Ballina Lajme Bota Drejtuesit financiarë të G7 trajtojnë sfidat ekonomike globale dhe rrezikun potencial të...

Drejtuesit financiarë të G7 trajtojnë sfidat ekonomike globale dhe rrezikun potencial të tavanit të borxhit të SHBA

Samiti i 49-të i G7 do të mbahet nga 19 – 21 maj 2023 në Hiroshima, Japoni. Ndërkohë, më 11 maj, drejtuesit financiarë të grupit, u takuan për shkak të situatës së shqetësuar për mungesën e një marrëveshje mbi ndryshimin e tavanit të borxhit të SHBA-së, e cila duket se mund të jetë një nga kërcënimet më të mëdha potenciale, për ekonominë globale.

Sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, tha se një nga prioritetet e saj, do të ishte të theksonte rëndësinë e zgjidhjes së bllokimit të borxhit kombëtar në ekonominë e vendit.

Nga bllokimi mbi shpenzimet, qeveria rrezikon të jetë e paaftë të paguajë për mësuesit, kujdesin mjekësor për veteranët dhe përfitimet jetike për shumë amerikanë.

Presidenti Joe Biden tha se ai dhe udhëheqësit e Kongresit, patën një takim “produktiv”, në përpjekje për të rritur kufirin e borxhit të vendit. Ata do të takohen sërish ditën e premte, për të shmangur rrezikun e një dështimi të paprecedentë të qeverisë, nëse ligjvënësit në Kongres nuk bien dakord të rrisin tavanin e borxhit.

Biden tha se ishte “absolutisht i sigurt” se vendi mund të shmangte një falimentim, duke deklaruar se dështimi për të përmbushur detyrimet e Amerikës, mbi të cilat bazohen shumica e financave të botës, “nuk është një opsion”.

Biden tha se mund të duhej të shtynte udhëtimin e tij në Japoni, Australi dhe Papua Guinenë e Re.

Sekretarja e Thesarit tha se forcimi i sistemit financiar global, është një prioritet kyç i G-7, pasi një koalicion prej mbi 30 vendesh kërkon t’i imponojë Rusisë kosto të rënda ekonomike, për luftën që ka ndërmarrë.

Ajo tha se investimet “historike” të Biden në modernizimin e infrastrukturës amerikane, ishin një hap drejt përmirësimit të qëndrueshmërisë së një ekonomie, varësia e së cilës në zinxhirët globalë të furnizimit u testua së tepërmi gjatë pandemisë COVID-19.

Rezerva Federale tha në një raport se bankat amerikane, rritën standardet e tyre të huadhënies për bizneset dhe kreditë konsumatore, si pasojë e tre falimentimeve të bankave, që u shkaktuan pjesërisht nga rritja e mprehtë normave të interesit të bankës qendrore, për të mposhtur rritjen e inflacionit, në nivelet më të larta të katër dekadave.

Rritja e normave synon të ngadalësojnë kreditimin dhe huamarrjen, por mund të tejkalojnë qëllimin e tyre, duke e futur ekonominë në recesion. Lëvizjet e bankave për të kufizuar më tej kreditimin, mund të krijojnë edhe më shumë vështirësi për bizneset dhe konsumatorët.

Inflacioni ka mbetur i lartë. Çmimet e konsumit në Shtetet e Bashkuara u rritën me 0.4% në prill, ndërsa rritja vjetore 4.9%, ishte më e vogla në dy vjet.

Ekonomitë e tjera të G-7, po luftojnë kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve, duke i detyruar bankat qendrore të rrisin normat e interesit, që arritën nivele rekord ditët e para të pandemisë.

Drejtuesit financiarë të G-7, u takuan një muaj më parë, në Uashington, gjatë takimit vjetor të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku ata përsëritën angazhimin e tyre për të ndihmuar ekonomitë, të përballen me ndikimin e luftës në Ukrainë, për të ndihmuar vendet me borxhe të mëdha të zgjidhin cenueshmërinë e tyre financiare, të forcojnë sistemet globale shëndetësore dhe të ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Kombet e G-7 përfshijnë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Të ftuar të tjerë në takimet në Niigata përfshijnë Bashkimin Europian, FMN dhe Bankën Botërore, si dhe ministrat e financave të Brazilit, Komoros, Indisë, Indonezisë, Koresë së Jugut dhe Singaporit.

/ Associated Press

Artikulli paraprakNuk po jepni maksimumin në punë dhe jetë? Ja 6 mënyra si të luftoni ankthin në trurin tuaj
Artikulli tjetërDASH publikon raportin për lirinë fetare, cilat janë problemet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut