Mërgata që nga pavarësia e Kosovës dërgoi mbi 13 miliardë euro

Mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 13.3 miliardë euro.

Ku pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata jonë gjatë vitit 2020 kishte dërguar rreth 1 miliard euro.

Gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar 1 miliard e 143 milionë euro. Pavarësisht masave të pandemisë COVID-19, vlera e sjellë në vendin tonë është 163.9 milionë euro më shumë se viti 2020.

Në pesë muajt e parë të vitit 2022 janë dërguar 445.4 milionë euro ku vlera më e madhe ishte në prill prej 108.1 milionë euro.

Remitencat sipas kanaleve të dërgimit, janar-maj 2022 | Burimi: BQK

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 278 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga Gjermania kanë ardhur 40 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 18.5 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8 për qind.

BB thekson se pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 miliard euro, 2021 – 1.14 miliard euro dhe pesë mujori i parë i 2022-së – 445 milinoë euro.

Dërgesat e mërgatës që nga pavarësia e Kosovës | Burimi: Banka Botërore

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë./telegrafi/

Artikulli paraprakBanka Qendrore e Kosovës paralajmëron rritje të interesit për kreditë
Artikulli tjetërGAP: 104 euro më shumë kosto e blerjes së shportës me artikuj të njejtë krahasuar me vitin 2021 (FOTO)