalin kryesor të huasë së tij, sepse qëllimi i tij është ta ndihmojë atë. Megjithatë, nëse ai dëshiron të ketë një pjesë në fitimet e debitorit të tij, është e nevojshme që ai të ndajë gjithashtu edhe humbjet e tij. 

Kështu, kthimet e financuesit në musharakah janë të lidhura me fitimet reale të realizuara përmes ndërmarrjes. Sa më të mëdha të jenë fitimet e ndërmarrjes, aq më i lartë do të jetë kthimi për financuesin. Nëse ndërmarrja fiton fitime të mëdha, të gjitha këto nuk mund të sigurohen ekskluzivisht nga industrialisti, por ato do të ndahen me njerëzit e zakonshëm si depozitues në bankë. Në këtë mënyrë, musharakah ka një prirje për të favorizuar njerëzit e zakonshëm dhe jo vetëm të pasurit. 

Kjo është filozofia bazë që shpjegon pse Islami ka sugjeruar musharakah si një alternativë ndaj financimit me bazë interesi. Pa dyshim, musharakah përfshin një sërë problemesh praktike në zbatimin e saj të plotë si një mënyrë universale financimi. Ndonjëherë supozohet se musharakah është një instrument i vjetër që nuk mund të ecë me hapin e nevojës gjithnjë në rritje për transaksione të shpejta. Megjithatë, ky supozim vjen për shkak të mungesës së njohurive të duhura mbi parimet e musharakah. 

Në fakt, Islami nuk ka përcaktuar një formë ose procedurë specifike për musharakah. Përkundrazi, ai ka vendosur disa parime të gjera që mund të akomodojnë forma dhe procedura të shumta. Një formë ose procedurë e re në musharakah nuk mund të refuzohet thjesht sepse nuk ka një precedent në të kaluarën. Në fakt, çdo formë e re mund të jetë e pranueshme për Sheriatin për aq kohë sa nuk shkel asnjë parim bazë të përcaktuar nga Kurani i Shenjtë, Suneti ose konsensusi i juristëve myslimanë. Prandaj, nuk është e nevojshme që musharakah të zbatohet vetëm në formën e saj tradicionale të vjetër. 

Kapitulli i tanishëm përmban një diskutim mbi parimet bazë të musharakah dhe mënyrën se si ajo mund të zbatohet në kontekstin e biznesit dhe tregtisë moderne. Ky diskutim ka për qëllim prezantimin e musharakah si një mënyrë moderne financimi, pa shkelur në asnjë mënyrë parimet e saj bazë. Musharakah është prezantuar me referencë në librat e jurisprudencës islame dhe problemet bazë që mund të hasen në zbatimin e saj në një situatë moderne. Shpresohet që ky diskutim i shkurtër të hapë horizonte të reja për mendimin e juristëve dhe ekonomistëve myslimanë dhe të ndihmojë në zbatimin e një ekonomie të vërtetë islame. 

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
21.5 ° C
21.5 °
21.5 °
49 %
4.1kmh
0 %
Fri
21 °
Sat
27 °
Sun
26 °
Mon
28 °
Tue
28 °