Cilësitë e tregtarit musliman

Prej karakteristikave të Fesë së Allahut është se kjo Fe është e përshtatshme për çdo kohë, çdo situatë dhe çdo shoqëri, mirëpo shumë pak e shohim këtë gjë në praktikë te një numër i madh i atyre që i përshkruhen kësaj Feje madhështore. Për shembull nëse vetëm pak shohim gjendjen e tregtarëve tonë musliman, qoftë nëpër tregjet tradicionale, apo nëpër shitoret moderne, do ta shohim se një numër i madh i tyre e mishërojnë në realitet thënien e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) i cili thotë: “Me të vërtetë tregtarët do të ringjallen në Ditën e Kijametit si të prishur, përpos të devotshmit, bamirësit dhe atij që e thotë të vërtetën.”[1]

Në këtë Hadith Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ka përmendur disa prej cilësive të cilat janë jetike, sa i përket tregtarit “ashtu siç duhet”.

Thotë el-Kadi I’jad rreth këtij Hadithit: “Pasiqë është zakon që tregtarët të mashtrojnë në raport me të tjerët dhe të aktrojnë gjatë plasimit të produktit që dëshirojnë ta shesin, duke u betuar me betime të rrejshme dhe gjëra tjera, janë cilësuar si kriminel (të prishur), por prej këtyre është përjashtuar ai cili ruhet nga gjërat e ndaluara dhe është i sinqertë në betime dhe në të folurit…”.

Andaj çdokush që merret me këtë profesion duhet ta din se drejtësia, korrektësia, sinqeriteti, butësia dhe disa virtyte tjera, janë e vetmja rrugë dhe mënyrë për të shpëtuar nga rringjallja si njeri jo i moralshëm në Ditën e Gjykimit. Duke parë nevojën që kanë muslimanët për dituri të përgjithshme rreth Fesë së Allahut dhe rreth kësaj çështje në veçanti, me lejen e Tij do t’i përmendim disa prej cilësive që duhet t’i ketë çdo tregtarë që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit dhe i cili dëshiron ta ushqejë familjen e tij me pasuri hallall.

Kur dijetarët e Fesë së Allahut kanë folur rreth kësaj çështje kanë përmendur një numër të virtyteve që duhet t’i këtë tregtari për të qenë i lumtur në këtë dynja dhe në Ahiret, prej këtyre gjërave kanë përmendur:

1.  Falja e Namazit dhe përmendja e Allahut:

Këtë e themi në fillim ngase nuk mund të paramendohet Islami i një njeriut pa Namaz dhe poashtu, nuk mund të paramendohet jeta e një muslimani pa përmendje të Allahut. Prej praktikës është e njohur se një numër i madh i tregtarëve e lënë Namazin dhe përmendjen e Allahut me arsyetim se nuk kanë hapsirë t’i kryejnë këto ibade nëpër vendet e tyre të punës. Thotë Allahu: “O besimtarë, mos t’ju shmangin pasuria juaj dhe fëmijët tuaj nga Dhikri e Allahut. E ata që bëjnë këtë, do të humbin.” (el-Munafikun, 9)

Dijetarët kanë thënë rreth këtij Ajeti, se Allahu e ka përmendur pasurinë dhe fëmijët, ngase këto dy gjëra janë shumë të dashura për njeriun, andaj kur ai mendon për mënyrën e shtimit të pasurisë dhe të përfitimit prej saj, ndodh që ta harron edhe obligimin e tij ndaj Allahut, ndaj Atij i cili e ka begatuar me këtë pasuri, por kjo nuk është rasti me muslimanin e mirë.

Është e njohur prej argumenteve të shumta fetare se Namazi është prej simboleve më të mëdha fetare, andaj lënia e këtij ibadeti te një numër i madh i dijetarëve llogaritet lënie e fesë në përgjithësi.

Për këtë, çdo musliman duhet ta dijë, se ky adhurim kaq i madh, i cili është obligim në çdo kohë dhe në çdo situatë, ka edhe shpërblim të madh tek Allahu. Për këtë shkak Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e ka krahasuar Namazin me një lum në të cilin lahet njeriu pesë herë në ditë, pastaj ka pyetur: “A mbetet diçka tek ky njeri prej papastërtisë?!” Padyshim që jo. Kështu është edhe në aspekt të shlyerjes së mëkateve.

2.  Sinqeriteti në të folurit dhe besnikëria:

Thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem): “Tregtari i sinqertë dhe besnik është me pejgamberët, të sinqertit dhe shehidat.”[2] Kjo është pozita e të sinqertit dhe besnikut prej tregtarëve në Ditën e Kijametit, e a ka pozitë më të lartë se kjo?!

3.  Mos plasimi i artikujve me betime të rrejshme:

Transmeton ebu Dherri (radijAllahu anhu) nga i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Tre personave nuk j’u flet Allahu në Ditën e Gjykimit, as nuk i shikon, as nuk i pastron dhe ata do të kenë dënim të dhimbshëm.” Pastaj tregoi se kush janë ata: Musbili[3], ai që shet diçka me betim të rrejshëm dhe ai që jep diçka, pastaj e përmend këtë.”[4]

4.  Këshillimi i muslimanëve:

Kjo cilësi e mirë nuk është e veçantë vetëm për tregtarët, apo për ata që kanë ndonjë lidhje me këtë profesion, por kjo është për çdo njeri që beson Allahun dhe ua dëshiron tjerëve atë që ia dëshiron vetes dhe familjes së tij, andaj sahabët e Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) thonin: “Ia jepnim besën Pejgamberit se do të dëgjojmë, respektojmë dhe se çdo musliman do ta këshillojmë.”[5] Por i  veçojmë tregtarët këtu për shkak të kontakteve të shumta që i kanë ata me njerëzit.

5.  Largimi nga çdo lloj mashtrimi:

I Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) brengosej që ky ves i keq të mos përhapet në mesin e muslimanëve, andaj i këshillonte muslimanët që të ruhen nga kjo cilësi, madje edhe praktikisht ndalonte nga e njëjta.

Një ditë prej ditëve Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) doli në treg dhe e pa një njeri i cili shiste drithna, ashtuqë Pejgamberi u mahnit me kualitetin e produktit të këtij njeriu, mirëpo e futi dorën e tij në thes dhe e pa që drithnat ishin lagur përbrenda, andaj Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) tha: Nuk është prej neve ai që na mashtron.[6] Mbaje mend këtë thënie të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) dhe çdoherë që shejtani do të mundohet të të nxit të mashtrosh, largoje atë duke e menduar kuptimin e këtij Hadithi.

6.  Mos mangëso në peshore:

Allahu i ka përmendur njerëzit të cilët çdoherë e bëjnë që peshorja të peshon në dobi të tyre, thotë Allahu: “Mjer për ata që kur peshojnë – mangësojnë, të cilët e marrin masën e plotë kur marrin për veten, e kur t’iu peshojnë të tjerëve – ju pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen në një Ditë të Madhe (të Kijametit), atë Ditë kur njerëzit do të dalin para Zotit të gjithësisë!” (el-Mutaffifin,1-6)

Allahu na ruajtë nga vuajtjet e kësaj Dite!

7.  Largimi nga kamata:

Kjo është një prej veçorive më të spikatura të tregtarit musliman. Sidoqoftë kjo punë është prej gjërave më të urrejtura tek Allahu, andaj edhe pasuria e fituar prej kamatës, apo e përzier me kamatë, është shumë e urrejtur tek Allahu. Thotë Allahu: “Ata që hajnë e marrin kamatë, nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri të cilin e ka prekur dhe e ka bërë të hutuar djalli. Kjo ndodh për shkak se ata thonin se tregtia është njëlloj – si kamata. Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatën e ka ndaluar. E kujtdo që i vjen këshilla nga Zoti i tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës), është i tij. E, vendimi për këtë i takon Allahut. E, kushdo që i kthehet (marrjes së kamatës) ai do të jetë banorë i Zjarrit, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu e shkatërron kamatën, kurse e rrit pasurinë nga e cila është dhënë lëmosha.” (el-Bekare, 275-276)

Poashtu për këtë mëkat të shëmtuar na ka treguar i Dërguari i Allahut në shumë hadithe. Thotë Pejgamberi : “Largojuni shtatë shkatërruesve…” dhe përmendi mes tyre kamatën.

Poashtu thotë: “Allahu e mallkoftë ngrënësin e kamatës dhe atë që jep (kamatë)”. Transmeton Muslimi dhe shtoi Tirmidhiu “…dëshmitarët dhe shkruajtësin e kamatës”[7]

8.  Shpirtbutësia gjatë shitblerjes:

Mos u bë i vrazhdë, zbute shpirtin dhe zemrën tënde, ngase i dashuri ynë, Muhammedi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Allahu e mëshiroftë një njeri i cili është shpirtbutë kur të blen dhe kur të shet.”[8] Poashtu Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ai që ia shtynë afatin nevojtarit, apo ia shlyen borxhin, Allahu do t’i bën hije (në Ditën e Kijametit)…”[9]

Këto cilësi dhe shumë të tjera e kanë karakterizuar tregtarin e mirë musliman në kohën e të parëve tonë, në kohë kur popuj të tërë e kanë pranuar Islamin si shkak i kontaktit të tyre me tregtarë që ishin stolisur me këto virtyte të mira, andaj çdo tregtarë musliman që ka kontakt me qafirat, le ta din se ai para se ta përfaqëson kompaninë, apo ndërmarjenn e tij gjatë shitblerjes, le ta din se ai me sjelljen e tij e përfaqëson Islamin dhe muslimanët. Lusim Allahun që të na bën prej atyre që moralin e tyre e stolisin me kësilloj virtyte dhe lutja jonë e fundit është: Elhamdu lil-lahi rabbil a’lemiin!

Përmblodhi: Ali Ashani


[1] Tirmidhiu (1210), ibn Maxheh (2146). ed-Darimi (2/247), Albani e ka cilësuar si autentik

[2] Tirmidhiu (1209), ebu Jea’la dhe ed-Darimi (2539), Albani e ka cilësuar si autentik

[3] Ai që i lëshon teshat nën nyjet e këmbëve, në këtë rast me kryelartësi, siç është e përmendur në një hadith tjetër të ngjashmë me këtë. Sh.p.

[4] Muslimi (208), Ahmed (5/148), ed-Darimi (2605) etj.

[5] Buhariu (7294), Muslim (111), Ahmedi (4/361) etj.

[6] Muslimi (197), ebu Davudi (3452), ibn Maxheh (2224) etj.

[7] Muslimi (1597), ebu Davudi (3333), Tirmidhiu (1206), ibn Maxheh (2267)

[8] Buhariu (2076)

[9] Muslimi (3014)

Artikulli paraprakA lejohet që gruaja t’ia japë zekatin burrit të saj?
Artikulli tjetërParime të shitblerjes, sipas dijetarit Meshhur Hasen