Triumfi i Venedikut ishte njëkohësisht edhe triumf i tregtisë arabe sepse, në fund të fundit ishte pikërisht ai që, duke vendosur një urë mes një bote dhe një tjetre, do t’i lidhte këto të dyja mes tyre. Tashmë në pikënisje të zhvillimit të tregtisë italiane, do të ishin ajo gjermane, franceze dhe hollandeze që do të çonin më pas në prosperitet; një rrymë e tillë gjallëruese do të vadiste një rrjet përherë e më të dendur qytetesh dhe rrugësh që do të zgjatej deri në Angli dhe Skandinavi.
Nën shembullin e asaj që kishte ndodhur në Itali, u krijuan industri të reja në veri të Alpeve, me të vetmin qëllim përpunimin e lëndës së parë arabe sipas proçedurave arabe. Qoftë nëse bëhej fjalë mes të tjerash për pambuk, kulturën e të cilit e kanë sjellë arabët në Siçili dhe Spanjë ose për atë, më delikat, të importuar nga Siria e Khorasani. Nga poemat e Neitharts von Reuenthal mësojmë që rreth vitit 1200, femrat mbanin tashmë veshje prej stofi të pushtë, një stof i endur në Milano, që shitej në panairet e Gjermanisë së Sipërme.
Mirëpo do të duhej një shekull që, përtej Konstancës, Balit, Ulmit e Augsburgut, industria e stofit të pushtë të shtrihej në të gjithë Souabe-n.
Dhe njëqind vjet më vonë, dy vëllezër, prodhues të stofit të pushtë, do të linin fshatin e tyre Graben për t’u vendosur në Augsburg. Më i madhi, Ulrich, do të vritej nga një punëtor i tij. Më i riu, Hansi, një ditë të bukur, do të vendoste të mos mjaftohej më me rolin e endësit por ta shiste vetë mailin e tij. Nga Siria dhe Qiproja topat e pambukut mbërrinin rregullisht nëpër atelie; prej andej dilnin në formë copash stofi të destinuara për qepjen e xhaketave, këmishave të piktorit dhe petkave me mëngë të gjera, moda e të cilave ishte në kulmin e saj. Por të bijtë do të ishin akoma më largpamës: tregtia e erëzave do t’i tërhiqte dhe mrekullonte me fuqinë misterioze që përcillnin. Dhe kështu, me topat e pambukut dhe koshat me piper, një familje artizanësh të vegjël do të themelonte njërën prej fuqive financiare më ndikuese të botës së vjetër, atë të Fugger-ëve. E pikërisht falë erëzave, pambukut dhe mëndafshit, paraardhësit e degës më të përparuar të kësaj dinastie, ajo e Fugger von der Lilie, do të hidhnin themelet e pasurisë së pamatë që do t’u lejonte të luanin rol në histori, të bëheshin perandorë e mbretër, të financonin papët e njëkohësisht të ndihmonin bashkëqytetarët e tyre në nevojë.
Sterna e dinastisë Fugger, me zambakun e saj blu dhe të artë, që i ati i Maksimilianit, perandori Frederik III, u kishte dhënë si shpërblim për shërbimet e tyre, përftoi skicimin e stilizuar, kaq të shtrenjtë për arabët, të një luleje me prejardhje nga Mesdheu oriental, të cilën e gjejmë edhe në emblemat e mbretit të Francës. Dhe pikërisht nga arabët është huazuar emblema e pazakontë, që do të bëhej simbol i sovranitetit të një sërë perandorish, mes të cilave ajo gjermane, monarkia austro-hungareze dhe Rusia perandorake: shqiponja me dy kokë. Përveçse mbi monumentet sumeriane dhe hitite, ajo ishte e pranishme edhe në monedhat arabe. Në fillim të shekullit XII, sulltanët selxhukë stolisnin emblemat e tyre me këtë simbol, të çilin, më vonë, në shekullin XIV, do ta përvetësonte edhe perandori gjerman.
Për cilindo që tregohej sadopak i vëmendshëm, çdo udhëtim jashtë vendit siguronte zbulimin e një morie idesh, të cilat prej kohësh prisnin të kapeshin në fluturim, ide që arritën t’i dhuronin Oksidentit përfitime të jashtëzakonshme dhe të shumanshme.
Kishte kaluar shumë kohë tashmë – që nga shekulli XII -qëkur disa pelegrinë të nisur në udhëtim për t’u takuar tek varri i apostullit Santiago në Kampostelë, kishin sjellë nga Galicia fletët e para të letrës, që bashkëfetarët e tyre i kishin blerë në Andaluzinë arabe. U kishin thënë që tek arabët vetëm kaligrafistët përdornin pergamenë të kushtueshme për përgatitjen e Librave të shenjtë; gjithë të tjerët – dhe këta ishin të shumtë meqenëse atje të gjithë dinin të shkruanin -përdornin vetëm këto fletë të holla. Dhe kishin aq me shumicë saqë i përdornin madje edhe për ambalazhim!
Ndërkohë, erëzat më të kërkuara, parfumet dehëse dhe veshjet prej tyli e mëndafshi kishin pushtuar sërish furishëm në Evropë tregjet dhe zemrat. Ishte e sigurtë që oreksi për rehati dhe luks kishte fituar përparësi ndaj nevojave shpirtërore. Por, që prej rrënimit të tregtisë në Oksident, letra ishte ende në listën e artikujve që mungonin.
Në kohën e merovingasve, shkruesit që ishin në shërbim të tregtarëve, noterëve dhe kuvendeve përdornin papirüs, produkt me të cilin furnizoheshin rregullisht nga Egjipti, përmes portit të Marsejës.
Por furnizimet ndaluan në mënyrë të menjëhershme. Asnjë anije nuk ankorohej më në porte. Atëherë njerëzve iu desh të administronin me kujdes stoqet ekzistuese me rrezikun që të përfundonin në përdorimin e pergamenës së kushtueshme apo gërvitshjen e dorëshkrimeve të lashta.
Pergamena nuk kishte qenë asnjëherë një artikull i zakonshëm tregtar e për më tepër, duke qenë se arti i të shkruarit kishte humbur gjithnjë e më tepër, nuk kishte asnjë arsye që prodhimi i saj të zhvillohej… Mirëpo, pesë a gjashtë shekuj më vonë do të vinte koha që më në fund të prodhohej një lëndë më pak e kushtueshme.
Që kur disa pelegrinë kishin sjellë për herë të parë nga Spanja disa mostra të këtyre fletëve të holla, gjithsekush përpiqej t’i gjente në ndonjë komptuar arab, që të pasurohej me ca blloqe letre andaluziane. Prej dyqind vjetësh, disa qytetarë nga Nurembergu dhe Ravensburgu, nga Bali dhe Konstanca zbrisnin zakonisht deri në Barcelonë e madje deri në Valencë. Por, në rrethinat e Valencës prodhohej një letër që, sipas asaj që shkruan udhëtuesi dhe gjeografi i madh arab Idrisi, nuk e kishte shoqen në botë.
I pari që do të vendoste ta prodhonte vetë letrën do të ishte Ulman Stromer, biri më i famshëm i një familjeje të madhe tregtarësh nga Nurembergu (që ushtronte tregtinë e erëzave dhe shkonte rregullisht në Spanjë për të blerë shafron). Në vitin 1389 ai do të themelonte në Nuremberg mullirin më të madh të letrës të ndërtuar ndonjëherë në Gjermani, Geismühle dhe për këtë do të sillte nga Italia punëtorë të specializuar në këtë fushë. Por ishin italianët ata, që në vitin 1340 kishin ndëtuar tashmë mullirin e parë të letrës në Evropë.
Tashmë?! A nuk kishin kaluar dy shekuj e gjysëm që prej hartimit në letër të dokumentit të parë të një shteti të krishterë të Oksidentit, më saktësisht në vitin 1090? Apo Siçilia, që normandët sapo ua kishin rrëmbyer arabëve dhe e cila ishte ende muslimane, nuk duhet konsideruar si pjesë e Oksidentit?
Në vitin 1115, në Palermo, Rugjeri II, mbreti i dytë normand i Siçilisë dhe nipi i Tancrëde de Hauteville, “do të ripërtërinte dhe miratonte një dokument të hartuar nga i ati, konti i madh Rugjer, që datonte në vitin 1090… thjesht për faktin se ishte përpiluar në letër.” Në fakt, pronarët e dokumentit, të mësuar me pergamenën e fortë, nuk e kishin ruajtur sa duhet letrën e lehtë prej pambuku të Kajrauanit. Ajo ishte e rrudhur, e grisur, thuajse e palexueshme dhe vende-vende teksti ishte gërvishtur e korrigjuar. Gjatë tërë sundimit të tij, mbreti do të urdhëronte hetimin dhe rishkrimin e dokumenteve të hartuara nga prindërit e tij ose vetë ai në fiilim të mbretërimit të tij. Që në vitin 1102, atij do t’i duhej të urdhëronte riprodhimin e një akti të hartuar një vit më parë nga e ëma, kontesha Adelazi (ajo i kishte dhuruar kuvendit San Filippo një mulli të ndërtuar prej një arabi) dhe kjo “sepse ishte përpiluar në letër”. Duhet patur parasysh që arabët ishin mjeshtra në ndërtimin e mullinjve dhe falë tyre Oksidenti ka patur përfitime të mëdha prej shpikjeve të tyre të shumta në këtë fushë: mullinj me ujë dhe me erë lëvizës dhe jo vetëm kaq.
Por para se të mbërrinte në kontinentin Evropian, fleta e parë e letrës kishte përshkruar tashmë një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm në det. Siç ndodh shpesh, në bazë të kësaj shpikjeje të madhe ishte nevoja për të zëvendësuar një lëndë të shtrenjtë me një produkt më pak të kushtueshëm. E pikërisht në Kinë çmimet e larta të mëndafshit sollën nevojën e zbulimit të një “ersatz”-i. Dhe mesa duket ishte qilimi i shalës me qime dhie e lope, që një ditë të bukur një endacak turk do t’i frymëzonte Ts’ai Lun-it, drejtorit të prodhimit të armëve perandorake, një ide gjeniale. Në vitin 100 pas Krishtit, ai do të merrte përsipër të priste në copa të vogla lëvozhgën e kërpit, lecka dhe rrjeta të vjetra të peshkimit për të prodhuar më pas, një brumë letre, që do të zëvendësonte mëndafshin e shtrenjtë.
Në vitin 751, arabët do të internonin në Samarkandë disa kinezë, robër lufte. Por, kur këtyre do t’u jepej e drejta të shlyenin dënimin duke ushtruar një zanat, do të konstatohej që disa prej tyre ishin mjeshtra të prodhimit të letrës dhe së shpejti, në mbarë vendin do të zhvillohej një industri shumë e përparuar e prodhimit të letrës. Proçesi i prodhimit do të përmirësohej me hapa të shpejtë. Nga fibrat e lirit dhe pambukut përftoheshin letra të bardha shumë elegante, që më pas do të vërshonin në perandorinë abbaside dhe do të triumfonin fillimisht në kryeqytetin Bagdad. Por, natyrisht, meqë Oksidentit analfabet do t’i duheshin edhe shumë shekuj të tjerë për të kaluar nga mësimi i parë tek importi, pastaj nga përdorimi te prodhimi i saj, pa të drejtë, letra do të ishte për të gjithë një prej kulmeve të lavdisë së gjenialitetit arab.
Duke patur parasysh rëndësinë e nevojave të dijetarëve dhe shkruesve, tregtarëve dhe funksionarëve të tij, kalifi el-Mensur (745-775) do të bëntë menjëherë të ditur rëndësinë parësore që paraqiste letra për barazpeshën e buxhetit të tij. Falë saj, ai do të mund të pezullonte tërë importin e papirusit nga Egjipti. Përveç kësaj, ai do t’u ndalonte zyrave përdorimin e ruleve të papirusit dhe do të urdhëronte që në të ardhmen të mos përdorej tjetër veçse letra ekonomike. Në regjimin e të birit të Harun el-Rashidit përdorimi i këtij artikulli të ri ishte përhapur aq shumë saqë në vitin 794 veziri i Barmecides, Jahja bin Fadl do të ndërtonte në Bagdad mullirin e parë të letrës. Nëpërmjet Sirisë në fabrikat e Damaskut dhe Tripolit, përmes Palestinës dhe Egjiptit, industria e letrës do të niste marshin triumfant drejt Oksidentit, duke pushtuar njërin pas tjetrit Tunizinë, Marokun dhe Spanjën. Dhe së fundi, falë arabëve të Siçilisë dhe Andaluzisë Oksidenti do të mësonte për ekzistencën e këtij artikulli të paçmueshëm. E në fakt, historia ka treguar që letra do të ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të qytetërimit e njëkohësisht edhe një mjet i pazëvendësueshëm i veprimtarisë intelektuale. Ekzistenca e letrës do të ishte pikënisja e një ere të re. Duke reshtur së qeni privilegj i një kaste të caktuar, shkenca do t’i ftonte të gjithë individët drejt saj.
Edhe në ditët tona letra është një mbështetje e pazëvendësueshme për jetën intelektuale. Pa të, shtypi, me të gjithë avantazhet që ofron, siç është shumëfishimi dhe përhapja e produkteve të mendimit si dhe informacionit e dokumentacionit, nuk do të ekzistonte, madje edhe sot, në epokën e radios dhe elektronikës!
Përdorimi i letrës do t’i hapte së shpejti rrugën shpikjes së tipografisë, jo vetëm në Oksident. Me një zell të pamohueshëm kinezë e arabë nga njëra anë dhe evropianë si hollandezi Coster dhe gjermani Guttenberg nga ana tjetër do të jepnin njëri pas tjetrit ndihmesën e tyre në këtë arritje madhështore. Falë cilave mjete veziri Abdur-Rahman III do të riprodhonte dokumentat zyrtarë të destinuar për shërbimet e tij në Andaluzi? Ja ajo që nuk dimë. Por nga ana tjetër dimë se në shtypshkronjat e tyre arabët prodhonin kartmonedha dhe lojëra me letra. Por, si shumë lojëra të tjera të shoqërisë arabe si shahu e (edhe kjo ijalë me origjinë arabe, sado e çuditshme që të duket) loja me letra është sjellë tek ne nëpërmjet kanalit të Spanjë’s.
Flavio Gioja, me prejardhje nga Amalfi, është konsideruar për shumë kohë si shpikësi i busullës. Por, në të vërtetë, njohjen e këtij instrumenti ai ia detyron pikërisht arabëve; evropianë të tjerë të asaj kohe e kishin parë busullën para tij.
Që në shekullin XI, kinezët e dinin se gjilpëra e magnetizuar tregon veriun. Megjithatë, sipas vetë tregimeve të tyre, janë “të huajt” ata që ua kanë mësuar përdorimin e busullës si instrument lundrimi. Duke qenë se në atë periudhë anijet tregtare arabe mbizotëronin Oqeanin Indian deri në Perandorinë e Mesme, kemi shumë arsye të besojmë që lundërtarët “e huaj” ishin arabë. Përveç kësaj, disa dokumente arabe të asaj kohe dëshmojnë për përdorimin e busullës në anijet e tyre. Në kthim nga kryqëzatat, Pierre de Maricourt, mësuesi i Roger Bacon, do të raportonte në Francë njohuritë që kishte marrë nga arabët mbi magnetizmin dhe busullën, dije që do t’ia zbulonte Oksidentit në vitit 1269 në veprën e tij Epistola de Magnete. Vetëm tridhjetë vjet më vonë, në vitin 1302, Flavio Gioja do të interesohej për busullën. Por Amalfi bashkë me Venedikun do të ishin qytetet e para që do të mbanin me arabët një tregti të rëndësishme dhe që do të ndërtonin si në lindje ashtu edhe në perëndim disa komptuare në portet arabe. Edhe pasi të kalonte periudha e tij e lavdisë, e deri në kohën e Frederikut II, qytetarët e tij do të ishin mes lundërtarëve dhe tregtarëve më aktivë e më të favorizuar të Italisë jugore. Pikërisht në këtë mënyrë lundërtari Gioja me dijet e tij të marra në Orient do t’ia kalonte më pas këtë instrument arab Oksidentit (dhe kjo për t’i rikthyer shkëlqimin e prestigjit pak të zbehur) duke e përsosur paraprakisht në mënyrë të konsiderueshme deri në atë pikë sa ta bëjë një udhërrëfyese të sigurtë e cila përmes oqeaneve do t’i shpinte njerëzit drejt brigjesh të reja.
Edhe pse sot, me çudi të madhe, jemi dëshmitarë të arritjeve mahnitëse të teknikës moderne në fushën e fishekzjarreve, nuk kujtohemi të mendojmë për ata që na e kanë bërë këtë dhuratë e aq më pak për faktin që ne, oksidentalët, ka shumë të ngjarë të jemi në zanafillën e saj. Ideja për të hedhur me vrull predhat me anë të forcës së shpërthimit të barutit a nuk ka lindur gjithashtu në Kinë? Ajo që dimë është se në vitin 1232, në betejën e Pien-King, ku kinezët do t’u dorëzonin mongolëve një betejë të dëshpëruar, të parët do të përdornin papritur, për herë të parë shigjeta të hedhura me anë të një përbërjeje eksplozive me bazë nitrat kaliumi. Në vitin 1270, mongolët do të përdornin efektin shpërthyes të nitratit të kaliumit dhe për herë të parë në histori, në rrethimin e Fantsching, disa predha të hedhura me barut do të ishin vendimtare për fitoren; pra, pikërisht falë kësaj arme të re, mongoli Kubilai Khan do të arrinte të shkatërronte qëndresën e Kinës. Dhe falë kujt? Këtë e mësojmë nga goja e Rashid ed-Dinit, historian i Oborrit të sulltanit arab: “Kubilai Khan na kërkoi t’i nisnim Ebu Bekrin, inxhinier tashmë i famshëm në Balbek dhe Damask. Djemtë e këtij inxhinieri, Ibrahimi dhe Muhamedi kishin ndërtuar, me ndihmën e shokëve të tyre, shtatë makina të mëdha, që do t’i transportonin para qytetit të rrethuar”. A ishin këta inxhinierët arabë që kishin vënë dijet e tyre në dispozicion të kinezëve gjatë betejës së Pien-king? Dhe gjatë kryqëzatës së shtattë famëkeqe a nuk kishte përdorur gjenerali egjiptian Fahr ed-Din, mik i Frederikut II, disa predha eksplozive, prodhim arab për pritjen e “ngrohtë” që do t’i bënte ai në vitin 1249 një ushtrie franke dhe mbretit të saj Saint Louis? Sa herë që godiste një predhë, tregon kronikani ushtarak francez, mbreti i Francës, tmerrësisht i tronditur, thërriste: “Zoti ynë Jezu Krisht, mbrona mua dhe njerëzit e mi!”
E që prej shekullit XII, figurat arabe të shkencës do të nxirrnin formulën e barutit të topit. Për arsye të nevojës së hidhur, kur u duhej të mbroheshin nga agresioni i Oksidentit, sovranët arabë do t’i urdhëronin kimistët e tyre të famshëm të studionin efektin gërryes, djegës dhe shpërthyes të mjeteve kimike të luftimit. Është e sigurtë se që prej gjysmës së dytë të shekullit XIII arabët ishin në gjendje të përdornin barutin si mjet për lëshimin e fushqetave. Në veprën e Hassen er-Rammah, ashtu edhe në kronika të tjera ushtarake të asaj kohe, flitet veç për lëndë eksplozive dhe armë zjarri, “për vezë që hidhen me vrull dhe digjen, që nisen duke vjellë zjarr dhe bëjnë një zhurmë bubullime,,: predhat e para të hedhura me fishekzjarre. Falë disa përkthimeve nga latinishtja, të dhënat e para relative mbi përzierjet buçitëse dhe të rrufeshme si dhe për disa “lodra” misterioze kanë mbërritur në Oksident nga Roger Bacon dhe Alberti i Madh, konti erudit gjerman i Bollstaedt. Dhe është mbase ky i fundit që, gjatë pelegrinazheve të tija, do t’ia përcillte njohuritë e veta mbresëlënëse të ashtuquajturit shpikës të barutit të topit, murgut françeskan Berthold Schwartz nga Fribourg-en-Brisgau.
Teoria e jashtëzakonshme do të vihej shumë shpejt në praktikë, duke shndërruar botën. Arabët e Andaluzisë janë të parët që kanë prodhuar disa pjesë artilerie e po në këtë fushë ata do të jenë mësuesit e Oksidentit. Por këtë herë, ky i fundit do të rezultojë një nxënës i shkëlqyer. Në vitet 1325,1331 dhe 1342, topat e arabëve do të mbillnin tmerrin dhe panikun në radhët e kundërshtarëve në Baza, Alicante dhe Algesiras. Por, që prej vitit 1346, pra vetëm katër vjet më vonë, në betejën e famshme të Crëcy, topi djallëzor arab që i kishte bërë anglezët të dridheshin në Algesiras, në duart e këtyre të fundit do të kthehej në një instrument të fitores së tyre të padiskutueshme mbi ushtrinë e kalorësisë franceze. Në planin ushtarak do të niste një erë e re me zbulimin e kësaj arme të jashtëzakonshme, falë së cilës, ditë pas dite, që prej Luftës së Dytë Botërore, sukseset marramendëse na lënë ende me gojë hapur.
Kujtimi i epokës kur Oksidenti përfitonte nga dritat dhe thesaret e një bote arabe në avangardë të qytetërimit ka mbijetuar ende në shumë aspekte.
Kështu, ka shumë terma të lundrimit që tregtia mesdhetare ia ka mësuar Evropës, emra të llojeve të anijeve si: dhau, silur, karavelë, feluk (Anije tradicionale transporti në Mesdhe, me velë trekëndëshe dhe gjatësi 10-20 m. shën. përk.), terma të tillë si: kabëll, arsenal, admiral, kallfatazh e madje edhe kallfe, njeri që duke trokitur me varë i tregon detarit-karpentier riparimet që duhen bërë për të shmangur rrezikun e ndonjë avarie. Për këtë dëshmojnë edhe forma e gondolave veneciane, kujtim i dashur i flirtit që Venediku ka patur me Orientin.
E po kështu edhe pëllumbi-udhëtar që “më i shpejtë se vetëtima, më i shkathët se reja” kryente tek arabët shërbimet postare dhe bënte agjentin ndërlidhës në shërbimin sekret të dorëzimeve. Diçka e tillë është sjellë në Evropë nga Kryqëzatat, duke mbetur madje edhe sot në formë simboli, me një letër në sqep, simbol i dashurisë.
E duke vazhduar më tej me hortikulturën Evropiane, në pasurimin e së cilës kanë kontribuar pareshtur për shekuj me radhë jo vetëm vendet arabe, por edhe ato të Lindjes së Aferme e të Largët, me prurjen e shumë llojeve të destinuara për konsum, zarzavate të tilla si patëllxhani, trangulli, kungulli, pjepri, angjinarja, spinaqi, pastaj limoni, portokalli, hurma, zerdelia, pjeshka, kumbulla bardalike, vishnja, për të vazhduar me orizin, shafronin, kallamin e sheqerit, ; sjelljen
e bimëve dekorative si druri i gështenjës nga India, jargavani, jasemini, trëndafili, tulipani, kamelia, zymbyli, manushaqja, shemshiri, djegësi etj, por gjithashtu e mbi të gjitha me mësimin e metodave të tyre të ujitjes, rrjedhojë e të cilave ishin ato lojëra të rafinuara me ujë në shpikjen e të cilave arabët ishin bërë mjeshtra. Trashëgimia arabe shihet edhe në disa rite fetare si për shembull ai i tespiheve që ka ardhur nga India në Kishën romake përmes Islamit; në disa instrumente liturgjike të tilla si temjanica dhe parfumet për djegie: temjani dhe mirra; në cohat prej mëndafshi dhe qëndismat që stolisin altaret e kishave oksidentale, në veshjet e mahnitshme të priftërinjve dhe prelatëve të krishterë të cilët, ende sot, me madhështinë dhe zbukurimet e tyre krejt orientate lartësojnë atmosferën e solemnitetit të kultit katolik. Madje edhe fjala baldakin, që përshkruan një baldakin të veshur me një stof mëndafshi të endur me ar ka origjinë arabe: “baldak”, stof mëndafshi me prejardhje nga Bağdadi.
Ndikimi i fuqishëm arab vërehet edhe sot në veshjen tonë, në morinë e kostumeve kombëtare që prej Mesjetës, në numrin e madh të stofrave, emri i të cilave, shumë shpesh mjafton për të diktuar origjinën e tyre arabe, të tillë si bluzë, xhaketë, ose jumper-i anglez, apo – më falni zonjë – zhaponeja, që me një vendim të modës franceze, ka zënë një vend nderi në veshjen tuaj.
Zonjat ua dinë shumë për nder arabëve për makiazhin e tyre (që pa dyshim njihej edhe më parë) dhe përdorimin e parfumeve. Dhe Orienti ka vënë në dispozicion një gamë shumë të gjerë esencash si dhe mënyrën e përgatitjes së tyre. Madje edhe burrat u janë shumë mirënjohës arabëve për mbajtjen e mjekrës, që pas Kryqëzatave, duke stolisur fytyrën e tyre, deri atëherë të rruar, do të bëhej për një kohë të gjatë një prej elementeve thelbësore të modës mashkullore.
Në aktin e të zhveshurit, të bërit banjë, Oksidenti ka një meritë të veçantë. Për gjermanët, njerëz të kalitur, banja e mëngjesit “që bëhet që në zgjim, e nganjëherë madje edhe e ngrohtë”, siç tregon Tacite ishte pjesë e rutinës së përditshme. Pas Çezarit, pavarësisht nga klima e ftohtë, njerëzit laheshin shpesh në lumenj, “meshkuj e femra gjendeshin atje pa pikën e turpit”.
Por kur Tartushi do të përshkonte Frankoninë, para syve të tij do të shfaqej një spektakël krejt tjetër, që do t’i ngrinte qimet e kokës përpjetë. Duhet patur parasysh se si musliman që ishte, ai ishte i detyruar të merrte abdest para çdonjërës prej pesë faljeve të përditshme! “Nuk mund të imagjinosh gjë më të pisët se ata njerëz! Ata lahen vetëm një a dy herë në vit me ujë të ftohtë. Nuk i lajnë kurrë rrobat e tyre; pasi i veshin për herë të parë i mbajnë deri sa të kthehen në rrecka.” Që kur kanë mësuar gjermanët dëlirësinë e që kur kanë mësuar të kenë “turp” dhe të konsiderojnë se pamja e një trupi lakuriq hap oreksin seksual dhe shijen e kënaqësive epshore, banja, larjet e pjesshme e deri tek fakti i thjeshtë i të zhveshurit larg shikimeve të njerëzve kishin qenë të vulosura me damkën e mëkatit, ndërkohë që pisllëku jepte në një farë mënyrë reputacionin e pastërtisë dhe pafajësisë morale.
E si mund ta kuptonte e aq më pak ta pranonte këtë arsyetim arabi, për të cilin pastërtia e trupit nuk është vetëm detyrë fetare por edhe nevojë në një klimë të nxehtë? Një mangësi kaq e madhe ndaj kujdesit trupor ishte krejt e papërfytyrueshme për banorët e një qyteti si Bagdadi, të cilët në shekullin X u vinin në dispozicion njerëzve, qofshin këta burra apo gra hamame me larës, masazhatorë e parukierë. Dhe vetëm në kohën e kryqëzatave, si dhe falë udhëtarëve, kundrejt një qëndrese të madhe, zakonet arabe mundën të rihapnin në Oksident rrugën drejt pastërtisë dhe një higjene më të mirë.
Me një fjalë, blloku që Evropa e krishterë kishte dashur të ngrinte ndaj Islamit ishte dërrmuar aq herë saqë pasi kishin përshkruar qindra milje dhe pasi e kishin parë me sytë e tyre, oksidentalët u bënë të burgosurit, admiruesit, madje edhe dishepujt e qytetërimit arab.
Falë urave të hedhura nga anijet italiane, si dhe ndërhyrjes së pelegrinëve e të tregtarëve, kryqëzatave e udhëtarëve, bota arabe, me sjelljen e të mirave të saj pati një ndikim sa pasurues, aq edhe stimulues për jetën e përditshme të oksidentalëve.
E së fundi, falë prurjeve intelektuale të qytetërimit arab, zhvillimi i madh ekonomik fillestar, në planin kulturor do të ndiqej nga një ngjitje edhe më e konsiderueshme, sepse në sajë të origjinës së tyre, elementet ishin pritur në fiilim më me hezitim.
DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke,
Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi