Perspektiva ekonomike globale është edhe më e zymtë sesa ishte parashikuar muajin e kaluar, tha të dielën Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke përmendur përkeqësimin e vazhdueshëm të rezultateve nga anketat e menaxherëve të blerjeve gjatë muajve të fundit.
Fondi tha se perspektiva më e zymtë ekonomike ka ardhur si pasojë e shtrëngimit të politikës monetare, e cila është shkaktuar nga inflacioni i lartë që është përhapur kudo, nga vrulli i dobët i rritjes ekonomike në Kinë, si dhe nga ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimeve dhe nga mungesa e sigurisë për ushqimet, rrjedhojë e pushtimit rus në Ukrainë.
Huadhënësi global muajin e kaluar e uli parashikimin e rritjes globale për vitin 2023 në 2.7%, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.9%.
Në një blog të përgatitur për samitin e liderëve të G20 në Indonezi, FMN tha se treguesit e fundit “konfirmojnë që perspektiva është më e zymtë”, veçanërisht në Europë.
FMN deklaroi se indekset e fundit të menaxherëve të blerjeve, të cilat shërbejnë si një matës për aktivitetin e prodhimit dhe të shërbimeve, sinjalizuan një dobësim në shumicën e ekonomive kryesore të Grupit 20, pasi aktiviteti ekonomik është duke u reduktuar ndërkohë që inflacioni vazhdon të mbeti i lartë.
“Shifrat për një pjesë gjithnjë e më të madhe të vendeve të G20 kanë rënë nga intervali ekspansionist që në fillim të këtij viti, duke arritur nivele që sinjalizojnë rënie të aktivitetit ekonomik,” tha FMN, e cila shtoi se fragmentimi global shton “një sërë rreziqesh negative të ndërthurura”.
“Sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale janë të mëdha dhe treguesit ekonomikë, të cilët sa vijnë e po dobësohen gjithnjë e më tepër, tregojnë se do të ketë sfida të mëtejshme përpara,” tha FMN, duke shtuar se mjedisi aktual i politikave monetare ishte “jashtëzakonisht i pasigurt”.
Përkeqësimi i krizës energjetike në Europë do të dëmtonte rëndë rritjen ekonomike dhe do të shtonte inflacionin, i cili, nëse mbetet në nivele të larta për një periudhë të gjatë, mund të nxisë rritje akoma më të mëdha nga sa pritet të normave të interesit dhe shtrëngim të mëtejshëm të kushteve financiare globale.
Kjo paraqet “rreziqe në rritje për një krizë të borxhit sovran në ekonomitë më vulnerabël,” tha FMN.
Ngjarjet gjithnjë e më të rënda të motit do të dëmtojnë gjithashtu rritjen ekonomike në të gjithë globin, shtoi organizata ndërkombëtare./ Reuters/MONITOR
Comments are closed.