Koha është pasuria më e rëndësishme që e posedojmë. Njerëzit të cilët kohën e përdorin në mënyrë produktive, nëse do të mundnin, do ta blinin kohën nga injorantët dhe të përtacët.
Dijetarët thonë se ai që dëshiron të dijë nëse All-llahu është i kënaqur me të, duhet ta shikojë se për çfarë e përdor kohën e tij, kështu që nëse i mungon koha për të bërë vepra edhe më të dobishme, kjo është shenjë e kënaqësisë së All-llahut. Nga ana tjetër, është ai që nuk shkon drejt kënaqësisë së Tij dhe e shtyn kryerjen e punëve të mira. Termi “vrasja e kohës” nuk ekziston në fjalorin e besimtarëve. Nuk është aspak e bukur që për kohën të flitet në këtë mënyrë, ndërsa e dimë që All-llahu thotë për Veten, se Ai është koha.
Duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kohës dhe ta përdorim sa më mirë. E kemi të qartë se ekziston edhe një kaptinë e shkurtër kur’anore me këtë emër, El-‘Asr, që do të thotë “Koha”.
Përndryshe, në gjuhën arabe, etimologjikisht, ‘asr’ është koha që njeriun e shtrydh, ndërsa do të thotë edhe koha e ikindisë, sepse vjen në fund të ditës dhe nuk mund ta ndalojmë. Të gjithë po e humbin këtë kohë, përveç katër kategorive: ata që besojnë, ata që bëjnë vepra të mira, që e porosisin të vërtetën dhe durimin.
Le t’i shikojmë këto kategori njerëzish në mënyrë imagjinare. Paramendoni një njeri duke u mbytur në ujë duke humbur ndjenjat. Hapi i tij i parë është të zgjohet dhe të bëhet i vetëdijshëm për gjendjen e tij. Ky është imani (besimi). Hapi i dytë drejt shpëtimit është të dalë në sipërfaqe të arrijë të marrë frymë. Ky është aktivizim, të përdorim gjithçka që dimë nga aftësitë tona. Kjo i simbolizon veprat e mira. Tani imagjinoni që ky njeri, kur arrin në sipërfaqen e ujit, sikur e ndjenë zinxhirin e lidhur në këmbën e tij dhe këtë e ndërlidh me anëtarin më të afërt të familjes që fle nën ujë, siç ishte gjendja e tij.
Me siguri që do të kthehet përsëri në ujë që ta zgjojë çdokënd i cili është i fjetur nga shkujdesja, në mënyrë që ai vetë të mund të vazhdojë të notojë. Kjo do të thotë të rekomandosh të vërtetën dhe të bësh thirrje për zgjimin e vetëdijes. Kur del në sipërfaqe së bashku me njerëzit e afërt, kupton se ka shumë të tjerë që janë të lidhur me zinxhirë dhe në gjumë të thellë në fund të detit.
Kështu ai e kupton shkallën e detyrimeve dhe amanetit me të cilat detyrohet dhe se duhet investuar shumë më tepër punë dhe mund. Kjo e nënkupton kategorinë e fundit, të katërt nga kjo sure kur’anore, dhe ky është rekomandimi dhe domosdoshmëria e durimit për të qëndruar në rrugën e shfrytëzimit produktiv të kohës. /Islampress/