Fermat vertikale janë një alternativë dhe zgjidhje e fuqishme për krizën e tokës dhe nuk janë më pak funksionale se ato tradicionale. Gjithashtu, ato kursejnë sasi të mëdha uji.
Edhe pse fermat vertikale nuk janë të reja, njëra ka tërhequr vëmendjen sepse është ferma më e madhe vertikale në botë që është gati të prodhojë më shumë se 900,000 kilogramë perime të gjelbra në vit.
Ferma e quajtur Bustanica u ndërtua nga Crop One Holdings në bashkëpunim me Emirates Flight Catering dhe u hap në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, jo shumë larg Aeroportit Ndërkombëtar Al Maktoum. Sipërfaqja e fermës është 30,658 metra katrorë.
Perimet që do të rriten në këtë fermë do të jenë “plotësisht të pastra” sepse do të rriten pa pesticide, herbicide dhe kimikate të tjera. Gjithashtu, ferma përdor 95 për qind më pak ujë në krahasim me fermat tradicionale dhe do të prodhojë tre ton prodhim në ditë falë përdorimit të makinerive, inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave.
Fabrika përdor një sistem të mbyllur që lejon ujin të qarkullojë nëpër bimë për ta përdorur atë në mënyrë efikase. Uji avullohet gjatë procesit të ujitjes dhe riciklohet në sistem, i cili kursen 250 milionë litra ujë çdo vit në krahasim me fermat tradicionale të hapura me të njëjtin prodhim.
Perimet e gjelbra do t’u shërbehen pasagjerëve në avionët e kompanisë Emirates, si dhe linjave të tjera ajrore që bashkëpunojnë me Emirates Flight Catering. Gjithashtu do të shiten edhe në dyqanet lokale nën markën Bustanica./Motilokal.