Në Kosovë 9 maji Dita e Europës është ditë feste, nuk punohet, por kjo ditë kremtohet me aktivitete të ndryshme. Por, edhe sot të gjithë bëjnë thirrje që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar. Mbi 80 OJQ kosovare i kanë shkruar letër Emmanuel Macronit për liberalizimin e vizave.
Dita e Europës është e përfshirë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës.
Edhe pse e izoluar, Kosova shënon Ditën e Europës me aktivitete të ndryshme që simbolizojnë bashkimin e europianëve.
Me Ditën e Europës, festë zyrtare, Kosova dallohet thuaja nga të gjitha vendet e kontinentit evropian, në të cilat institucionet punojnë gjatë Ditës së Europës, ndonëse atë e shënojnë si ditë me organizimin e ndonjë aktiviteti.
Gjatë kohës sa ishte ministre e Integrimeve Europiane (2013), Vlora Çitaku, kishte kërkuar që 9 Maji – Dita e Europës – të mos jetë ditë pushimi për institucionet e Kosovës.
Por, duket se kjo çështje hasi në vesh të shurdhër, pasi kurrë më nuk u diskutua. Sot, të gjitha institucionet shtetërore në Kosovë kanë pushim. Pra, Dita e Europës vazhdon të jetë festë zyrtare.
Edhe pse Kosova, ndryshe nga vendet tjera të zhvilluara europiane hynë në kategorinë e shteteve që ka papunësinë më të lartë, shkallën më të lartë të varfërisë, si dhe shkallë të lartë të korrupsionit e të krimit të organizuar, ka më së shumti ditë që institucionet ndalin punën.
Përkundër krejt kësaj, institucionet e Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se Kosova është vetëm një hap larg Bashkimit Europian. Siç thuhet, Kosova tashmë ka filluar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Europian. Gjithashtu, Kosovës iu dha rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Europian dhe me kalimin e demarkacionit në Kuvend, Kosova e ka kushtin e fundit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, që të merr dritën jeshile për Shengen. Sido qoftë deri atëherë Kosova mbetet e izoluar, larg BE-së dhe vend me varfëri ekstreme në sy të botës.
Sot edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për “Ditën e Europës”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se për Kosovën, Bashkimi Europian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në BE.
Ai tutje shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë. Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën Bashkimi Europian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Urime të gjithë qytetarëve 9 Maji – Dita e Europës!”
Plot 81 organizata joqeveritare në Kosovë kanë firmosur letrën që i është nisur presidentit të rizgjedhur të Francës, Emmanuel Macron.
Në letër, Macron urohet për fitoren në zgjedhjet e muajit të kaluar, por edhe i kujtohet se dialogu për liberalizimin e vizave ka hyrë në vitin e dhjetë.
“Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën”, thuhet në letër.
Macronit, në letër, i kujtohet edhe obligimi i përmbushur i Kosovës për këtë proces.
“Ne, qytetarët e Kosovës, i vështronim me dëshpërim qytetarët e vendeve tjera të rajonit duke e gëzuar të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Dhe kur më në fund erdhi momenti në vitin 2012 për të filluar procesin e liberalizimit të vizave, Kosovës iu dorëzua një udhërrëfyes i cili përmbante dy herë më shumë kritere sesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkundër kësaj, Kosova përgjatë gjashtë viteve të ardhshme i përmbushi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo gjë u konfirmua zyrtarisht në korrik të vitit 2018, dhe më pas u rikonfirmua përsëri disa herë nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar Këshillit të BE-së për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës kanë qenë pa rezultat”, thuhet tutje në letër.
OJQ-të kosovare i kanë bërë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.
Kosova është i vetmi vend ballkanik të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda rajonit. Nga 10 vende ballkanike, asaj i duhet të udhëtojë me vizë në katër: Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci, ndërsa nuk mund të udhëtojë fare në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe mund të udhëtojë lirisht vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.
Kujtojmë, se Dita e Europës zanafillën e ka te 9 maji i vitit 1950, kur ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të thëngjillit dhe çelikut, si detyrim për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore mes vendeve.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën. Si rezultat i këtij propozimi një vit më vonë u krijua Bashkimi Europian, ndërsa në Samitin e Milanos të mbajtur më 1985 udhëheqësit e Bashkimit Europian vendosën që 9 Maji të festohej si Dita e Europës.
Dita e Europës bashkë me himnin, flamurin, moton dhe monedhën e përbashkët- euron janë simbolet identifikuese të Bashkimit Europian. /monitor/