Hekurudha Kosovë-Shqipëri nis punimet në vitin 2024

Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe përmes linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve në Elbasan, ku u zhvillua takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të dy vendeve.

Për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, hekurudha e planifikuar Durrës-Prishtinë ka edhe rëndësi gjeo-politike, jo vetëm ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin mes dy qeverive kishte thënë se linja hekurudhore Durrës- Prishtinë “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”.

Hekurudha Durrës-Prishtinë krijon mundësi edhe për përfshirjen e Mali të Zi pasi projekti parashikon që ajo të kalojë nga Durrësi në Tivar dhe që andej në Prishtinë, duke e bërë kryeqytetin e Kosovës një qendër të linjave hekurudhore rajonale.

Por ndërtimi i kësaj hekurudhe nuk do të nis së ndërtuar deri në vitin 2024.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi ka thënë se ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prizren do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për ekonominë e të dyja vendeve.

Sipas tij, në vitin 2023 do të fillojë faza e projektimit të hekurudhës në mënyrë që nga viti 2024 të fillojnë punimet për hekurudhën e re që do lidhë Shqipërinë me Kosovën.

“Studimi i fizibilitetit është shumë i rëndësishëm dhe mendojmë që brenda këtij viti ky do të përfundojë. Që në vitin pastaj 2023 të fillojë faza e projektimit. Dhe mendojmë aty nga viti 2024 të fillojnë punimet për hekurudhën e re që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. Ndërkohë si Qeveria e Shqipërisë ashtu edhe Qeveria e Kosovës po shikojnë mundësinë për modernizimin e rrjetit të brendshëm hekurudhorë”, ka deklaruar Minxhozi për mediat në Kosovë.

Ai thotë se fokusi kryesorë i të dyja vendeve duhet të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e dy qeverive e mbajtur në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje.

“Tani një ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj mbledhje ishte edhe për hekurudhën. Hekurudha që do lidhi Durrësin me Prizrenin akoma po shikohen nga do të jetë udha, nuk do të thotë që tani do të bëhet në rrugën që është tani në rrugën e kombit mund të ketë edhe hapësira të tjera. Është ajo që u dakordua në mbledhjen e dy qeverive, është që të krijohet  dhe të ndahet një fond i veçantë  nga dy qeveritë i cili është ndarë për studimin e fizibilitetit”.

Ndryshe, vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Han i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë. /monitor/

Artikulli paraprakTetë çelësat për shërbimin e shkëlqyer ndaj klientëve – Fleksibiliteti i plotë
Artikulli tjetër10 aplikacionet më të shkarkuara në vitin 2021