Kosova zgjat masat emergjente për energjinë

Kuvendi i Kosovës i ka dhënë miratimin edhe vendimit të Qeverisë mbi zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji. Kjo është hera e shtatë që kuvendi merr vendim për masa emergjente.

Seanca e Kuvendit të Kosovës për situatën me energjinë elektrike ka përfunduar me votimin e masave të reja emergjente për furnizim.
Nga 92 deputetët e pranishëm në sallë, 65 kanë votuar pro vazhdimit të këtyre masave

Kjo është hera e shtatë që kuvendi merr vendim për masa emergjente. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i arsyetoi masat.

“Tanimë në 9 muaj e parë të vitit vetëm se kemi një ulje të konsumit për 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe të gjitha masat që i kemi ndërmarrë dhe do të vazhdojmë t’i ndërmarrim, i kontribuojnë uljes së konsumit. Asnjë reduktim deri më tani nuk është bërë me vendim të Qeverisë, si rezultat i masave emergjente dhe kjo nuk qëndron”.

Gjatë debatit, ata patën kritika ndaj Qeverisë mbi vazhdimin për të shtatën herë të gjendjes emergjente, pa i gjetur një zgjidhje më afatgjate situatës me energjinë.

“Nëse situata do të zgjasë, silleni një ligj emergjent që e rregullon sektorin në situata emergjente, jo çdo muaj kështu. Kjo është skajshëm keqpërdorim”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Qeveria e ka tepruar me këto masa.

“Thotë na jepni besë 30 ditë sepse për 30 ditë do ta zgjidhim problemin, është hera e gjashtë që e thonë këtë. Ndërkohë që ka përkeqësim të energjisë elektrike për këto gjashtë herë që është dhënë afati 30 ditësh”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka qenë kritik ndaj masave emergjente.

“A është duke dashur Qeveria qe 20 muaj ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht 6 herë radhazi të marrë masa për gjendjen emergjente në këtë sektor. Si është e mundur që në komisionin përkatës Qeveria të mos japë asnjë analizë se cilat janë përfitimet që ky Kuvend i ka marrë në raport me gjendjen emergjente”.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar dimër të vështirë, për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë Evropën.

Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave.

Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojnë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.
Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e rinovueshme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore./RevistaMonitor

Artikulli paraprakTurqia zotohet të dërgojë drithëra dhe plehra bujqësore në vendet në nevojë
Artikulli tjetërHistoria e lidershipit