Ballina Analiza dhe raporte Hulumtime Metalet bazë dhe artikujt prej tyre me rritjen më të madhe të...

Metalet bazë dhe artikujt prej tyre me rritjen më të madhe të eksporteve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2021

 

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 54.0% në muajin gusht 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 352.6 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 228.9 milion Eurosh në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 15.6%.

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2021 kishte vlerën 64.9 milion Euro, ndërsa importi 417.5 milion Euro, që është një rritje prej 89.4% për eksport, si dhe 58.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.7% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë produktet bimore; 8.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale; 3.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 20.4 milion Euro, ose rreth 31.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 80.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (6.9%), Italia (6.7%), Spanja (4.8%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 177.3 milion Euro, ose 42.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 53.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (5.5%), Greqia (3.9%), Sllovenia (3.9%), etj.

Në muajin gusht 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 25.3 milion Euro, ose 39.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 72.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (15.2%), Maqedonia e Veriut (10.2%), Serbia (8.9%), dhe Mali i Zi (2.8%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2021, arritën në 78.7 milion Euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 50.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8%), Shqipëria (5.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.9%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.1 milion Euro, ose 29.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (13.9%), dhe Zvicra (6.7%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 161.4 milion Euro, ose 38.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.1%) dhe Kina (10.2%).

Artikulli paraprakÇrregullimi informativ, një plagë e realitetit të sotëm
Artikulli tjetërTHY fillon fluturimet në Dallas, destinacioni i 11-të në SHBA