E padëgjuar: Kredi për…Bajram!

Qytetarët e Kosovës kanë aktualisht mbi 3 miliardë euro borxhe nëpër banka. Këto para qytetarët i kanë marrë për investime të ndryshme, por edhe për pushime e blerje luksoze.

“Kredi për Bajram”, kjo është vetëm njëra nga shumë ofertat e një banke, që bënë për t’i joshur qytetarët e Kosovës që të marrin kredi.

Vlera maksimale që  mund të merrej “për Bajram” është deri në 3000 euro.

Oferta të tilla joshëse kanë thuajse të gjitha bankat komerciale dhe institucionet mikrofinaciare.

Gjatë verës nuk mungojnë edhe ofertat e tilla si “Pusho në deti me kredi”  edhe “kredi e shpejtë” ose “ kredi personale”.

Qytetarët e Kosovës hyjnë në kredi edhe për gjëra luksi, siç është blerja e veturës, blerja e banesave dhe shtëpive apo kredi edhe për udhëtim në shtete të ndryshme të botës.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se vlera e kredive aktuale është mbi 3 miliardë euro.

“Deri në muajin mars, totali i vlerës së kredive të dhëna ka arritur në shumën prej 3.93 miliardë euro. Kurse, deri në dhjetorin e vitit të kaluar (2021), totali i vlerës së kredive të dhëna ishte 3.7 miliardë euro”.

Sipas BQK-së, qytetarët e Kosovës kredi marrin më së shumti për katër arsye.

“Kredi konsumuese, shërbyese, hipotekare, industriale, bujqësore”.

Kurse sipas një ankete të Institutit “GAP”, të bërë kohë më parë,  gjysma e të anketuarve kanë thënë se kanë marrë kredi konsumuese, 17% kredi për blerjen e shtëpisë, 6% kredi për blerjen e automobilit e kështu me radhë.

Në vitet fundit nuk ka statistika të sakta rreth mundësive financiare të qytetarëve të Kosovës që me mjete të kursimeve të aranzhojnë pushime verore familjare, pa pasur nevojë për një kredi bankare.

Por, marrë parasysh faktin që gjendja ekonomike në Kosovë ndër vite është afërsisht e njëjtë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës të bëra publike nder vite, rreth 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

“…rreth gjysma e ekonomive familjare kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake”, thuhet në një pjesë të raportit të ASK-së.

Në pamundësi që shpenzimet për pushime t’i mbulojnë nga kursimet e tyre, shumë qytetarë zgjedhin një kredi të shpejtë për t’i mbuluar këto shpenzime.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale dhe 23 institucione mikrofinanciare. Norma mesatare e kamatave për kredi në banka është 6.6 për qind varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, kurse në institucionet mikrofinanciare, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, norma efektive e interesit është 20.8 për qind.

Artikulli paraprakÇmime të larta dhe rritje e dobët ekonomike. Europa goditet nga lufta dhe pandemia
Artikulli tjetërPandemia dhe lufta: një ngërç në tregun e biçikletave