Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Gjermani

Forumi ka mbledhur së bashku dhjetëra përfaqësues të biznesit nga të dyja vendet dhe të institucioneve të ndryshme, me fokus diskutimet mbi sektorët e energjisë, ndërtimit, IT, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Gjermani. / Foto: AA
Në Tiranë është organizuar forumi i biznesit Shqipëri-Gjermani, me pjesëmarrjen e dhjetëra përfaqësuesve të biznesit nga të dyja vendet dhe të institucioneve të ndryshme.

Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në hapje të forumit tha se beson se të gjitha bizneset që janë në forum e njohin Shqipërinë dhe kanë interes për Shqipërinë.

Ajo tha se kanë më shumë se tri dekada që me Gjermaninë kanë marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike, të cilat janë ndjekur sipas saj nga një mbështetje e madhe e qeverisë gjermane në shumë sektorë në Shqipëri.

Duke folur mbi mbështetjen e Gjermanisë, ajo tha se ka qenë jo vetëm sektorë kyç në zhvillimin politik të vendit, por edhe në faktorë kyç në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor.

“Biznesi nëse do të vendosë të investojë në një vend të caktuar do të shohë stabilitetin politik, të cilin tashmë ne prej vitesh e kemi, do të shohë ndërlidhjet, interkonjeksionin rrugor, detar, aeroportual, të gjitha këto që sapo përmenda janë investime madhore që Shqipëria tashmë i ka filluar”, tha Ibrahimaj.

Ajo theksoi se Shqipëria është një vend i cili ka një pozicionim gjeografik të shkëlqyer. Ibrahimaj shtoi se janë duke punuar në kuadër të Procesit të Berlinit, por edhe në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, për të krijuar sipas saj një treg të përbashkët rajonal.

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Frida Krifca, tha se kanë lidhur një partneritet me Ministrinë e Bujqësisë në Gjermani.

“Këtë vizitë të këtyre bizneseve e kemi marrë shumë seriozisht si qeveri dhe jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë hapësirën e bashkëpunimit në mënyrë që disa nga këto biznese të kenë mundësinë të shtrihen në Shqipëri, të krijojnë partneritete me biznesin shqiptar ose mundësisht të hapin edhe filialet e tyre në vendin tonë”, tha Krifca.

Një fjalë përshëndetëse në aktivitet mbajti dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, i cili tha se mbështetja e tyre zgjerohet në disa fusha të rëndësishme.

Aktiviteti u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), me fokus diskutimet mbi sektorët e energjisë, ndërtimit, IT, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.


TRT Balkan / agjencitë

Artikulli paraprakEtika dhe normat e tregut
Artikulli tjetërKujt i Jepet Zekati – 8 kategoritë që e meritojnë zekatin