Ballina Blog Faqe 45

Cili është gjykimi për dhënien e zekatit për qiranë që vjen nga dhënia e apartamenteve me qira?

Pyetje: Cili është gjykimi për dhënien e zekatit për qiranë që vjen nga dhënia e apartamenteve me qira? Qiramarrësi nuk merr të gjithë qiranë në të njëjtën kohë, por dy herë tri herë në vit.

Përgjigje: Zekati nuk paguhet për qiranë që vjen në faza dhe shpenzohet menjëherë, përderisa nuk e arrin periudhën njëvjeçare që nga koha e kontratës. Një shembull i kësaj është personi që jep me qira një apartament për 10,000 dhe merr tërë qiranë pas një viti të plotë. Ky paguan zekatin për këto të ardhura pasi që një vit i tërë ka kaluar.

Një person tjetër merr të gjithë qiranë e paguar kur kontrata e qirasë shkruhet dhe më pas i shpenzon paratë. Ai nuk duhet të paguajë zekatin për to pasi që ato nuk kanë qëndruar për një vit të plotë. Në mënyrë që zekati të jetë i detyrueshëm, pasuria duhet të ketë qëndruar për një vit të plotë.

Megjithatë, nuk paguhet zekati për apartamentin. Zekati nuk paguhen për pajisjet që jepen me qira, për shembull pronat, makinat dhe gurtë e çmuar, përveç stolive të arit dhe argjendit të grave. Stolitë e arit dhe të argjendit obligojnë dhënien e zekatit gjithsesi.

Eksportet e mbrojtjes së Turqisë arrijnë rekord prej 7,2 miliardë dollarë në vitin 2024

Kreu i Sekretariatit të Industrive Turke të Mbrojtjes, Haluk Görgün, bëri të ditur se industria e mbrojtjes dhe e hapësirës ajrore të Türkiyes arriti suksese të rëndësishme në vitin 2024, duke regjistruar eksporte në vlerë 7,2 miliardë dollarë, një rritje prej 29 për qind nga viti i kaluar.

Görgün përmes një postimi në rrjete sociale theksoi se kjo arritje tejkalon për 11 për qind objektivin e përcaktuar prej 6,5 miliardë dollarësh.

Duke theksuar performancën e fuqishme ndërkombëtare të industrisë, Görgün tha: “Falë aktiviteteve dhe kontakteve tona të bashkëpunimit ndërkombëtar, kompanitë tona janë në gjendje të eksportojnë jo vetëm në një rajon të caktuar, por në pothuajse të gjithë botën”.

Görgün theksoi përkushtimin e sektorit ndaj inovacionit dhe shtrirjes globale.

“Ne jemi të vendosur të hapim horizonte të reja, të thyejmë rekorde dhe të çojmë fuqinë teknologjike të Türkiyes në të ardhmen, të udhëhequr nga produktet e industrisë së saj të mbrojtjes dhe teknologjitë e përparuara”, tha ai.

Rritja mbresëlënëse pasqyron kërkesën globale për produktet e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore të Türkiyes, e nxitur nga teknologjitë e avancuara dhe partneritetet strategjike.

Duke shikuar nga e ardhmja, fokusi i industrisë mbetet në ruajtjen e momentit të favorshëm dhe rritjen e eksportit të produkteve me vlerë të lartë të shtuar. “Në vitin 2025 do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën vendosmëri për të arritur një rritje të përhershme të eksporteve”, theksoi Görgün.

 

/AA/

Gjykimi mbi paratë e kthyera paraprakisht të humbura në Bixhoz

Pyetja:

Ekziston një aplikacion për baste, ku thuhej se nëse depoziton një shumë të caktuar, të jepet një shpërblim i madh. E depozitova shumën, dhe qëllimi im ishte të mos luaja asnjë bast, doja të merrja shpërblimin dhe t’ia dhuroja ndonjë spitali. Mendova, edhe nëse është haram, unë nuk do ta mbaj paratë për vete dhe nuk kërkoj shpërblim për këtë. E konsiderova se spitalet dhe pacientët kanë më shumë nevojë sesa aplikacioni i basteve.

Pasi depozitova shumën, nuk më dhanë shpërblimin. Për të tërhequr paratë e mia, ishte e nevojshme të luaja një bast. Luajta dhe humba disa herë, por vazhdova derisa rikuperova shumën që kisha depozituar, me një shtesë të vogël. Sidoqoftë, tërhoqa vetëm shumën që kisha depozituar, pa marrë asnjë fitim shtesë, dhe lashë shtesën në aplikacion. Më pas, e fshiva aplikacionin.

A është bërë haram kjo shumë që kisha depozituar? Deri tani nuk kam shpenzuar asgjë prej saj dhe e kam vendosur në një llogari të veçantë. Nëse është haram, çfarë duhet të bëj me këtë shumë?

Përgjigja:

Së pari:

Është e ndaluar të hysh në baste, edhe nëse qëllimi është që fitimet e tepërta t’u jepen të varfërve ose të sëmurëve, sepse kumari është i ndaluar, dhe ajo që është haram nuk bëhet e lejueshme për arsye të tilla. Përndryshe, do të legjitimonim marrëveshjet e ndaluara për të marrë fitimet dhe për t’ua dhënë të varfërve, gjë që askush nga dijetarët nuk e pranon. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ka urdhëruar të derdhet vera që ishte trashëguar nga jetimët dhe nuk e lejoi që të shndërrohej në uthull, e aq më pak të shitej për hebrenjtë apo të tjerët.

Transmetohet nga Enesi (radijAllahu anhu) se: “Ebu Talha pyeti Pejgamberin (paqja qoftë mbi të) për jetimët që kishin trashëguar verë. Pejgamberi tha: ‘Derdhe!’ Ai pyeti: ‘A mund ta kthej në uthull?’ Profeti u përgjigj: ‘Jo.’

El-Khatabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kjo është një dëshmi e qartë që trajtimi i verës për ta shndërruar në uthull nuk lejohet. Nëse kjo do të ishte e lejueshme, atëherë prona e jetimëve do të kishte më shumë përparësi, për shkak të detyrimit për ta ruajtur dhe shtuar. Por Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ndaloi humbjen e pasurisë, dhe derdhja e saj përfaqëson humbje. Kështu, u kuptua që trajtimi i saj nuk e pastron atë dhe nuk e kthen atë në një pronë të vlefshme në asnjë rast.”

Për ndalimin e kumarit, Allahu në Kuran thotë:

O ju që keni besuar, vërtet vera, bixhozi, altarët (e idhujve) dhe shigjetat (për short) janë ndyrësi prej veprave të djallit, ndaj shmanguni atyre që të jeni të shpëtuar.” (El-Maide: 90)

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) gjithashtu ka thënë:
Kushdo që i thotë mikut të tij: ‘Eja të luajmë bixhoz, le të jep lëmoshë.

Ibn Haxher el-Hejtemi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Kumari është nga mëkatet e mëdha, qoftë ai i pavarur ose i shoqëruar me lojëra të tjera të ndaluara. Arsyeja e ndalimit të tij është sepse përfshin përvetësimin e pasurisë së të tjerëve padrejtësisht, gjë që Allahu e ndalon në ajetin: ‘Mos e përvetësoni pasurinë tuaj në mënyrë të padrejtë.’’ (Bekare 186)

Përfundimisht, duhet të pendohemi tek Allahu për atë që është bërë dhe të marrim vendimin që të mos e përsërisim më kurrë.

Së dyti:

  1. Pasuria që ke humbur në kumar është e humbur dhe nuk mund të rikthehet.
  2. Pasuria që ke tani dhe që është fituar nga kumari konsiderohet si haram.

Çfarë të bësh me këtë pasuri?

  • Kjo pasuri duhet të hiqet duke ia dhënë të varfërve, të sëmurëve ose duke e përdorur për interesa publike.
  • Nëse ke qenë injorant për ndalimin e kësaj vepre dhe ke menduar se ishte e lejueshme, atëherë mund të mbash atë që ke rikthyer, bazuar në fjalën e Allahut:

E kushdo që i vjen këshillë nga Zoti i tij dhe heq dorë, atëherë atij i takon ajo që ka marrë më parë.” (Bekare 275)

  • Nëse je në nevojë të madhe për atë pasuri, atëherë lejohet të marrësh aq sa të mbulosh nevojat e tua bazike.

Përktheu dhe përshtati: Sejfulla Sejfuli / rizgjimi.com

Ekonomia Kapitaliste vs. Ekonomia Islame

Islami nuk i mohon forcat e tregut dhe ekonominë e tregut. Madje, motivi i fitimit është i pranueshëm deri në një masë të arsyeshme. Prona private gjithashtu nuk mohohet plotësisht. Megjithatë, dallimi themelor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame qëndron në faktin se, në kapitalizmin sekular, motivi i fitimit ose prona private kanë një pushtet të pakufizuar për të marrë vendime ekonomike. Liria e tyre nuk kontrollohet nga ndonjë urdhër hyjnor. Nëse ekzistojnë disa kufizime, ato vendosen nga njerëzit dhe gjithmonë janë të ndryshueshme përmes legjislacionit demokratik, i cili nuk pranon autoritetin e asnjë fuqie mbinjerëzore. Kjo qasje ka lejuar një sërë praktikash që shkaktojnë çekuilibra në shoqëri. Interesi, bixhozi, transaksionet spekulative priren të përqendrojnë pasurinë në duart e disa individëve. Instinktet e pashëndetshme njerëzore shfrytëzohen për të fituar para përmes produkteve imorale dhe të dëmshme. Përpjekjet e pakufizuara për fitim krijojnë monopole që paralizojnë forcat e tregut ose të paktën pengojnë funksionimin e tyre të natyrshëm. Në këtë mënyrë, ekonomia kapitaliste, e cila pretendon të bazohet në forcat e tregut, praktikisht ndalon procesin natyror të ofertës dhe kërkesës, pasi këto forca mund të funksionojnë si duhet vetëm në një atmosferë konkurruese të lirë, dhe jo në monopole. Në disa raste, në një ekonomi kapitaliste sekulare mund të kuptohet se një veprimtari ekonomike e caktuar nuk është në interes të shoqërisë, por ajo lejohet të vazhdojë sepse bie ndesh me interesat e disa rretheve të fuqishme që dominojnë legjislativin në bazë të shumicës së tyre. Duke qenë se çdo autoritet përtej rregullave demokratike mohohet plotësisht dhe ‘besimi në Zot’ (i cili shënohet në çdo dollar amerikan) praktikisht është përjashtuar nga sfera socio-ekonomike, nuk njihet asnjë udhëzim hyjnor për të kontrolluar veprimtaritë ekonomike.

Të këqijat që burojnë nga kjo qasje nuk mund të shmangen përveçse kur njerëzimi i nënshtrohet autoritetit hyjnor dhe u bindet urdhrave të Tij duke i pranuar ato si të vërteta absolute dhe urdhra mbinjerëzorë që duhet të ndiqen në çdo rast dhe me çdo çmim. Pikërisht këtë bën Islami. Pasi njeh pronën private, motivin e fitimit dhe forcat e tregut, Islami ka vendosur disa kufizime hyjnore mbi veprimtaritë ekonomike. Këto kufizime, duke qenë të vendosura nga Allahu i Plotfuqishëm, Dituria e të Cilit nuk ka kufij, nuk mund të hiqen nga asnjë autoritet njerëzor. Ndalesa e riba-së (kamatës ose interesit), bixhozit, grumbullimit të pasurisë, tregtisë me mallra ose shërbime të ndaluara, shitjeve të shkurtra dhe transaksioneve spekulative janë disa shembuj të këtyre kufizimeve hyjnore. Të gjitha këto ndalesa, së bashku, kanë një efekt të përbashkët për të ruajtur balancën, drejtësinë shpërndarëse dhe barazinë e mundësive.

Prelud i luftës? Pse bankat qendrore po grumbullojnë ar…

Ndërsa lufta, ideologjia dhe proteksionizmi e ndajnë botën në blloqe të veçanta, vendet në zhvillim po grumbullojnë shufra ari për t’u përgatitur për ditën kur sistemi financiar global, i dominuar nga SHBA-ja dhe Evropa, do të shembet dhe do të zëvendësohet nga një i ri.

Ky trend, i cili filloi një dekadë më parë, u përshpejtua këtë vit nga faktorë afatshkurtër, veçanërisht nga kthesa në rënie e normave globale të interesit. Si rezultat, çmimet shkuan nga një rekord i lartë në tjetrin, duke u mbyllur mbi 2,800 dollarë për ons për herë të parë në histori. Vetëm këtë vit, ari është rritur me 35%, shumë më tepër se rritja prej 20% në stoqet amerikane dhe më shumë se dy herë më shumë se çdo indeks i aksioneve evropiane. Lina Thomas e Goldman Sachs e sheh atë duke shkuar mbi 3,000 dollarë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Në qendër të tubimit janë bankat qendrore, veçanërisht ato që ose janë – ose kanë frikë se mund të jenë në të ardhmen – në shënjestër të sanksioneve të SHBA. Kina ka blerë 316 tonë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia ka qenë gjithashtu një blerës i madh, siç kanë qenë bankat qendrore në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Indi.

Kohët e fundit, tregjet janë dominuar nga dy vende, historia dhe përvojat e fundit të të cilave i kanë sensibilizuar ndaj rrezikut gjeopolitik: Polonia dhe Hungaria. Polonia ka dashur prej kohësh të rrisë arin në 20% të rezervave të saj zyrtare, por Banka Kombëtare e Hungarisë rifilloi blerjet për herë të parë në tre vjet në shtator, duke thënë: “Mes pasigurisë në rritje, roli i arit si një element aktiv i strehës dhe ruajtjes së sigurt me vlerë është veçanërisht e rëndësishme pasi forcon besimin në vend dhe mbështet stabilitetin financiar.”

Zyrtarë të tjerë e shprehën më troç. “Është një shenjë e luftërave që do të vijnë,” tha një bankier qendror evropian, të cilit iu la anonimiteti nga Politico.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për frikën nga armiqësitë dhe sanksionet, por edhe për besueshmërinë e dështuar të shteteve që ndërtuan rendin financiar global të pasluftës. Si SHBA ashtu edhe Europa kanë borxhe në rritje që duken të paqëndrueshme në terma afatgjatë, siç theksoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në mbledhjen e tij vjetore. Me borxhin e SHBA-së tani në 124% të PBB-së dhe në rritje të shpejtë, siç vuri në dukje Thomas, “shumë banka qendrore mbajnë shumicën e rezervave të tyre në thesaret e SHBA-së dhe politikëbërësit mund të shqetësohen gjithnjë e më shumë për ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve fiskale në SHBA”.

Kjo ka implikime të pallogaritshme për një botë në zhvillim, e cila prej kohësh e ka inatosur atë që e sheh si ngacmim financiar, vuri në dukje analisti i TS Lombard, David Oneglia.

Ideja është “të diversifikohen ngadalë aksionet ndërkombëtare larg asaj që mbetet një zotërim shumë i madh i aktiveve të shprehura në dollarë”, tha Mohamed El Erian, ish-kreu i gjigantit të tregtimit të obligacioneve Pimco. Dollari ende përbën rreth 58% të rezervave valutore botërore, duke e bërë atë pothuajse thelbësor për çdo lloj tregtie ndërkufitare, por kjo ka rënë nga rreth 65% vetëm një dekadë më parë.

Neutraliteti dhe pandryshueshmëria e arit e bëjnë atë një “spirancë” të përshtatshme për një sistem financiar paralel ende në ndërtim: një sistem që SHBA nuk do të jetë në gjendje ta dominojë apo manipulojë.

Duke folur në Uashington në takimin vjetor të FMN-së në tetor, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde vuri në dukje se “Kina po blen ar si kurrë më parë” dhe iu referua përpjekjeve për “promovimin e monedhave të tjera”.

Megjithatë, sapo u kthye në Evropë, ajo dukej më e qetë, duke i thënë Le Monde se dollari nuk do të rrëzohet së shpejti nga froni. Ndërsa takimet e BRICS shpesh kanë prodhuar retorikë në mënyrë eksplicite kundër dollarit, komunikata e fundit e samitit u fokusua në problemet e sanksioneve të SHBA-së, por përndryshe mbështeti reformën e institucioneve ekzistuese si FMN.

Do të jetë një veprim i gjatë balancues. Ndërsa ekonomitë e përparuara mbajnë deri në 70% të rezervave të tyre në ar, bankat qendrore të BRICS-ut zakonisht mbajnë rreth 10%, me pjesën më të madhe në dollarë. Kjo do të thotë se ata ka të ngjarë të mbeten blerës të arit në terma afatgjatë, edhe nëse – siç është rasti sot me Bankën Popullore të Kinës – ata mund të frenohen kur mendojnë se çmimet kanë shkuar shumë larg.

Tradicionalisht, çmimet e arit kanë qenë të ndërlidhura me normat e interesit të bankës qendrore. Kur yield-et e kursimeve dhe obligacioneve u rritën, siç janë rritur që nga viti 2022, ari zakonisht lëvizte në drejtim të kundërt, sepse nuk ofron kthime. Por këtë herë duket se po ecën ndryshe. Çmimet e arit u rritën ndërsa bankat qendrore rritën normat e interesit – dhe u rritën edhe më shpejt pasi Rezerva Federale e SHBA dhe Banka Qendrore Evropiane filluan t’i ulnin ato.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Komisioni Amerikan i Tregtisë së të Ardhmes së Mallrave, shuma neto e kontratave të së ardhmes së arit të mbajtura nga pjesëmarrësit e tregut është më shumë se trefishuar gjatë 12 muajve të fundit, edhe pse blerjet nga bankat qendrore janë lehtësuar këtë vit. Interesi neto spekulativ tani është vetëm pak nën nivelin rekord të parë në fillimin e pandemisë.

Ashtu si në të kaluarën, interesi për arin sugjeron një dëshirë të shtuar për besueshmëri mes pasigurisë dhe dobësimit të besimit te institucionet, thonë analistët.

Kjo vlerë po rritet krahas dyshimeve për vlerën e aseteve të tjera, madje edhe dollarit të fuqishëm. /tesheshi.com/

Kapitali, Sipërmarrësi dhe Islami

Sipas teorisë kapitaliste, kapitali dhe sipërmarrësi janë dy faktorë të veçantë të prodhimit. I pari përfiton interes, ndërsa i dyti ka të drejtë mbi fitimin. Interesi është një kthim i caktuar për sigurimin e kapitalit, ndërsa fitimi mund të fitohet vetëm kur ka një tepricë pas shpërndarjes së kthimeve të caktuara për tokën, punën dhe kapitalin (në formën e qirasë, pagave dhe interesit).

Islami, në të kundërt, nuk i njeh kapitalin dhe sipërmarrësin si dy faktorë të veçantë të prodhimit. Çdo person që kontribuon kapital (në formën e parave) në një ndërmarrje tregtare merr përsipër rrezikun e humbjes dhe, për këtë arsye, ka të drejtë për një pjesë proporcionale në fitimin aktual. Në këtë mënyrë, ‘kapitali’ ka një element të brendshëm të ‘sipërmarrjes’, për sa i përket rrezikut të biznesit. Prandaj, në vend të një kthimi të caktuar si interes, ai përfiton fitim. Sa më i lartë të jetë fitimi i biznesit, aq më i lartë është kthimi mbi kapitalin.

Në këtë mënyrë, fitimet e krijuara nga veprimtaritë tregtare në shoqëri shpërndahen në mënyrë të drejtë për të gjithë ata që kanë kontribuar me kapital në ndërmarrje, pavarësisht sa e vogël mund të jetë pjesa e tyre. Duke qenë se, në kontekstin e praktikës moderne, janë bankat dhe institucionet financiare që ofrojnë kapital për veprimtaritë tregtare, nga depozitat e bëra pranë tyre, rrjedha e fitimeve reale të fituara nga shoqëria mund të drejtohet drejt depozituesve në përpjesëtime të drejta, gjë që mund të shpërndajë pasurinë në një rreth më të gjerë dhe të pengojë përqendrimin e saj në duart e disa personave të veçantë.

Burimi: Mufti Muhammad Taqi Usmani, An Introduction to Islamic Finance.

Familja që emigroi nga Kosova në lstanbul vazhdon prej brezash profesionin familjar të orëndreqësit

 

Aydın Aydınoğlu, familja e të cilit emigroi nga Prishtina e Kosovës në lagjen Samatya të rrethit historik Fatih të Istanbulit në vitin 1963, vazhdon të kryejë si brezi i tretë riparimin e orëve (orëndreqës), i cili është një profesion familjar 110-vjeçar.

Aydınoğlu, i cili jeton në lagjen Beyoğlu të Istanbulit, në një bisedë me Anadolu vlerësoi aventurën e migrimit të familjes së tij, ekzistencën aktuale të emigrantëve kosovarë që jetojnë në Istanbul dhe kontributin e tyre për këtë qytet dhe kulturën e tij.

Duke thënë se profesionin e orëndreqësit e ka mësuar nga gjyshi i tij dhe se këtë profesion e kanë vazhduar edhe pasi gjyshi dhe babai i tij kanë emigruar në Istanbul, Aydınoglu tha: “Ne jemi fëmijët e një familjeje emigrante. Në vitin 1963, ne kemi emigruar në Türkiye nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës”.

“Ndërkaq, këtë profesion familja jonë e vazhdon prej 110 vitesh dhe ne jemi brezi i tretë i kësaj tradite”, thekson ai.

Mbi arsyen e migrimit nga Kosova në Istanbul, Aydınoğlu shpjegon se në atë kohë ishte e vështirë të jetoje si mysliman në rajon dhe se ata e shihnin Türkiyen si vend i tyre. “Atje ne ishim turq, ndërsa këtu ne jemi shqiptarë. Gjyshja ime nga ana e babait vdiq duke folur turqisht, ajo nuk dinte shqip. Edhe ana e nënës ishte në të njëjtën mënyrë, ata dinin shqip por sepse ata jetonin atje. Ne në fakt jemi me origjinë turke. Në atë periudhë, shumë myslimanë emigruan nga Kosova në Türkiye”, tha Aydınoglu.

– “Edhe pse emigrantë, ne jemi ato që kemi mbetur nga osmanlinjtë, jemi nga turqit e vërtetë”

Aydınoğlu shpjegoi se kur kanë ardhur në Istanbul, shumë grupe etnike, ashtu si sot, jetonin së bashku dhe se kryesisht bënin tregti dhe jetonin së bashku me grekët dhe armenët në lagjen ku banonin.

Duke vënë në dukje se profesioni i orëndreqësit në atë kohë bëhej kryesisht nga jomyslimanët, Aydınoglu tha se familjet e tyre shiheshin si “të huaj” dhe “jomyslimanë” për një periudhë sepse ishin emigrantë.

“Në atë kohë, gjyshi dhe babai im shiheshin si të huaj sepse vinin nga jashtë dhe këtë profesion e bënin përgjithësisht të huajt, por kjo është krejtësisht e gabuar. Ne jemi turqit që u rikthyem pas rënies së Perandorisë Osmane”, shtoi më tej Aydınoğlu.

Aydınoğlu deklaron se struktura multikulturore e Istanbulit, ashtu si në të kaluarën, ekziston edhe sot, por në atë kohë mbizotëronte një shoqëri më tolerante dhe më respektuese ndaj dallimeve mes njerëzve.

Duke shpjeguar se në ato vite tregtia bëhej me një qasje tregtare tërësisht të bazuar në besim, pavarësisht gjuhës, fesë apo racës, Aydinoglu vazhdon si më poshtë:

“Shiko sot Beyoğlun. Sikur të pyesësh një tregtar (dyqanxhi) këtu ‘Më ka ngecur diçka në fyt, a mund të më japësh ujë?’, ngrihet e të merr paratë. Kemi humbur vlerat tona njerëzore, ndërgjegjen tonë. Fatkeqësisht, ndodhemi në një periudhë të tillë. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë është struktura dinamike kozmopolite e Istanbulit. Sigurisht, edhe migrimi është faktor i rëndësishëm këtu. Migrimi është një realitet i pashmangshëm. Ashtu sikurse populli ynë migron në Perëndim, edhe vendi ynë është gjithashtu një vend që pranon migrantë, por ne duhet të pranojmë njerëz që mund të integrohen me vlerat tona që të mos preket jeta e askujt”.

– “Edhe pse ka transformim digjital, njerëzit ende u drejtohen orëve cilësore”

Sipas tij, profesioni i orëndreqësit ka filluar të ndryshojë me digjitalizimin. Ai thotë se ka rënë interesi për orët mekanike, duke shpjeguar se në të kaluarën, gjyshi dhe babai i tij nuk mund t’i arrinin porositë në kohë, por që sot janë larg këtij intensiteti.

“Në të kaluarën, kishte një periudhë shumë të ngarkuar. Kryesisht gjatë Fitër Bajramit pas Ramazanit, vinin për riparim orët e tryezave. Një vit, ne riparuam 200 orë në prag të Fitër Bajramit. Kishte shumë punë…Ndërsa tani, për shkak të telefonave të rinj, punët kanë rënë goxha”, shprehet ai.

Aydınoğlu përmendi se “Rruga Kineastëve (Sinemacılar Sokağı)”, ku ndodhet dyqani i tyre, ishte një vend i frekuentuar i aktorëve dhe figurantëve të kinematografisë turke në të kaluarën. “Kjo rrugë ishte Rruga Kineastëve. Çdo mëngjes në rrugën tonë kalonin 100-150 njerëz, figurantë nga filmat e asaj kohe. Kjo rrugë ishte pothuajse gjithmonë e populluar, madje edhe kur në rrugën ‘Istiklal’ kishte qarkullim makinash”.

Duke nënvizuar se interesi për profesionin e orëndreqësit ka rënë, Aydınoğlu i përfundoi fjalët e tij si më poshtë:

“Ne vazhdojmë akoma biznesin tonë me entuziastët e orëve. Profesioni i orëndreqësit sot ndodhet përballë rrezikut të zhdukjes. Edhe pse ka transformim digjital, njerëzit ende u drejtohen orëve cilësore. Njerëzit që përdorin orë të mira na gjejnë dhe ne u ofrojmë shërbim atyre. Mjeshtrit e vjetër kanë gjithmonë punë sepse ne mund të rregullojmë pjesët, mund t’i riparojmë ato që janë të thyera. Nëse ne nuk mundemi t’i bëjmë, transferohet jashtë vendit. Kemi klientë, por nëse transformimi vazhdon me këtë ritëm, do të jetë e vështirë gjetja e një riparuesi të orëve pas 70-80 viteve”.

/sa/

 

Financimi i mbështetur në asete

Një nga karakteristikat më të rëndësishme të financimit islam është se ai është financim i mbështetur në asete. Koncepti konvencional/kapitalist i financimit është që bankat dhe institucionet financiare merren vetëm me para dhe letra me vlerë monetare. Prandaj, në shumicën e vendeve, atyre u ndalohet tregtia e mallrave dhe mbajtja e inventarëve. Nga ana tjetër, Islami nuk e njeh paranë si objekt tregtie, përveç në disa raste të veçanta. Paraja nuk ka ndonjë dobi të brendshme; ajo është vetëm një mjet shkëmbimi. Çdo njësi e parasë është 100% e barabartë me një njësi tjetër të të njëjtit denominim, kështu që nuk ka hapësirë për të gjeneruar fitim përmes shkëmbimit të këtyre njësive midis tyre. Fitimi gjenerohet kur diçka që ka dobi të brendshme shitet për para ose kur monedhat e ndryshme shkëmbehen njëra me tjetrën. Fitimi i realizuar nga tregtimi i parave (të të njëjtës monedhë) ose letrave që i përfaqësojnë ato është interes, prandaj është i ndaluar. Për këtë arsye, ndryshe nga institucionet financiare konvencionale, financimi në Islam gjithmonë bazohet në asete jo-likuidë që krijojnë asete reale dhe inventarë.

Instrumentet reale dhe ideale të financimit në Sheriat janë musharakah dhe mudarabah. Kur një financues kontribuon me para mbi bazën e këtyre dy instrumenteve, ato domosdoshmërisht shndërrohen në asete që kanë dobi të brendshme. Fitimi gjenerohet përmes shitjes së këtyre aseteve reale.

Financimi mbi bazën e selam dhe istisna’ gjithashtu krijon asete reale. Financuesi, në rastin e selam-it, merr mallra reale dhe mund të përfitojë duke i shitur ato në treg. Në rastin e istisna-së, financimi realizohet përmes prodhimit të disa aseteve reale, për të cilat financuesi fiton përfitime.

Qiradhëniet financiare dhe murabaha, nuk janë në origjinë mënyra financimi. Por, për të plotësuar disa nevoja, ato janë ripërcaktuar në mënyrë që të mund të përdoren si mjete financimi, duke iu përmbajtur disa kushteve, në ato sektorë ku musharakah, mudarabah, selam ose istisna’ nuk janë të realizueshme për disa arsye. Instrumentet e qiradhënies dhe murabahas shpesh kritikohen duke u bazuar në faktin se rezultati i tyre neto është shpesh i ngjashëm me rezultatin neto të një huaje me interes. Kjo kritikë është e justifikuar deri diku, dhe për këtë arsye bordet mbikëqyrëse të Sheriatit janë unanime në pikën se ato nuk janë mënyra ideale të financimit dhe duhet të përdoren vetëm në raste nevoje, duke respektuar plotësisht kushtet e përshkruara nga Sheriati. Megjithatë, instrumentet e qiradhënies dhe murabahas, gjithashtu, mbështeten plotësisht në asete dhe financimi përmes këtyre instrumenteve është qartë i dallueshëm nga financimi me bazë interesi për arsye të mëposhtme:

Financimi islamik vs. Financimi konvencional

  1. Në financimin konvencional, financuesi i jep para klientit të tij si hua me interes, pas së cilës ai nuk ka asnjë shqetësim se si do të përdoren paratë nga klienti. Në rastin e murabaha, përkundrazi, asnjë para nuk i jepet klientit. Në vend të kësaj, vetë financuesi blen mallin e kërkuar nga klienti. Meqenëse ky transaksion nuk mund të përfundojë nëse klienti nuk siguron financuesin se ai dëshiron të blejë një mall, murabaha nuk është aspak e mundur, përveç nëse financuesi krijon inventar. Në këtë mënyrë, financimi gjithmonë mbështetet në asete.
  2. Në sistemin konvencional të financimit, huatë mund të jepen për çdo qëllim fitimprurës. Një kazino bixhozi mund të marrë hua nga një bankë për të zhvilluar biznesin e saj të bixhozit. Një revistë pornografike ose një kompani që prodhon filma të zhveshur janë po aq klientë të mirë të një banke konvencionale sa edhe një ndërtues shtëpish. Kështu, financimi konvencional nuk është i kufizuar nga ndonjë kufizim hyjnor apo fetar. Por bankat dhe institucionet financiare islame nuk mund të qëndrojnë indiferente ndaj natyrës së aktivitetit për të cilin kërkohet lehtësia. Ato nuk mund të zbatojnë murabaha për ndonjë qëllim që është ose i ndaluar në Sheriat ose është i dëmshëm për shëndetin moral të shoqërisë.
  3. Një nga kërkesat bazë për vlefshmërinë e murabaha është që malli të blihet nga financuesi, që do të thotë se ai merr përsipër rrezikun e mallit përpara se ta shesë atë te klienti. Fitimi i kërkuar nga financuesi është shpërblimi për rrezikun që ai merr. Në një hua me interes, nuk merret asnjë rrezik i tillë.
  4. Në një hua me interes, shuma që duhet të kthehet nga huamarrësi vazhdon të rritet me kalimin e kohës. Në murabaha, nga ana tjetër, çmimi i shitjes, pasi të jetë rënë dakord, bëhet dhe mbetet i fiksuar. Si rezultat, edhe nëse blerësi (klienti i bankës) nuk paguan në kohë, shitësi (banka) nuk mund të kërkojë një çmim më të lartë për shkak të vonesës në shlyerjen e detyrimeve. Kjo sepse në Sheriat, nuk ekziston koncepti i interesit për kohën e vonesës.
  5. Edhe në lizing, financimi ofrohet përmes sigurimit të një aseti që ka përdorshmëri. Rreziku i pronës së dhënë me qira merret përsipër nga qiradhënësi/financuesi gjatë gjithë periudhës së qirasë, në kuptimin që, nëse aseti i dhënë me qira shkatërrohet plotësisht pa ndonjë keqpërdorim ose neglizhencë nga qiramarrësi, është financuesi/qiradhënësi ai që do të vuajë humbjen.

Është e qartë nga diskutimi i mësipërm që çdo financim në një sistem islamik krijon asete reale. Kjo është e vërtetë edhe në rastin e murabaha dhe qiradhënieve, pavarësisht nga fakti që ato nuk konsiderohen mënyra ideale të financimit dhe shpesh kritikohen për ngjashmërinë e tyre me financimin me bazë interesi në rezultatet e tyre neto. Nga ana tjetër, është e njohur që financimi me bazë interesi nuk krijon domosdoshmërisht asete reale, prandaj, furnizimi me para përmes huave të dhëna nga institucionet financiare zakonisht nuk përputhet me mallrat dhe shërbimet reale të prodhuara në shoqëri, sepse huatë krijojnë para artificiale, përmes të cilave sasia e furnizimit me para rritet dhe nganjëherë shumëfishohet, pa krijuar asete reale në të njëjtën sasi. Ky hendek midis furnizimit me para dhe prodhimit të aseteve reale krijon ose nxit inflacionin. Meqenëse financimi në një sistem islamik mbështetet në asete, ai gjithmonë përputhet me mallrat dhe shërbimet përkatëse.

Burimi: Mufti Muhammad Taqi Usmani, An Introduction to Islamic Finance.

Blerja e shtëpive nëpërmjet financimit me kamatë

Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

Asambleja e Juristëve Muslimanë të Amerikës, në sesionin e saj të dytë, të mbajtur në qytetin e Kopenhagenit në Danimarkë, nga data 4 deri në 7 të muajit Xhumade el-Ula të vitit 1425 hixhri – që përkon me 22-25 qershor të vitit 2004 – pasi shqyrtoi studimet e paraqitura nga anëtarët dhe ekspertët e Asamblesë mbi temën “Blerja e shtëpive nëpërmjet financimit me kamatë” dhe pas diskutimeve të zgjeruara për këtë temë, mori vendimet si më poshtë:

Së pari: Ritheksojmë atë që kanë përcaktuar argumentet përfundimtare të Sheriatit, në lidhje me ndalimin e të dy llojeve të kamatës: kamatës së vonesës[1] dhe kamatës së shtesës[2], dhe se interesi i bankave është kamatë e ndaluar, gjë e cila është sanksionuar nga të gjitha komisionet e fetvasë dhe akademitë e jurisprudencës në të gjithë botën islame.

Së dyti: Ripohojmë se huaja me kamatë, në thelb, nuk lejohet, përveçse në rastet e domosdoshmërisë që janë pranuar nga ligji islam, njëlloj si të gjitha ndalimet e tjera të qarta në Sheriat, të cilat merren parasysh sipas kushteve të përcaktuara nga dijetarët:

  • Që rreziku të jetë aktual dhe real, jo i supozuar (që mund të ndodhë), duke qenë kështu një rrezik i mirëfilltë për fenë, jetën, mendjen, pasardhësit apo pasurinë e individit.
  • Që të jetë zgjidhje (për shkak të nevojës), pasi personit të detyruar i rrezikohet jeta, ose mund të humbasë ndonjë gjymtyrë të trupit, ose kjo e fundit mund të mos kryejë më funksionin e saj, nëse nuk e kryen këtë ndalesë.
  • Që të mos gjejë ndonjë mënyrë tjetër për ta larguar rrezikun, përveç përdorimit të ndalesës.

Kushdo që gjendet në situatë domosdoshmërie duhet të orientohet dhe të konsultohet me dijetarë, tek të cilët ka besim për fenë dhe njohurinë e tyre, në mënyrë që të vlerësojnë saktë masën e domosdoshmërisë.

Së treti: Nevojat njerëzore marrin gjykimin e domosdoshmërisë në lejimin e të ndaluarës, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:

  1. Nevoja të jetë reale në kuptimin e saj fetar, që do të thotë largim i dëmit dhe i pafuqisë që pengojnë veprimtarinë; sjellin çrregullime në çështjet ekonomike dhe u mundësojnë njerëzve të vazhdojnë jetën normale. Nevoja nuk duhet të jetë thjesht një dëshirë për luks apo përmbushje kënaqësish.
  2. Të mungojnë alternativat e ligjshme, pra kur harami është ai që mbizotëron, ndërsa rrugët e hallallit janë të kufizuara; përndryshe, duhet bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje të lejuar. Ndër këto alternativa është edhe marrja me qira, sa herë që kjo është e mundshme.
  3. Të mjaftohet vetëm me aq sa e kërkon nevoja, pasi çdo gjë përtej kësaj, që lidhet me luks, kënaqësi ose shtim financash, është e ndaluar.
  4. Të mungojë mundësia për t’u zhvendosur në vende të tjera, ku mund të ofrohet një alternativë e ligjshme.

Së katërti: Bazuar në sa më sipër, norma bazë sheriatike mbetet se, personit që nuk mund të zotërojë një shtëpi nëpërmjet një mënyre legjitime (pa kamatë ose pa transaksione të dyshimta), i takon të zgjedhë rrugën e qirasë, pasi është më mirë për të sesa të bjerë në kamatën që Zoti dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar.

Së pesti: Nëse qiraja paraqet një vështirësi të madhe dhe mundim të qartë për disa njerëz – për shkaqe që lidhen me numrin e anëtarëve të familjes, mungesën e një shtëpie mjaftueshëm të madhe me qira, kostot e larta të saj ose për rrethana të tjera bindëse – atyre mund t’u lejohet të zotërojnë banesë në këtë mënyrë (me kredi), duke iu referuar kushteve të përmendura më parë dhe pasi të konsultohen me dijetarët për të përcaktuar masën e nevojës dhe mundësinë e gjetjes së saj.

Së gjashti: Theksojmë atë që kanë pohuar të gjitha akademitë islame shtetërore dhe të pavarura, lidhur me nevojën për të punuar që të ofrohen alternativa islame në financimin e banesave: ose përmes krijimit të institucioneve financiare islame, që është zgjidhja më e mirë, më e pranuar te Zoti i Plotfuqishëm dhe më e dobishme për fenë dhe njerëzit; ose duke bindur bankat perëndimore që të bëjnë ndryshime në kontratat e tyre me komunitetin musliman, në mënyrë që të jenë në përputhje me dispozitat e ligjit islam, derisa të ofrohen alternativat e kërkuara islame, gjë që është e arritshme në këto shoqëri.

Së shtati: U bëjmë thirrje njerëzve të pasur në botën islame që të hartojnë projekte investimi – për të cilat Zoti do t’i shpërblejë në këtë botë dhe në botën tjetër – që u ofrojnë mundësi strehimi myslimanëve që jetojnë në shoqëritë perëndimore, përmes një prej formulave të njohura sheriatike të pjesëmarrjes: murabaha[3]kontratë ndërtimiqira që përfundon me pronësi ose të ngjashme me këto, gjithmonë brenda rregullave të Sheriatit. Këta investitorë duhet të mos e teprojnë me fitimet e tyre, në mënyrë që të mos krijojnë pengesa që i largojnë njerëzit nga bashkëpunimi me institucionet financiare islame, duke ua prishur mendimin pozitiv për to, sa herë që u kërkohet të jenë pjesë e tyre, apo ka gjasa që ato të realizohen.

Allahu i Plotfuqishëm është më i Larti dhe më i Dijshmi.

 

[1] Ky lloj i kamatës përbën llojin tradicional të saj në kuptimin e njohur nga masa e gjerë. Me të nënkuptohet shtesa e paguar krahas borxhit, që debitori (borxhmarrësi) duhet t’i japë kreditorit (borxhdhënësit), për shkak të zgjatjes së afatit të shlyerjes së këtij borxhi

[2] Ai ndodh kur kapitalet (paratë apo mallrat) e shkëmbyera janë të të njëjtit lloj dhe kur këmbehen njëri prej tyre paguhet përmbi vlerën (masën a peshën) e tjetrit.

[3] Rreth Murabahas shiko këtu:

Dispozitat që ndërlidhen me posedimin dhe marrjen e mallit gjatë tregtisë murabaha

Përmbledhje e shkurtër e temës së murabahasë

Ligji i Kontratave Islame

Njohja e Ligjit të Kontratave Islame është thelbësore për të kuptuar financat islame. Fjala arabe për kontratë është ‘Aqd’. Para se të shqyrtojmë disa nga ndërlikimet e një kontrate, do të trajtojmë dy aspekte paraprake: si e trajton ligji islam premtimin e njëanshëm (Wa’d) dhe premtimin dypalësh (Muwada).

Wa’d (premtim i njëanshëm)

Wa’d lidhet me një premtim nga një individ ose palë për të kryer ose për të mos kryer një veprim të caktuar. Një marrëveshje e tillë përfshin një premtues (që premton të blejë/shesë) dhe një të premtuar (që hyn në një premtim me premtuesin). Për shembull, Shareen premton të shesë shtëpinë e saj te Sarah. Ky është një premtim i njëanshëm, i cili detyron vetëm premtuesin (Shareen). Si rezultat, kjo nuk konsiderohet si kontratë, e cila do të përfshinte një ofertë dhe pranueshmëri (bilaterale).

Kater Shkollat Kryesore të Mendimit mbi Premtimet Wa’d

Shkolla e Parë: Kjo shkollë përfshin Imam Abu Hanifah, Imam Al-Shafai’ dhe disa dijetarë Maliki. Sipas kësaj shkolle, përmbushja e një premtimi Wa’d është një akt i nderuar, por jo i detyrueshëm.

Shkolla e Dytë: Samurah b. Xhundub dhe disa dijetarë Maliki. Premtuesi ka një detyrim ligjor për të përmbushur premtimin.

Shkolla e Tretë Disa dijetarë Maliki. Premtimi është i detyrueshëm vetëm kur i premtuari pëson një humbje ose shpenzim për të përmbushur premtimin.

Shkolla e Katërt: Akademia Islame e Fikhut (qëndrimi përgjithësisht i pranuar). Përmbushja e një premtimi pranohet nëse plotësohen pikat e mëposhtme:

  1. Premtimi duhet të jetë i njëanshëm (një-palësh).
  2. Premtuesi pëson një humbje ose shpenzim për të përmbushur premtimin.
  3. Shitja aktuale përmbyllet.

Vendimi i Akademisë Islame të Fikhut (1409H) mbi Wa’d:

Premtimi njëanshëm (wa’d), i cili bëhet njëanshmërisht nga urdhëruesi ose klienti, është fetarisht i detyrueshëm për premtuesin, përveç rasteve kur ka arsye të justifikuara. Ai gjithashtu konsiderohet ligjërisht i detyrueshëm nëse është i kushtëzuar nga një arsye dhe nëse premtimi njëanshëm (wa’d) përfshin një kosto për premtuesin. Në raste të tilla, pasojat e karakterit detyrues të premtimit të njëanshëm (wa’d) përcaktohen nga përmbushja e premtimit njëanshëm (wa’d) ose shpërblimi për humbjet e shkaktuara realisht si rezultat i mos-përmbushjes së premtimit njëanshëm (wa’d) pa justifikim.

Muwaada (Premtime Dypalëshe)

Muwaada përkufizohet si një marrëveshje ku dy palë bëjnë dy premtime të njëanshme mbi të njëjtën çështje. Për shembull, Moneebi premton të blejë shtëpinë e Xhekut për $150,000 brenda 6 muajsh. Në këmbim, Xheku premton t’ia shesë shtëpinë e tij Moneebit për $150,000 brenda të njëjtës periudhë.

Shumica e juristëve islamë janë më pak të favorshëm ndaj Muwaada-s krahasuar me Wa’d, pasi përdorimi i dy premtimeve të njëanshme mund të çojë në një kontratë të ardhshme, e cila është e ndaluar. Mund t’i përmbledhim dy shkollat kryesore të mendimit si më poshtë:

Shkolla e Parë: AAOIFI, Akademia Islame e Fikhut dhe shumica e dijetarëve. Muwaada lejohet vetëm kur mund të ekzekutohet në mënyrë të vlefshme.

Shkolla e Dytë: Juristët Hanefi. Kontratat e ardhshme mund të bazohen në parimin e Muwaada-s, për sa kohë që nuk ka ndalime të tjera (si p.sh., gharar i tepruar dhe shitje e shkurtër).

Vendimi i Akademisë Islame të Fikhut (1409H) mbi Muwaada:

Premtimi dypalësh (muwaada) është i pranueshëm në kontratat murabaha me kusht që premtimi dypalësh (muwaada) të jetë opsional për të dyja ose njërën nga palët. Nëse premtimi dypalësh (muwaada) nuk ofron mundësi zgjedhjeje, atëherë ai konsiderohet i papranueshëm, sepse një premtim dypalësh detyrues (muwaada) në murabaha është i ngjashëm me një shitje të zakonshme, ku kërkohet që shitësi të zotërojë mallin e shitur. Kjo bëhet për të mos shkelur ndalimin nga Profeti (Paqja qoftë mbi të) për «shitjen nga një shitës të asaj që nuk është në zotërimin e tij» (bay‘ al-insan ma laysa ‘indah).

Aqd’ (Kontrata)

Ekzistojnë dy lloje kontratash:

  • Uqud al Mua’wada: Kontrata kompensuese, p.sh., Pala A shet makinën e tij te Pala B për 1,000 £.
  • Uqud Ghaer Mua’wadha: Kontrata jo-kompensuese, p.sh., huaja me interes.

Për një kontratë të vlefshme, duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:

  1. Dy palë
  2. Ofertë dhe pranueshmëri (kjo duhet duhet të lidhet me të njëjtën çmim dhe objekt).
  3. Efekt material në shkëmbimin e objektit.

Është e rëndësishme të theksohet se palët kontraktuese në kontratën e mësipërme duhet të jenë të pjekura dhe të arsyeshme.

Për sa i përket lëndës ose objektit, duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:

  • Vlera: Objekti duhet të jetë në përputhje me mësimet islame, p.sh., kontratat që përfshijnë alkool, mish derri ose armë ushtarake janë të pavlefshme.
  • Ekzistenca: Objekti duhet të ekzistojë. Kontratat për shitjen ose blerjen e një shtëpie ende të pa ndërtuar janë të pavlefshme, përveç në raste specifike si: selam dhe istisna.
  • Pronësia: Shitësi duhet të jetë pronari i objektit.
  • Dorzueshmëria: Shitësi duhet të jetë në gjendje ta dorëzojë mallin te blerësi. Për disa objekte, si shtëpitë, ky kusht nuk aplikohet.
  • Specifikimi: Objekti duhet të jetë i përcaktuar qartë, p.sh., “Do të të shes një nga makinat e mia…” është e pavlefshme pasi makina nuk është përcaktuar.

Premtimi Njëanshëm Detyrues (Wa’d): Në Praktikë

Historikisht, koncepti i wa’d detyrues është diskutuar në kontekstin e dhuratave dhe huave. Megjithatë, me zgjerimin e industrisë financiare islame që nga vitet 1970, juristët islamë u detyruan të rishqyrtonin këtë çështje. A mund të jetë një premtim njëanshëm një kontratë detyruese?

Në praktikë, zbatimi i premtimit të njëanshëm detyrues është shumë i përhapur në industrinë bankare islame dhe përfshin produkte të ndryshme si: qira që përfundon me pronësi, partneritet i zvogëluar (musharakah), Produkte islame të kursit të këmbimit (p.sh., kontrata forex forward), shkëmbime islame të normës së fitimit (PRS) dhe Sukuk.

Pse bankat islame përdorin Wa’d? Arsyeja kryesore është shmangia e shitjes së diçkaje që nuk zotërohet ende dhe tejkalimi i interesit të vonuar (p.sh., në kontratat forex forward). Ky fleksibilitet e bën wa’d një mjet jashtëzakonisht të fuqishëm për krijimin e produkteve bankare islame.

Bazat e kontratave të vlefshme

Pronësia në Islam

Sipas mendimit islam, të gjitha gjërat fillimisht i përkasin Allahut, me njeriun që është mëkëmbës i Allahut dhe shërbëtori i Tij në tokë, duke pasuruar jetën me njohuri dhe qëllim. Siç vëren Al-Zuhayli:

….një shoqërim ekskluziv i sendit të zotëruar me zotëruesin e tij, i cili i jep zotëruesit të drejtën të veprojë me atë që zotëron në çdo mënyrë që nuk është e ndaluar ligjërisht….

Ka dy lloje të pronësisë:

  1. a) Pronësi totale: kjo përfshin si pronësinë ligjore (d.m.th. titullin) ashtu edhe pronësinë e dobishme (p.sh. të drejtën e përdorimit të një prone).
  2. b) Pronësi pjesore: në këtë rast, personi ka ose pronësi ligjore ose pronësi të dobishme, por jo të dyja.

Ligji i Kontratave Islamike: Burime & Lexime të Mëtejshme

  1. The Vision of Islam, Sachiko Murata dhe William C. Chittick, 1994, Londër dhe New York: I.B. Tauris
  2. Islamic Finance Qualification (IFQ) / autorët e librit të punës Abdul Sattar Abu Ghud et al. – Edition 2, 2007. – Londër: Securities and Investment Institute; Bejrut: Ecole Supérieure des Affaires
  3. Ligji i Kontratave Islamike, 1st Ethical, 2010.
  4. The Bindingness and Enforceability of a Unilateral Promise (Wa’d): An Analysis From Islamic Law and Legal Perspectives, Dr. Marjan Muhammad et al, 2011, ISRA, Artikull shkencor.
- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
light rain
19.5 ° C
19.5 °
19.5 °
64 %
1kmh
100 %
Fri
19 °
Sat
22 °
Sun
21 °
Mon
22 °
Tue
23 °