Ndërprerja e mudarabah 

Kontrata e mudarabah mund të ndërprehet në çdo kohë nga secila prej dy palëve. Kushti i vetëm është që t’i jepet një njoftim paraprak palës tjetër. Nëse të gjitha asetet e mudarabah janë në formë parash në momentin e ndërprerjes, dhe nëse është realizuar ndonjë fitim mbi shumen kryesore, ai do të shpërndahet midis palëve sipas marrëveshjes së bërë. Megjithatë, nëse asetet e mudarabah nuk janë në formë parash, mudaribi duhet të ketë mundësinë t’i shesë dhe t’i likuidojë ato, në mënyrë që të përcaktohet fitimi real. 

Ka mendime te ndryshme midis dijetarëve nëse kontrata e mudarabah mund të lidhet për një periudhë të caktuar pas së cilës ajo përfundon automatikisht. Shkollat juridike hanafite dhe hanbalite janë të mendimit se mudarabah mund të kufizohet në një afat të veçantë, si një vit, gjashtë muaj, etj., pas së cilës do të përfundojë pa njoftim. Përkundrazi,shkollat Shafite dhe Malikite janë të mendimit se mudarabah nuk mund të kufizohet në një periudhë të caktuar. 

Megjithatë, ky ndryshim në mendime lidhet vetëm me afatin maksimal të kohës së mudarabah. A mund të përcaktohet gjithashtu një afat minimal nga palët, përpara së cilës mudarabah nuk mund të përfundojë? Nuk gjendet ndonjë përgjigje e shprehur për këtë pyetje në librat e fikhut islam, por, bazuar në parimet e përgjithshme të përmendura aty, duket se një kufizim i tillë nuk mund të vendoset, dhe secila palë është e lirë ta përfundojë kontratën kur të dëshirojë. 

Kjo fuqi e pakufizuar e palëve për të përfunduar mudarabah sipas dëshirës së tyre mund të krijojë disa vështirësi në kontekstin e rrethanave të tanishme, sepse shumica e ndërmarrjeve tregtare sot kanë nevojë për kohë për të dhënë rezultate. Ato gjithashtu kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe komplekse. Prandaj, mund të jetë shkatërruese për projektin, nëse rabb-ul-mal përfundon mudarabah që në fillim të projektit. Veçanërisht, kjo mund të sjellë një dëm të rëndë për mudarib-in, i cili nuk do të fitojë asgjë pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij. Prandaj, nëse palët bien dakord, gjatë hyrjes në mudarabah, që asnjë palë të mos e përfundojë atë gjatë një periudhe të caktuar, përveç në rrethana të caktuara, nuk duket se shkelet ndonjë parim i sheriatit, veçanërisht në dritën e hadithit të njohur, që është cituar më parë, i cili thotë: 

Të gjitha kushtet mbi të cilat janë pajtuar myslimanët janë të vlefshme, përveç një kushti që lejon atë që është e ndaluar ose ndalon atë që është e lejuar.

Artikulli paraprakNdërprerja e musharakah 
Artikulli tjetërMudarabah si mënyrë e financimit