Kosova hap negociatat për tregti të lirë me shtetet e EFTA-s

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se sot Kosova edhe zyrtarisht ka hapur negociatat për Marrëveshjen Ndërkombëtare për Tregti të Lirë me shtetet e EFTA-s.

Përfaqësuesit nga Kosova dhe shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicrra, Islanda dhe Lihtenshtajni,) janë takuar sot në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.

Pjesë e ekipit negociator mësohet të kenë qenë: udhëheqës Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Arjeta Shaqiri Latifi, shefe e kabinetit të Ministres Rozeta Hajdari dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Dogana e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë zhvilluar negociata me delegacionin e EFTA-s të kryesuar nga Karin Büchel, Ministre në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës.

Sipas njoftimit nga MINT, palët negociuse kanë diskutuar mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Ndërsa, investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare thuhet se janë trajtuar në nivel të krerëve të delegacioneve dhe se janë pajtuar që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahetn në Kosovë.

“Shtetet e EFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shkëmbimet tregtare të Kosovës me vendet e EFTA-s kanë shënuar vazhdimisht rritje. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës në këto vende ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro. Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte gjithsej 35,6 milionë euro, rrjedhimisht një bilanc tregtar pozitiv.

Vlerësohet se synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus të veçantë në rritjen e eksporteve dhe investimeve.

“Diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme. Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022”, përfundon edhe njoftimi I MINT-it. /Buletini Ekonomik

Artikulli paraprak300 euro për secilin person, Gjermania me pako të madhe ekonomike
Artikulli tjetërPJESA 1/ Idetë kryesore të librit “The Presentation Secrets of Steve Jobs” – Carmine Gallo