1. Murabaha është një term i vjetër në jurisprudencën islame, e cila nënkuptonte një formë të njohur të tregtisë që aplikohej
në të kaluarën, ndërsa Murabaha Bankare është një veprimtari e re e cila është paraqitur në kohën bashkëkohore me shfaqjen e metodave të bankimit, sipas parimeve islame.
2 Perkufizimi i Murabahasë bankare është : “Me kërkesë të një personi, blihet një artikull në para të gatshme, pastaj i njëjti i rishitet personit që ka bërë kërkesën me pagesë të vonuar, duke i shtuar një fitim të ditur çmimit me të cilin është blerë në fillim.”
3. Shitblerja murabaha është një alternativë e tregtive me këste të njohura në kohën bashkëkohore, nëpërmes së cilës njeriu arrin që të realizoj tregti të ndryshme me pagesë të azhurnuar, duke menjanuar veprimtarinë e kamatës në ato transaksione.
4. Megjithëse ky produkt i bankave islame (Murabaha) është mjaft i përhapur në botën islame, nuk mund të thuhet se është modeli më origjinal me të cilën mund të dëshmohet efikasiteti i bankave islame, pasi ky produkt është vetëm adaptim i një forme të tregtisë me këste me kamatë që aplikojnë bankat konvencionale, në nje formë tjetër tregtie që menjanon kamatën. Format e transaksioneve dhe produktet që dëshmojnë suksesin e sistemit bankar islam duke mënjanuar kamatën janë: El Mushareke”, “El Mudarebe”, etj.
5. Murabaha bënë pjesë në llojin e tregtive me këste, për këtë kemi bërë edhe sqarimin e dispozitës së kësaj tregtie në formë të përgjithshme. Kështu, kemi konstatuar se tregtia me këste është e lejuar dhe nuk ka ndonjë pengesë që do ta bënte atë të ndaluar.
Gjithashtu, mendimi se kjo formë e tregtisë me dy çmime është e lejuar është edhe vendim i shumë institucioneve dhe akademive shkencore bashkëkohore, sikurse:
“Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam” me seli në Xheda, “Komisioni i Përhershëm i Fetvave” në Arabinë Saudite, “Departamenti i Përgjithshëm për Fetva’” i Jordanisë dhe institucione të tjera.
6. Duhet të kihet parasysh se shitja e mallit me dy çmime, gjatë tregtisë me këste; njëri nëse shitet aty per aty, kurse tjetri nëse shitet me pagesë të vonuar (me borxh), lejohet me kusht që gjatë kontratës së shitblerjes edhe shitësi edhe blerësi duhet të përcaktohen qartë se me cilin çmim po realızojnë marrëveshjen e tregtisë. Kështu, nëse gjatë aktit të shitblerjes nuk specifikohet se me cilin çmim po blihet malli, me një fjalë ka paqartësi në çmimin e shitjes ose lihet në dispozicion që pagesa të bëhet me të dy çmimet, atëherë ajo tregti nuk është e lejuar.
7. Në lidhje me premtimin gjatë tregtisë murabaha kemi konstatuar se mendimi i cili nuk e trajton premtimin si obligues gjatë shitblerjes murabaha, gjegjësisht ata dijetarë që bëjnë dallimin mes premtimit të rëndomtë dhe premtimit të ndërsjellë gjatë tregtisë, është më i saktë dhe më afër parimeve dhe rregullave të përgjithshme të tregtisë në jurisprudencës islame.
8. Në anën tjetër, pikëpamjes së atyre studiuesve se mos obligmi i premtimit mund të sjellë dëme të mëdha për institucionin financiar, pasi tërheqja nga ai premtim bën që ajo blerje të shkaktojë humbje, i themi se pjesë e tregtisë është humbja e fitimi, pastaj ekzistojnë forma të tjera me anë të cilave banka islame ka mundësi të sigurojë veten nga humbja, sikurse aplikimi i së drejtës së zgjedhjes (hijarit). Kështu që nëse klienti nuk e mban premtimin, atëherë banka ka mundësi ta anulojë shitblerjen e parë dhe ta rikthejë mallin te shitësi i parë me marrëveshje dhe malli nuk i mbetet në dorë bankës.
9. Gjithashtu kemi sqaruar se për marrjen e kaparit (“damanul-xhidije” ose hamishul-xhidije”- garanci e seriozitetit) gjatë fazës së premtimit, ekzistojnë dy pikëpamje te dijetarët bashkëkohorë. Që të dyja ndërlidhen me çështjen e premtimit se a lejohet të jetë obligues apo jo. Ata që e kanë lejuar që premtimi të jetë obligues kanë lejuar edhe marrjen e kaparit nga klienti, ndërsa ata që e kanë ndaluar që premtimi të jetë obligues kanë ndaluar edhe kaparin gjatë kësaj faze. Ne gjatë sqarimit të problematikës së premtimit kemi arritur në konkluzionin se më sigurt dhe më afër parimeve sheriatike është që premtimi të mos jetë obligues, prandaj themi se është më e drejtë që edhe kapari të mos aplikohet gjatë kësaj faze.
10. Prej kushteve thelbësore të tregtisë në Islam është edhe kushti që personi i cili shet një artikull apo një mall, duhet të jetë pronar i tij ose të autorizohet në shitje. Prandaj kemi sqaruar disa parregullsi të cilat ndodhin gjatë tregtisë me këste nga ana e bankave konvencionale, duke i ofruar edhe praktikat të cilat duhet ti aplikojnë bankat islame, për t’i mënjanuar ato parregullsi e ndalesa.
11. Murabahaja bankare bashkëkohore është një alternativë, me anë të së cilës njerëzit në vend që të realizojnë transaksione me përmbajtje kamatare, realizojnë transaksione të drejta në përputhje me mësimet islame, duke mos menjanuar përfitimet, pasi me tregti synohet fitimi, por duke shmangur fitimin me logjikën e kamatës. Në anën tjetër, në kohën bashkëkohore gjatë praktikës së murabahasë bankare nga disa institucione financiare islame janë vërejtur disa veprime, të cilat në fakt nuk realizojnë tregtinë murabaha, por aplikojnë operacione që në thelb janë të ngjashme me huadhëniet kamatare të bankave konvencionale, megjithëse ata me disa veprime formale i ngjyrosin ato transaksione me termin e tregtisë murabaha. Prandaj institucionet financiare islame duhet ta kenë parasysh se forma e murabahasë bankare duhet të jetë e verifikuar nga ekspertët islam ose borde sheriatike të cilat konfirmojnë se ky transaksion është në perputhje me parimet islame.
12. Është më se e nevojshme që bankat islame dhe institucionet financiare islame ti përmbahen praktikave konkrete që mënjanojnë të gjitha parregullsitë dhe ndalesat sheriatike, por gjithashtu ato duhet tu largohen edhe disa praktikave formale të cilat vetëm sipërfaqësisht largojnë ndalesat sheriatike, pra jo edhe realisht. Prandaj kemi rekomanduar se për të qenë më të sigurt dhe për të mënjanuar mundësinë e keqpërdorimeve që do të mund ta shndërronin këtë transaksion në ndonjë veprim të ndaluar, do të ishte e nevojshme që tërheqjen e artikullit mos ta bëjë klienti i bankës direkt nga shitësi i parë, por nëpunësi i institucionit financiar, i cili pastaj ia dorëzon klientit.
13. Kemi sjell edhe manipulimet konkrete të cilat mund të shfaqen gjatë tregtisë murabaha, sikurse:
a. Realizimi i tregtisë i’neh të ndaluar, gjatë murabahasë bashkëkohore
b. Klienti të jetë vetë shitësi i bankës.
C. Klienti ta bëj marrëveshjen me shitësin e parë.
d. Transaksioni të jetë formal dhe jo real.
Këto të gjitha i kemi sqaruar, duke tërhequr vërejtjen se cilat hapa duhet të ndërmerren, për ti mënjanuar këto ndalesa.
14. Bordi fetar Er Rrekabetush Sherijeh, është një organ i cili funksionon në kuadër të institucionit financiar islam dhe përbëhet nga disa ekspert sheriatik, të cilët merren me nxjerrjen e vendimeve (fetvave), rreth transaksioneve bankare islame dhe gjithashtu bënë auditimin sheriatik të transaksioneve praktike të cilat zhvillohen në institucionin financiar islam.
15. Gjithashtu kemi konstatuar se lejohet institucionit financiar islam të kërkojë lënien e pengut gjatë tregtisë murabaha deri në shlyerjen e kësteve. Gjatë kësaj kohe pasuria e lenë peng nuk mund të shitet nga penglënësi (përveçse me lejen e peng-marrësit), pasi është pasuri e varur me pagesën e borxhit. Në momentin kur përfundon pagesa e kësteve, atëherë klientit i kthehet e drejta e plotë mbi atë pasuri.
Alaudin Abazi