Kompania kineze e makinave pa drejtues, WeRide, prezanton “Robovan” për dërgesat autonome

Nga viti 2019, ajo po teston robotaksitë, ose taksi autonome, në rrugët e Guangzhou, Kinë. Shoqëria e përuroi këtë shërbim për qytetarët vitin e kaluar në zona të kufizuara të qytetit

 

Start-up kineze për drejtimin autonom WeRide nënshkroi një marrëveshje me një shtëpi automobilistike dhe një shoqëri dërgesash për të realizuar një furgon mallrash me vetëdrejtim.

Marrëveshja strategjike mes WeRide, shtëpisë automobilistike Jiangling Motors (JMC) dhe shoqërisë së dërgesave ZTO Express synon të komercializojë dhe të prodhojë në seri “Robovan” për logjistikën urbane.

WeRide, e cila mbështetet nga Nissan, prodhon sisteme me drejtim autonom për automjete të ndryshme. Nga viti 2019, ajo po teston robotaksitë, ose taksi autonome, në rrugët e Guangzhou, Kinë, ku edhe ka selinë. Shoqëria e përuroi këtë shërbim për qytetarët vitin e kaluar në zona të kufizuara të qytetit.

Kompania po teston edhe një autobus me drejtim autonom që quhet Robobus. Eksperimentet me këto automjete e kanë ndihmuar të zhvillojë Robovan.

“Mendojmë se kufiri midis automjeteve për pasagjerë dhe automjeteve për logjistikë urbane po zhduket” – tha CEO i WeRide, Tony Han, për CNBC. “Është një automjet me drejtim autonom. Nëse vendosni dhe një sedilje mund të shërbejë si makinë robotaksi. Nëse vendosni një dollap, shndërrohet me të vërtetë në një makinë logjistike”.

“Këto dy aplikacione [robotaksi dhe logjistika] mund të ndajnë një teknologji dhe së bashku mund të gjenerojnë të ardhura dhe fitime potencialisht të konsiderueshme. Përse të mos i bëjmë të dyja” – tha Han.

WeRide do të sigurojë sistemin me drejtim autonom për Robovan, JMC do të menaxhojë prodhimin, ndërsa ZTO do të shpërndajë automjetet për operacionet e saj logjistike.

Han u shpreh se kompania do të përcaktojë dy ose tre vende për të bërë testet e Robovan dhe do të përmirësojë karakteristikat e automjetit. Vetëm në fund të këtyre projekteve pilot, Robovan mund të shpërndahet në shkallë të gjerë. Han nuk pranoi të japë një afat për këtë, por tha se pret që “dhjetëra mijë” automjete do të përdoren në të ardhmen. / CNBC

Artikulli paraprakNjë punëdhënës si Amazon! Ofron të paguajë shkollimin e punonjësve dhe rrit pagat minimale
Artikulli tjetërLinjat ajrore europiane me kosto të ulët mund të kenë përparësi në një botë post-Covid-19