Njëherë, këshilluesi për biznesin, Peter Drucker tha: “Ju nuk mund ta parashikoni të ardhmen, por mund ta krijoni atë”.
Shumë kompani angazhohen për të ndërtuar të ardhmen, por pak e kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë që ekipet të krijojnë ide të reja dhe inovative në mënyrë të përsëritshme.
Në 25 vitet e fundit të karrierës kam zbuluar se sipërmarrjet, të mëdha dhe të vogla, shpesh luftojnë për të krijuar strategji dhe procese përsëritëse që i bëjnë ato me të vërtetë konkurruese. 50 vite me parë, një libër për fëmijë, pak i njohur, prezantoi modelin SCAMPER, si mënyrë për të ndihmuar mësuesit që të promovonin krijimtarinë në klasat e tyre. Është një instrument fare i thjeshtë dhe në mënyrë të pabesueshme i fuqishëm për të nxitur mendimin përtej “business as usual”.
Ja si funksionon. SCAMPER është një akronim. SCAMPER do të thotë Substitute, Combine, Adapt, Modify, Put to Another Use, Eliminate dhe Reverse (Zëvendëso, Kombino, Përshtat, Ndrysho, Përdore në një formë tjetër, Elimino, Ktheje). Ky akronim përdoret për të ndihmuar njerëzit të mendojnë ndryshe nga masa. Çdo germë nxit njerëzit t’i përgjigjen një pyetje që lidhet me situatën. Zgjidhni një germë ose lëvizni nëpër to me radhë.
SCAMPER mund të përdoret për të zhvilluar ide të reja, për të përmirësuar ofertat ekzistuese ose proceset e biznesit, apo për të krijuar produkte dhe shërbime tërësisht të reja. Sapo të lindin një sërë idesh ose konceptesh, idetë më të mira duhet të përzgjidhen dhe të përsosen më tej, nëpërmjet ndarjes dhe testimit të tyre me kolegët dhe klientët.
Për ta bërë SCAMPER sa më të frytshëm, merrni në konsideratë përgjigjet e pyetjeve të ndryshme pranë çdo fjale:
- S (Substitute – Zëvendëso) – A ka ndonjë material apo burime të ndryshme që mund të përdorni për të krijuar produktet që bëni aktualisht?
- C (Combine – Kombino) – A mund të kombinohet ky produkt apo shërbim me një tjetër produkt ekzistues për të gjetur një zgjidhje më të mirë.
- A (Adapt – Përshtat) – A mund të përshtatet apo ndryshohet produkti apo shërbimi për t’i shërbyer një grupi tjetër përdoruesish?
- M (Modify – Ndrysho) – A ka karakteristika që mund të ndryshohen, shtohen apo rregullohen në lidhje me aspektin fizik apo funksionalitetin?
- P (Put to Another Use – Përdore në një formë tjetër) – A ka industri të tjera për të cilat ky produkt apo shërbim mund të jetë i dobishëm?
- E (Eliminate – Elimino) – A ka diçka në këtë produkt apo shërbim që nuk është i nevojshëm dhe mund të eliminohet për të reduktuar kostot apo kohën e dërgimit?
- R (Reverse – Ktheje) – A mundet që krijimi i këtij produkti ose shërbimi të kthehet ose të bëhet në një mënyrë tjetër, për ta bërë më efikas ose efektiv?
Përdoreni SCAMPER në diskutime për lindje idesh ose jepuani punonjësve si pjesë e një seti instrumentesh për inovacionin. Në të dyja rastet, kur ekipi zbaton metodën e asaj që po bën, do të jetë në gjendje të gjejë ide për produkte të reja, shërbime, procese dhe modele biznesi.