Ballina Analiza dhe raporte Kosova në shtator 2022 eksportoi mallra prej 77 milionë eurove dhe importoi...

Kosova në shtator 2022 eksportoi mallra prej 77 milionë eurove dhe importoi 478 milionë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2022.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.5% në muajin shtator 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.1 milionë eurove, krahasuar me deficitin prej 376.5 milionë eurove në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 16.1%.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2022 kishte vlerën 77.0 milionë euro, ndërsa importi 478.1 milionë euro, që është një rritje prej 1.9% për eksport dhe 5.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.2% e përbëjnë produktet minerale; 5.6% e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike; 6.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28.9 milionë euro, ose rreth 37.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 31.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (12.7%), Italia (5.8%), Holanda (3.9%), Sllovenia (3.3) etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 193.6 milionë euro, ose 40.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Greqia (6.6%), Italia (4.5%), Sllovenia (3.1%) etj.

Në muajin shtator 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.1 milion euro, ose 36.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Maqedonia e Veriut (11.9%), Shqipëria (11.5%), Serbia (7.7%) dhe Mali i Zi (4.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2022, arritën në 85.1 milion Euro, ose 17.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Maqedonia e Veriut (4.6%), dhe Shqipëria (4.0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.8 milionë euro, ose 25.8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA-ja (10.3%) dhe Zvicra (8.6%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 199.3 milionë euro, ose 41.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.9%) dhe Kina (10.1%)./zeri/

 

Artikulli paraprakFakte interesante rreth ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar
Artikulli tjetërBankat shtrëngojnë kushtet e kredisë për familjet dhe bizneset