Euro “fluturon” çmimet në Kroaci, ndërhyn qeveria

Pas miratimit të monedhës së përbashkët europiane në Kroaci ka një rritje të madhe të çmimeve, veçanërisht për ushqimet dhe shërbimet.

Rritjet janë konsideruar të pajustifikuara nga qeveria, e cila ka paralajmëruar të ndërhyrje në ditët në vijim.

Shumica e rritjeve të çmimeve e kanë tejkaluar logjikën e konvertimit të monedhës, me rritje të çmimeve që variojnë nga 5 në 20 për qind krahasuar me çmimet para prezantimit të monedhës së përbashkët evropiane euro.

Për këtë arsye, shumë tregtarë, restorante, madje edhe disa rrjete supermarketesh janë akuzuar nga shtypi se kanë përfituar nga këmbimi valutor. Zemërimi i qytetarëve ka shpërthyer edhe në rrjetet sociale, duke denoncuar ndër të tjera rritje të çmimit të bukës dhe gjalpit deri në 30%.

Kryeministri Andrej Plenkoviç akuzoi gjithashtu “një pjesë të tregtarëve dhe sipërmarrësve se kanë përfituar nga kalimi nga kuna kroate në euro me këtë sjellje të papërgjegjshme”.

Plenkoviç tha se qeveria ka mjete të forta “që nuk do të hezitojë t’i përdorë”. Ndërhyrjet e mundshme përfshijnë rritjen e synuar të tatimeve dhe taksave, heqjen e subvencioneve të gazit dhe energjisë apo edhe ngrirjen e çmimeve për qindra artikuj në nivelet e dhjetorit.

Kroacia u bashkua me Eurozonën më 1 janar të këtij viti. Krahas anëtarësimit në Eurozonë, Kroacia e cila iu bashkua BE-së në korrik 2013, iu bashkua gjithashtu zonës Shengen për lëvizje të lirë në Evropë në fillim të vitit.

Artikulli paraprakKuvajti rrit pesëfish eksportet e naftës në Evropë
Artikulli tjetërPa pasaporta deri në fund të janarit