Hapja e një pikëkalimi kufitar mes Saudisë dhe Katarit

Pasi kapaciteti i saj u rrit pothuajse gjashtë herë, kalimi i ri kufitar Salwa midis Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shtetit të Katarit u hap zyrtarisht të hënën.

Kalimi kufitar Salwa është një nga vendkalimet kufitare më të rëndësishme në Arabinë Saudite përmes së cilës transportohen mallra dhe pasagjerë midis Katarit dhe Arabisë Saudite. Duke pasur parasysh se Kupa e Botës FIFA do të mbahet në Katar në nëntor, kalimi kufitar Salwa do të jetë një lidhje e rëndësishme për tranzitin e pasagjerëve nga e gjithë bota gjatë ngjarjes sportive.

Sipas mediave saudite, gjatë Kupës së Botës do të ketë mekanizma dhe protokolle për hyrjen e futbolldashësve nga vende të ndryshme, nga Arabia Saudite në Katar.

Seksioni i pasagjerëve i kalimit kufitar Salwa, i cili është i vetmi vendkalim kufitar tokësor i Katarit, është funksional që nga e hëna. Vendkalimi kufitar i sapohapur ka gjashtëfishin e kapacitetit të pikëkalimit të vjetër, me një kapacitet ditor prej mbi 24,000 automjete, rreth 12,000 automjete që vijnë dhe rreth 13,000 automjete që nisen. Vendkalimi i vjetër kufitar mund të strehonte vetëm tre mijë automjete.

Kontribut në rritjen e trafikut

Princi Saud bin Nayef bin Abdulaziz, guvernator i provincës Lindore në Arabinë Saudite, mori pjesë në hapjen e pikës kufitare. Me atë rast ai theksoi se vendkalimi Salwa do të kontribuojë në rritjen e trafikut të automjeteve dhe pasagjerëve, përveç që do të ketë rol në përmirësimin e vëllimit të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Nga ana e tij, inxhinieri Suhail bin Mohamad Abanmi, Guvernator i Administratës Saudite të Zekatit, Tatimeve dhe Doganave, tha se projekti i ri i kalimit kufitar Salwa tani është i pajisur plotësisht me shërbime të plota dhe lehtësira shërbimi për të gjitha automjetet dhe pasagjerët që kalojnë. Ai theksoi se kalimi kufitar do të jetë një faktor i rëndësishëm në forcimin e qarkullimit të automjeteve dhe pasagjerëve, përveç që do të ketë rol në rritjen e vëllimit të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike ndërmjet Arabisë Saudite dhe Katarit.

Kalimi kufitar Salwa ndodhet 5.5 kilometra në perëndim të kufirit me Katarin dhe 1.3 kilometra në perëndim të qytetit të Salwa. Është i vetmi vendkalim kufitar tokësor midis Mbretërisë dhe Shtetit të Katarit. Është 460 kilometra nga kryeqyteti i Arabisë Saudite (Riad) dhe 90 kilometra nga kryeqyteti i Katarit (Doha).

Vlerësohet se më shumë se 350 mijë kamionë që transportojnë mijëra ton mallra, si dhe më shumë se 1.3 milionë makina kalojnë nga ky vendkalim në të dy drejtimet çdo vit./tesheshi/

Artikulli paraprakÇ’po bëjnë ekonomitë kryesore të botës për të lehtësuar qytetarët?
Artikulli tjetërA qëndrojnë arsyet e BQK-së për ngritjen e kamatave në kredi?