Ngritja e hovshme e çmimeve zhvlerëson azhuritetin statistikor të ASK-së

Statistikat e ASK-së, sado të përditësuara kohët e fundit, megjithatë me publikimin e tyre, brenda ditës, ose së paku të nesërmen, sikur bëhen relative, jo shumë të besueshme, pasi që po ndodhë që brenda një dite të ketë çmime të reja të ngritura të produkteve të ndryshme, e sidomos të atyre bazike.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) po bënë më shumë përpjekje për të shtuar azhuritetin statistikor në përcjelljen dhe trajtimin e zhvillimeve në ecuritë e çmimeve. Kjo po shihet.

Tani e një kohë, e njëjta ka zënë të publikojë statistika të ecurive të çmimeve për periudhat më të fundit kohore dhe ato disa ditëshe. Kështu ka ndodhur edhe me përgatitjen dhe publikimin e tabelës së fundit të ASK-së rreth çmimeve mesatare ditore për artikujt bazikë, ku janë përfshirë luhatjet e çmimeve nga data 21 deri më 25 shtator.

Në bazë të këtyre të dhënave statistikore disa ditore të ASK-së, del të kenë pasur ngritje disa produkte bazike, si: makaronat (nga çmimi 0.89 euro, në 0.94 euro në ditën e publikimit), jogurti (ishte 1.31 euro, u ngrit në 1.34 euro) dhe kafeja, ajo e bluara, 500 gramë, kishte çmimin 6.33, ndërsa çmimi i ngritur arriti në 6.54 euro.

Mirëpo, këto statistika, sadoqë janë goxha të përditësuara kohët e fundit, megjithatë me publikimin e tyre, brenda ditës, ose së paku të nesërmen, sikur bëhen relative, jo shumë të besueshme, pasi po ndodhë që brenda një dite të ketë çmime të reja të ngritura të produkteve të ndryshme, e sidomos të atyre bazike.

Me fjalë të tjera, trendi i ngritjes së vrullshme dhe i pandalshëm i çmimeve, i filluar gjatë shpërfaqjes së pandemisë COVID 19, dhe i bërë gati i rëndomtë në muajt në vazhdim, dhe sidomos pas nisjes së luftës ruso-ukrainase, po vazhdon njësoj dhe më hovshëm edhe në ditët e sotshme. Dhe, praktikisht ngritjet kaq të shpeshta të shumë produkteve, thuaja se po e bëjnë të pamundshme përfshirjen në statistikat e ASK-së, por po bëhen edhe të papërdorshme për nevoja të analizave dhe të raporteve të ndryshme për shkak të luhatjeve të shpeshta të tyre, përkatësisht për shkak të ngritjes së vazhdueshme dhe sa “çel e mbyllë sytë” të tyre.

Në këtë mënyrë, ngritjet kaq të shpesha të çmimeve, sidomos të produkteve bazike, po i bëjnë lehtësisht të paefektshme masat institucionale, të ndërmara nga shteti për frenimin e tyre. Kështu, për shkak të pamundësisë, edhe teorike – edhe fizike, nuk është përfshirë në statistikat e çmimeve të ngritura në ditët nga 21 deri më 25 shtator, ta zëmë, ngritja e çmimit të bukës në Fushë – Kosovë nga 50 në 60 centë, që në fakt është një ngritje realisht më e madhe, sepse jo shumë moti në kohë, kjo bukë është tregtuar për 40 centë. Për një bukë, qytetarët dikur kanë paguar 40 centë.

Me çmime të ngritura prej 10 centësh, në këto dy-tre ditët e fundit buka është tregtuar edhe në disa qendra të tjera komunale të Kosovës. Ndërkohë që nuk rreshtin paralajmërimet e furrëtarëve për të pasur edhe më tej çmime të ngritura të këtij produkti aq të konsumuar dhe të kërkuar nga kosovarët.

Në statistikat zyrtare të çmimeve të ngritura, nuk figuron as shtrenjtimi i druve për ngrohje qind për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuaja më shumicën e vendbanimeve të vendit. Ndërkohë që sipas raportimit të medieve, në qytetin e Mitrovicës çmimi i druve për metër kub nga 30 euro sa ka qenë një vit më parë, është rritur në 60 euro.

Në kryeqytet, metri i druve tani po tegtohet edhe më shtrenjtë. Në tregjet e druve të Prishtinës, dje metri i druve tregtohej nga 70, 75 deri në 80 euro, që i bie se krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën kohë, drutë janë shtrenjtuar këtu, madje mbi 100 për qind.

Pak a shumë, këto çmime tani janë prezente anembanë Kosovës. Duhet thënë se në këta muaj ka ndodhur të “ngrejnë kokë” çmimet e ngritura pikërisht në ditën, ose më së shumti vetëm disa ditë pas miratimit të dokumenteve të ndryshme (rezoluta apo udhëzime) nga Qeveria për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.

Kështu, saktësisht ka ndodhur më 11, 12 e 13 gusht, kur në shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supermarketeve, u reshtuan çmime të ngritura në stratosferë të shumë produkteve bazike ushqimore dhe në fare pak kohë pas miratimit të vendimeve qeveritare për frenimin e çmimeve të disa produkteve bazë.

Në Kosovë, këtyre ditëve, shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supermarketeve, tregtohen me çmime të ngritura edhe vezët (kompleti i tyre 30 vezësh), prej 4.26 eurosh, por edhe prej 4.50 eurosh, madje në ndonjë vend edhe 4.90, për dallim nga javë më parë kur ky komplet vezësh tregtohej me 4.09 euro. Ndërsa në korrik të vitit 2021, një komplet prej 30 copë vezësh, siç e kujtojnë konsumatorët, ka kushtuar në Kosovë diku më së shumti 2.15 euro.

Ngritje çmimi në javët e fundit ka ndodhur në të gjitha pikat e shitjes anembanë Kosovës edhe te vaji ushqimor (thuaja te të gjitha llojet e tij).

Në anën tjetër, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuzivë dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë, dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të formësuara edhe si dokumente, masat e qeverisë të bëra publike kohë më parë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore. Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se edhe Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë, tani po del vetëm një tekst sa për të thënë diçka, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra.

Siç dihet, në mbishkrimin kryesor në këtë rezolutë, thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë.

Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues. Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore, asnjë kërkesë dhe synim i Rezolutës nuk është përmbushur. Thjesht, si me të si pa të, tregtarët, sidomos ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve i çuan çmimet në stratosferë, duke e çuar në qiell edhe marzhën e fitimit dhe duke shfrytëzuar ‘frymën’ e krijuar kudo për ngritje çmimesh.

Ndërsa po vazhdon të vonohet për t’u miratuar Ligji i paralajmëruar për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë, tashmë njëfarë efekti i vogël, është arritur vetëm me ‘përsëritjen’ e Udhëzimit Administrativ nga ana e Qeverisë për kufirin maksimal të çmimit të derivateve, i rivendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Po dalin të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti, të bëra në shumë raste gjatë muajve të shkuar se “ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale”.

Kurti ka thënë publikisht se “po diskuton” me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin, dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati për masat ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale.

“Me ministrat Murati e Hajdari, jemi në komunikim që të sjellim masa që i ndihmojnë qytetarët. Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultate, por duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë, por të mos e shkelim kushtetutën”, deklaroi Kurti.

Por, duhet thënë se fare pak nga masat e paralajmëruara për t’i ndihmuar qytetarët me frenimin e ngritjes së çmimeve në përgjithësi, e në veçanti të ngritjes abuzive të tyre, kanë ndodhur në këtë kohë në tregjet e Kosovës dhe fare, ose aspak efekte konkrete nuk janë shënuar as në gusht, as në shtator, sa i përket stopimit të egërsimit të mëtejshëm të çmimeve në vend.

Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura. Dhe, këtë ngritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata që tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë.

Shkalla e inflacionit që ka arritur në diku afro 14-15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, që do të thotë se çmimet e produkteve që konsumon një familje në këta muaj, mesatarisht kanë qenë më të shtrenjta në këtë përqindje, është treguesi më real dhe më bindës për ritmet e vrullshme të ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre bazike ushqimore dhe që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në varfërinë e shtuar të qytetarëve të këtij vendi. /Mehmet Gjata/Buletini Ekonomik

Artikulli paraprakMenaxhimi i mrekullueshëm i zërimit në Qabe
Artikulli tjetërKupa e Botës në Katar: me koston më të lartë në histori