Dyshekët rrisin ndjeshëm eksportet e Kosovës

Sipas të dhënave, diku rreth 12 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve kosovare e përbëjnë eksportet e dyshekëve të “Comodita”-s. Kjo fabrikë tashmë më emër dhe reputacion për cilësi dhe afarizëm të suksesshëm, prodhimet e veta, kryesisht dyshekët e njohur, i plason në tregun e SHBA-së, ku gjithnjë e më shumë po e zgjeron tregun.

Kosova është ndër vendet që karakterizohet me import enorm dhe eksport të vogël, përkatësisht me shpërputhje gjigande të shifrave import-eksport në favor të importit.

Shpërputhja e madhe import-eksport në Kosovë nuk është e sotme, as e javëve dhe muajve të fundit, por është e kahershme, që nga paslufta, ose qëkur institucionet kompetente të vendit regjistrojnë dhe evidentojnë shifrat e import-eksportit. Edhe në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) deri në muajin gusht të sivjetshëm, del të jetë e theksueshme shpërputhja import-eksport.

Më saktësisht, deri në muajin gusht 2022, sipas ASK-së, Kosova ka importuar mallra në vlerë të diku rreth 526,8 milionë eurove, që është një shumë parash thuaja se rekorde, dhe ka eksportuar gjithsej diku rreth 84,8 milionë euro produkte të ndryshme. Po të krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2021), i bie që sivjet deri në gusht është shënuar rritje 30.6 për qind në eksport dhe 26.2 për qind në import.

Ndërsa, po të vazhdohet edhe me llogaritjen e shifrave të import-eksportit në Kosovë, del që deficiti tregtar i Kosovës në këtë periudhë të jetë 441.9 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2021 deri në gusht deficiti tregtar ka qenë 352.6 milionë euro. Shifrat, pra tregojnë se edhe deficiti tregtar sivjet deri në muajin gusht është rritur për 25,3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ose, eksporti mbulon importin (16.1%).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, sipas ASK-së, (23.2%) të eksporteve e përbëjnë produktet minerale, (18.0%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (16.2%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (11.1%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (7.8%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (4.9%) produkte bimore, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: (22.9) produktet minerale, (12.2%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.5%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.3%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.4%) plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, (6.3%) produkte të industrisë kimike (6.0%) mjetet e transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 31,0 milionë euro, ose rreth (36.5%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (51.2%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.4%), Danimarka (6.2%), Sllovenia (5.9), Holanda (3.3%), etj.

Ndërkaq, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 213,2 milionë euro, ose (40.5%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (20.2%). Importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga: Gjermania (9.5%), Greqia (8.7%), Italia (3.8%), Sllovenia (3.4%), etj.

Në muajin gusht 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 32,2 milionë euro, ose (38.0%) të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (27.2%). Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (14.8%), Serbia (9.2), Maqedonia (8.4%), Mali i zi (4.4%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2022, arritën në 100,0 milionë euro, ose (19.0%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (26.9%). Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia (5.5%), Shqipëria (4.1%).

Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 21,6 milionë euro, ose (25.5%). Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (11.7%), dhe Zvicra (6.5%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 213,5 milionë euro, ose (40.5%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.6%) dhe Kina (10.1%).

Duhet theksuar se te treguesit për eksportet e Kosovës në vendet e tjera, që arritën në 21,6 milionë euro, ose 25,5 për qind të eksporteve tona dhe ku si partnerë më të rëndësishëm veçohen SHBA dhe Zvicra, një përqindje goxha të madhe, ose përafërsisht gjysmën e këtyre eksporteve e përbëjnë shitja e dyshekëve kosovarë, që prodhohen nga Fabrika e dyshekëve Comodita, në Gjakovë.

Sipas të dhënave që i bëri publike këto ditë për media një njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të Kosovës, Edison Jakurti, diku rreth 12 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve kosovare e përbëjnë eksportet e dyshekëve të Comoditës. Kjo fabrikë tashmë me emër dhe reputacion për cilësi dhe afarizëm të suksesshëm, prodhimet e veta, kryesisht dyshekët e njohur, i plason në tregun e SHBA-së, ku gjithnjë e më shumë po e zgjeron tregun./buletiniekonomik/

Artikulli paraprakIslami dhe pasuria
Artikulli tjetërAKP shpall shitjen e radhës SHAL 60