Njerëzit, shoqëritë dhe ekonomitë po integrohen ndërsa distancat po zvogëlohen dhe mjetet e shpejta të komunikimit po e bëjnë lëvizjen e njerëzve, mallrave, kapitalit, informacionit dhe njohurive shumë më të lehtë. Kufijtë gjeografikë nuk janë më pengesë. Me këtë, kapaciteti për të ndikuar te njëri-tjetri është gjithashtu në rritje. Ndërsa globalizimi përfshin të gjitha sferat e jetës si: politika, ekonomia, teknologjia, arsimi, media dhe kultura, po ashtu është edhe kapaciteti i tij për të ndikuar jetën njerëzore. Ekonomia, megjithatë, ka pozicionin më të rëndësishëm në këto fusha. Ajo ka një ndikim të përgjithshëm në të gjitha sferat e jetës, si dhe është një forcë nxitëse pas gjithë procesit të globalizimit.
Edhe në institucionet globale si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe FMN-ja, roli i një vendi të caktuar dhe fuqia për të marrë vendime dhe për të ndikuar në to varet nga kontributi financiar që ky vend jep. Gjithashtu brenda shoqërive dhe shteteve, nuk është e mundur që një individ ose parti pa shumë kapital të marrë një pozicion udhëheqës dhe ta mbajë atë. Teknologjia dhe zhvillimi i saj, i lidhur me të gjitha fushat e jetës, gjithashtu kërkon shumë para. Si pasojë, janë individët dhe grupet ekonomisht të fuqishme në shtetet ekonomikisht të fuqishme që luajnë rolin kryesor në ndikimin e vendimmarrjes si brenda shteteve të tyre, ashtu edhe në nivel global, qoftë në politikë, konflikte dhe luftëra, apo zhvillim në sektorët shoqërorë si arsimi dhe shërbimet shëndetësore. Në globalizimin e sotëm, si pasojë, kapitali ka marrë rëndësinë më të madhe duke i dhënë një rol kryesor dhe krijuar interesat për ata që kanë sasi të mëdha kapitali. Kapitalistët janë gjithashtu përfituesit kryesorë të këtij procesi.
Nuk ka dyshim se, përveç disa prej shteteve më të pasura të botës, kompanitë shumëkombëshe (MNC) zotërojnë shumicën e kapitalit global dhe, për këtë arsye, janë lojtarët kryesorë në ekonominë globale. Dhe pasi këto MNC janë kryesisht të lidhura me të njëjtat shtete të pasura të botës, nuk ka asnjë konflikt të madh interesi mes tyre, përkundrazi ato forcojnë njëra-tjetrën në mbrojtjen e interesave të përbashkëta, duke sjellë harmoni në axhendat ekonomike, politike, sociale dhe kulturore që ndiqen në kuadër të globalizimit. Takimet e G8-së vendosin axhendën, ndërsa Forumi Ekonomik Botëror ofron mundësinë për MNC-të dhe liderët botërorë të ndërveprojnë dhe të zhvillojnë iniciativa për ta bërë axhendën operacionale. Kështu, forca kryesore pas globalizimit të sotëm është tregu (ekonomia). Është e rëndësishme në këtë kontekst të rishikohet roli i MNC-ve dhe TNC-ve, pasi ato janë mjetet më të rëndësishme të ekonomisë së tregut, sidomos kur globalizimi ka zvogëluar distancat dhe përparimet teknologjike kanë zgjeruar mundësitë e tregut në të gjithë globin. Ato janë katalizatorët pas procesit të globalizimit dhe ekonomisë së tregut, ato marrin përfitimet maksimale nga ky proces dhe interesat e tyre janë më të mëdha në ruajtjen e këtij trendi të globalizimit.
Khalid Rahman